Ndahet nga jeta mjeku Perikli Sheti
| E Enjte, 15.03.2012, 07:45 PM |

Ndahet nga jeta mjeku që vendosi bazat e kirurgjisë moderne në Elbasan

 

Të enjten, më 8mars 2012, ndërroi jetë në Nju Jork kirurgu i shquar shqiptar, doktor Perikli Sheti, pas një sëmundjeje të gjatë. I lindur në Vuno dhe i diplomuar në Universitetin e njohur “Seçenov” të Moskës, në degën e mjekësisë, specialiteti kirurgji, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, ai refuzoi edhe kërkesën e Spitalit Universitar për të punuar disa vjet atje. Kthehet në Shqipëri më 1960 dhe fillon punë në Spitalin e Tiranës. Të shumtë janë ata pacientë që ia dedikojnë jetën duarve të shkathëta të kirurgut të ri, emri i të cilit shumë shpejt u bë i njohur në të katër anët e vendit. Po kështu ai u shqua edhe si pedagog i përgatitur, leksionet e të cilit kujtohen edhe sot ngaish-studentët e tij.

Por me regjimin komunist, si shumë intelektualë të tjerë, nuk i pati punët mirë. E transferojnë në Elbasan, por edhe aty filluan kritikat e demaskimet publike, veç të tjerash edhe pse u martua me të bijën e një të dënuari politik.Pas kryerjes së dënimit, vazhdon punën në qytetin e Peqinit, deri sa në vitin1990, në ditët e ambasadave, iu bashkua fëmijëve të vet që kishin hyrë përpara tij, gjë që bëri përshtypje atëmot. Bashkë me familjen, emigroi në Amerikë, ku punoi në Spitalin Universitar të Nju Jorkut dhe banoi në Rixhvud. Në komunitetin shqiptar të Quinsit apo dhe më gjerë, ai njihet si një nga bashkatdhetarët më aktivë për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që nuk reshtnin së ardhuri pas viteve ’90.

(Fjala e z. Mustafa Xhepa në funeral)

“Të dashur Kozara, Ralfi, Eva, dhe të gjithë ju pjesëtarë të tjerë të familjes Sheti. Të dashur shokë dhe miq të tij. Një njeri i madh ndahet nga ne sot.

Mendja e mjekut që vendosi bazat e kirurgjisë moderne në qytetin tonë, Elbasan, nuk punon më. Zemra që i dha jetë mijra të tjerëve ka ndaluar së rrahuri. Zëri i ëmbël i intelektualit trim dhe të zgjuar që me fjalët e arsyes tronditi hetuesinë e tiranit ka heshtur.

Sot përpara nesh qëndron trupi i njeriut që miqësinë e ndërtoi  mbi besimin reciprok. Fjalët e tij menjëherë pas daljes nga burgu komunist më tingëllojnë ende të freskëta: “Tirani do të zhduket nesër, por njerëzit, viktimat e tiranisë tij do të jetojnë dhe dëshmojnë për krimet që po bën”.

Dhe unë sot dua të kujtoj mikun tim ashtu siç e kam njohur në kohën e tiranisë.

Njeriu fisnik, i cili do të braktiste Tiranën, të ardhmen, karierën e do të lidhej shenjtërisht me Kozarën për të krijuar familjen e ndershme me dy fëmijët e mrekullueshëm, Ralfin e Evën, kur shumë kolegë të tjerë, për të treguar besnikërinë ndaj partisë së krimit, braktisnin fëmijët, gratë, prindërit e të afërmit duke shkuar deri në mohimin e plotë të tyre.

Kirurgu me duart e arta, themeluesi i kirurgjisë moderne të qytetit të Elbasanit. Mjeku që shpëtoi qindra jetë e shëroi me mijra të tjera.

Shefi i kirurgjisë, i cili ruajti të pastër integritetin profesional duke mos pranuar  t’i bindej pushtetit të krimit e të bëhej pjesë e mbulimit të një vrasjeje. Si hero biblik, ai zgjodhi të përballojë burgun komunist dhe pasojat e tij.

Shqiptari i madh, patrioti i pathyer që kur sharlatanë të bregut për treqind euro mohojnë gjakun e të parëve, Perikli Sheti si zgalem kudo që shkonte do të thoshte me krenari se ishte shqiptar.

Prehu i qetë miku im, idealet për te cilat ti punove dhe sakrifikove nuk vdesin kurrë.

Ti do të jesh në mendjen e zemrën time... në mendjen dhe zemrën tonë”.

 

Kortezi e  -  Fjala e Lirë



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: