Ervin Bejleri: “Portokallia”, trampolinë, por jo urë për mua
| E Merkure, 15.02.2012, 07:17 PM |

Flet aktori Ervin Bejleri (Vini i Portokallisë)

Portokallia”, trampolinë, por jo urë për mua

Albert ZHOLI

Në bisedë ai është shumë i sinqertë, i qeshur dhe konkret. Nuk heziton të thotë edhe gabimet e tija në jetë, por dhe gëzimet dhe peripecitë. Në shkollë ishte kërkues dhe pse pedagogët i jepnin pjesë teatrale që atij s’i kanë pëlqyer. Mosmirënjohjen e cilëson si vesin më të keq të njeriut, sikundër punën e quan vlerë të pakontestueshme. Për të “Portokallia” ka qenë një trampolinë për ecjen përpara, por dhe një fat, pasi njohu Olën, bashkudhëtaren e jetës. Pika më kulmore e karrierës së tij është filmi i fundit në Itali “Shlyerja e mëkateve”, ku ai luan me shumë aktorë të mëdhenj italiano-amerikanë.

“Koleksioni i qelqit”, një dramë që ju kishit rolin kryesor...

Ka qenë një dramë shumë e mirë për mua. U vu në skenë në Festivalin e Regjisorëve të Rinj. Ky festival i 2011-s ishte në vitin e shtatë të organizimit.  Në këtë dramë kisha rolin kryesor, Tomin. Kjo shfaqje kishte Lorin Terezin si regjisor. E falënderoj që më zgjodhi mua për këtë rol, pasi të kesh rolin kryesor në një dramë çfarëdo është privilegj.

Pas këtij momenti?

Pas kësaj shkova në Itali, pasi më erdhi ftesë nga regjisori i shquar Italian Karlo Fusko (Carlo Fusco), për një film për mafien italo-amerikane.  Në këtë film pata 10 skena, afërsisht 7 min film. Këtë film e hap figura ime dhe e mbyll figura ime. Filmi titullohet “Vespro D’un Rinnegato”, “Shlyerja e mëkateve”. Në film dua të theksoj se, kam futur dhe disa batuta shqip, pasi u konsultova me regjisorin. Atij i pëlqeu ideja që mund të futej dhe një gjuhë tjetër e huaj, sepse filmi s’është tejet italian. Personazhi im ishte i një njeriu që vjen në rritje, me origjinë nga Siçilia dhe që jeton në Amerikë

Me kë luajtët në këtë film?

Unë në fillim se dija kush luante në këtë film, por kur u njoha me aktorët u befasova. Aty luanin Danny Glover (ka luajtur Presidentin Amerikan), Michael Madsen (amerikan), John Savage (amerikan), Steven Bauer, Hat Yamanouchi, Giovanni  Martorana, etj…Pra, aktorë të nivelit botëror. Ndjehesha shumë i emocionuar në fillim.

Si u ndjetë me shkollën shqiptare të aktrimit?

Në raport me aktorët italianë kemi shumë gjëra të përbashkëta, në zakone, tradita, kulturë aq më tepër në Kalabri ku ka shumë arbëreshë. Ndërsa, kur flitet për film ndryshon puna. Filmi ka kamera dhe kamera të ha, do një lojë më të mbledhur, një lojë më skrupuloze, më të brendshme, lojë sysh se sa ekspresioni të jashtëm siç e ka teatri. Por ndryshe do të thosha për aktorët amerikanë. Ata kanë luajtur filma që kanë fituar “Oscar”. Në portretin e tyre, në sytë lëvizës kishte diçka ndryshe në konceptim. Por duhet të themi se ne kemi gjak tjetër, mesdhetar, kemi tjetër temperament.

Ku u xhiruan skenat e tua?

Roli im u xhirua kryesisht në Sicili në Kapaçi. Ishte një ambient i mrekullueshëm.

Nuk patët reagime nga mafia në atë vend?

As që bëhet fjalë. Përkundrazi, të gjithë na respektonin. U krijua një atmosferë e këndshme me banorët. Filmi mbetet film. Ai është magjik.

A krijuat relata me regjisorin  Fusko (Fusco) gjatë xhirimeve dhe a ka ardhur ai ndonjëherë në Shqipëri?

Krijova relata shumë të mira. Madje, ishte ai që u afrua. Ishte njeri i thjeshtë, por me dije të thella në regjisurë. Nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri dhe ka shumë kuriozitet ta vizitojë. Më ka dhënë fjalën që do vijë së shpejti për të krijuar dhe një distributor për filmin që realizuam.

Do të vazhdosh këtë bashkëpunim me regjisorin Fusko?

Ajo s’është në dorën time, por di të them që ai ngeli i kënaqur me lojën time dhe më ka përfshirë në një skenar të ri, ku në bosht të skenarit do të jenë marrëdhëniet Shqipëri-Itali si dhe emigracioni i madh i shqiptarëve në fqinjin tonë perëndimor. Ka skena më skafistë dhe prostituta. Është historia e një djali të vogël që ikën nga Shqipëria.

Ju jeni pjesë e tetarit Kombëtar në dramën “Henri i VI”, pjesa  e dytë. Ç’përbën për ju kjo pjesëmarrje në Teatrin Kombëtar?

Ishte një fat për mua që marr në këtë projekt gjigand një nga të paktët e TK,  pasi për herë të parë TK ka fituar të drejtën të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të “Shekspirit” që organizohet në Londër. Në këtë Festival, më i madhi në llojin e vet, marrin pjesë trupa nga e gjithë bota. Shqipëria është ndër vendet e pakta të Ballkanit që merr pjesë në këtë Festival, pasi Rumania nuk merr pjesë. Po ashtu dhe Kroacia, Mali i Zi, etj… Pjesa që kemi ne quhet ndryshe “Trilogjia e Henrit”  ose  “Trilogjia e Ballkanit”, ku pjesën e parë të Henrit të VI e luan Serbia, të dytën ne dhe të tretën, Maqedonia. Kjo dramë ka 23 aktorë dhe regjisor është Adonis Filipi. Në këtë dramë janë mbledhur aktorët më të mirë shqiptarë.

Çfarë ka qenë “Portokallia” për Vinin?

Ka qenë një eksperiencë e madhe dhe e mirë. Në të gjitha anët, nga ana financiare, nga ana emocionale, nga ana familjare (pasi aty njoha Olën, bashkëshorten time) ka qenë një trampolinë shumë i mirë. Por për mua aq mbeti, një trampolinë, që nuk u bë kurrë urë. Të ardhmen time dua ta ndërtoj mbi filmin, mbi teatrin  Për aq sa kohë qëndrova, ai spektakël e kreu funksionin e duhur për mua si Ervin. U largova për disa arsye që s’kanë vend në këtë intervistë.

Ke hasur vështirësi në punë?

Plot. Një nga këto ishte kur regjisori i filmit italo-amerikan më tha se do të kesh përballë një aktor që ka fituar OSCAR. U mobilizova totalisht duke studiuar skenarin. Moment tjetër ka qenë kur isha student, kur  pedagogu im më ka dhënë një rol që unë nuk e doja.  Pedagogu nguli këmbë që ta merrja. Ai më thoshte ti e bën. Unë doja rol tjetër. Si përfundim e mora rolin dhe dola shumë bukur. As vetë s’e besoja se e kisha luajtur unë. Pedagogu kishte ngelur shumë i kënaqur. Po ta duash rolin, të fillosh ta duash, ai do të dojë dhe do realizohet.

Në sa filma artistikë  ke marrë pjesë?
Në katër filma. Për mua nuk janë pak dhe pse numri katër nuk tregon sasi. Por në ta kam mësuar sa dy akademi. Filmi ka tjetër format, tjetër emocion, tjetër plastikë. Kamera të hipnotizon.

Je penduar që ke zgjedhur  këtë profesion?

Në jetë kam marrë disa kolpo. Si çdo njeri. Ky profesion të shtrëngon nga ana ekonomike në momente të caktuara. Aq më tepër që në Shqipëri s’ka aq hapësira ky profesion. Disa herë kam menduar po sikur të kisha marrë profesion tjetër.  Kam menduar sikur të isha një gazetar, të isha inxhinier, ekonomist. Por kur kam qenë i qetë, larg vështirësive kam thënë me bindje të plotë. Jo! Unë s’mund të bëj profesion tjetër, kam lindur për aktor. Nuk jam bërë kurrë pishman.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: