Frank Shkreli: Ken Biberaj shpallë kandidaturën për Këshillin Bashkiak të qytetit të Nju Jorkut
| E Premte, 02.03.2012, 08:01 PM |

KEN BIBERAJ SHPALLË KANDIDATURËN PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË QYTETIT TË NJU JORKUT

 

Nga Frank Shkreli

 

Contribute

 

Ken Biberaj i lindur në Amerikë nga prindërit Kadire dhe Elez Biberaj me preardhje nga një familje e njohur patriotike e anti-komuniste nga Tropoja e Malësisë së Gjakovës, njoftoi dje zyrtarisht vendimin e tij për të shpallë kandidaturën për anëtar të Këshillit Bashkiak të Qytetit të Nju Jorkut.  I rrritur dhe i edukuar në një frymë familjare për të marrë përgjegjësi për veten dhe për të qenë përgjegejës edhe për të tjerët, me ketë njoftim, ai hedhë një hap serioz drejtë një të ardhme të shkëlqyer politike, pasi e fillon nga e shkalla e parë e karjerës politike, e që është vendimi për të venë kandidturën për një post vendor siç ka bërë djaloshi Biberaj.

 Në njoftimin e shpërndarë dje në internet, Keni thotë se ka vendosur të shpallë kandidaturën e tij për të përfaqësuar zonën bashkiake numër 6 të qytetit të Nju Jorkut, një zonë këjo që përfshinë pjesën më të madhe të Zonës së Epërme Përendimore të qytetit në Manhattan, e cila thotë Keni në njoftimin e tij, ka një histori përfaqësie të fortë, traditë të cilën ai premton se do ta vazhdojë duke sjellur përspektiva të reja në mënyrën e drejtimit të qeverisjes vendore.  Ken Biberaj shton se është i vetdijshëm ndaj sfidave me të cilat përballohen tregtarët e vegjël në këtë zonë, pasi ai vet është pronar i një bisnesi të tillë.  Unë i njoh mirë, thotë ai, problemet me të cilat përballohen familjet çdo ditë në këtë zonë të qytetit metropolitan, pasi edhe ai vet jeton aty. Kandidati i ri për Këshillin e  Qytetit të Nju Jorkut, Ken Biberaj thotë se zona ku jeton ai po ndryshon, dhe ndërsa ndryshimet mund të sjellin shumë përfitime, ne nuk mundemi  dhe nuk duhet, vazhdon ai, që të sakrifikojmë e të minojmë themelet bazë të këtij komuniteti dinamik.  Unë po kandidoj, vazhdon ai në njoftmin e tij, sepse çdo ditë shikoj se edhe një tjetër dyqan i famshëm mbyllet, ndërkohë që një familje ose një tjetër detyrohet të largohet nga lagja, pasi nuk kanë mundësi të jetojnë më aty për arsye se jeta për ta në atë zonë është bërë aq e shtrenjtë.  Ai u drejtohet bashkqytetarëve të tij në Manhattan duke u thënë, se kemi nevojë për një kandidat i cili do të mbrojë familjet dhe tregëtitë e vogëla, të cilat janë pjesë e Zonës së Epërme Përendimore -- një ndër zonat këjo më energjetike të qytetit të Nju Jorkut.  Duke falënderuar përkrahësit e tij, Keni thotë se e ndienë veten shumë të emocionuar nga reagimet e para pozitive ndaj kandidaturës së tij, duke shtuar se fushata e tij për këtë post -- që të dalë me sukses -- do të nevojitë ndihmën dhe energjinë e shumë vetave. Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut, që e synon Ken Biberaj, është legjislatura e këtij qyteti, që është më i madhi në Amerikë, dhe i cili përbëhet nga 51 anëtarë të cilët përfaqësojnë më shumë se 8-milionë banorë të 51 zonave të qytetit.  Detyrat kryesore të Këshillit Bashkiak përfshijnë, ndër të tjera, monitorimin e veprimtarisë së agjensive të ndryshme të një qyteti ndër më të mëdhejtë e botës dhe ka përgjegjësinë ekskluzive të miratimit të buxhetit të qytetit.  Këshilli ka të drejta të barabarta me kryetarin e Bashkisë, që sot është Michael Bloomberg, në qeverisjen e qytetit të Nju Jorkut. 

 

Megjithëse i ri nga mosha, Keni si shumë pak të ri të gjeneratës së tij, qofshin ata amerikanë apo shqiptaro-amerikanë, ka një të kaluar të shkëqyeshme akademike dhe politike, që e ka përgatitur për kandidaturën dhe për detyrën që aspiron në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut.  Para se të merrte diplomën e avokatit nga Universiteti i Nju Jorkut, Keni ka diplomua nga Universiteti Amerikan në Uashington dhe ka marrë diplomën master nga Shkolla Kennedy për Qeverisje e Universitetit të njohur Harvard në Boston.  Përveç  diplomave akademike, përvoja e tij politike përfshinë punën që ai bëri gjatë fushatës së kandidatit demokrat për president Xhon Kerri në vitin 2004, dhe ka punuar për Presidentin Bill Klinton dhe Fondacionin e tij.  Këjo përvojë në fushën politike me dy gjigandë të politikës amerikane, e bën Ken Biberaj një kandidat serioz për detyrën për të cilën ka vendosur të kandidojë dhe të bëjë fushatë. 

 

Tani i martuar, Kenin e kam njohur pothuaj ç’prej lindjes së tij, dhe megjithëse shumë i suksesëshëm në biznes, ai gjithmonë aspironte politikën.  Për punën dhe veprimtarinë e tij të dalluar akademike, politike si edhe në fushën e tregëtisë e të biznesit, Universiteti  Amerikan në Uashington i dha Çmimin  e  ‘’Një Ylli të Dalluar’’ me përspektiva të mëdha në jetë, duke u bazuar në kontributet e tija të konsiderueshme deri tani ndaj shoqërisë, nepërmjet punës së tij profesionale dhe filantropike.   Shumica e politikanëve të suksesshëm në Amerikë e kanë filluar karjerën e tyre politike duke kandiduar më së pari për poste vendore kështu siç po bën Keni, e pastaj me atë ekperiencë kanë vazhduar në detyra më të larta të nivelit shtetëror dhe federal të Shteteve të Bashkuara.  Këtu në Amerikë thuhet se e gjithë politika zhvillohet në nivelin vendor, aty ku fillojnë ose dështojnë karjerat. 

 

Ken Biberaj, me përvojën e tij politike, akademike, filantropike dhe të biznesit nuk do ta ketë të vështirë të bindi banorët e zonës së tij se ai është kandidati më i përshtatshëm për t’i përfaqësuar ata në Këshillin e qytetit të Nju Jorkut.  Ken Biberaj, megjithëse në moshë të re, është kandidat i një kalibri të lartë, me karakter, përvojë, bindje dhe parime të shëndosha politike dhe shoqërore, i cili me fitoren e tij do të çojë përpara dhe do të forcojë qeverisjen vendore të këtij metropoli amerikan, si anëtar i ri në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut – dhe nëqoftëse fiton ai do ta bëjë këtë me një cilësi dhe stil të lartë moral e politik.  Duke e falenderuar Kenin për vendimin e tij për të kandiduar si anëtar  i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, shpresoj se i gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan bashkohet me mua duke i uruar atij sukses dhe fitore në fushatën e tij dhe shërbim të vazhdueshëm për të mirë të komunitetit dhe të vendit ku jeton.



(Vota: 7 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: