Fritz Radovani: Në Shqipni thonë ''Janë nda rrisqet''!
| E Premte, 17.02.2012, 08:02 PM |

   SHQIPNI  THONË:  “JANË  NDA  ‘RRISQET”!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Ishte data 3 Janar 1991. Mitingu ma i madh që mund të jetë zhvillue në Shkoder, rreth Burrit ma të dashtun të Popullit të Shkodres, në sheshin Isa Boletini… Nuk mund të percaktoj sa mijë vetë ishin grumbullue aty me ndigjue fjalen e kryetarit të PD, dr. Sali Berishës, që shoqnohej nga grupi i mjekëve të Shkodres dhe “bashkvuejtësit” tjerë që sapo kishin formue grupin e PD-së së Shkodres, me kryetar Pjeter Arbnorin.

Atëherë pak kush e merrte vesh fjalën e Sali Berishes, që tha aty: “Të gjithë jemi bashkvuejtës dhe bashkfajtorë!”... I pari që nuk e pranoi në Shkodër ishte Kleriku i Madh, Don Simon Jubani, i cili pak ditë përpara, me 11 Nandor 1990, tha Meshen e Parë, tue na ba të dijtun se “Liria e Fesë, sjellë demokracinë shumë të dishrueme nga Shqiptarët!”.

Don Simoni jo vetem nuk pranonte “bashkfajsinë” me ishkomunistin Sali Berisha, po nuk pranonte as “bashkvuejtjen” në burgun e Burrelit me Pjeter Arbnorin... Koha nuk kaloi aq shpejt per me ardhë 2 Prilli i zi, që vorrosi kater djelmë Nanash Shkodrane...

Kujtoj një thanje të Heroit trim të demokracisë Arben Broci, në kryesinë e BSPSh, kur po bisedonim per Sindikatat e Pavaruna të Shkodres: “Jemi në rrezik nga elementi i agjentave të sigurimit, që po vrapojnë me u angazhue me PD dhe Sindikata, mbasi ashtu po i udhzon Ramiz Alia...” Dhe me të vertetë ashtu ngjau! Angazhimi i tyne në PD u ba shkak me u vra në lule të rinisë vet Ai djalë i mrekullueshem, që e donte demokracinë ma shumë se veten!

Nuk shkoi gjatë dhe “bashkvuejtësit” u grumbulluen në PD, ndersa pjesa tjeter e “bashkfajtorëve” ndrroi emnin e PPSh dhe u quejt PS. Bijtë e komunistëve nuk hezituen me u bashkue në PS, edhe pse ndrrimi i emnit ishte sikur po i binin mohit Enver Hoxhës. Nuk ishte veprim pa aprovimin e Nexhmijes dhe Ramizit...per hirë të trashigimisë që e kishin per zemer me ruejtë poste, pasuni e kapitale të paprekuna, komunistët dhe pasuesit e tyne pranojnë me ndrrue edhe emnat e babave të vet, e këte e provoi koha, se tue fillue nga Ramizi e të gjithë tjerët mbas tij, na dolën “vëllezer gjaku me turqit”!

PD në Shkoder aty nga viti 1995, “pastroi” kryesinë nga pesë agjenta sigurimi, tue largue edhe kryetarin e vet Ludovik Degen, kushrinin e Pjeter Arbnorit, sepse kishin pasë “dosje” në sigurimin e shtetit, gja që PD “nuk e kishte dijtë” kur janë zgjedhë në kryesi!

Besoj i kujtohet mirë një shokut tim të punës kur më ka propozue në ditët e para të dhjetorit tё 1990 me u angazhue me PD e Shkodres, porsa erdhi nga mbledhja e Tiranёs. Unë e pyeta se kush do t’a drejtojë PD në Shkoder, e ai më tregoi se doktor Berisha ka caktue Pjeter Arbnorin. Unë i thashë se nuk angazhohem me PD mbasi Pjetrin ma kishte shpjegue pak ditë perpara Don Simon Jubani, atëherë kur Don Simoni donte me formue me Prof. Nush Radovanin partinë demokristjane. Kështu si në Shkoder u veprue në gjithë Shqipninë tue perfshi edhe partitё tjera.

Gjaku i Arben Brocit me shokë u derdhë mbi asfaltin para godinës së Komitetit të PPSh së rrethit Shkodres...në kerkim të Lirisë dhe demokracisë, por gjyqi farsë i PD-së nuk arrijti kurrë me mbulue të verteten e vrasjeve, që organizuen Ramiz Alia, Gramoz Ruçi, Fatos Nano me terroristët tjerë të sigurimit të shtetit në Shkoder...Ndonse disa “patriotë” të panjohun tashti Ramizin e quejnë “presidenti që nuk ka ba gjak nder shqiptarë!” Me siguri janё prej “atyne” qё kanë dashtë si duket edhe pak ma teper gjak në Shqipni, per me quejtë Ramiz Alinë terrorist.

Pse terroristet Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha e sa tjerë kriminelë nuk u hiqen titujt nga Kuvendi Popullor?

Pergjegjen ua ka dhanë Sali Berisha, Bamir Topi dhe Jozefina Topalli...jo ma larg se nder këto ditë. Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca, ish të persekutuem politikë, kanë goditë djalin e sekretarit të parë të komitetit të partisë së Elbasanit në kohen e komunizmit, shokut Çajup Rusmali, Ilir Rusmalin, deputet i PD dhe Kryetar i Komisionit të Ligjëve pranë Kuvendit Popullor... Çka ka mendue per Ata me vete Gramoz Ruçi “nuk dihet”!

Se i ati Çajupi, paska kenë sekretar i Elbasanit në kohen e komunizmit e mora vesh. Po i biri Ilir Rusmali, që asht Kryetar i Komisionit Ligjëve në Kuvendin Popullor, a dini me tregue se ciles kohë i perket? Më falni se po dukemi edhe budallejë e gati kam kenë tue pyetë: Po Jozefina Topalli, a e di se vajza e kujt asht, që vazhdon me ndejë aty?

Djali i sekretarit të parë të PPSh së Elbasanit,“bashkvuejtës” me Jozefinen dhe Sali Berishen...në PD e “Republikës Popullore Socialiste të Shqipnisë”...

Edhe i veni faj “dr. prof e akademikëve”, se nuk i venë gjysa shojesh shkarpave të Shqipnisë, gati thashë Turqisë, që sundojnë Popullin Shqiptar!


Melbourne, Shkurt 2012.

(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: