Frank Shkreli: Putini fiton - Rusia Humbë
| E Merkure, 07.03.2012, 08:01 PM |

PUTINI FITON - RUSIA HUMBË

 

Nga Frank Shkreli

 

Policia ruse arrestoi me qindra demonstruesë, përfshirë edhe tre udhëheqës të opozitës, pasi protestuan zgjedhjet e së dielës që kaloi, të cilat përfunduan në ri-zgjedhjen e Kryeminsitrit Vladimir Putin për një afat të tretë si president i Rusisë.   Demonstruesit në Moskë dhe anë e mbanë vendit, thonë se  partia e Putinit, ''Rusia e Bashkuar'', është një parti "hajnash e gënjeshtarësh'' dhe se manovra për të rivendosur veten e tij si president rishtas i Rusisë, nuk është legjitime.  Ata kanë akuzuar regjimin e Putinit se ka vendosur kufizime të mëdha mbi lirinë e shtypit e të medias, se po bën presion të madh ndaj organizatave jo-qeveritare dhe për korrupison masiv.

 

Megjithëkëto akuza,  fitorja e Putinit nuk ishte kurrë në dyshim.  Vet Putini pat thënë ca kohë më parë se ai dhe presidenti Medevedev kishin rënë dakord, vite më pare, se ai do të këthehej  në presidiencë.  Kështu edhe ndodhi, sipas planit të tyre.  Ai u tha përkrahësve të tij në një miting në Kremlin se, ''Unë u kam premtuar se do të fitoj, dhe unë fitova. Ne kemi fituar në një betejë transparente dhe të ndershëme.''  Me lotë në sy, ai i falënderoi përkrahësit e tij duke thënë se me zgjedhjen e tij president, ata ''parandaluan rënjen e vendit në dorë të armiqëve që u përpoqën të merrnin pushtetin me forcë.''

 

Mirëpo, vërejtësit e huaj dhe vendorë thanë se gjatë procesit të zgjedhjeve kishin shënuar mijëra çrregullime  e mangësi në një të tretën e qendrave të votimit, anë e mbanë vendit.  Për më tepër, në një deklaratë të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE), thuhet se zgjedhjet në Rusi favorizonin Putinin, pasi në të vërtetë nuk ekzistonte një garë e vërtetë dhe  e barabartë midis kandidatëve.  Organizata tha se abuzimi i burimeve qeveritare dhe mjeteve të informimit, garantuan se fituesi nuk ishte kurrë në dyshim.

 

Ndërsa një pjesë e popullësisë ruse po e bën të ditur qendrimin e sajë kundër ri-zgjedhjes së Putinit me protesta, mijëra të tjerë  demonstruan në përkrahje të Putinit, ndërkohë që Uashingtoni zyrtar dhe Brukseli u bënë thirrje udhëheqësve rusë që të ndërmarrin hetime të pavarura dhe të besueshme për të identifikuar mungesat dhe çrregullimet e dokumentuara të zgjedhjeve nga vërejtësit vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

Burime të medias perëndimore nga Moska flasin për një atmosferë pothuaj depresioni  dhe dorëzimi në radhët e disa segmenteve të popullësisë, sidomos rinisë, pas ri-zgjedhjes së Putinit president, sidomos, siç thonë ata, kur të merret parasyshë mundësia që ai të jetë president deri në vitin 2024.  Gazeta Nju Jork Tajms citon një 21-vjeçare e cila thotë se “ekziston ndjenja se tani (me rizgjedhjen e Putinit president) gjithçka ka marrë fund…. Dhe se vitet më të mira të jetës time (fatkeqsisht) ia kam dhënë Putinit.’’

 

Ish- udhëheqsi sovjetik Gorbaçov i tha agjensisë ruse të lajmeve Interfax se fitorja e Putinit ishte një humbje për Rusinë pasi zgjedhjet nuk përfaqësojnë vullnetin e vërtetë të rusëve.   Ky është edhe mendimi i shumë ekspertëve  dhe komentuesve, sipas të cilëve, megjithë fitoren e tij të djelën,  fasada e Putinit ka filluar të thyhet e të shkatërrohet, pasi  kufizimet e lirisë dhe vështirsitë e problemet e jetës së përditshme të rusëve, demonstrojnë gënjeshtrat zyrtare të Kremlinit gjatë periudhës së udhëheqjes së Putinit.   Ata thonë se megjithëse  gjatë dekadës 2000, Rusia shënoi disa përparime në ekonomi, kryesisht falë rritjes së çmimit të naftës dhe lëndëve të para,  jeta  e rusëve, siç është rasti edhe me disa shoqëri tjera post-komuniste, mbetet gjithnjë e deformuar dhe e shëmtuar nga qeverisja komuniste 70-vjeçare.  Rusia humbë me fitoren e Putinit, pasi statistikat flasin vetë për “arritjet’’ e Putinit në Kremlin.  Të ardhurat mesatare në Rusi , sipas një artikulli në rëvistën amerikane Njusuikë, nuk janë shumë më të larta se në Turqi; jeta mesatare është 63 vjeç dhe popullësia ruse është duke u pakësuar me një ritëm alarmant.  Sipas Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2055, në krahasim, Egjipti do të ketë një popullësi më të madhe së Rusia.  Revista Njusuikë thekson gjithashtu se ‘’Rusia, dikurë njëra prej qendrave të lavdishme të letërsisë dhe muzikës përendimore – atdheu i Tugenev-it dhe Çajkovsk-it --tani duket gjithnjë e më shumë si Nigeria me borë.’’

 

Fatkeqsisht, me ardhjen e Putinit për të tretën herë në presidencën ruse, nuk humbë vetëm Rusia, por humbë edhe mirëvajtja e marrëdhënjeve ndërkombëtare dhe gëzohen fitojnë diktatorët kudo, pasi në Putinin ata kanë një mbrojtës të vendosur.  Në frymën më të mire të luftës së ftohët, Vladimir Putin akuzoi Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton se po inkurajoan dhe financon protestat anë e mbanë Rusisë.  Për më tepër,  Rusia, nën udhëheqjen e Putinit, nuk u bashkua me komunitetin ndërkombëtar për të rrëzuar diktatorin  Kadafi në Libi; i shet armë regjimit sirian, i cili i përdorë ato për të masakruar popullin e vet, ndërkohë që bllokon edhe  marrjen e masave nga Kombet e Bashkuara për të ndihmuar popullin sirian.  Bllokon sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit, pengon përmirsimin e marrëdhënjeve midis NATO-s e Rusisë, dhe kërcënon vendosjen e raketave drejtuar Evropës.

 

Me këtë realitet politik të pa ndryshueshëm në Rusi – dmth. me ri-zgjedhjen e Putinit për të tretën herë president,   që patjetër  afekton edhe marrëdhënjet ndërkombëtare, ish ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker, në një artikull të kohëve të fundit botuar në gazetën Krishçën Sajënc Monitor, thotë se, “ Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të ndryshojnë politikën e tyre të tanishme ndaj Kremlinit – duke bashkpunuar me Moskën kur një gjë e tillë është e mundur –por, në të njëjtën kohë duke marrë qendrime të forta publike kundër korrupsionit politik në Moskë, dhe në përkrahje të qëllimeve dhe vullnetit legjitim të popullit rus, të shprehura nepërmjet një procesi vërtetë demokratik.’’   Ambasadori  përfundon artikullin e tij duke thënë se “populli rus duhet ta dijë se vendet demokratike përkrahin aspiratat e tij për demokraci, dhe vet Putini duhet të jetë i vetdijshëm se ka pasoja, nëqoftse ai vazhdon të ngulë këmbë në zbatimin e politikave të tij të vjetëra.’’

 

Vladimir Putini bëri ç’mos për të fituar presidencën ruse për të tretën herë me një shumicë dërmuese votash prej 64 për qind, zgjedhje, të cilat sipas  vëerejtëse vendorë dhe nërkombëtarë kishin shumë çrregullime dhe mangësi serioze.   Megjithkëtë, siç i tha të përditshmes amerikane Nju Jork Tajms redaktori i gazetës ruse Nezavisimaja Gazeta, Zoti Konstantin V. Remçukov,  “nëqoftse Putini injoron protestat massive, nëqoftse mendon se ai ka shënuar fitore, ai do të jetë humbësi, sepse idetë e protestuesve do të mundin cilindo system.’’  Redaktori rus përfundoi duke thënë se Putini “Nuk ka shumë kohë për të humbur.  Ai duhet të adaptojë menjëherë standardet ndërkombëtare  të demokracisë.’’



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: