Bekim Balaj: Titulli kampion dhe kupa ''pronë'' e Tiranës
| E Diel, 18.03.2012, 05:51 PM |

Bekim Balaj, sulmuesi shkodran i ekipit të Tiranës rrëfet në këtë intervistë ekskluzive për formën aktuale të ekipit të tij, qëllimet e klubit dhe bindjen se të dyja trofetë, kupa dhe kampionati, do të ngrihen këtë vit nga duart e djemve bardheblu. Gjithashtu, Balaj tregon edhe për vazhdimësinë e tij personale, ekipin kombëtar dhe mosarritjen e nënshkrimit të marrëveshjes me klubin Vllaznia. Për më hollësisht lexoni intervistën e plotë të përgatitur nga Redan Bushati.

Shtypi pranë kuqebluve ju quan ''tradhëtarë'' për moskalimin tek Vllaznia këtë vit. Cili është komenti juaj?
Tradhëtarë? Për mendimin tim është qesharake. E kam lexuar edhe unë në shtypin e ditës këtë gjë, por nuk mund të quhem i tillë pasi që nga momenti i hyrjes në bisedime për një kthim të mundshëm në Shkodër është rënë dakord gjithmonë në rast të zgjidhjes së kontratës me klubin e Tiranës, domethënë po të dilja lojtar i lirë. Ju kujtoj se në kohën e bisedimeve për të kaluar tek Vllaznia unë kisha disa muaj pa u paguar tek klubi im dhe me plot të drejtë mund të dilja lojtar i lirë, përderisa palët nuk respektojnë marrëveshjet e firmosura. Kështu, unë kam biseduar me drejtuesit e Vllaznisë dhe të dyja palët ramë dakort për një gjë të tillë. Por, zgjidhja erdhi shumë shpejt nga drejtuesit e bardhebluve, ndaj unë isha i detyruar të respektoja kontratën e nënshkruar, e cila mbaron në janar të 2013. Prandaj, nuk e di se pse ka ardhur një reagim i tillë nga ata.

Si ndiheni tek KF Tirana, duke filluar nga kushtet e stërvitjes dhe deri tek mjedisi pranë bardhebluve kryeqytetas?

Deri tani kemi pasur një ecuri shumë të mirë, pavarësisht problemeve financiare, të cilat tashmë kanë marrë një zgjidhje përfundimtare. Mendoj që gjërat po vazhdojnë të ndjekin një rrugë pozitive si në kampionat ashtu edhe në kupë. Sa i takon kushteve të stërvitjes dhe ambientit rreth skuadrës, mendoj se jemi nga ekipet më të plotësura në këtë aspekt.

Në fund të këtij sezoni do të shikojmë një Tiranë kampione dhe një Bekim Balaj fitues të ''këpucës'' së artë?''
Deri në përfundim të sezonit është një rrugë e gjatë akoma për t'u bërë dhe janë shumë ndeshje për t'u zhvilluar deri atëherë. Fitues i kampionatit shqiptar për këtë sezon futbollistik do të dalin ai ekip që do të gabojë më pak dhe sigurisht kam mendimin se ne do të jemi një ndër këto ekipe. Normalisht janë edhe ndeshjet direkte me rivalët mjaft përcaktuese për fitimin e titullit kampion dhe në këtë drejtim ekipi ynë është disa hapa para të tjerëve, pasi në përballje direkt me rivalët për titull ne kemi marrë rezultate pozitive dhe kemi realizuar paraqitje bindëse. Përsa i takon ''këpucës së artë'' është diçka personale që të jep shumë kënaqësi dhe do të ishte një arritje e madhe për mua. Por e rëndësishme është që golat e mi të shpallin Tiranën kampione dhe ky do të jetë shkëlqimi më i bukur i ''këpucës'' sime. 

Ekziston fryma e grupit dhe qëllimi i ekipit tuaj në finalizimin me sukses të dy kompeticioneve?

Fryma brenda grupit është shumë pozitive, pasi kemi arritur të fitojmë shumë ndeshje, madje disa prej tyre edhe në minutat e fundit të takimit. Kjo tregon shpirtin luftarak dhe egon e grupit për arritjen e fitores në çdo ndeshje, duke luajtur njëlloj që nga minuta e parë e deri në sekondin e fundit të përfundimit të ndeshjes. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht të dyja, si kupën dhe kampionatin, dhe kemi luftuar për të fituar çdo ndeshje dhe deri më tani kemi dalur me sukses. I gjithë grupi po stërvitet sistematikisht dhe po jep maksimumin për të vazhduar me këto ritme deri në fund të sezonit. Kështu, ne besojmë në forcat tona se do të jemi në fund fitues të të dy trofeve.

Cila është e ardhmja juaj pas përfundimit të këtij sezoni futbollistik?
Për momentin jam i fokusuar të bëj më të mirën dhe të shënoj sa më shumë gola për Tiranën. Gjithashtu, kam një kontratë e cila më lidh me klubin deri në muajin janar të 2013, pra kam thuajse edhe një vit për të zhvilluar këtu ku jam. Kështu, do të kem edhe kohën e duhur për t'i menduar gjërat mirë, por dëshira e çdo futbollisti është të rritet sa më shumë profesionalisht, gjë e cila të ndihmon më pas të jesh i gatshëm për të luajtur jashtë Shqipërisë. Ju e dini, mosha ime e re kërkon shumë punë akoma për të bërë.

Çfarë ju premton Bala tifozëve të zjarrtë të ekipit përfaqësues kombëtar? 

Aktualisht, unë po luaj me ekipin shpresa të Shqipërisë. Nga ana tjetër ndihem shumë mirë kur shikoj që me ardhjen e trajnerit të ri në drejtim të ekipit tonë kombëtar, kjo e fundit po rinovohet me lojtarë të rinj me perspektivë, pjesa më e madhe e të cilëve luajnë jashtë vendit. Personalisht kam shumë punë për të bërë dhe shumë lojëra akoma edhe më të bukura për të zhvilluar. Si çdo futbollist, ashtu edhe për mua është ëndërr të vesh fanellën e ekipit kombëtar dhe unë shpresoj ta vesh fanellën kuqezi sa më shpejt të jetë e mundur, për të përfaqësuar denjësisht kombin tim.

Intervistoi: Redan BUSHATI



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: