Flet Prof. Dr. Adem Harxhi: Seksi nuk duhet të jetë një problem
| E Diel, 26.02.2012, 04:31 PM |

Dëshira për seks të përgjegjshëm, është e shëndetshme dhe normale

 

Nga Albert ZHOLI

 

“Bën nxehtë dhe lagështirë. Prindërit nuk janë në shtëpi. Genta, këndon në radio dhe shtrati është gati. Puthje, përkëdhelje, dhe unë  shkopsita kopsën e parë të bluzës së saj. Ndonëse, nuk bëjmë interkursë dhe seks oral, por, gjithsesi, është seks. Pamja, puthjet me buzët e nxehta dhe prekjet me gishtat e paduruara, në vendet që kisha zbuluar, e rritën nivelin e eksitimit. Me puthje pasionante, largova sutjenin dhe futa duart nëpër zinxhirin e hapur të pantallonave. Duke  fërkuar trupat e veshur të njëri–tjetrit, arritëm pikën orgasmike të një ekstaze adoleshente”. (Fragmente nga letra e një të riu)

-Atëherë ky është seksi i adoleshentëve? Përse i keni shkëputur këto rreshta?

Ky është seksi i adoleshentëve, përpara se ata të angazhohen në seks oral dhe në interkursën vaginale. Sot, për shumë nga ju, fërkimet dhe përkëdheljet e jashtme, nuk janë më problem. Ju shpesh, në variante të ndryshme pyesni: A jam unë normal?”.

Për mua, që dëshiroj t’u ndihmoj me gjithë zemër, normale në marrëdhënien seksuale është, gjithçka, që ju të dy e përcaktoni si të tillë. Çdo gjë që dy të rinj bien dakord të bëjnë seksualisht, është normale! Mos e refuzoni kënaqësinë seksuale! Dëshira për seks (epsh) të përgjegjshëm, është e shëndetshme dhe normale. Ajo u jep forcë për afeksion të ndershëm dhe për gëzim. Mos e etiketoni epshin si mëkat e as si diçka që t’i trembeni. Përfitoni prej tij. Energjitë e mrekullueshme që çliron tek juve seksi, le t’u shërbejnë si inkurajim për lojën  intime. Djemtë shqetësohen, sepse mendojnë që penisët e tyre nuk janë të mëdhenj sa duhet. Ata shqetësohen, sepse janë të pasigurt nëse do të jenë dashnorë të vlefshëm, me ato pajisje që kanë. Vajzat shqetësohen për dukjen e trupit të tyre, veçanërisht, të gjinjve dhe të buzëve vaginale. Ato i shqetësojnë gjinjtë e tyre të vegjël dhe asimetria e buzëve të vogla vaginale, që shpesh, u zgjaten tej buzëve të mëdha.

-Po të rinjtë cfarë i mundon?

Të rinjtë i mundon reputacioni që do të fitojnë si dashnorë. Dopio-standardi, që u lejon  djemve të kenë më shumë liri seksuale nga vajzat, ndonëse, është dobësuar, akoma, ekziston. Ky dopio- standard është një shqetësim për shumë të reja dhe të rinj.

Njerëz të lumtur janë ata, që e trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Kjo e vërtetë e padiskutueshme, merr vlera të mëdha, veçanërisht, në marrëdhëniet tuaja seksuale. Këtë mos e harroni kurrë! Disa prej jush, shqetësohen për gjëra, që i perceptojnë si probleme seksuale. Ka djem që shqetësohen dhe e quajnë jo normale prishjen (ejakulacionin) e shpejtë. Derisa ka kaq shumë djem, që vuajnë nga prishja e shpejtë, kjo dukuri duhet pranuar si diçka që u ndodh fillestarëve dhe që do të korrektohet, duke fituar eksperiencë seksuale.

-Kur flitet për ankth, si veprohet?

Kur  jeni në ankth, lidhur me seksin dhe marrëdhëniet tuaja, përpiquni t’i zëvendësoni mendimet negative, me mendime pozitive dhe racionale. Mendimet e shtrembra lidhur me seksin dhe marrëdhëniet, janë të pashëndetshme. Kur gjërat nuk u shkojnë ashtu siç ju i prisnit, ju fajësoni veten ose partnerin. Por mos harroni, se kur përpiqeni të lexoni  mendimet e atyre me të cilët takoheni, ju mund të gaboni. Ju, shpesh, arrini në konkluzione të pabazuara (“Unë e di që ai, ose ajo, nuk dëshiron të dalë me mua”). Ju gaboni kur mendoni vetëm bardh e zi dhe harroni se, gjithherë, ka edhe gri e hije midis tyre. Si pasojë e këtyre gabimeve ju fajësoni veten, ose të tjerët duke përdorur shprehje të tilla komanduese: “Ti duhet të bësh interkursë, tani, me mua!”, ose “Ti nuk duhet të takohesh me persona të tjerë!” Sapo, të hiqni dorë nga këto mendime të shtrembra e të ngurta, emocionet,  vetë-besimi dhe jeta seksuale, do të balancohen e do të shëndoshen.

-Por thuhet se ka shqetësime për fantazitë seksuale?

Adoleshentët i shqetësojnë fantazitë seksuale. Disa duan të dinë në se ato janë normale. Të tjerë janë të çoroditur, sepse nuk dinë nëse duhet ose jo, të përdorin materiale eksplicite seksuale për të fantazuar dhe masturbuar. Pa asnjë dyshim, gjithçka, këtu është normale. Ju duhet të dini të bëni ndryshimin midis fantazive dhe realitetit. Shumë nga ju, dinë ta bëjnë këtë dhe kënaqen me fantazitë. Ata flakin mërzinë dhe rritin eksitimin dhe orgazmat. Mos u ndjeni fajtorë prej fantazive tuaja! Gjithçka është normale, kur nuk dëmton veten, ose të tjerët. Përpiquni të jeni të lumtur, të shëndetshëm dhe të përgjegjshëm. Në vendin tonë, ashtu si dhe në vende të tjera ku ka shumë tabu seksuale, punët e seksit nuk shkojnë mirë. Seksi oral, interkursa para martesës, masturbacioni dhe homoseksualiteti, të gjitha, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë më të stigmatizuarat.  Edhe pse situata ka ndryshuar, ka akoma “puritanë”, ose që hiqen si të tillë. Pavarësisht, gabimeve që janë bërë lidhur me seksualitetit në këto njëzet vjet, duhet pranuar, se shoqëria shqiptare ka hedhur hapa të mira drejt seksualitetit të shëndetshëm.

-A duhet të ketë norma në seks?

Ndonëse, sot, shoqëria jonë ka më shumë tolerancë për çka njerëzit bëjnë dhe besojnë seksualisht, akoma, ka njerëz që mendojnë se duhet të ketë norma seksuale, të pranuara nga të gjithë. Personalisht, nuk mendoj kështu. Ne jemi unikë, gjithkush me personalitetin e tij dhe nuk mund të gëzojmë të gjithë në të njëjtën mënyrë, sikur të ishim dhentë e një kopeje. Shumë të tjerë, e përcaktojnë “normalen”, me çka bën shumica e njerëzve, ose si e mendon shumica një akt seksual “normal”. Kjo nuk ka kuptim. Kjo të heq mundësinë të jesh vetvetja dhe të bësh zgjedhjet e tua personalenë morinë e opsioneve, që ka jeta e gjithsecilit. Deri sa kemi besime fetare dhe vlerësime e opinione social-politike të ndryshme, pse seksi duhet të jetë një përjashtim? Pse ai duhet të jetë njësoj e uniform për të gjithë? Pse ai duhet të jetë “normal”? Kur fjala është për seksin dhe marrëdhëniet personale, vëmendja e juaj duhet të përqendrohet në mënyrën si të pakësoni shqetësimet dhe si të rritni kënaqësinë dhe mirëqenien e shëndetshme. Askush, nuk ka as arsye e as të drejtë, të stigmatizojmë zgjedhjet që juve bëni.

-Për punët e seksit a duhet ndikuar nga shokët?

Shokë të vërtetë janë ata që nuk u bëjnë presion për të vepruar si ata, ose që të jeni siç dëshirojnë ata. Edhe në qoftë se shumica e shokëve, ose shoqeve tuaja janë përfshirë në akte seksuale, kjo nuk do të thotë që edhe ju duhet të bëni si ata, që të jeni “normalë”. Normale është t’u rezistoni atyre që dëshirojnë t’u detyrojnë. Shumë nga ju, ndjejnë presionin e shokëve për t’u përfshirë në takime, sipas të njëjtave rregulla që ndjekin ata. Të tjerë, mund të jenë nën presion të shokëve që kërkojnë të hiqni dorë nga të gjitha aktet seksuale, ose nga disa prej tyre. Mos u dorëzoni ndaj manipulimeve dhe presioneve. Mundohuni të jeni vetja juaj. Ka edukatorë e administratorë që e përcaktojnë “normalen” në aktivitetin seksual, duke u nisur nga ligjet e seksit. Por, jeta ka dëshmuar, se shumica e ligjeve për seksin kanë dalë jashtë mode. Ato zbatohen shumë rrallë. Ligjet e seksit reflektojnë atë që kërkon shumica e elementëve më konvencionalë të shoqërisë. Me këtë shpjegohet fakti që, akoma, shumë njerëz të indoktrinuar nga mësimet fetare, e shikojnë seksin oral, aktet seksuale homoseksuale, madje deri masturbacionin si jo “normal”. Në vende të ndryshme, mosha në të cilën adoleshentët lejohen të bëjnë interkursë, është e ndryshme. Në disa shtete mosha e lejuar është 16 vjeç, në të tjera 14 ose 18 vjeç. Ligjet e përdhunimit, zakonisht, quajnë përdhunim kur djemtë 17-18 vjeç dhe më të rritur, bëjnë interkursë me vajza të vogla. Shumë vende të tjera bazohen në diferencën e moshës. Kështu një i rritur 30 ose 40 vjeç, që bën interkursë me një vajzë adoleshente dënohet më rëndë, nga një djalë 18 vjeç që bën interkursë me një vajzë 16 vjeçe.

-Kur një sjellje seksuale bëhet anormale?

Kur pjesëtarëve të një grupi të caktuar shoqëror, u mbushet mendja, se ata janë të vetmit që duhet ta kontrollojnë seksin. Në këtë rast, etiketimet “anormale” për seksin, nuk do të kenë të mbaruar. Me etiketën “anormale”, ata do të quajnë çdo lloj sjellje seksuale që nuk e aprovojnë, ose që kërcënohen prej saj. A është anormale, kur një adoleshent shkel atë që seksualisht pritnin prej tij prindërit dhe shokët? Unë them Jo!

A është anormal seksi midis dy të rinjve, që nuk shqetëson të tjerët? Jo!

A është anormal seksi që nuk pranon konformizmin? Jo!

Ne të gjithë duhet bëjmë zgjedhjet tona seksuale! Anormale dhe e pashëndetshme është kur shtypen dëshirat seksuale natyrale të dikujt, ose kur dikush orvatet të imponojë dëshirat tij, mbi të tjerët. Cilido qoftë definicioni për normalen, ju duhet të dini, se nuk është normale kur seksin, vazhdimisht, e bëni një problem! Etiketimet negative, siç janë seks anormal, i sëmurë, i çuditshëm, ose mëkatar, janë shumë herë më të dëmshme për ju, nga sa vetë seksi që do të provoni. Seksi, u bën të njihni veten dhe e rrit personin tuaj. Ai është pjesë e qenies tuaj, plotësisht, e gjallë dhe e gëzuar. Është normale të kënaqeni me ndjenjat tuaja erotike dhe të keni të njëjtat dëshira me ata që ndjejnë si ju.

Djemtë edhe vajzat ndjehen të pasigurt, kur do të shkojnë në takim me një shok, ose një shoqe. Edhe atëherë kur ju mendoni se jeni një flirtues i mirë, ju përsëri nguroni të dilni në takim. Ju shqetësoheni se mos u flakin. Ju jeni në ankth, sepse nuk dini në do të jeni i pranuar dhe i pëlqyer. Është normale të jesh unik e i veçantë në takim . Mendoni sa e mërzitshme do të ishte sikur të gjithë të ishim njësoj! Mos u shqetësoni. Gjithkush, mund të flaket e refuzohet ndonjëherë. Por ka shumë herë të tjera, që ju do të gjeni tek njëri-tjetri gjëra të përbashkëta. Kimia seksuale, bën që ju të tërhiqni njëri-tjetrit, të bëheni miq dhe të takoheni. Ju keni “kimi seksuale”, kur tërhiqeni drejt njëri- tjetrit nga nuhatja, ose nga era e personit tjetër. Sinjalet për nuhatjen quhen feromone (pheromones). Tërheqja e ndërsjellë midis dy të rinjve shkaktohet nga kombinimi i këtyre tri faktorëve:

-Feromoneve

-Hormonet që vërshojnë në gjakun tuaj

-Forca magjike e ndjenjave tuaja të uritura.

Siç e shikoni, në tërheqjen midis dy të rinjve, gjithçka, është natyrale dhe normale.

-Por ka shumë diskutime për eksitimin seksual që ndjehet gjatë nuhatjes?

Flokët e trupit,  përmbajnë erën tuaj, krejtësisht, unike dhe kur tërheqja me anë të nuhatjes është e fortë, ajo, zakonisht, është e ndërsjellët. Eksitimi seksual që ndjeni gjatë nuhatjes është pjesërisht i ndërgjegjshëm dhe pjesërisht i pandërgjegjshëm. Ju duhet të shpjegoni sepse, ndonjëherë, ndjeni kërkesën urgjente për t’u fërkuar, për t’u përkëdhelur dhe që ta përpini njëri-tjetrin me epsh të pa rezistueshëm. Do të ishte një kaos i vërtetë, sikur çdo dashnor i mundshëm t’u eksitonte po njësoj. Nuk ka dyshim, që pamja, personaliteti, humori, interesat dhe vlerat që keni janë me shumë rëndësi, por nuhatja, është ajo që ndez epshin shtazarak. Kafshët kanë feromone, ashtu keni edhe ju. Ndërkaq, hollësitë specifike se si feromonet e njerëzve ngucin epshin, janë akoma çështje në diskutim shkencor. Ka të dhëna shkencore të besueshme që tregojnë, se uria për feromone është, pikërisht, dëshira e tërbuar për një dashnor të caktuar. Për shumë njerëz ju nuk ndjeni tërheqje intensive, madje, shumë prej tyre nuk u tërheqin fare. Pse ndodh kjo?  Sepse ata nuk kanë erën që u tërheq të bëheni bashkë, si dy magnete të fuqishme.

Akte seksuale normale, të shëndetshme dhe natyrale, janë ato për të cilat ju jeni të përgjegjshëm dhe të dy keni rënë dakord t’i bëni. Shumica e mendimeve, e ndjenjave dhe e sjelljeve tuaja seksuale, janë normale. Ndryshe nga shumë vende të përparuara të Evropës, ku seksi dhe seksualiteti janë më të shëndetshëm, tek ne, shumica e njerëzve mendojnë se kënaqësia erotike u takon të rriturve dhe ajo duhet provuar në martesë.

Kur them këtë, nuk mendoj se djemtë dhe vajzat 13 vjeçare, janë gati për të bërë më shumë se vetëm masturbacion dhe puthje të lehta. Por njoftimet e organeve kompetente për përfshirjen e të rinjve të këtyre moshave në aktivitete seksuale të mirëfillta, janë tronditëse. Këshilla ime për këta adoleshentë të rinj është: Prisni të rriteni edhe ca. Ju, duke u rritur do të provoni më shumë. Mos u nxitoni! Jepini vetes shansin të mësoni për kënaqësitë e seksit gradualisht, natyralisht dhe pa telashe. Mësimet për seksin, duhet të jenë pjesë e gëzuar e rritjes tuaj.

-Si duhet të bëhet sot seks-edukimi në shkollë?

Seks-edukimi në shkollë, nuk duhet të bëhet as i shtrembëruar e as i kufizuar. Seks-edukimi që bëhet sot u mohon të drejtën për të njohur seksualitetin tuaj. Nuk ka kuptim, që të moshuarit t’u mbulojnë me turp dhe ju të ndjeheni fajtorë për seksin. Mësimet moralizuese, që synojnë ta fshehin seksin nën qilim, nuk janë të moralshme. Ju me të drejtë jeni në ankth kur pyesni: A jemi seksualisht normalë?Ankthi juaj e ka burimin tek fakti që seksi për shumë kohë ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sekret i vogël i pistë, i censuruar nga të rriturit dhe institucionet e tyre. Edukimi seksual në shkollën tonë, nuk ka profil të përcaktuar. Askush, nuk mund të thotë, në se tek ne bëhet edukim seksual instruktiv, që u mëson nxënësve të gjitha sekretet e këndshme të jetës seksuale dhe si të mbrohen nga rreziqet që ka seksi i pasigurtë, apo bëhet edukim seksual “vetëm abstinencë”, ku mësohen vetëm rreziqet e seksit. Metoda e edukimit seksual “vetëm abstinencë”, është represive, është një lloj censure. Ajo u mëson:

-Të mos bëni seks deri në martesë.

-Të mos hapeni e të bisedoni me prindërit.

-Këshillon të vendosen filtrat për të bllokuar kompjuterët.

-Jep informacion të gabuar lidhur me efektivitetin e kondomeve.

E shikon seksin siç shikon violencën seksuale, si dy të këqija të barabarta.

Këto të gjitha janë shenja të censurës së pashëndetshme, ndërkohë, që ju keni nevojë për informacion seksual të kujdesshëm dhe për këshilla. Po të mos informoheni dhe të bëni  ashtu si gjeneratat e mëparshme, ju do të rriteni të frikësuar, obsesivë dhe të paditur. Mbani mend: Dija është forcë, por në punët e seksit, dija është superforcë.

-Thuhet se suedezët, i përgatitin të rinjtë për seks dhe nuk i pengojnë ta gëzojnë seksin?!

Suedezët e shohin interkursën seksuale të adoleshentëve, si një eksperiencë natyrale, midis të barabartëve. Seks-edukimi në Suedi, është seks-pozitiv, objektiv dhe i drejtpërdrejtë. Si rezultat, ata, kanë më pak shtatzëni të padëshiruara dhe më pak sëmundje infektive seksuale (SIS), krahasuar me shumë vende të përparuara të botës.

Seks-edukimi i Finlandës, është i ngjashëm me atë të Suedisë. Seks-edukimi i kujdesshëm dhe informimi i pa paragjykuar, i ndihmon moshatarët tuaj finlandezë, të bëjnë zgjedhje të shëndetshme. Dhe..e dini çfarë ndodh? Adoleshentët finlandezë, mesatarisht, e fillojnë interkursën seksuale, një vit më vonë nga adoleshentët e shumë vendeve të tjera të përparuara, përfshi dhe Amerikën. Edhe ju, adoleshentët shqiptarë, ashtu si të rinjtë e Suedisë dhe Finlandës,  meritoni që edukatorët tuaj të jenë të ndershëm dhe të hapur për problemet seksuale me ju. Ju nuk keni nevojë për predikime, që nuk i besoni dhe nuk i zbatoni. mendje të shëndoshë, ju duhet të keni ndjenja pozitive për veten. Filozofi anglez John Ëillson, (1965), thekson : “Seksi tek shumë njerëz, është më shumë se një dëshirë natyrale dhe ai duhet të shprehet. ... Ne duhet t’i eksplorojmë dhe t’i kënaqim dëshirat tona, ndonëse, disa herë na mungon guximi dhe rrëzohemi në këtë përpjekje. Disa u dorëzohen mendimeve represive seksuale dhe intimidohen prej tyre. Të tjerë u dorëzohen atyre që flasin me zë të lartë. Të rinjtë duhet të dëgjojnë mendimet dhe ëndrrat e tyre dhe të jenë vetia e tyre e vërtetë!” Disa prej jush, për arsye të informimit të keq seksual, mendojnë se nuk janë normalë dhe kjo i frikëson. Shpresoj që mendimet e këtij libri të jenë ndryshe, nga mësimet konfuze që keni marrë nga shumë të rritur dhe disa nga moshatarët tuaj Në këto shënime, ju do të gjeni edhe evoluimin që kanë pësuar disa nga pikëpamjet e mia, në këto njëzet vjet që merrem me seksologji dhe edukim seksual.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: