Xhelal Zejneli: Gjergj Kastrioti Skënderbeu – në artet figurative
| E Hene, 12.03.2012, 08:05 PM |

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU – NË ARTET FIGURATIVE

 

Nga Xhelal Zejneli

 

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe bëmat e tij janë pasqyruar prej kohësh në vepra të pikturës, të skulpturës dhe të gravurës në vende të ndryshme të botës.

Pjesa më e madhe e veprave me vlera artistike dhe historike, si tipare karakteristike, japin një profil të veçantë me sy të gjallë dhe hundë shqiponjë.

Portreti më i hershëm që njihet ndodhet në galerinë Ufici (Uffizi) të Firencës. Mendohet se është mbështetur në vizatimin të bërë drejtpërdrejtë nga natyra, të piktorit venecian Xhentile Benini. Në këtë portret, Heroi Kombëtar i shqiptarëve është paraqitur në moshë të shtyrë, si duket kur e ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Itali në vitin 1466.

Vlen të përmendet edhe portreti i shekujve XV-XVI i zbuluar në Shkodër si dhe portreti i galerisë në kështjellën Valdbeng, një riprodhim i të cilit ndodhet edhe në Muzeun e Krujës.

Një portret i hershëm që paraqet rëndësi për tërë ikonografinë e Gjergj Kastriotit, ndodhet në botimin e parë të veprës madhore të humanistit dhe të historianit shqiptar Marin Barletit – “Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi” , Romë, midis 1508 dhe 1510 (Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut).

Portretin në gravurë e kanë realizuar edhe mjeshtrit gjermanë si Jang Breu (1533) dhe Jost Aman, po i shekullit XVI. Amani heroin shqiptar e paraqiti me një sfond kështjelle.

Gravura mbi Skënderbeun, më 1577, ka shtypur edhe një piktor tjetër gjerman Sigizmund Fejgrahent. Paraqitja e përkrenares dhe e shpatës së heroit jepet për herë të parë (1539-1552) në portretin të bërë nga Tabias Shtimer.

Në qindvjeçarin XVII e këndej u krijuan portrete të Skënderbeut për t’i ilustruar veprat letrare ose historike. Piktori francez N. Auronks është autor i portretit që u botua në poemën e Bysjerit (1658). Në vitin 1662, kjo poemë u ribotua, por tani me portretin të bërë nga piktori Blanshet. Ndërkaq librin e Biemit, të botuar në vitin 1672, e ka ilustruar piktori italian F. Zuçi (Zucci). Një gravurë në dru bëri I.B. Skotin.

Në vitin 1743 vepra e Barletit u botua në Zagreb në gjuhën kroate. Këtu tani e kemi gravurën  në dru të Vajcit (Weitzi). Galerinë e Skënderbeut, me veprat e tyre e kanë pasuruar edhe piktorë të tjerë si Andrea Bianki, J. Fontana, Domeniko Kusto, A. Oslovski.

Për Skënderbeun një numër veprash krijuan edhe piktorët arbëreshë në Itali, si G. Konforti, A. Skurra etj. Një afresk i shekullit XVI ndodhet në një kishë të Monreales në Sicili. Duhet theksuar se në kishën katolike të Prizrenit, në vitin 1878, kur u krijua LidhjaShqiptare e Prizrenit, janë pikturuar me grizaj në dy medaljone, komandanti ushtarak hungarez Jan Huniadi (1387-1456) dhe Skënderbeu.

Figura e Skënderbeut u bë një nga temat  qendrore të arteve figurative shqiptare qysh në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Krahas portretit tradicional kthyer në profil të piktorit nga Korça Gjergj Panariti (1883), figura e plotë e heroit mbi kalë dhe në sfond beteja, u trajtua më 1889 nga Anastas N. Ballamaçi dhe Theohar Gjini (1880-1956). Ballamaçi u ndihmua nga tabloja e piktorit francez T. Zheriko.

Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazën e modeleve, shkoi më tej piktori autodidakt Spiro Xega (1876-1953), autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprave. Midis tyre edhe “Skënderbeu” (1913). Me fjalë të tjera, prej tij ruhen mbi dhjetë tablo me figurën e Skënderbeut, disa prej tyre të fillimit të shekullit XX.

Në vitin 1937, në bazë të një gravure evropiane, edhe ikonografi nga rrethi i Korçës Vangjel Zengo (1877-1938) pikturoi disa herë portretin e Skënderbeut, tablonë "Beteja e Skënderbeut me turqit" që ndodhet në Muzeun e Krujës.

Linjën kryesisht origjinale e përbën tabloja “Skënderbeu në betejë” e pikturuar në vitin 1915-1916 nga piktori shkodran Simon Rrota (1887-1961), i cili, në vitet 1910-1915, kishte studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano. (Mësimet e para për pikturë, S. Rrota i mori nga piktori shkodran Kolë Idromeno, 1860-1939, autor i njërës nga kryeveprat e pikturës shqiptare, portretit “Motra Mone”). Edhe piktori shkodran Ndoc Martini (1880-1917) portretin e heroit e punoi në disa variante – “Skënderbeu”.

Në fund të shekullit XIX dhe konkretisht në vitin 1917, pasqyrimit të figurës së Skënderbeut në skulpturë iu çel rruga me bustet e skulptorit dhe të poetit Murat Toptani (1868-1917).

Shprehja figurative e heroit, do të ngrihet më pas në një nga majat më të larta krijuese me bustin sintezë, heroik e legjendar, të punuar nga figura kryesore e skulpturës shqiptare në vitet ’20-’80, të shkolluar në Torino të Italisë - Odhise Paskalit (1903-1985). Busti i Skënderbeut, i ngritur në Kukës në vitin 1939, është një kryevepër monumentale, ku format e hiperbolizuara të heroit krijojnë shoqërim përfytyrimesh simbolike. Odhise Paskali, bashkë me skulptorin Andrea Mano (1921-2000) si dhe me skulptorin Janaq Paço (1914-1991), në vitin 1968 realizuan monumentin e Skënderbeut në Tiranë. Me vërtetësi deri në hollësi, siluetat e japin heroin në një lëvizje parade, me shpatën mbështetur anash dhe kokën energjike të ngritur si luftëtar dhe burrë shteti.

Ndër veprat më të shënuara të artit shqiptar pas vitit 1945 me këtë temë, janë statujat ekuestre në Krujë dhe në Tiranë, që mishërojnë realizimin e një dëshire të hershme të popullit shqiptar për ta parë të ngritur në monument figurën e Heroit Kombëtar.

Në pikturën e pas Luftës së Dytës Botërore, në tablotë kompozicionale, me nota emocionale, trajtohet lidhja e ngushte e heroit me masën, epërsia shqiptarëve liridashës. Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e ngushtë të tij, pasqyrohen gjerësisht në artin figurativ shqiptar. Në veprat e Muzeut Historik Kombëtar dhe në Muzeun Kombëtar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Krujë, afresket, shtatoret, grupi skulpturor e pasqyrojnë heroin si luftëtar, udhëheqës popullor, burrë shteti dhe figurë e pavdekshme e heroizmit popullor.

Në vitin 2001, monumenti i Heroit Kombëtar, vepër e skulptorit Janaq Paço, u vendos në Prishtinë. Ndërkaq, në vitin 2003, shtatorja e heroit, vepër e skulptorëve Muharrem Turkeshi dhe Agim Sela, u vendos në Dibër. Në vitin 2006, monumenti i heroit, vepër e skulptorit Thoma Thomai u vendos në Shkup. Busti i heroit është vendosur edhe në oborrin e gjimnazit “Skënderbeu” të Preshevës.

Monumenti i heroit, vepër e skulptorit italian Romano Romanelli (1882-1969), i ngritur në vitin 1940 ndodhet edhe në sheshin Albania të Romës.            Bustit i Skënderbeut ndodhet edhe në Vaccarizzo Albanese – fshat  i Kozencës në Kalabri. Në vitin 2008, busti i heroit u vendos edhe në Civita të Italisë.

Në vitet ’60 të shekullit XX, emigrantët shqiptarë në Belgjikë paraqitën kërkesë për ta vendosur monumentin e Skënderbeut në Bruksel. Kjo u realizua në vitin 1968. Monumenti u vendos pranë parkut Josafat të komunës Schaerbek në Bruksel.

Monumentet, përkatësisht bustet e Heroit Kombëtar ndodhen edhe në Vjenë, në Budapest, buzë liqenit të Gjenevës, në Detroit  etj.

Përmendorja e Skënderbeut në Miçigan të SHBA-së është përuruar në vitin 2006, në prani të mijëra vetëve, përfshi kryepeshkopin e Detroitit - Kardinalin Adam Maida dhe presidentin e Shqipërisë - Alfred Moisiun. Monumenti është vendosur në hyrje të oborrit të Kishës katolike shqiptare Shën Pali në Roçester Hills, rreth 40 kilometra në veri të Detroitit. Përpos monumentit të heroit, në këtë shtet federal ndodhet edhe përmendorja e Nënë Terezës.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: