Sabile Keçmezi-Basha: Ismail Qemali, Pavarësia e Shqipërisë dhe Gruaja Shqiptare
| E Shtune, 03.03.2012, 08:05 PM |

ME RASTIN E 100-VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

 

ISMAIL QEMALI, PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE GRUAJA SHQIPTARE

 

Nga Prof.Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Një ndër periudhat që ndërruan kahet e historisë së popullit shqiptar, pa dyshim se është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila me programet e saja angazhohej për të siguruar autonomin e pavarësinë e Shqipërisë, dhe për të ruajtur tërësinë e trojeve shqiptare nga lakmuesit shovinist grabitqar. Këto dy detyra të mëdha të programit kombëtar të saj, ishin në bazë të programit që pati edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që u zhvillua pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912. Realizimi i këtij programi shqiptar, nuk do të ishte i plotë, sikurse të mendohej e të realizohej pa angazhimin e madh të intelektualëve, diplomatëve e luftëtarëve shqiptarë që iu printe i madhi patrioti- Ismail Qemal-Vlora, krahas të cilit kontribut të çmueshëm dhanë edhe: Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Murat Toptani, Mehmet Deralla e shumë të tjerë. Të gjithë këta trima, të pajisur me botëkuptime përparimtare dhe me një përvojë të bujshme historike, i diskutonin shtruar problemet e Lëvizjes Kombëtare dhe për to bashkërisht merrnin vendime përkatëse në Kuvendet popullore.

Pavarësia e Shqipërisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë është e lidhur ngushtë me emrin e Ismail Qemalit. Ismail Qemali, kjo figurë e ndritur e historisë kombëtare u lind me 24 janar të vitit 1844 në Vlorë, ku 68 vjet më vonë do të shpallë pavarësinë e atdheut. I ati, Mahmut Bej Vlora, ishte një patriot i shquar dhe mbante lidhje të ngushta me udhëheqës popullor, si me Zenel Gjolekën e Rrapo Hekalin dhe bashku me ta  mori pjesë si organizator i kryengritjes  së madhe të vitit 1874 kundër ushtrisë osmane. Pra, patrioti i madh u lind në një epokë nga më të rëndësishmet në historinë e Perandorisë osmane si pjesë e së cilës ishte e aneksuar edhe Shqipëria. Perandoria Osmane në këtë kohë kishte hyrë në fazën më të rrezikshme  të rënies dhe të dekompozimit të saj. Duke e parë shkatërrimin e saj, klasa sunduese u angazhua për sjelljen e disa reformave, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Këto reforma ata u munduan t’i venin në jetë edhe në Shqipëri, ngase rrezikun e parandienin nga vendi i Skënderbeut. Pra, në këto rrethana shoqërore e politike u lind dhe u zhvillua si personalitet Ismail Qemali, dhe të tëra këto trazira historike lënë gjurmë të pashlyera në veprimtarin e mëvonshme.

Pas dështimit të kryengritjes, ata arrestuan krerët e saj dhe shumë fshatar, në mesin e tyre edhe baban e Ismailit të vogël. Pas kësaj, në shtëpinë e tyre erdhi urdhri që e tërë familja të internohej për në Stamboll, si: nëna Hedije Hanmi, vajzë nga një familje e njohur Alizoti nga Gjirokastra, i vëllai e motra dhe vet Ismail Qemali, që të tre fëmijë dhe gjyshja e tyre plakë. Kjo rrugë e gjatë që mori familja Vlora me 50 përcjellës të tjerë, ishte një rast sa i trishtueshëm aq edhe pikëllues për vet ata dhe familjen e tyre. Fëmijët duke mos ditur se çfarë po ndodhte dhe shkakun e udhëtimit, pandehnin në një aventurë thjesht fëmijërie. Por, ky imazh i aventurës nuk iu zgjati shumë e në rrugë e sipër, në një han në vendin e quajtur Jenigje, iu vdes gjyshja që ata shumë e kishin dashur. Me arritjen e tyre në Selanik, vdes edhe vëllai –Sylejmani që për të gjithë ishte një dhembje e madhe dhe e pa kompensueshme. Ditët për familjen Vlora ishin të vështira dhe plotë zymtësi. Në kujtimet e veta shumë më vonë, Ismail Qemali shkruan se “Edhe sot e kësaj dite, saherë vete në Selanik, gjithnjë e vizitojë varrin e tij të vogël prej mermeri në varrezat e Xhamisë Ortaj” rrëfehen me dhembshuri patrioti i madh.

Ishte kohë kur bota shqiptare ndodhej në udhëkryqin e historisë, e zhytur në pellgun e paditurisë e të robërisë. Nëna Hedije merr hapin më të madh dhe më të mirë në jetë. Ajo u angazhua që djali i saj së paku të kryente e të merrte një arsimim sa më të mirë që të bëhej “shqiptarë i plotë”, thoshte ajo, se vetëm njeriu i shkolluar është i zoti t’i dali zot atdheut të robëruar. Me ndihmën e nënës u angazhua që të mësonte sa më shumë gjuhë të huaja, si turqishten nga shkolla, e më vonë nga një refugjat italian mësoi edhe gjuhën italiane. Si dhe rilindësit tjerë të mëdhenj, Ismail Qemali Vlora, përhapjen  më të shpejt të arsimit te shqiptaret e shihte si një levë të rëndësishme  të përparimit të shpejt të Shqipërisë. Ai ngulte këmbë që me listën  e kërkesave të Lëvizjes kombëtare vendin kryesor të zinin kërkesat për lulëzimin e gjuhës shqipe amtare për zhvillimin e arsimit kombëtar shqip. Ja, se si e formulonte  ai këtë çështje në thirrjen drejtuar bashkatdhetarëve të vet “Për të shkuar  përpara në udhën e qytetërimit e të përparimit, kemi nevojë për të ditur, për të fituar dituri kemi nevojë për mësim. Pra kemi nevojë të ngrehim në të gjithë Shqipërinë shkolla kombëtare për ta përhapur dhe për të lexuar kudo gjuhën shqipe. Kjo nevojë e shkollës është e para e reformave që kemi detyrë të kërkojmë. Kur një komb nuk  mund të rritet në vete pa shkolla dhe pa mësim...” dhe nga këtu mund të kuptohet edhe porosia e madhe e Ismail Qemalit, e që përherë e mbëlton me kërkesë, bazë për harmoni  kombëtare. Grindjet thoshte ai e grijnë Shqipërinë.

Një kohë të gjatë të jetës së vet Ismail Qemali e kaloi në Stamboll, ku kreu me sukses studimet në shkencat juridike. Punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kreu detyra të ndryshme në Perandorin Osmane, ku pati rast të njihej më shumë njerëz të rëndësishëm në jetën politike të kohës, që më vonë i shërbeu për ngritjen e çështjes kombëtare shqiptare në nivele më të larta në shtetet perëndimore. Për 35 vjet, sa qëndroi në Perandorin Osmane, krahas detyrave zyrtare, veprimtaria e tij u mbëltua me aspiratat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse jetoi e veproi jashtë atdheut, ai asnjëherë nuk pushoi së menduari dhe së punuari për kthimin e tij në atdhe. Më 1900, i plotësohet “dëshira e kamotshme”, arratiset nga Perandoria Osmane, dhe prej atij momenti u bë ideologu dhe udhëheqësi i shpirtit liridashës i popullit shqiptar në rrugën e historisë. Populli shqiptar, te ky trim i devotshëm gjeti jo vetëm ndjenjën e vetësakrificës, por edhe atdhetarin, diplomatin dhe organizatorin në luftën për pavarësi të Shqipërisë.

 

“Në asnjë vend të botës gruaja nuk gëzon atë nderim që ka në vendin tim”.

 

Si çështjes së arsimit, ashtu edhe pozitës dhe emancipimit të gruas i jep vend meritor në shoqëri dhe familje. Si grua, shpesh thoshte atdhetari “qenia e saj është e lidhur ngushtë pas fuqisë së burrit, megjithëse në veprimet e hapëta publike ajo nuk del në shesh. Në çështjet e brendshme familjare dhe që kanë të bëjnë me vendin, ajo merr pjesë dhe mendimi i saj peshon. Po sikur vendi të jetë në rrezik qoftë nga ndonjë pushtues ose për shkak të ndonjë vepre të njëanshmërisë që qeverisë, gratë janë ato që ngrenë zërin të parat dhe nxisin burrat të mbrojnë vendin ose të ngrenë krye, andaj duke i ditur virtytet e tyre të larta rilindësi i ynë vjen në përfundim se “në asnjë vend të botës gruaja nuk gëzon atë nderim që ka në vendin tim”.

 

Heroizmi dhe harmonia skënderbegase

 

Ideja e autonomisë, apo e pavarësisë shqiptare nuk ishte e re. Epopeja çerekshekullore e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në të cilën u mbrojtën me plotë heroizëm trojet amtare duke i dhënë një  kontribut të vyer për shpëtimin e Shqipërisë dhe të qytetërimit evropian.

Për Pavarësinë e Shqipërisë shkruante më vonë Ismail Qemali “nuk ishte thjesht ngritja e flamurit në Vlorë, por se Kuvendi Kombëtar sanksionoi juridikisht pavarësinë kombëtare, me një akt të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit”. Dhe për të arritur gjerë te kjo, ekzistonte një udhë e gjatë dhe shumë e vështirë. Karakteristikë e përgjithshme e mendimeve dhe e vendimeve të kuvendeve që iu paraprinin qëndrimeve  të Lëvizjes ishte, mbizotërimi dhe mbrojtja e pikëpamjeve, se duke kaluar nëpër stadin e autonomisë do të realizohej më lehtë pavarësia. Më vonë, nga tetori i vitit 1912 deri në nëntor, mendimet dhe vendimet e kuvendeve dhe mbar Lëvizja Kombëtare në përputhje me kushtet e reja, që u krijuan me shpërthimin e luftërave  ballkanike, kaluan përfundimisht nga platforma e autonomisë së Shqipërisë në atë të pavarësisë. Në ato rrethana, qarqet atdhetare shqiptare brenda dhe jashtë vendit ishin para një detyre shumë të vështirë.

Prandaj, vendosën që të organizohej sa më parë thirrja e Kuvendit Kombëtar që do të siguronte të drejtat kombëtare shqiptare.

Në fillim të nëntorit 1912, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e disa patriot të tjerë, u nis nga Stambolli për në Bukuresht, për në mesin e kolonisë shqiptare që llogaritët si bazë më e fortë dhe më e përshtatshme për takimin. Të vendosur në hotelin “Kontinental”, në qendër të qytetit Bukuresht, ata zhvilluan një konsultim të gjithanshëm me përfaqësuesit e të gjitha  shoqërive të Bukureshtit dhe të Konstancës.

Në fund të mbledhjes historike, nga gjiri i kolonive shqiptare u zgjodh delegacioni që të shkoi në Vlorë, ku do të shpallet Pavarësia e Shqipërisë dhe do të ngrihet Flamuri i Skënderbeut në vend të atij me gjysmëhënë.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: