Besnik Dizdari: Kthehen vitet ’50: dueli “ushtarak” Dinamo– Partizani!..
| E Enjte, 06.03.2008, 11:48 PM |

Kthehen vitet ’50: dueli “ushtarak” Dinamo– Partizani!..

Nga Besnik Dizdari

Siç shihet, gjithë kjo histori! Ose ndryshe, gjithë ky përkim. Dhe gjithçka që lind prej një ndeshjeje të vetme: fitores së bujshme të Partizanit 4-1 kundër Sporktlub Tiranës – kampione në fuqi. Ose (prap një “ose!”) kundër Sportklub Tiranës e cila në 13 kampionatet e fundit ka fituar plot 9! Ose 4 në 5 më të fundit! Kështu apo ndryshe, 4-1-shi i javës që shkoi të duket se përfaqëson mbylljen për një kohë, të ciklit të madh të Sportklubit – me siguri për të çelë një tjetër më mbas – dhe që papritmas na kthen te dukuria (fenomeni) i sundimit të palëkundshëm të PartizanDinamos të viteve ’50…

*

E zhvilluar para nja 4000 shikuesve – shifër e lartë për kohën e sotme – ndeshja e së shtunës pavarësisht hidhërimit të SK Tiranës, përfaqëson një arritje jo vetëm për skuadrën e Partizanit, por dhe për vetë Kampionatin. Duke qenë e vetmja skuadër që për 9 javë rresht nuk humb asnjë ndeshje (5 barazime dhe 4 fitore), ky Partizan 2008 shfaqet në një “crescendo” si dikur, dhe papritmas vë kandidaturën e tij për të marrë një titull mbas një heshtjeje shembullore prej 15 vjetësh! Kur kujton se titulli i fundit i tij ka qenë ai i vitit 1993! Ai i vë vulën këtij mëtimi teksa mbrenda shtatë ditëve përkulë dy mëtues të të mirënjohur: Dinamon kryesuese dhe SK Tiranën 23 herë Kampione e Shqipërisë. Dhe çka është më e rëndësishme, këte e bën mbas dy ndeshjeve të një niveli që ndoshta mund të kemi vite pa ia pa. 1-0 Dinamos në kulmin e historisë së saj të tashme, e, sidomos 4-1 kundër SK Tiranës, janë të së njëjtës vijë melodike të një futbolli të shpejtë, taktik dhe kolektiv që të befason.

Në thelb ky Partizan 2008 nuk ka asgjë të përbashkët me Partizanin 15 herë Kampion i Shqipërisë, me përjashtim të emrit, ngjyrës së kuqe dhe mbrapahistorisë të cilat është “i dënuar” t’i përfaqësojë. Nuk ka as stilin e vrullshëm të futbollit të tij të papërmbajtshëm të asokohe dhe as atletizmin e Partizanit të Resmes e të Boriçit. Eshtë diçka tjetër. Eshtë një Partizan ende në fillimet e një stili të futbollit të kohës, të një zgjuarsie dhe teknike madje, që gjejnë shprehje te një “avanguardë”. Që përmblidhet në emrat e dyshes së mbraparojes Shehi – T.Osmani, e po këtu edhe të një tresheje Gyla – Hallaçi – Pinari, e gjitha në harmoninë e një mbrojtjeje elastike. Eshtë një vendosje që vazhdon me një treshe të mesfushës Dhëmbi – Devolli – Shkëmbi për të mbërritur te një sulm që niset nga mbas prej Muzakës së pagabueshëm dhe shpërthen me dyshen Abilaliaj – Bakaj. Eshtë një skuadër ku sidomos në 20-vjeçarët Bakaj – Abilalaj rinia ka dyshen më interessante të këtij Kampionati, një dyshe së cilës 23-vjeçari “veteran” i Partizanit, Gjergj Muzaka, i lëshon mbi tryezë mendjen e tij krijuese të një sulmi tejet hapsinor, natyrisht mbështetur te plotmëria e pjekurisë së treshes mesfushore të sipërpërmendur, 28-vjeçare në moshën e e vet. Ky është një Partizan i shkrirjes së moshave që anojnë kah rinia teksa kujton që T.Osmani është vetëm 22 vjeç dhe se papritmas Malindi apo Karabeci që u shfaqën sado pak të shtunën, janë vetëm 19-vjeçarë. Ndërkaq, kthehesh te pjekuria e atij që mungoi: kapitenit Ardit Beqiri – 175 ndeshje nën fanelën e Partizanit - rekordmen i tij ende në fushën e lojës. Trajneri Hasan Lika, një “partizan” në rrënjë, me sa duket është ndër trajnerët më të vendosur për t’i marrë orëve të stërvitjes edhe minutin, mu në kohën kur kriza më e rëndë e skuadrave shqiptare është stërvitja. Partia i pat detyruar të stërvitshin dy herë në ditë, e nuk e di se sa skuadra stërviten sot rregullisht qoftë dhe një herë të vetme në ditë…

Ndeshjet e ritmike të këtij Partizani të javëve të fundit, ndonëse të copëzuara, pse jo, tregojnë disa pamje të futbollit modern. Pati një çast delikat ndeshja e së shtunës kur mbas shkurtimit në 3-1 falë zgjuarsisë së Fortuzit në golin e tij të 166-të në kampionate, SK Tirana shpresoi për kthesë. Por.. Partizani thuajse në çast jep mu ate që njihet si “colpo di grazia” falë kundërslmit të rrufeshëm që prodhoi golin e një stili evropian prej këmbëve të pagabueshme Abilaliajt të ri! Ishte 4-1 përfundimtar!

Eshtë një rezultat që në këto përmasa ndaj Sportklubit, Partizanit i mbërrin mbas plot 45 vjetëve: 1962-63 kur kemi dy herë rresht 4-0 Partizani kundër ish 17 Nëntorit! Edhe ky një jubile. Historia na thotë se tre rekordet e tjerë të këtyre 45 vjetëve i përkasin Sporklubit: 7-3 vetanak i stinës 1985-87, 5-2 e 4-0 të vitit 2004-05. Por tash, ndonëse me 45 vjet vonesë, mbërrin 4-1-shi i vitit 2008! Dhe ishte edhe ky po takimi jubilar midis tyre: i 130-ti, gjithnjë nën epërsinë e ”ushtarakëve”: 54 fitore Partizani, 38 SK Tirana. Pesha e rëndë e paçlirueshme e viteve fatthëna 1950! Madje një herë, më 1947, pat ndodhur edhe Partizani – 17 Nëndori 8-0!

E tha bukur një tifoz, intetelektual i Sportklubit, ndër të rrallët e kësaj shtrese që vijnë sot në stadium e që ende lexojnë gazeta sportive: “Fitorja e Partizanit, - tha ai me zë të ulët, - shpëtoi vlerën e Kampionatit. Mirë që humbi Tirana, sepse mbase, me 6 pikë epërsi Dinamo do të shkonte më lehtësisht te titulli i saj i 17-të. Kjo Tiranë nuk është për kampione këte vit”.

Në të vërtetë kështu është. Tash Kampionati i 69-të zyrtar i Shqipërisë, ka vetëm dy mëtues: Dinamon dhe Partizanin. Eshtë një rikthim te historia e viteve ’50, periudhë kur dy klubet ushtarake bënin ligjin në futbollin shqiptar. Siç e kam thënë edhe një herë tjetër, ata kanë fituar asisoji, 31 Kampionate së bashku, 16 Dinamo dhe 15 Partizani! Por vetëm 2 në 17 vjetët e fundit: vetëm 1 Partizani më 1993 dhe vetëm 1 Dinamo më 2002! Histori e mbyllur, e harruar, gati e shuar. Një epokë që është ndrydhur si në një prehistori. Po të thoje në vitet ’70 apo ’80 se do të vijë një kohë që Partizani dhe Dinamo në 17 vjet rresht do të fitonin vetëm nga 1 Kampionat, do të vinim buzën në gaz. Mirëpo, përmbysja erdhi. Dy superklubet e dikurshëm tash rrezikojnë gjithnjë e më fort ta humbin historinë, e cila nëse nuk përsëritet, mund të shtresëzohet nën dhé si teatrot e lashtësisë. Dhe ata nuk luajnë më role të mëdha në Kampionatet e Shqipërisë. Dikur i merrnin futollistët vetëm me telefona. Tash duhen miliona për t’i marrë. Eshtë diçka tjetër. Eshtë kohë tjetër. Ata nuk mund të mbahen më vetë me ngjyrat e klubit që përfaqësojnë vërtet një histori të madhe, por një histori tejet të largët, të dikurshme. Dhe mos harroni Partizanin i cili ra deri në Ligën 2 më 2001 (Kategoria e dytë)!

Tre vjet më parë kam thënë: “Futbolli shqiptar duket se kështu tashmâ ka mbyllur një herë e mirë punët me sundimin e PartizanDinamos.”. Mirëpo, viti 2008 papritmas mund të më çojë në një “errata corrige”, që në profesionin e gazetarit shpesh bëhet bashkëudhëtare. Kampionati i 69-të me siguri do të shpallë kampion ose Dinamon mbas 6 vjetëve ose Partizanin mbas 15 vjetëve. Kësisoji, Partizani mund ndodhet në prag të një jubileu të rrallë: Kampion në 15 vjetorin e titullit të fundit që ka fituar. Presidenti i tij “karizmatik” Albert Xhani, duke i marrë këtij përcaktimi vetëm një vlerë shqiptare, si një ndër folësit më të çuditshëm në rreptësinë e thënieve të tij që kanë njohë klubet shqiptare dhe i cili nuk ka aspak të bëjë me Partizanin e dikurshëm, ka kaq vjet që flet për një titull të Partizanit. Tash me sa duket, në 11 javët e mbetura, vështirë të flejë i qetë… Ndeshja e së shtunës, madje dy fitoret ndaj Dinamos e SK Tiranës, ia kanë mbushë mendjen se skuadra u bë. I duhet të sendërtojë strategjinë e rrezikshme, dinake, ambicioze të këtyre 11 javëve për të mposhtë një Dinamo, e cila padrejtësisht duket se del jashtë këtij komenti, ndonëse është squadra e cila ka kryesuar Kampionatin e 69-të në plot 14 javë nga 21 të mundshme.


*

Eshtë një Dinamo, e lëkundur në katër javët e fundit: 2 barazime, 1 humbje dhe vetëm 1 fitore munduese me Shkumbinin, përfundime që erdhën mbas 5 fitoreve rrresht të këtij dimri ku hyn edhe një 7-0 i papamë ndaj Skenderbeut dhe e tronditur prej një ndërrimi sensacional të trajnerit Canaj, aspak i pranueshëm edhe për autorin e këtyre rradhëve. Të shtunën për një çast është qetësuar. Kjo falë fitores kundërshkumbinase, për t’u shqetësuar jo pak mbas tri orëve kur ka pa fitoren vallëzuese 4-1 të Partizanit ndaj Sportklub Tiranës. Në të vërtetë, edhe Dinamo e ka skuadrën, i ka forcat, i ka me sa duket edhe financat për të mbërritur te titulli i saj i 17-të, madje me përbërjen më ndërkombëtare që ka pasë ndonjëherë në histori. Në ndeshjen me Partizanin erdhi një çast që në fushë pati 8 lojtarë të huaj: Bodrusic, Granic, Abraham, Diop, Pollozhani, Vincetic, Hamuch, Pejic! Ndoshta është rasti rekord i ndërkombëtarizimit në Kampionatin e Shqipërisë.

Nuk është e vërtetë ndërkaq, se kjo Dinamo është një “nëndetëse”. Unë për vete kurr nuk e përdor këte përcaktim, që nuk ka asgjë të përbashkët me Dinamon e Mbasrënieskomuniste. Për gazetarët e rinj që përdorin fort përcaktimin “nëndetëse”, po shpjegoj “etimiologjinë”. Autori i përcaktimit në fjalë, është trajneri i paharrueshëm i 17 Nëntorit, Myslym Alla. E krijoj për t’iu kujtuar shqiptarëve se Dinamo si e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, pra edhe e Sigurimit famëkeq të Shtetit, zotëronte edhe forma të tjera për ta fituar një Kampionat: kërcënimet dhe frikën që vinte prej pushtetit kriminal të Ministrisë së Mbrendshme të asokohe. Sot është krejt gabim për ta quajtur “nëndetëse” Dinamon. Sepse mirëfilli ajo nuk është as edhe e Ministrisë së Mbrendshme të kohës së Demokracisë, çka do të thotë se kërkon të fitojë thjesht përmes garës së ndershme. Këte e tregon edhe ky Kampionat Nr. 69, të cilin ajo e kryeson pa ndalesë tash 11 javë, qysh më 25 nëntor 2007. Do të ishte mëkat ta lëshonte dore këte kryesim, sepse edhe ajo skuadrën e ka, forcat i zotëron, ambicjen e shpalos.

Them se, edhe pse kam titulluar për histori (ose për historizëm) kthimin e viteve ’50 të sundimit të PartizanDinamos, krahasimi nuk ngjason aq fort. Ai kthim nuk mund të mbërrijë më për shumë arësye: politike e sociale, shtetërore e pushtetore, mundësore e tradicionale, fanatike e liberale, urdhërore e dishirore.

Ky Partizan dhe kjo Dinamo nuk mbështeten më prej spaletave. Kësisoji, grupi i nostalgjikëve të tyre është jashtë mode e pakta tash 17 vjet. (Përsëris: vetëm 2 kampionate të fituar prej tyre në 18 vjetët e fundit!). Them grupi i nostalgjikëve, sepse ndërsa kujtoj se Partizani i Shqipërisë, themelimi i të cilit është i nxitur prej themeluesve të Partizanit të Jugosllavisë më 1946, prej së kaluemes trashigon vetëm emrin luftarak që vinte prej ndershmërisë së një lufte për çlirim, të partizanëve të thjeshtë, po që më mbas iu dha kuptimi më fanatik i një politike të Regjimit, prap ka prej asosh (nostalgjikë pra) të cilët duan t’i japin kuptimin komunist, sot të papranueshëm. Mëkati ynë është se sot ka vetëm dy Partizanë në botë: ai i Beogradit të Serbisë dhe ky i Tiranës së Shqipërisë! Në të vërtetë dy të mëdhej për historinë sportive të secilit shtet.

Nga ana tjetër, Dinamo-t që ende rezistojnë. Ndonëse kanë qenë 73 Dinamo dhe sot kanë mbetur vetëm 12: Dinamo e Tiranës, Dinamo e Tbilisit, Dinamo e Batumit, Dinamo e Zagrebit, Dinamo Bender, Dinamo e Bukureshtit, Dinamo Budwais, Dinamo e Kievit, Dinamo Moskës, Dinamo e Minskut, Dinamo Brest, Të gjitha në Ligat e para të Shqipërisë, Gjeorgjisë, Kroacisë, Rumanisë, Çekosllovakisë, Ukrainës, Biellorusisë! Në shuarje e sipër ashtu si Dinamo e Berlinit para pak vitesh, edhe Dinamo e Drezdenit në Ligën e tretë të Gjermanisë së bashkuar. Të gjitha janë Dinamo-t e kampit të dikurshëm komunist i të ashtquajturave ”demokraci popullore”. Mëkati i dytë ky. Punë nostalgjikësh të cilët sapo patën diçka në dorë e kur Dinamo e Tiranës qe bërë Olimpik, ia kthyen prap Dinamo. Për t’u njehsuar me Evropën ish komuniste?...

Ndërkaq, Renditja e 69 kampionateve zyrtarë të Shqipërisë, duke futur edhe arritjet e 22 javëve të stinës 2007-08, sa vjen e riformohet. Ajo lëkund paksa Vllazninë e Shkodrës për qëndrim në vendin e tretë për shkak të rritjes të Dinamos në këte 2008 (Vllaznia 2095 pikë dhe Dinamo 2090). Si dhe emocionon duelin Flamurtari (1542 pikë) – KS Elbasani (1534) për vendin e 6-të, ndryshime që mund të ndodhin në fund të kësaj stine, nëse epërsia vazhdon në këte kah që po ecën. Tash për tash 16-shtja më e mirë për të 69 Kampionatet Kombëtare të Shqipërisë, simbas pikëve të fituar në tanësi, deri më 1 mars 2008, renditet kështu:


1.SK TIRANA / Tiranë

2.PARTIZANI / Tiranë

3.VLLAZNIA / Shkodër

4.DINAMO / Tiranë

5.TEUTA / Durrës

6. FLAMURTARI / Vlorë

7. KS ELBASANI / Elbasan

8. BESA / Kavajë

9.SKENDERBEU / Korçë

10.KS LUSHNJA / Lushnje

11.TOMORI / Berat

12.LUFTETARI / Gjirokastër

13.APOLONIA / Fier

14.SHKUMBINI / Peqin

15.BESELIDHJA / Lezhë

16.NAFTETARI / Kuçovë

Këto janë 16 skuadrat më të mira të në 79 vjet Kampionat Kombëtar në Shqipërisë.

*

Dueli Dinamo – Partizani i kthehet megjithate paksa viteve ‘50 të duelit të harruar ish ushtarak Partizani – Dinamo. Historia, kjo nënë e mësimit të madh e të vazhdueshëm të jetës, na thotë ndërkaq se ndodhemi para rastit të parë të 18 vjetëve të fundit që Dinamo e Partizani mëtojnë midis védi një duel të tyre të veçuar për të rrëmbyer titullin e Kampionit. Hera e fundit ka qenë më 1990, kur Dinamo u shpall kampione përmes duelit të vetëm me Partizanin. Plot 16 herë janë ndodhur Dinamo e Partizani në një duel të këtillë, pra të luftës mbrenda të llojit të tyre për të rrëmbyer titullin shqiptar të futbollit. Dhe në këto 16 herë, Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit 10 herë, ndërsa ky i fundit vetëm 6 herë. Doemos vitet ’50 kanë qenë më tipikët. Në 8 nga 10 kampionatet pa ndalesë të atij dhjetvjetëshi, Dinamo e Partizani kanë qenë duelantë midis védi, dhe 7 herë Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit, ndërsa ky vetëm 1 herë, më 1957 mbas ndeshjes shtesë fundore.

Mos ndoshta ndodhemi në të njëjtën situatë me gjithë reminishencat që mundohemi ne të gjejmë përmes këtij shkrimi?...

Nuk besoj megjithate. Partizani në dy ndeshjet e tij të fundit, njëra më me nivel se tjetra, tregoi për mundësitë që fsheh Kampionati i Shqipërisë. Nuk besoj se duhet lidhë e gjitha kjo me rënien befasuese të SK Tiranës. Nuk mund të fitojë përherë i njëjti. Këtu qëndron bukuria e futbollit dhe e sporteve, ndonëse kam bindjen se Sportklubi me kryelësi e gjakftohtësi do të dijë të dalë nga situata. Në sport ka vend vetëm drama, kurr tragjedia. SK Tirana përjeton një dramë mbrenda arësyes së ecurisë së vetë futbollit. Nga ana e tij, Partizani përjeton një rilindje gjakuese (pasionante), që le të shpresojmë se nuk do t’i kthehet në shpërthim euforie. Dinamo ndërkaq, sapo ka marrë frymë falë një fitoreje modeste dhe çliruese me Shkumbinin e Peqinit. Ka kështu një rigjallërim Kampionati i Shqipërisë qoftë edhe me reminishencat e rikthimit artificial të dukurive të togfjalëshit PartizanDinamo të viteve ’50…

Ndonëse problemet mbesin, çka do të thotë se nuk ka vend për entusiazëm. Një Kampionat që mbart absurdin krejt artificial në kompozimin e një periudhe (faze) të tretë që do të luhet vetëm me një kah udhëtues, ende pak skuadra (12), çka godet futbollin qytetar të Republikës sonë, financa të paqëndrueshme, largim drastik i spektatorit, mangësi stërvitore të dukshme, goditje e futbollit tradicional të qyteteve (Durrësi, Vlora, Korça, Gjirokastra, Berati, Fieri, Lushnja…) dhe drejtim ende jo autoritar i Federatës Shqiptare të Futbollit me në krye Komitetin e saj “të famshëm” Ekzekutiv jo përfaqësues i hartës futbollistike të Shqipërisë, madje me rikthim personazhesh të Regjimit, shto këtu dhe mjedise ende të pakultuara në tribuna e stadiume.

Dhe e veçanta e të veçantave: figura gjithnjë e më në zbehje e trajnerit. Pardje dha dorëheqjen trajneri i mirënjohur Vasil Bici, trajneri “rekordmen” i Shqipërisë, i cili në 6 sezonet e fundit ka ndërruar 12 skuadra! Dhe të gjithë të tjerët mbas tij. Më i pambrojturi në Shqipëri është trajneri. Më i mbrojturi Komiteti i njëanshëm Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit 2008, e cila me sa shohim, ka bërë për vete më fort se asnjëherë tjetër në historinë e këtij vendi, mu atë, opozitarin e përjetshëm të saj: shtypin. Duke lëkundur kështu vetë sentencën e famshme: “Radio bën lajmin. Televizioni e bën që të shihet. Ndërsa gazeta të bën që ta kuptosh”. Dhe duke e shndërruar në: ”Radio nuk lajmëron. Televizioni nuk ta shfaq. Ndërsa gazeta nuk të bën që ta kuptosh”.

Edhe kjo është një temë më vete për t’u përsiatur…



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: