Zeqir Lushaj: Asht’ Shqipëri, kah flitet shqip!
| E Enjte, 16.02.2012, 07:59 PM |

KOSOVA = BIJË  4-VJEÇARE, E SHTETIT NJË-SHEKULLOR SHQIPTAR

-ASHT’ SHQIPËRI, KAH FLITET SHQIP!

 

- Cikël, me 6 vjersha për Kosovën -

 

Nga: Zeqir Lushaj

 

1. AAAH, SERBI,

MOJ SHTRIGË E VJETËR…

 

Aaah, Serbi, moj shtrigë e vjetër,

Mbi Kosovën, ç’ka do t’bash tjetër?

Lidhe me pranga i thue; “Mos luej”,

N’shpinë e vet, i thue “je i huej”!,

Brez mbas brezi, babe e djalë,

Janë fajtorë, se janë shqiptarë.

 

Kur Kosovën e mbulon gjaku,

Festë të madhe ka Beogradi,

Bajonetat numrojnë votat,

Beogradi cakrojnë gotat,

Kushtetutën e Sllobodanit,

Miratojnë zinxhirtë e tankut

 

Nuk harruen Krajlit me i’thanë:

– Ec përpara deri n’Tiranë!

…Mos e shih Tiranën andërr,

Je i ri t’qet buza tamël.

Me ja prek qiellin Shqiprisë,

Rrufe t’madhe i lshon Sërbisë,

Ktu, t’gradojmë barut e hekur,

Gjeneral i ushtrisë vdekur.

 

Oooj, Serbi, po t’flet shqiptari:

– Ki kujdes, – larg duart nga zjarri!!

./.

Tiranë, 1989

-----------------------

 

2.VENDLINDJA THËRRET

 

Kur shkoi dhimbja ku s’durohet,

Kur shkoi emri ku t’harrohet,

Me kushtrim, që e bindi dhenë,

Linde Kosova UÇK-në.

 

U duel fundi, fjalëve të buta,

Sot, janë nda, trimnia e tuta,

Veç një rrugë, ma nuk ka metë,

Me u çue n’kambë, n’7, e n’70.

 

Çdo shqiptar, vendlindja e thërret,

Me i rrokë armët për vend të vet,

Kush ka nder e kush ka besë,

Asht ushtar i UÇK-së.

 

Me shqiptarët, ma nuk ka lojë,

S’e durojmë ma, kambën n’gojë,

Nuk ka paqe, me hasmin n’shpi,

S’ka dialog, kur je n’robni!

 

N’kambë bre vëllazën, si rrufeja,

Pastë lavdi, kush raftë n’beteja,

T’i kallxojmë Serbisë s’Milloshit,

Jem’ dardantë e Kastriotit!

 

Sot o kurr, po na thërret nana,

Për me e vu, gurin te thana,

Ta marrë vesh, Bota – açik,

Asht Shqipëri, kah flitet shqip.

./.

Gazeta “ILLYRIA” nr: 811,

26 shkurt-3 mars, 1999 , NY, USA

---------------------------

 

3. KOSOVË - KOSOVË

 

Kosovë – Kosovë!!

Djep i lashtë i Dardanisë.

 

Kosovë – shkamb

Theqafja e Serbisë.

 

Kosovë – nuse,

Për hasmit lakmi,

 

Kosovë, për Botën,

Një provë për drejtësi.

 

Kosovë, jetë-beteje,

Qysh kur lindi i pari,

 

Kosovë, komitë,

Po të gjen mijëvjeçari.

 

Kosovë – album,

I legjendave shekullore,

 

Kosovë – lapidar,

I qëndresës njerëzore.

./.

SHBA, 1998

----------------------

 

 

4. KOMANDANT “Tropoja”

 

-MESAZH NGA BJESHKËT E TETOVËS-

( Verë e vitit 2001 )

 

Një ditë,

Do të ngrihet,

Një memorial madhështor,

Një Statujë Lirie.

 

Do t’i nderojë,

Të rënët e saj,

Kosova!

 

Aty,

Patjetër,

Duhet të shkruhet,

(Në rend alfabetik),

Emni i djaloshit,

Tahir Mal Sinani.

 

Është nga Grija,

Nga Grija e Krasniqes,

(Krasniqes së Vendit),

 

Ose,

Përndryshe:

Komandant “Tropoja”!

./.

 

 

5. Ç’KA KA MBETË, PA U THANË PËR TY ?!

 

– Përsiatje në ditën e Shpalljes së Pavarësisë

së Kosovës, 17 shkurt, 2008-

 

Sot,

Gjithçka…, gjiiithçka,

Shuuumë bukur!

 

Por, (ndoshta),

Edhe ma shumë valle…,

Vaaalle, do të kisha pritë.

 

(Askush,

Si vallja shqipëtare,

Nuk i çon habere nëntokës!)

 

Ata…!!, Ata, nëntokë,

(Martirë e kanë emrin),

Jetën sfiduan, për këtë Ditë!

 

Gëzuar – Kosovë,

Kosovë europiane,

Kështjellë e hekurt!

 

Gëzuar, për të gjallët,

Me përulje të thellë,

Për të vdekurit!

* * *

Sot,

Jam i bllokuar!

Çuditërisht!

 

Të flas, as të shkruaj,

(More! As të gëzohem!),

Nuk po dij!

 

Kosovë,

Kosovë,

– Kosovë – Dardane!!

 

A po më kallxon:

– Ç’ka ka mbet,

Pa u thanë për Ty!!??

./.

-------------------

 

 

6. RRUGA E PAQËS, PO NA THËRRET

 

– Kushtuar Presidentit të Parë të Kosovës,

Dr Ibrahim Rugova –

 

Mbi Prishtine, mërzia e loti,

E shkrinë borën që e lshoi moti,

Prej çdo vatre t’Ilirisë,

I vijnë ngushllime Dardanisë,

Përmbi Dri, ja shtërngojnë dorën:

Zoti shëndosh, t’lasht për Rugovën.

 

Kurr s’kish gjetë vdekje ma t’mirë,

Presidenti i Kosovës s’lirë,

Burrë zakoni, e pendë e fortë,

Plot respek ndër miqtë e shoktë,

Bota, i tha , mes telegramit,

-Shkofsh n’Parajsë, Gandi i’Ballkanit.

 

N’atë Parajsë, t’priten te dera,

Papë Gjon Pali e Nanë Tereza,

Prezantimin, lartë ta bani,

Avdyl Frashni dhe Bogdani.

Numri NJË, do jeshë për kombin,

Si e ka USA, Vashingtonin.

 

Rruga e paqës po na thërret,

Varni armët n’baski t’vet,

Boll barut, kem’ djegë qyshkurë,

Pushka-top, don shumë kulturë,

Drejtë Evropës, për zemrat tona,

Orjentim =doktorr Rugova.

./.

Shkurt, 2006

--------------------

(Për ZemraShqiptare, nga NJ, USA, Shkurt 2012)



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: