Frank Shkreli: Vritet një heroinë e gazetarisë botërore
| E Enjte, 23.02.2012, 09:05 PM |

VRITET NJË HEROINË E GAZETARISË BOTËRORE

 

Nga Frank Shkreli

 

Marie Kolvin, gazetarja amerikane e punësuar nga gazeta britanike Sandej Tajms gjatë 20-vjetëve të fundit, u vra dje - ndërsa forcat siriane vazhduan sulmet intensive kundër  qytetit të rrethuar sirian Homs - së bashku me fotoreporterin francez Remi Ochik.  Edhe tre gazetarë të tjerë u plagosën në këtë sulm, që disa media raportojnë se ishte një sulm i qëllimshëm kundër qëndrës së përkohëshme të medias në qytetin e rrethuar sirian.  Redaktori i gazetës Sandej Tajms, Xhon Uithrou e cilësoi gazetaren Kolvin si ‘’një nga korrespondentët më të mëdhej ndërkombëtarë të brezit të saj.’’

Marie Colvin ka raportuar për më se 20-vjetë nga zonat e luftës dhe konflikteve anë e mbanë botës përfshirë edhe luftën në Kosovë, ku ajo u ishte bashkangjitur çetave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të ndjekur nga afër operacionet e luftës së tyre kundër forcave ushtarake serbe dhe ishte një ndër zërat kryesorë që në atë kohë i raportonte botës mizoritë e forcave policore e ushtarake të Millosheviçit kundër popullësisë shqiptare.

Si një prej korrespondentëve më të dalluar ndërkombëtarë, Marie Colvin merrte për detyrë të mbulonte zonat dhe luftërat më të rrezikshme anë e mbanë botës nga Ballkani e deri në Çeçnja, në Sri Lanka ku  gjatë luftës civile atje humbi një sy, e deri në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën në Libi e Irak e kohët e fundit luftën në Siri, që më në fund i mori jetën.

Ajo ishte trimëreshë dhe e  guximshme dhe nuk kishte frikë të ballafaqohej me diktatorët më të këqij të botës, në përpjekje për të zbuluar të vërtetën.   Me një rast, ajo tha se misjoni kryesor i gazetarit është zbulimi i të së vërtetës. ‘’Ne kemi mundësi dhe duhet të ekspozojmë tmerret e luftës dhe veçanërisht barbarizmat kundër civilëve të pafajshëm,’’ shtoi ajo.

Një ditë para se të vritej nga forcat siriane, gazetarja Kolvin i tha entit britanik të lajmeve BBC, ‘’Unë pashë sot një foshnje duek dhënë shpirt. Një skenë absolutisht e tmerrshme, një foshnje 2-vjeçare ishte qëlluar nga sulmet.  Një shrapnel kishte penetruar trupin e tij të njomë dhe mjeku që u përpoq ta shpëtonte tha s’mund të bëjë assgjë për ta shpëtuar. Trupi i dridhej deri sa dha shpirt.’’

Në korrespondencën e saj të fundit për gazetën Sandej Tajms nga qyteti  Homs i rrethuar nga forcat siriane, ajo tha se banorët e qytetit kanë frikë se forcat e presidentit Assad do të masakrojnë popullësinë civile dhe shtoi se banorët iu lutën asaj që t’i raportoj botës mbi ato që po ndodhnin aty dhe tu ndihmojë atyre duke ndaluar bombardimet. Në korrespondencën e fundit, ajo raporton gjtihashtu se: ‘’Niveli i tragjedisë njerëzore në këtë qytet është jashtzakonisht i lartë. Banorët janë të terrorizuar. Pothuaj çdo familje duket se ka pësuar humbje ose plagosje të dashurish të tyre.’’  Nga secili prej tyre tha ajo, behej pyetja e pa shpresë: ‘’Pse na ka braktisur bota?’’

Reagimet ishin të shpejta mbi lajmin e vrasjes së gazetares amerikane Marie Kolvin dhe fotoreporterit francez Remi Oçlik.  Zëdhënsi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha për median se Shtëpia e Bardhë ‘’është shumë e shqetsuar dhe e pikëlluar’’ nga lajmi për vdeekjen e gazetares amerikane dhe kolegut të saj.  Pronari i  Sandej Tajms Rupert Murdok tha se Marie Kolvin, ‘’ishte e vendosur, që në një mënyrë ose në një tjetër, të raportoheshin aktet dhe veprat mizore të tiranëve por edhe vuajtjet e viktimave të tyre.’’   Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve duke marrë parasyshë faktin se ç’prej revoltës kundër regjimit Assad në Siri kanë gjetur vdekjen nëntë gazetarë të huaj e vendas, dënoi terrorin kundër gazetarëve, duke thënë se ‘’Vrasjet e gazetarëve vendas dhe ndërkombëtarë pasqyrojnë rreziqet në rritje e sipër me të cilat përballen gazetarët e pavarur në Siri, si edhe çmimin e lartë dhe të papranueshëm që ata detyrohen të paguajnë, shpesh duke humbur jetën. ‘’   Ministri i Jashtëm britanik Uilliam Hague tha me këtë rast për BBC se ‘’Maria dhe Remi vdiqen duke u përpjekur të na njoftojnë mbi të vërtetën me të cilën përballen banorët e qytetit Homs. Qeveritë anë e mbanë botës’ tha ai, ‘duhet të veprojnë në bazë të kësaj të vërtete dhe të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të ndalur fushatën e shëmtuar të terrorit të regjimit të presidentit Assad në Siri.’’  Dhe një zëdhënës i organizatës Reporterët-Pa-Kufi akuzoi Sirinë se po përdor mjetet më të dhunëshme për tu mbyllur gojën gazetarëve të cilët janë dëshmitarë të dhunës qeveritare në atë vend.

Vrasja e gazetares amerikane Marie Kolvin dhe fotoreporterit francez Remi Olçik nga forcat siriane i kujtojnë edhe një herë botës së profesioni i gazetarisë është ndër më të rrezikshmit në botë. Fundin e vitit që kaloi, Komisionerja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut Navi Pillay tha se situata është keqësuar aq shumë sa që  është i nevojshëm përpilimi i një strategjie ndërkombëtare për të mbrojtur gazetarët ndërsa janë në krye të detyrës së tyre.

Në raportin e saj, ajo tha se puna e gazetarëve është jetike si në kohë paqeje ashtu edhe në periudha konflikti, duke shtuar se ‘’Ata raportojnë mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe qeverisjen e keqe, dhe u japin një zë viktimave dhe të shtypurve’, duke shtuar se, ‘shtetet dhe qeveritë e kanë për obligim tu japin fund sulmeve kundër gazetarëve.’’

Me një rast gazetarja amerikane, korrespondente e gazetës londineze Sandej Tajms, Marie Kolvin tha se ‘’Përsa më përket mua, jam e bindur se nga lufta e ardhëshme mbi të cilën do të raportoj, respekti dhe nderimi im është jashtzakonisht i madh ndaj trimërisë dhe guximit të civilëve të cilët vuajnë shumë më shumë se unë. Ata janë të detyruar të qëndrojnë atje, por unë këthehem në Londër.’’   Ajo po këthehet në Londër, por vetëm pasi humbi jetën duke kryer detyrën e saj të shënjtë të gazetares. Ajo, me raportet dhe korrespondencat e saja zgjoi ndërgjegjen e botës së qytetëruar duke venë në dukje krimet dhe barbarizmat e regjimit Assad të Sirisë kundër popullit të vet, si edhe krimet dhe abuzimet e tiranëve kundër civilëve të pa-mbrojtur anë e mbanë botës, sidomos grave e fëmijve.

Një humbje e madhe këjo për gazetarinë botërore por edhe për të pa-mbrojturit e të abuzuarit anë e mbanë botës, të cilët me vrasjen e Marie Kolvin kanë humbur një përkrahëse të fortë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: