Kalosh Çeliku: Qoftëlargu
| E Marte, 20.03.2012, 08:03 PM |

QOFTËLARGU

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

E kthej prapa trurin si në film para tridhjetë vjetëve, në prag të demonstratave shqiptare në Prishtinë. Ose, Pranverën e hershme shqiptare (11 mars 1981). Kohë kjo, kur përpiqeshim të ngrihemi edhe një herë më këmbë si popull shqiptar. Shekuj me radhë i kishim pasur mbi shpinë Perandorinë Osmane, sllavët dhe neofashizmin komunist. Vite robërie kur na bienin bythëve me thupër nëpër histori e mua më kishin hedhur maleve si mësues, përderisa kolegët e mi krijuesë bënin qejfe në kokërr të shpinës nëpër redaksitë komuniste. Aparati burokratik komunist, kur kërkonte në mesin tonë bashkëpunëtorë të devotshëm, “trima” që dilnin në dyluftime me shkrime t’ju kundërvihen në atë kohë intelektualëve më të zëshëm “nacionalistë” shqiptar: Ismail Kadare dhe Rexhep Qose. Ndonjërin, e kërcnonin edhe me vende të punës.

Intelektualët e Kosovës në këtë fushatë antishqiptare kanë qenë më të kujdesshëm e të vendosur si vizionarë. Propagandës sllave i vinte të plasë nga inati, pse në mesin e gjithë këtyre intelektualëve që i kishte Kosova, nuk gjenin as edhe një për farë t’i kundërvihet Ismail Kaderes, që në atë kohë mori guximin t’i dalë zot Kosovës. Mezi e gjetën më në fund një “krijues” anonim që punonte si gazetar në Radio Prishtina të dalë me një shkrim sakat kundër Ismail Kadares. Heqin qafe kërkesën politike të Partisë Komuniste. Në Shkup ndodhi katastrofa diferencuese: Teki Dervishi që nuk pranoi të dalë me shkrime kundër Ismail Kadaresë u përzu nga puna, ndërsa dy kolegët e tij shkrimtarë që punonin në të njëjtën redaksi të “Flakës së vëllazërimit”, i rrejti mendja se mund të maten me gjeniun e letrave shqipe, dolën me shkrime teknefese në vezhdime kundër shkrimtarit “nacionalist” me famë botërore. Vetë në atë kohë kam qenë dëshmitar i këtyre fushatave të papara diferencuese kundër intelektualëve shqiptar. Edhe mua, permes mashave shqiptare  në mënyrë indirekte mu vardisën në Shkup: pse nuk del me një shkrim kundër Rexhep Qoses, ti je më i madh se ai si shkrimtar, edhe më guximtar në shkrime letrare. Vetëm dil thuaja të vërtetën e “vëllazërim-bashkimit” në sy, punën tjetër të karrierës artistike na e beso ne të Lidhjes socialiste. Ditën, vetëm zgjidhe ku don ta gdhish, në cilën redaksi si redaktor.

E vështirë ishte edhe përgjigja intelektuale në atë kohë qorre, të shkonte koka si qenit në rrush. Patjetër, duhej gjetur rrugë. Edhe, e gjeta: Rexhep Qosja është intelektual i madh shqiptar, habitem se si pajtoheni ju që t’i kundërvihem unë si shkrimtar. Mirë do të ishte të gjeni ndonjërin të rangut tij intelektual, ose së paku afër tij me vlera të arrira intelektuale. Realiteti, e kam pasur edhe profesor të studimeve në Prishtinë. Pak vetë do t’ju besojnë këtu në Shkup, që unë t’i kundërvihem profesorit tim të nderuar Rexhep Qoses me thashetheme. Fat i imi në atë kohë, edhe nuk kisha të humb ndonjë post që ma kishte dhuruar për merita të pakapërcyeshme Partia Komuniste, përveçse atë: të mësuesit të maleve. Edhe, e dini çka: falë Zotit shpëtova nga një grep i rrezikshëm politik komunist i asaj kohe që edhe sot e kësaj dite do ta kisha si barrë në shpinë. Ndonjëri nga kolegët e mi e hëngër grepin komunist, fitoi poste e vende pune, çmime letrare, avansime në karrierën e tij letrare. Vepër kjo “patriotike”, të cilën e vazhduan edhe gjatë ndryshimeve demokratike. Qoftëlargu do të merret edhe me projekte “madhore” letrare, përkthimin e veprave të shkrimtarëve më eminent të Shqipërisë, ne mesin e tyre edhe të Ismail Kadare. Vetëm se, kurrë nuk do të arrij gjatë përurimit të atyre librave ta mashtrojë me një “darkë të fshehtë”, sjellë Ismail Kadaren në Shkup. Rolin e argatit besnik do ta bëjë edhe në hartimin e Enciklopedisë maqedonase, Letërsisë maqedonase, ndarjen e çmimeve letrare e republikane. Dorën në zemër, aspak sot nuk ua kam lakmi, mjafton dhe gëzohem që mbeta gjallë, nxora në dritë edhe ndonjë libër. Rrugës, vërtetë morëm shumë plagë, po megjithatë e vazhduam luftën me penë për në Liri.

Maleve ramë dhe u ngritëm përsëri për Liri. Armiq shekullor i patëm pushtuesit dhe gjakprishurit si pjellë meleze të popullit heroik shqiptar. Krah për krahu, gjatë periudhës komuniste na luftuan dudumët në anën tjetër kundërshtare me shokët. Megjithatë, luftën edhe sot e kësaj dite nuk e ndalëm për Liri.

Shkaku: E dini edhe pse ne nesër do ta fitojmë Luftën?! Lirinë. Shqipërinë Etnike. Jo, nuk e dini o burra! Ne bëjmë luftë nëpër shekuj për Shtet etnik shqiptar. Vite ma radhë vdesim maleve, armët ende i kemi në dorë. E di, ju do të thoni: I dorëzuat pas Luftës së fundit (2001) në IRJ të Maqedonisë. Jo, të gjithë shqiptarët. Përmëtepër, ne tashti kemi rrok në dorë armë edhe më të fuqishme se bomba atomike: librin dhe penën.

Edhe kësaj radhe Qoftëlargut me shokë nuk do t’ia përmend emrin, as nofkën me të cilën e kam emëruar nëpër libra. Shkaku se: “miqtë” e mi të penës m’u ankuan, më thanë mjaftë më me atë Qoftëlargun! Pse, nuk e len t’i mbyllë ditët e fundit në rehati dhe paqe. Pajtohem me ju, u thashë: po, sikur ky Qoftëlargu me shokë të pushonte së vepruari, mos t’i ngatërrohet ende popullit shqiptar nëpër këmbë.

Vetëmse, Qoftëlargu nuk heshtë, posa ne e marrim veten si shqiptarë, ngrihemi më këmbë, ky rrufjan me shokë na hyn nga dera e madhe në Shtëpi si “patriot” kuqezi. Ende vazhdon me “flijime artistike” shumë vetë t’i marrë në qafë. Vite me radhë, që nga koha e komunizmit e luan rolin e “shpëtimtarit” Noes, e në realitet është këmbë e kokë rrufjan. “Patriot” kuqezi në barkun e Kalit të Trojës nëpër Bit-Pazar, që edhe gjatë kohë do të kemi probleme me vetveten si shqiptar, përderisa këtë soj “patrioti” kuqezi nuk e përcjellim me lule dhe flamurin kuqezi mbi arkivol në varr.

Ditën e nesërme besoj se, pa këtë soj melezi me shokë, gjak të fëlliqur, do të marrim lirisht frymë për në ardhmëri. Baba Tomor. E dini pse?! Jo, edhe këtë nuk e dini si shqiptarë. Problemi kryesor, jo i yni po i “vëllezërve”: nuk do të kenë kakademikë shqiptar, kryetarë partie, ambasadorë, ministra, deputetë të popullit.

Zërin vazhdoj ta ngrej mes këtyre rreshtave: a ka forca populli shqiptar t’i hedhë nga samari në kokërr të shpinës këta dudumë me zgjebe? Vite me radhë na ngatërrohen nëpër këmbë, na shesin lirë te “vëllezërit”, e deri më tani i kanë shëtirur të gjitha partitë politike shqiptare. Dihet, me poste dhe një torbë taxhi për qafe në Qeveri. Prandaj, edhe një herë ju them: hidhni nga qafa këta dudumë shqiptar! Gomarët me të cilët unë nuk do të shkoja as për dru në mal e ku më në politikën shqiptare.

E ju, nëse mendoni me këta gomarë të bëni politikë madhore, Shqipëri Etnike, Bashkim Evropian, ja ku i keni me të gjitha postet politike. U qofshin falë! Vetëm, patjetër e kam borxh t’ua them edhe një fjalë: nësër mos u ankoni se ju dolën tradhtarë.

Edhe, publikisht e pyes veten në ditën e sotshme: a kemi ne shqiptarët mjete të informacionit që kësaj pjelle neokomuniste ti dalë ballë për ballë?! Jo, nuk kemi, përgjigjem vetë unë autori i këtij shkrimi. Vallë, kush e ka fajin?! Përsëri, nuk e dini?!

Hi-hii-hiii… Qoftëlargu me shokë si këshilltar besnik i Partive politike…



(Vota: 77 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: