Pëllumb Gorica: Në papiruse kujtimesh
| E Marte, 14.02.2012, 07:54 PM |

NË PAPIRUSE KUJTIMESH

 

PËLLUMB GORICA  * * *  POEZI

 

NË PAPIRUSE KUJTIMESH

 

Në heshtjen e pagojë që djeg shpirtra

S’kam shkruar për ty.

Në papiruse kujtimesh

Dhimbja mi verboi ditët.

Gacat e zjarreve u vetshkruan

Buzëve vjeshtore.

Mbi një vazo dhimbje

Lotët e trandafiltë u derdhën.

 

TË  KËRKOJ

 

Fluturon mbi krahët e një zogu

Me retë nxiton së toku

Bëhesh shi e bëhesh vesë

S’më jep kohë as që të vdes.

Bëhesh shpesh gjymtyrë e qiellit

Ndonjëherë e dashur e qiellit

Dhe ca fjalë më flet në vesh

Si ca kode zemre midis nesh,

Të ndjek, të ndjek, të ndjek

Gjersa dielli humbet në shteg.

 

KOHA NUK HARRON

 

Larg teje zemra digjet

në heshtje papërtuar

purpuri shpesh vesh brigjet

si buzë e përvëluar.

 

Për ty thura  ëndërra

pa gjumë mbeta shpesh

po asnjë yll i ndritshëm

nuk hyri midis nesh.

 

Si degëz dimërore

buzëqeshja jote mbeti

Një dorë e zezë mizori

Të ndau nga unë poeti.

 

Veç ëndërra kthej në vargje

ai tjetri ishte ndryshe

në qiellin tënd tharë

skish vend për dallandyshe.

 

KOHË E SHKUAR

 

Ajo kohë iku tashmë

Si një zog vjeshte pa zë

ëndër e pashpresë

Në një qiell ngjyrë harresë.

 

Larg me heshtjen e kërrusur

Nën një shteg në mugëtirë.

Arsyen e erësirës humbur

Si fustan vejushe nxirë.

 

KUJTIMET QË NUK DUAM T'I KUJTOJMË

 

Ku jeni gjerdanë kujtimesh që vetëm treteni,

me turbullimin makbethiane në fantazma.

Si pulëbardha ëndërrimesh mërgoni të heshtura,

mushkëri të plurosura që i ndjek azma.

 

Kujtimet, psherëtima që mbeten si rrudha thellë,

si në një mesditë gjinkallore, të gjatë,

asgjë fllad në shpirt si bujk nuk u mbjellë,

në qiellin e harresës së dhimbshme, të pamatë.

 

Pa diell janë mendja, faqebardhat  dhe sytë,

janë thjesht një krijesë e pafajshme dëbore,

Mugëtira pak nga pak dritën hyjnore e mbyt,

teksa lëmë kujtimet si gurë të hedhur në hone.

 

NATA  SI  METAFORË

 

E plagosur erdhi nata si metaforë,

duke ecur mbi këmbë padurimi.

Nuk kish redaktor që mbi të të vinte dorë,

ndaj ecte shkujdesur, si dikur Çaplini.

 

Unë dola nga ora e mungesës së gjatë,

nuk prita të me nxirrte dikush me përdhunë.

Ndërsa të shikoj e shkruaj te ky shtrat

ta dish se nga ti po përpëlitem unë.

 

VARGJET E MIA

 

Rrjedha e vargjeve kurrë nuk më thinjet,

në pentagramin e natyrës së arnuar,

si një bard që kurrë nuk nginjet

jetoj shpresën e ënderrës së kërkuar.

 

Nata shpesh yjet mi fsheh

dhe henën që s’derdh as rreze drite

si vetmitarët me pandeh

po unë prapa dere qëndroj prite.

 

Me legjenda e mbeshtjellë vetveten

imazhe i gërvish me penë

kërkoj prej qiellit të vertetën

dhe pres mëngjezet mbi bedenë.

 

TË  PRITA

 

T’i s’erdhe as sot

Dhe qielli keq mu nxi

Vetmia sytë po mi kot

Dhe reja po ndjell shi.

 

Mbi gurin e një rruge

Të pres, të pres pafund,

As sot t’i nuk u duke

Veç qielli shira shkund.



(Vota: 8 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: