Frank Shkreli: Marrëdhënjet Amerikano-Evropiane
| E Marte, 28.02.2012, 09:02 PM |

MARRËDHËNJET AMERIKANO-EVROPIANE

(Në Prag të takimit të NATO-s në Çikago në Maj)

 

Nga Frank Shkreli

 

Kohët e fundit, Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Zoti Filip Gordon vizitoi Brukselin dhe Moskën.  Në Bruksel ai u takua me zyrtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian për të diskutuar një numër çështjesh që janë në rendin transatlantik të ditës dhe për të biseduar mbi përgatitjet për mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në Çikago të Shteteve të Bashkuara me 20 Maj.  Ndërsa në Moskë, diplomati i lartë amerikan zhvilloi bisedime me zyrtarë të lartë rusë mbi çështje globale dhe të interesit dy-palësh.

 

Para se të nisej për në Evropë, ai së bashku me Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe politikën e NATO-s, Z-njën Xhulianë Smith biseduan me gazetarët  e mediave të huaja në Uashington mbi Strategjinë e Re të Mbrojtjes të Shteteve të Bashskuara në Evropë.  Ndihmës Sekretari Gordon dhe Ndihmës Sekretarja Smith u dhanë hollësi gazetarëve në lidhje me Strategjinë e re të Mbrojtjes amerikane në shekullin e XXI, strategji këjo që kohë më parë u shpalos nga Presidenti Obama dhe Ministri i Mbrojtjes Panetta në Pentagon. Këjo strategji  ka për qëllim të sqarojë interesat strategjike amerikane anë e mbanë botës pas dhjetë vjetë luftërash e shpenzimesh të larta ushtarake në një atmosferë buxhetore plotë sfida.  Ndërsa Sekretarja e Mbrojtjes Smith foli për strategjinë e re amerikane të mbrojtjes në kontekstin global, Ndihmës Sekretari Gordon u përqendrua mbi implikimet  dhe ndikimin e kësaj strategjie në bashkpunimin e Shteteve të Bashkuara me aleatët dhe partnerët  e tyre evropianë, duke thënë se ''marrëdhënjet transatlantike mbeten burimi thelbësor stabiliteti në botë dhe Evropa është partneri ynë kryesor në promovimin e sigurisë globale dhe ekonomike.''  Ai shtoi se strategjia e re amerikane, e shpalosur një javë më përpara, rithekson angazhimin amerikan ndaj sigurimit në Evropë si edhe nënvijon shtimin e bashkpunimit në operacionet e përbashkëta me partnerët evropianë në përballimin e sfidave globale.   Ai përmendi bashkpunimin me evropianët në përballimin e sfidave ushtarake në Afganistan e Libi, por edhe në Kosovë e në Ballkan dhe theksoi bashkpunimin e ngushtë diplomatik në  fusha të ndryshme anë e mbanë botës.

 

Në lidhje me aleancën NATO, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën tha se megjithëse agjenda nuk është përfunduar ende për rendin e ditës së mbledhjes së nivelit të lartë në Çikago në Maj - mund të pritet që rendi i ditës të përfshijë përqendrimin e aleancës mbi tranzicionin në Afganistan, ku është në plan që misioni i NATO-s të shëndërrohet nga roli luftarak, në një mision për të këshilluar dhe për të ndihmuar forcat afgane të sigurimit. Zyrtari amerikan shtoi se, në Çikago, kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s do të miratojnë një vizion të ri për rolin e NATO-s në Afganistan, pas vitit 2014.

 

Si pjesë e strategjisë së re amerikane të mbrojtjes, Ndihmës Sekretari Gordon nënvijoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të instalojnë mbrojtjen raketore, që përfshinë vendosjen e këtyre mjeteve në Poloni dhe Rumani, si edhe një radar në Turqi dhe vendosjen në Spanjë të destrojerëve mbrojtës  të tipit Aegis.  Të gjitha këto, tha Zoti Gordon, janë provë e një angazhimi të fortë e të vendosur të pranisë amerikane në Evropë, në bashkpunim me partnerët evropianë, në përballimin e sfidave të shekullit XXI.

 

Kështuqë, strategjia e re amerikane e mbrojtjes, e njoftuar ca kohë më parë nga Presidenti Obama, siç duket nënvijon qartë mesazhin që do t’u jepet partnerëve evropianë të Amerikës në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Çikago, e që është se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë, jo vetëm të zbatojnë absolutisht angazhimet e tanishme të Artikullit 5, sipas të cilit një sulm ushtarak kundër një ose më shumë anëtarëve të aleancës është një sulm kundër të gjithëve, dhe si rrjedhim nevojitë mbrojtjen kolektive, porn ë të njëtëjtën kohë edhe të shtojnë mundësitë e partneritetit me evropianët në misione të ndryshme të sigurisë globale.

 

Këto mesazhe Zoti Gordon i theksoi dhe i shpjegojë në hollësi edhe në takimet që zhvilloi me bashkbiseduesit e tij edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel dhe në Moskë. Ai nënvijoi gjatë takimeve të tij, se mbledhja e nivelit të lartë të NATO-s në Çikago në Maj,  do të jetë  një takim zbatimi, ku udhëheqsit e aleancës përendimore do të diskutojnë dhe do të zhvillojnë mëtej përpilimin e ideve të paraqitura në Konceptin e Ri Strategjik të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.

 

Megjithëse marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës, përfshirë Rusinë, kanë ndryshuar ç’prej mbarimit të luftës së ftohët, ato prapseprap përballen me sfida e probleme të përbashkëta, sidomos në fushën e sigurisë, por edhe të ekonomisë dhe energjisë.   Shumë ekspertë nga të dy anët e Atlantikut janë të mendimit se bashkpunimi - në fushën e mbrojtjes por edhe në fusha të tjera, siç janë ekonomia dhe financat - është i doemosdoshëm, jo vetëm për sigurinë dhe mirëqenjen e tyre të përbashkët, por edhe për stabilitetin dhe paqën në botë.   Në një artikull të kohëve të fundit në revistën amerikane, Njusuikë, historiani i njohur britanik Simon Schama ngulë këmbë se fati i Amerikës mbetet i lidhur ngushtë me fatin e kontinentit evropian, dhe si rrjedhim bashkpunimi i vazhdueshëm midis dy kontinenteve vazhdon të jetë jetik dhe i pazëvendsueshëm.  Edhe këtu në Amerikë, kohët e fundit, u botua libri ‘’Gjeopolitika e Re e Marrëdhënjeve Transatlantike: Reagimet e Bashkrenduara ndaj Rreziqeve të Përbashkëta’’,  e autorit Stefan Froelich, në të cilin ai zhvillon një kuadër të marrëdhënjeve të ardhëshme amerikano-evropiane, ndërkohë që këto dy fuqi botërore përpiqen të gjëjnë zgjidhje të rëndësishme dhe logjike ndaj problemeve të tyre të përbashkëta të politikës së jashtme.  Në librin e tij, ai insiston se partneriteti dhe bashkpunimi transatlantik është sot më i nevojshëm se kurrë, sidomos për t’i bërë presion Rusisë dhe Kinës, por edhe vendeve të tjera, që të zbatojnë ligjin dhe rregullat ndërkombëtare, por gjithashtu edhe për t’i angazhuar ato në ndarjen e përgjëgjësive të një udhëheqjeje të ndërgjegjëshme botërore.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: