Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (V)
| E Diel, 12.02.2012, 06:05 PM |

Një pyetje nga Ilir Dardani:

 

A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?

 

Pjesa e pestë

 

Gjergj Kastrioti, i vlerësuar si ''një ndër më të mëdhenjtë e të mëdhenjëve'', është Heroi Kombëtar i Shqiptarëve. Asnjë shqiptar tjetër nuk arriti t’i afrohet veprës madhore Kastriotane, megjithatë nuk është heroi i të gjithë shqiptarëve. Kleri mysliman dhe besimtarët seriozë - viktima të ideologjisë antishqiptare - kanë probleme të pafundme me KryeHeroin Tonë. Kthimi i Gjergjit në vëndlindje dhe refuzimi i islamit si fe dhe si pushtim ka ngritur male pakënaqësie tek hoxhallarët dhe besimtarët e sotëm saqë arrijnë ta krahasojnë edhe me kryearmiqtë tanë.

Ndërkohë, një ndër shqiptarët që ka sakrifkuar më shumë në shekujt e fundit është Adem Jashari, i cili nderohet dhe do të nderohet nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, sepse fjalë të parë dhe të fundit kishte Atdheun dhe Lirinë e tij, si Gjergj Kastrioti.

A mund të urrehet një njeri që Lufton Pushtimin dhe Mbron Lirinë?

 

A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?

 

Në lidhje me këtë temë kam marrë mendimin e disa intelektualëve dhe bashkëpunëtorëve të Zemra Shqiptare, të cilët i falenderoj nga Zemra Shqiptare.

 

Kujtim Mateli, Poet, Kritik Letrar. Për vendlindjen e Matelit do të shtoja ‘’Qyteti i vogël i njerëzve të Mëdhenj’’. Autori i disa librave dhe bashkëpunëtor i disa mediave, përmetari i Kujtimeve të Mëdha na nderon me prezencën e tij në faqet tona:

Skënderbeu është ikona e qëndresës dhe e lirisë.

Krenaria është pjesë e qënies së njeriut.   Cilido e ka dëshirën të krenohet me atë që ka bërë. Nga kjo lëvizje,  shumëfishon punën dhe energjinë. Nëpërmjet kësaj ai u kumton, duke filluar që nga familja, se çfarë ishte ai  në gjendje të bënte dhe të tjerët nuk mundën ta bënin apo nuk ishin të aftë ta bënin. Nëse puna e tij ka vlerë edhe përtej familjes së vet, ai ua kumton këtë edhe njësisë ku bën pjesë. Në fillim lagjes, fshatit, qytetit, krahinës, vendit të vet dhe po ta ketë mundësinë dhe aftësinë popujve dhe vendeve të tjera.

Kur një njeri ia ka arritur qëllimit që puna e tij t`u ketë shërbyer popujve të të gjithë planetit tonë, atëhere vlera e tij është e përmasave botërore. Ai ndihet i plotësuar se arriti pikën për të cilën lufton çdo qënie njerëzore: të bëhet i dobishëm për tërë njerëzimin.  Atëhere ai kthehet në ikonë të këtyre popujve.

Kthehemi tek Heroi ynë Kombëtar. Sa rrezatoi Ai me luftën që bëri kundër pushtuesve turq?  Ikonë e cilës hapësire u bë Skënderbeu? Ikonë e trojeve shqiptare, ballkanike, europiane apo edhe më tej? Në të vërtetë, Lufta e tij ishte në thelb, luftë e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Në mbështjetje të luftës së tij ishin të gjitha trojet shqiptare. Skënderbeu u bë ikona e kasaj lufte, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për hapësirën ballkanike e atë europiane, sepse Perandoria Osmane ishte kërcënim për të gjithë Europën. Ishte kërcënim për Krishtërimin. Në këtë kuptim lufta e tij i kapërcen kornizat e kontinentit europian.

Është kjo arsyeja që për Skënderbeun janë shkruar mbi 2000 libra. Për Skënderbeun në shumë qytete të Europës gjen buste e shtatore, emra sheshesh e rrugësh. Këto emra nuk janë vetëm të sotëm. Ato e kanë zanafillën që pas vdekjes së tij dhe qytetarët e këtyre vendeve e nderojnë veten e tyre me Heroin tonë që ata e konsiderojnë edhe si të tyren.

Është vlerësuar nga Vatikani si Kalorës i Krishtërimit. Pra, Lufta e tij i shërbeu gjithë hapësirës europiane e më gjerë. Lufta e tij i shërbeu ruajtjes së vlerave të qytetërimit . Nderohet kudo, por në mënyrë të veçantë tek shqiptarët.

Ndërsa popujt europian kanë ikonat e tyre të qëndresës e lirisë, ikona që kanë dalë nga lufta e këtyre popujve për liri e pavarësi gjatë historisë së çdo vendi, për ne shqiptarët mbetet Skënderbeu. Edhe Rilindasit, Skënderbeun evidentuan si ikonë të qëndresës e lirisë  për kombin tonë. Edhe shqiptarët e sotëm, kudo ku janë, e evidentojnë Skënderbeun si ikonën e tyre brilante. Nuk ka zëra shqiptarë që nuk e njohin Skënderbeun si ikonë të tyre. Ata që nuk e njohin, janë zëra të huaj, pavarësisht se banojnë në tokën shqiptare. Dhe është normale që edhe në hapësirën shqiptare të jetojnë të huaj, siç jetojnë dhe shqiptarë në hapësirat e popujve të tjerë në të gjithë botën. Dhe ata janë njerëz që e kanë ikonën e tyre, e cila ndodhet jashtë hapësirës shqiptare.  Por ata, përderisa jetojnë në trojet e shqiptarëve, janë të detyruar të respektojnë këtë figurë madhore të popullit shqiptar, të respektojnë ikonën e Bashkësisë në të cilën bëjnë pjesë.  Çdo përpjekje për cënimin e figurës së Skënderbeut, është cënim i vlerave të Lirisë që ai mbronte.  Cënuesit e vlerave të Lirisë, kur kur janë të huaj quhen armiq dhe, kur janë brenda së njënjtës bashkësi, quhen tradhëtarë.  Ky është pozicioni që kanë zgjedhur ata njerëz që kërkojnë të hedhin baltë mbi Ikonën e Shqiptarëve.

Ky është edhe pozicioni për ata shqiptarë që u bashkohen këtyre zërave. Ata nuk i justifikon as padija, as paraja, as rrethana të tjera.

Veç një gjë është e qartë: këta zëra nuk e prishin dot imazhin e shqiptarëve që e kanë Skënderbeun Ikonën e Qëndresës e të Lirisë së tyre. Ai ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë për të gjithë shqiptarët edhe në kohrat që do të vijnë.

 

Fotaq Andrea, Studiues dhe Përkthyes i shquar. Autori i veprës "Pena të arta franceze për shqiptarët", libër ky shumë i vlerësuar në Francë dhe Shqipëri, është gjithnjë i pranishëm në faqet e nderit të shtypit shqiptar, njëkohësisht bashkëpunëtor i nderuar i ZSH:

I dashur Ilir, Identiteti i kombit shqiptar është i lidhur ngushtë me figurën emblematike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në tërë kohërat, Shqiptarët e vërtetë kanë për flamur lavdie, krenarie dhe shqiptarie emrin e tij, i përbërë nga dy emra me fe të ndryshme, ashtu si vetë shqiponja e tij ka dy krerë të pandashme nga njëra tjetra: Gjergj Kastrioti – emër i krishterë dhe Skënderbeu – Iskander bej (Aleksandër), emër mysliman siç e pagëzuan vetë Osmanët. Vetë emri i tij pra bashkon dy fetë kryesore në Shqipëri, ashtu sikurse vetë titulli që mban në vulë: Mbret i Albanias dhe Epirit. Dhe me Albania kuptohet krejt Ilirikumi i Arbrit përfshirë dhe Epirin që Grekët kërkojnë si e si ta përvetësojnë.

Përllogariten qindra vepra të shkruara nga autorë të huaj e shqiptarë në tërë kohërat, dhjetëra portrete të tij nga piktorët të shquar të botës, dhe kohët e fundit, krahas një portreti të “Skënderbeut” nga Rembrandi, kemi zbuluar një portret të tij nga Gjorgjione si dhe një “anonim- Skënderbeu” ndoshta i Ticianit që jemi duke e studiuar. Pra piktorët më të mëdhenj të botës, nga Belini, Giorgione, Ticiani, J. Breu, te Rembrandi, Stimmer, Klupffel, Wouter e deri kohët e fundit te portreti i prof. italian Alfredo Santarelli, kanë lartuar përjetësisht figurën e ndritur të Skënderbeut shqiptar me origjinë nga Mati, nga thellësitë e maleve shqiptare, streha të shqiptarizmës. Figura e tij trajtohet jo vetëm në studime madhore të huaja të penave më të ndritura të botës, por ai është personazh madhështor në dhjetëra vepra letrare e artistike, deri edhe në opera, e poema të famshme (Rebel, Vivaldi, Longfellou).

Veçse Skënderbeu, ndryshe nga sa mendohet, nuk ishte një figurë vetëm luftarake. Ashtu si Volteri, Lamartini i madh që ka bërë “Historinë e Turqisë” në 10 vëllime,  e që Turqit e kanë ngritur në piedestal, ka shkruar faqet më të ndritura për Skënderbeun tonë, për luftërat e drejta të Shqiptarëve për pavarësi kundër osmanëve. Figurën e tij ai e trajton si figurën e një Humanisti të madh, si një intelektual i klasit të parë, si njeri i penës e i librit, me një kancelari nga më të parat e Evropës, krahasuar me atë të Karlit të Madh të Francës, me një diplomaci nga më të zhvilluarat, pra si figurë të lartë intelektuale. Deri më sot janë zbuluar fizikisht tre kodikë që mbajnë emblemat e tij kastriotase, Libri i Uratave, Libri i Petrarkës dhe Libri i Skënderbeut.

Në ka pasë, në ka e në do ketë komb shqiptar, ai është i lidhur historikisht e përjetësisht si mishi me thoin me figurën e Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar, është i mishëruar njëherë e përgjithmonë në vetëdijën tonë shqiptare, si dy krerët dhe dy flatrat e shqiponjës sonë, Gegëri e Toskëri, me dy dialektet e tyre kryesore të gjuhës shqipe, që bëjnë një e vetëm një.

Po ju dërgoj me këtë rast një portret të Skënderbeut botuar kohët e fundit në organet turke. Kush ka mendtë le të kuptojë, kush di le të lexojë. Në vetë Turqinë e sotme, veprojnë ashpërsisht dy forca të kundërta, mentaliteti osman i prapambetur shekullor, forcë regresive e ashpër islamiste e ekstremiste, dhe mentaliteti i përparuar evropian i Ataturkut me origjinë shqiptare, që luftoi për një Turqi moderne.

Pra duhet bërë dallimi, dhe duke huazuar nga fjalori pa dorashka i humanistit të shekullit XVI Fransua Rable, një nga shtatë baballarët e gjenive të botës, po e përfundoj me revoltë kundër atyre që cenojnë Heroin tonë kombëtar, nderin e lavdinë tonë, me fjalët: të gjithë ata që mohojnë Skënderbenë tonë janë të tredhur, të pjerdhur, antishqiptarë, pemë pa kokrra, gomarë pa koqe.

 

Lis Bukuroca, Analist dhe Poet. I kërkoj falje Lisit por dua të përmend një fakt: Lis Bukuroca jo për fajin e tij quhej Naser Aliu. Vërtetë që është njeriu dhe vepra e tij para emrit, por Lisi Vigan i Bukurocës së Pranverës Arbërore nuk mund të dorëzohej përballë të kaluarës së dhimbshme, njëkohësisht edhe të turpshme. Shqiptari ynë për Gjergjin tonë shton:

Çka të shkruhet për Skënderbeun? Ai nuk ishte si Leka i Madh, që marshonte në tre kontinent për të zaptuar toka të reja, e as nuk ishte si Julius Gaius Caesar, që po shtrinte dhe zmadhonte Perandorinë Romake.

Gjergj Kastrioti është shëmbëlltyra par exellence e popujve të vegjël.  Jeta dhe vepra e tij dëshmon se popujt e vegjël, sado të vegjël të jenë, të bashkuar mund t’ i arrijnë qëllimet e tyre, rrjedhimisht t’ i bëjnë ballë edhe superfuqive, edhe atë me sukses. Ai nuk ishte pushtues, por liberator dhe bënte luftë të drejtë. Ai nuk u fali krenari vetëm atyre që jetonin në kohën e tij, por edhe neve sot dhe të tjerëve nesër.

Skënderbeun nuk e bëri të madh vetëm malli për liri dhe lufta kundër tjetërsimit, por e bëri të madh gjenialiteti tij në udhëheqjen ushtarake. Edhe atë, në një pjesë të Europës, ku popujt binin njëri pas tjetrit.  Ai është tribun. Ai mbronte lirinë e popullit të vet: gjuhën, kulturën dhe zakonet e vendit. Ai është personalitet, që rrallë herë përsëriten në historinë e njerëzimit. Ai mundet pa ne, por ne nuk mundemi pa Gjergj Kastriotin.

Ai është shtylla e kombit shqiptar, boshti kurrizor i tij, krenaria dhe forca motivuese para çdo rreziku. Sot shqiptarët nuk njohin emrat e ministrave në Qeveritë e tyre, por edhe fëmijët, në çdo familje, dinë diçka për veprën e madhe të Skënderbeut. Prania e tij në shpirtin shqiptar nuk mund të shlyhet, ashtu si nuk mund të shlyhet qielli mbi kokat tona. Lekës së Madh dhe Qesarit, nuk u ndërtohen përmendore nëpër botë, Skënderbeut, po: Ata ishin pushtues, Skënderbeu ishte Çlirimtar dhe mbronte popullin e vet dhe kulturën europiane, ku sot dëshirojmë me aq mall e dashuri të integrohemi.

Skënderbeu do të mbetet gjithmonë si njësi matëse dhe krahasuese për patriotizmin e drejt, për rezistencën burrërore: për integritetin e vendit, për dinjitetin e kombit dhe për sovranitetin e shtetit. Ai inkorporon vlerat sublime dhe absolute të dashurisë ndaj kombit dhe atdheut.

 

Timo Mërkuri, Poet dhe Studiues. Mërkuri na vjen nga qyteti më i bukur i Shqipërisë, Saranda. Është autori i shumë librave me poezi dhe publicistikë, njohës i mirë i historisë dhe kulturës sonë kombëtare, sfidues i errësirës dhe ushtar besnik i flamurit Kuq e Zi të Kastriotit:

Përshëndetje Ilir dhe përgëzime për temen e zgjedhur e cila, sa e lehte është në dukje për këdo që e quan veten shqiptar, aq e vështirë është për këdo që e quan veten... vetëm shqiptar jo. Gjergj Kastrioti është figura më madhore e kombit tonë për shumë faktorë, ku s’na mjafton as koha dhe as vendi t’i rendisim, sepse aq shumë janë. Por ajo që është më kryesorja është fakti se emri dhe vepra e tij u shndruan në "kështjellë të pamposhtur të identitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar". Dhe është normale që... kalorësit mesjetarë të kohëve moderne,  pikërisht këtë kështjellë të sulmojnë për ta rrëzuar. Po te binte Kruja në kohën e Skënderbeut, binte Shqipëria, po të bjerë Skënderbeu në zemrat tona, ne këngët tona, në kujtesën tonë, atëherë cfarë mbetet... që të na mbajë në kembë si komb? Llogaritë janë bërë me pikësynim të drejtpërdrejtë, ndaj festojnë përvjetorin e... sulltanëve të vrarë në Fushë Kosovë dhe e quajnë veten Bij të Sulltanit, (por s'na deftojnë se cila skllave haremi ishte nëna e tyre). Ndaj u "bien daulleve" per disa  perkthime librash të shkruar me porosi, ndaj kërkojnë që të... mos vendoset monumenti i tij nëpër sheshet e qyteteve tona, ndaj kërkojnë që të... rishkruhet historia, ajo histori që vetëm duhet të lexohet, sepse u shkrua nga ata që dine të shkruajnë histori, nën gjëmimin e daulleve të luftës dhe jo që hanë hallvë nën daullet e ramazanit. Faktikisht, populli e ka ruajtur në shpirt, në këngë, në stilizimin e veshjeve emrin dhe veprën e Skënderbeut për shekuj roberie dhe s’ka si ta largojë tani për t’u bërë qejfin ca... bijve të sulltanëve. Prandaj, miku im, kije të qartë se sa të ketë jetë mbi dhe, do ketë komb shqiptar, me "genin" Skenderbejan në gjakun e tij.

 

Eduard M. Dilo, Poet dhe Publicist. Kur përmendet mbiemri Dilo zgjohen kujtime që të veshin me krenari. Të parët e Eduard Dilos ishin dhe janë bij të shquar të kombit shqiptar. Diktatura komuniste ra egërsisht mbi ta, por shpirti i pastër shqiptar jetoi dhe u trashëgua. Eduardi ynë, autori i disa librave dhe qindra shkrimeve publicistike, është Anëtar i Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë:

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ky prijës i madh popullor, - simbol Bashkimi, Fitoreje dhe Paqeje  është Heroi  Ynë  Kombëtar.

Njerezit si Ai janë të rrallë dhe lindin vetëm ateherë kur tek një komb rrezikohet ekzistenca e  tij.

Asnjeherë fati i kombit shqiptar s'u lidh aq ngushtë me fatin e prijësit të tij ashtu sic ngjau në Shqipëri me Gjergj Kastriotin.

Gjenitë nuk mbarojnë brënda ciklit të kohës që jetuan; as bëhen pasuri e kombeve që i lindën. Nga vepra dhe shembulli i Skënderbeut përfitoi gjithë bota dhe posacërisht ata popuj që u detyruan të bëjnë një luftë të drejtë. Skënderbeu vazhdon akoma të jetë lëndë ushqimi moral për të gjithë e sidomos për kombet e vegjël. Rilindja kombëtare shqiptare u lind dhe u ushqye nga vepra e Tij. Si sot edhe në të ardhmen, kombi shqiptar, që të ringjallet duhet ta cojë shikimin dhe mendimin drejt Skënderbeut, pa të cilin nuk mund të shpresojmë një rimëkëmbje të re. Asnjë idhull shpirtëror nuk i plotëson kërkesat e një nevojë të tillë sa figura e Gjergj Kastriotit, figurë e cila kënaq nevojat shpirtërore të cdo shqiptari pavaresisht nga besimi që ka.

Eshtë fat që ne e kemi një Hero të tillë Kombëtar, sic është dhe turp që ta mohojmë e të hedhim baltë mbi të, kur vetë turqit i deshën eshtrat e tij si hajmali në gjoks, për të qenë trima e fitimtarë! Këtë vec armiqve  kombëtarë nuk mund ta bëjë tjetër kush. Fatkeqësisht "kemi në mesin tonë tradhëtorë që një ditë do të pendohen" se do t'i damkosë historia si të tillë dhe mallkimi i saj (historisë) do bjerë mbi ta.  Ata që mohojnë  Gjergj Kastriotin, nuk mund t'u  themi gjë tjetër vec jeni bastardët  e popullit Shqiptar, e nuk mund te keni vend ndër ne.

Me të drejtë Fan Nolit shkruan: "nga ndonjeherë pyes vehten i habitur, ne se kemi ndonjë tjetër njeri mes nesh, që është aq i gjallë, sot, sa edhe Skënderbeu!

Kollozi i Heroizmës Shqiptare do jetojë sa të jetojë njerëzimi vetëm me një titull ''Heroi Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu''.

 

Fazli Maloku. Dje luftoi për liri përkrah tyre, sot i kujton me mall, dashuri, dhimbje e krenari bashkëluftëtarët e tij. Në kohën e pushkës ofroi jetën për lirinë e popullit të tij, sot ofron mendimin e pastër shqiptar, atë që më së shumti i duhet Dardanisë Martire për të fituar edhe betejën përfundimtare:

Jam hamendur të jap apo mos të jap përgjigje në pytjen t'ënde:

A është Gjergj Kastrioti-Skenderbeu Hero i gjithë shqiptarëve?

Mendoj se një pyetje e tillë për çdo shqiptar është sa e habitshme por edhe tepër fyese. Për mua njësoj do të ishte të pyesje shqiptarin : A është Shqipëria e shqiptarëve?! A është Qielli i Shqipërisë i shqiptarëve?! A është Toka e Shqipërisë e shqiptarëve?!

A është Deti i Shqipërisë i shqiptarëve?! A është Dielli i Shqipërisë i shqiptarëve?! A është Ajri i Shqipërisë i shqiptarëve?! A është Historia e Shqipërisë e shqiptarëve?!... Ata që nuk e pranojnë Gjergjin për të vetin, pa dallim përkatësie fetare mund të jenë gjithçka, por jo edhe shqiptarë. Ata janë M... i shqiptarëve që e kanë edhe të gjithë popujt tjerë. Edhe Adem Jashari, Hero legjendar i ditëve tona, për fatin tonë të keq nuk është Hero edhe  i fundërrinës turko-arabo-shqiptare apo i sllavo-grekëve-shqiptare. Verën që shkoi, në një fshat të Llapit, në një odë burrash, ku në ballë qëndronte plot krenari fotgrafia e Heroit-Adem Jashari, një hoxhë Mu...nuk deshi të falej përderisa nuk hiqet nga muri fotoja e Heroit-Adem Jashari!!!Por i zoti i shtëpisë një atdhetar i devotshëm, iu drejtua hoxh Mu...: " Nëse e përsëritë edhe njëherë kërkesën për heqjen e fotos së Heroit-Adem Jasharit, ti do ta marrësh plumbin në kokë dhe do të dërgojë drejt në " Lula të Xhenetit"!"

Të gjithë ata që nuk e pranojnë Kryeheroin Gjergj Kastriotin-Skënderbeu për të vetin, ata nuk i pranojnë asnjë nga figurat e mëdha të kombit, por dëshirojnë ti bien "gjarpërit në kokë" siq thot populli.

 

Arben Llalla, Historian dhe Publicist. Historiani i njohur, i cili gjendet rregullisht në faqet e revistës magjike ‘’Milosao’’ dhe këtu në Zemra Shqiptare, është edhe një analist i zoti mbi aktualitetin shqiptar në të gjitha trojet shqiptare. Për Kastriotin Llalla shprehet:

Gjergj Kastrioti Skënderbe jo vetëm që është Hero Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, por ai është një figure e lartë politike dhe ushtarake e Evropës ku radhitet në katër gjeneralët më të mëdhenj që njeh historia e botës përkrah Aleksandrit të Madh dhe Napolon Bonapartit, e vlerësuar kjo për nga mënyra strategjike gjatë betejave të ndryshme.

Sot disa klerik islamik shqiptar që nuk duan Skënderbeun ta quajnë Hero Kombëtar të shqiptarëve janë njerëz të financuar nga qarqe të kishave sllave dhe greke. Kjo vërehet shumë thjeshtë sepse urrejtja e këtyre njerëzve për Skënderbeun ka filluar pas viteve 2000, dhe më shumë i ndeshim tek disa kleri islamik në Kosovë. Në qoftë se këta mysliman shqiptar e urrejnë Skënderbeun sepse paska vrarë ushtarë osman, atëherë ata duhet të urrejnë Çerçiz e Bajo Topullin, Hito Lekdushi dhe Bajram Lingun të cilët e bënë Bimbash Turkun më 1908 të puthi dhenë.

Tek e fundit historikisht gjyshërit tanë mysliman ndër vite krenohen dhe janë krenar që kanë Hero Kombëtar Skënderbeun. Flamuri kombëtar i shqiptarëve është Flamuri i Kastriotëve, pra mendjet e ndritura të kombit shqiptar, mysliman, katolik, ortodoks, mbase edhe vetë Djalli është pajtuar që neve si Komb të na përfaqësojë ky flamur.

Si përfundim Skënderbeu lindi shqiptar dhe vdiq shqiptar. Ai, ishte trashëgimtar i mbajtjes së shenjës së Bricjapit që e kishte mbajtur Leka i Madh dhe Pirrua i Epirit.

Skënderbeu lindi ortodoks, u bë mysliman, përqafojë më vonë fenë katolike dhe vdiq Unit. Sot e kësaj dite shqiptarët (arbëreshët) që mërguan në Itali mbas vdekjes së tij besojnë ende në besimin fetar Unit. Unitët janë për bashkimin e dy kishave kristiane, atë katolike dhe ortodokse. Arbëreshët në Itali falen në kishën e ritin ortodoks, por në vartësi të Vatikanit katolik. Në qytetin e Elbasanit, brenda në kalanë e vjetër ka qenë dhe është ende sot një kishë e ritit Unit. Besimi tek sekti Unit i Skënderbeut, ka bërë që kronistët bizantinë ose e injoronin krejtësisht ose e përmendin diku dhe me një ftohtësi të madhe figurën e Skënderbeut. Shkaku nuk është vdekja e tij e palavdishme, as fakti se ishte shqiptar, por besimi i tij tek kisha Unite.

 

Reshat Kripa, Shkrimtar, Analist, Kryetar i Shoqatës Antikomunste të Përndjekurve Politikë të Tiranës. Kripa ishte tepër i mencur për diktaturën prandaj do të përfundonte brenda hekurave te ftohtë komunistë. As sot në kohën e ‘’demokratëve’’ Kripa nuk ndalon së shkruari kundër antidemokracisë në Shqipëri:

Çdo komb ka një figurë simbol. Këtë simbol prindërit ua transmetojnë fëmijëve brez pas brezi. Keshtu që ai, me kalimin e viteve mer permasa mbi njerëzore. Një gjë e tillë nuk e zvogelon madhështinë e simbolit, perkundrazi e ngre atë më lart. Nje simbol i tillë është edhe figura hyjnore e Gjergj Kastriotit apo Skënderbeut, siç ka hyrë në historinë e kombit tonë. Unë mendoj se Gjergj Kastrioti është heroi i të gjithe atyre që e quajnë veten shqiptarë, pamvaresisht se ku jetojnë. Eshtë figura më madhore e këtij kombi. Natyrisht si në çdo vend tjetër gjenden individë atdhemohonjës që përpiqen të errësojnë figurat kombëtare. Këtu nuk dominojne bindjet fetare. "Feja e shqyptarit asht Shqyptaria" shkruante i pavdekshmi Vaso pasha. Shqipëria ka patur patriotë nga të tre fetë e ndryshme, ashtu siç ka patur edhe tradhëtare po nga te tre fetë. Por një dëm të pallogaritshëm i bëri historisë tonë regjimi komunist. Ajo solli përçarjen e madhe të shqiptarve gjë që po e vuajmë edhe sot. Ndaj, edhe sot, pjellat e tij, të veshur me petkun e "intelektualit të mirëfilltë" ngrihen dhe nxjerrin lloj lloj teorirash, si e si të ulin madhështine e Gjergjit të madh. Figura të tilla si Gjergj Kastrioti e, pas tij, Ismail Qemal Bej Vlora, Padër Gjergj Fishta, Abdyl, Naim e Mitat Frashëri, Dom Nikoll Kaçori, Ahmet Zogu, Luigj Gurakuqi, Fan Noli dhe deri në ditët tona Ibrahim Rugova do të mbeten përgjithmonë në panteonin e njerëzve të pavdekshëm të këtij kombi.

 

Ukshin Zajmi, Gazetar, Studiues. Zajmi e pasuron ZSH-në me shkrime aktuale kulturore, njëkohësisht edhe me materiale të rëndësishme kulturore dhe historike:

Zotëri Ilir, përzierja e nocionit komb me nocionin fe, me duket se bëhet vetëm atëherë kur degradohet qënia përsonale njerëzore. Gadishulli Ilirik, si vend kyq për kapërcimin e lindjes në perendim dhe anasjelltas, por edhe në kahet veri-jug dhe në të kundërtën, bëri që populli autokton për të ruajtur identitetin e vet të përjetoi katrahura të shumta e të mundimshme, për të mos thënë të trishtueshme. Andaj, nuk është për t’u habitur se populli shqiptar, ndoshta, është i vetmi komb që ka tri fe: katolike, ortodokse e muslimane, e kohëve të fundit edhe disa nënfe apo sekte të tjera. Edhe vet Skënderbeu dhe familja e tij ka kaluar nëpër një katrahurë të tillë, andaj mund ta shohim në të tri konfesionet fetare, por, ai luftoi për të mirën e popullit të vet, pa marrë parasysh se cilës fe i takoi rajoni ku ai bëri lufta. Nuk është rastësi, që në një vend në Maqedonin e sotme, një objekt fetar të jetë i ndarë në dysh: një pjesë për ritet fetare ortodokse apo katolike e pjesa tjetër për ato muslimane dhe datimi i këtij objekti fetar i takon kohës kur Skënderbeu luftonte në këtë anë. Në shkollat tona  mësohet njësoi: Mihal Grameno, Pjetër Bogdani e Naim Frashëri.

Një debat për pyetjen se a është Skënderbeu i shqiptarëve më duket i tepërt, por duhet debatuar për ata përsona që nuk e pranojnë Skenderbeun si të tyre, a janë vërtetë shqiptarë ata, e nëse janë, kush i ka paguar për të vepruar kështu!?

Përndryshe, mendoj se historia jonë, Skënderbeun si figurë elite historike kombëtare e ka studiuar, por jo në mënyrë shterruese, megjithate është studiuar pak, për të mos thënë aspak, historia e gruas së tij, Donikës.

 

Anton Nikë Berisha. Këtë pjesë e mbyllim me përgjigjen e shkurtër por kthjellësisht të gjatë nga pedagogu i Universitetit të Kalabrisë, Itali, Anton Nikë Berisha:

Nëse dikush ka ngatërresa me ndërgjegjen e vet dhe me përcaktësinë e vet kombëtare, mbetet krejtësisht çështje e tij. Kush i njeh, qoftë dhe pjesërisht, rrjedhat nëpër të cilat kaloi populli ynë, nuk e ka vështirë të thotë se kush është dhe çka paraqet Gjergj Kastrioti - Skënderbeu për botën tonë. Kush gjakon të “bluajë” gjëra që i duhej atiij, le t’i mbajë për vete; verbëria është pjesë e rrënimit që disa njerëz e kanë brenda vetes.

 

 



(Vota: 61 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: