Fritz Radovani: Ka bre, burra... ka!
| E Merkure, 22.02.2012, 08:03 PM |

KA  BRÈ,  BURRA…KA…!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Kur gjithë Europa u zgjue dhe shtetet komuniste Lindore filluen me marrë në dorë fatin e vet, Shqipnia dukej sikur vazhdonte me kenë në narkozen komuniste…Vetrina e terrorit dhe e masakrave komuniste të vitit 1944 –1991 në Ballkan dukej se i ka ulë tarabat dhe po vente objekte tjera të reja me ekspozue, me një farë pluralizmi të kontrolluem nga PPSh, zbutje ligjësh nga Kuvendi Popullor per arratisjen, p.sh. jo ma me të burgosë me 20 apo 25 vjet nder burgje, por me të varrosë mbas 48 orësh shetitje nder makina të sigurimit të shtetit i lidhun me tela me ferra, ose edhe tue zhdukë fare kufomat e Rinisë Shqiptare...që kerkonte Lirinë...

Para Kuvendit Popullor ndihej edhe në rrugë kercitja e protezave të gjaksorëve, që tue kafshue buzët, pershpërisnin: “Asgja nuk u kemi bërë çka do ju bëjmë, or qafira!”...

Nga Amerika e largët ndihet në radio zani i Burrit Shqipnisë...”Ju flet Prof. Arshi Pipa...” dhe lajmet vazhdojnë me thirrjen e Profesorit: “Në se Shqiptaret nuk do të heqin nga Sheshi Skenderbe i Tiranës, shtatoren e diktatorit komunist E. Hoxha, asnjërë në Shqipni nuk mund të vendoset Demokracia Perëndimore!”

Ka brè Burra...ka edhe Shqipnia, thashë me vete kur dëgjova Profetin e Lirisë!

Pa kalue pak muej Shqiptarët realizojnë porosinë e Prof. Pipës...dhe njerëzit marrin zvarrë qenin e ngordhun nga kafshimi i terbuem që i bani Popullit të vet!

20 shkurt 1991... plot 21 vjet perpara një djalë “u vra” pranë perbindshit terrorist!

Ishim mësue 47 vjet me humbë djelmë e vajza në kerkim të Lirisë...

Krejt papritë lexoj mbas 21 vjetësh një artikull nga z. Fatmir Merkoçi, avokat mbas 1991... që, jo vetem ka vuejtë “luften e kllasave”, por edhe i asht rrezikue jeta e Tij nga pasuesit e tradhëtarit Haxhi Qamili, të cilëve ua zbulon surratin e vertetë me ngjarjen e 20 Shkurtit 1991, të cilen z. Merkoçi e ka perjetue në mënyren ma tragjike..Ishte e para herë që po lexoja në internet një ngjarje të madhe dhe mjaft të njohun të Popullit Shqiptar, të shkrueme jo vetem saktësisht, por edhe me një modesti të një qytetari që fliste sikur nuk po tregonte per vete, por për dike të panjohun prej Tij... dhe Ky asht ndodhë aty.

Ishte pra pikrisht djaloshi trim, që 21 vjet perpara na e mendonim të vramë tek Sheshi qendror të Tiranës! Vertetë një Atdhetar që “e ka falë pushka e tradhëtarit”!!

21 vjet i duhej Presidentave me mendue a duhet dekorue z. Merkoçi apo jo!?

Dhe ja si e shpjegon në intervisten e Tij z. Merkoçi Dekorimin e Presidentit Topi: “Një vit para ishin bërë disa dekorime të disa personave anonimë që nuk kishin qenë fare, që kishim marrë tituj edhe “Shqiponja e artë”.Pasi pati shumë reagime nga njerëz me kurajë, që thonin që i vetmi person që është vrarë atë ditë nuk dekorohet, presidenti më dekoroi edhe mua. Mendova të mos shkoj te presidenti, pastaj vendosa të shkoj.

Edhe aty pashë njerëz që nuk i njihja dhe më hipi një irritim akoma dhe më i madh. Pasi dekoroi kameramanë dhe gazetarë, presidenti më thirri edhe mua:

-”Zoti Merkoçi nderohet me dekoraten Pishtar i demokracisë”…

-Faleminderit ia ktheva.- Nuk kam asgjë personale me ty, por dy llafe do t’i them: Né si popull jemi distancuar nga Enver Hoxha, ditën që kemi hedhur bustin, ndërsa politika nuk ka patur kurajon civile dhe morale për të mos u distancuar. Për sa kohë që Enver Hoxha mban titullin “Hero i Popullit” nuk mund ta marr këtë dekoratë. Kur ju si politikë t’ia hiqni këtë titull Enver Hoxhës, unë mund ta marr këtë dekoratë.”

.....

Tue shikue foton e z. Fatmir, vazhdova me mendue: “Çka i duhet ma shumë se kaq Shqiptarëve, që z. Fatmir Merkoçi me kenë në Kuvendin Popullor apo dhe ma nalt... !?

A ka mundësi që një Atdhetar Trim si Fatmiri me “tradhëtue” Flamurin e Kastriotit të ruejtun tash 100 vjet dhe të lamë me gjakun e Familjes së vet Atdhetare Merkoçi!? ...

Çka pret Kryesia e Shoqates së të Perndjekunve Politikë të Shqipnisë?...”

Po Shqiptarët çka kerkojnё ma shumё se kaq?!...

 

E me vete vazhdova me thanë: “Ka, brè, Burra...ka prap Shqiptarë...!”


Melbourne, Shkurt 2012.

(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: