Zeqir Lushaj: Sa herë çelin mimozat
| E Hene, 13.02.2012, 07:59 PM |

14 Shkurti - Dita e të dashuruarve

 

SA HERË ÇELIN MIMOZAT…

 

Nga: Zeqir Lushaj

 

-Me këtë Cikël, me 11 vjersha për dashurinë, përshëndes

veçanërisht mbesën time të dashur, inxhinieren Shqipe

Ibrahim Lataj, e cila këtë pranverë, do të shpallë fejesën

me shokun e jetës,  Jetëgjatë Rexha, në Babru -Tiranë-

 

1. “RINIA”… E PLEQËRISË!

 

- Ndize dritën..., aty më ke’, …mbi komodinë! -

 

….!

Mos nga dera,

Nga dritarja,

Do të vijnë tek Ti,

Një ditë, (si pakujtuar),

Librat e mi!!

 

Mund të futesh,

Edhe në Internet,

(“Pëllumbi postier”,

I kohëve moderne),

…I ka do faqe…, për TY!

 

…!

E di se,

Do të zverdhesh-limon,

Në fytyrë!

 

Gishtat e duarve,

Do të dridhen…

Nga pak!

 

Ndonjë pikë-loti,

(Sekreti i shpirtit,

Pa kontrolluar!!),

“Tak-tak…! “,

Do të rrëshqasin,

…Mbi kapak .

…!

E di se,

Do të më mallkosh:

-Aaah (!!), prap Ti?

…M’u bane “rrodhe”:

 

-… “Ta bafsha gropën!”:

(Siç më “mallkoje”,

Jo rallë, në rini!!)

…!

- Kurr, nuk po më le’ rahat?!

…Po ma prish gjakun,

…Edhe (sot) …,

Edhe sot, (gati) në pleqëri?!

 

…!

Mos u trishto,

Mikja ime - “lider!”.

Sot, është 14 shkurti!

 

…14 shkurti, kur

Gjithë Bota e nderojnë,

…Dashurinë!!

 

Edhe Ti,

Festoje këtë ditë,

Braktise sonte gjumin,

 

Përpëlitu si në andërr (!),

… Ndize ngadalë,

Abazhurin ngjyrë - bezhë!

 

Mua, do të më gjesh aty…,

(Nëpër fletët e librave),

…Mbi komodinë!!

 

* * *

…!

Edhe në “monizëm”,

Patëm dashuruar…!

(Dashuruam…, jo pak),

 

“Dashuri - disidente!”,

Ç’do kohë,  “…asht’ flori”, dhe:

- FATI, asht’ – FAT!

 

..!

Nëse sot, “llapim”,

…Diçka ma hapur,

Na merr era: “Njeriu i Lirë”,

 

…Gëzohu,

Që na kapi (pak),

Edhe ky fresk!

 

T’i jemi mirënjohës,

Dhe…, dhe:

- U pafshim për të mirë!!

./.

-------------------------

2. BASHKË ME FËSHFËRIMËN

 

– Ose ..., rikthehet: “Lëndina e lotëve” –

 

Ajo,

Atë ditë,

Në breg të Lanës,

(Tërë jetën do t’a mbaj mend),

 

Më kapi (rrmisht) përkrahu,

Dhe…!

E trishtuar…!

U ndal në vend!

 

– Dëgjom këtu,

Miku im, i dashur,

Shoku im, i mirë.

Dëgjom…,

Oooo, njeriu im!

…!

– …Erdhi ajo…, ajo që…,

Se menduam kurrë!!

Erdhi çasti,

Për t’u nda!

 

(Buzët, ma tepër iu dridhën,

Se sa folën…)

 

– Kurrë…!

Kurrë ma, përjetë,

Nuk kemi për t’u pa’!!

…!

 

Mali i Dajtit,

Me ra mbi krye,

Lana (e qelbur!),

Tiranën e përmbyti.

 

Një (Kushedi-Kush!),

Ma lidhi gjuhën,

Pështyma e gojës,

M’u kallait për fyti!!

…!!

 

Nuk ishte,

Një dobësi femrore,

As (kurrsesi),

Një çast melankolik,

 

Fliste, afshi i shpirtit,

(Në atë prag-gurbeti),

Një natë para nisjes,

…Për në Selanik!

 

* * *

Nga ajo dite e,

Deri me sot,

Asgja nuk di,

Për fatin e të Lart-thanës.

 

Kacavjerret kjo bisedë,

Në gaçarrëmat e kujtesës,

Bashkë me fëshfërimën…,

E (ish) plepave të Lanës!

 

* * *

Asnjë takim tjetër,

(I përfytyruar!),

Nuk mund t’a ketë,

Forcën e ndarjes së asaj ditë.

 

Janë ca gjëra

Në jetë…,

Që…,

Vetëm bjerren,

Po i përsërite!

./.

---------------

3.  -SONTE JE, BAJRAK NDËR ÇIKA…!

 

- Një shoqes time, në natën e martesës -

 

Shoh trupin tënd,

Më duket vijim,

I pishave të bjeshkës, i bredhave.

 

Vetullat e tua,

Të zeza, gajtan.

Degë molike, rritur në shkamb.

 

Si në verë,

Kur shkrin orteku i borës,

Të bardhë e të butë gishtat e dorës.

 

Shikimi yt,

Rrezja e parë kur zbardhë dita,

-Sonte je, bajrak ndër çika…!

 

Pasha gjakin,

Emnin burrit, nuk t’ia di,

Oooh, ku ka moj burrë për Ty?!

…!

 

Aaah, medet,

Krajlica e Bacit ,

Shkret, po i len rrethet e Gashit!!

./.

---------------------

4.  NË KËTË BARDHËSI

 

E bardhë,

Bora në malin e Dajtit.

 

Të bardha ,

Lulet e kumbullës,

Që,

Çuditërisht,

Në këtë bahçe,

Kaq heret çelin!

 

Si bora e lulet e kumbullës,

Si kapela e bluza që ke veshë,

Shquaj ndjenjat e tua,

Të bardha! Të pastra!

 

Duke qeshur, foli Ajo :

–Bora, bie çdo dimër,

Lulet, çelin çdo pranverë,

Ndjenjat tona të bardha,

Çelën vetëm një herë…

./.

--------------------

5. NJË SHOQES VALLTARE

 

“Vallja Tropojane”,

Në skenë po hidhej,

Kostume të bukura,

Ngjyra pa fund,

 

Nga radha e parë,

Unë hapja sytë,

Pse shoqja ime,

Nuk dukej gjëkund?!

 

Kur lexova programin,

At’herë e kuptova,

Valltaren e vendlindjes,

E kërkoja gabim,

 

Në skenë ishin:

Vajzat e “Migjenit”,

“Valbona”, atë natë,

E kishte pushim!

./.

Tiranë, në sallën e Operas, 1978

---------------------

6. KANGËT E ÇIKAVE

 

…Kur rrjedh me ushtimë,

I pastër, lumi Valbona,

Më duket, “keqeshkronjë”,

E kangëve dhe e çikave tona .

* * *

Sa herë ushton bjeshka,

Ndjej se, po i përcjell,

Kangët e çikave:

“E hooj, dadoo, hooj…”!

 

Kudo, që dëgjoj këmborë,

Sa herë, rri me bari,

Më kujtohet kanga:

“Qyqja dada, ku po t’len Ty…”

 

Kur kthehet, melodi e fyellit,

Në kërshat, e skenës – bjeshkë,

Si padashur, fishkëllej kangën:

“M‘sy një natë, hajde me fjetë…”!

 

Të gjithë njerzit, që punojnë në ara,

E në lemejtë, ku shihet gruni,

I përshëndes me kangën:

“Mori çikë e bardhë si pllumbi…”

 

Kur kabllat (edhe) pështjellohen,

E, bash mirë, nuk shoh me sy,

Më nxjerr, prej kllapije vargu:

–N’tokë, t’ka ra , bysteki i zi…!

 

Të gjithë djemve që dashurohen,

Të gjitha çikave që nisen nuse,

Ju dhuroj një album, me titull:

“Mori e mira, me kabloshë të kuqe…”

 

Nëse mërzia, (ndodhë që) kaplon,

E veh’tes , nuk ja gjej vendin,

Një kangë e vjetër “çon mesiç”:

“Nusja e çika, po kuvendin… !”.

 

… Kur jeta, vjen me konflikte,

Drama…, a…, edhe tragjedi (!),

Çika e Markajve, na i grrithë plagët: *

“T’thafshin krahët-djal, Mue e Ty…”!

 

* * *

Edhe, kur rrjedh me ushtimë,

I pastër, lumi Valbona,

Më duket , “keqeshkronjë”,

E kangëve dhe e çikave tona.

./.

*– Është fjala për këngëtaren virtuoze tropojane, Fatmira Breçani

-----------------------

7. SA HERË ÇELIN MIMOZAT

 

Mysafir,

Eci këtë natë,

Në rrugët e këtij qyteti.

 

Bari i ri,

Aroma e luleve të para,

Lajmërojnë:

– Po vjen pranvera!

 

Mimoza ,

Ku të prisja Ty,

Qenka rritur…

 

Aty,

Poshtë, ishdritares tande,

Rri!,

Ndezi një cigare.

 

Në tërë qenien time, e ndjej,

Shkretinë shpirtërore,

Të kësaj mbramjeje.

 

Ndjenjat, ndoshta,

Su venitkan kurrë,

Shpirti, sa duket,

Nuk pyetka për vjet.

 

Gjithmonë,

Do të ndjej pranë vehtes,

Sa herë të çelin mimozat,

Sa herë të vi në këtë qytet.

./.

------------------

8. KRITIKË MORALIZUESE

 

Atë natë,

Në restorant “Drini”,

Si…, rastësisht,

U gjendëm ballëpërballë!

 

Ti,

S’bëre mirë,

Dole pa na folur,

Sikur, s’na kishe parë!

 

E di!,

Ti, ke diçka me vetveten,

Të mundon opinioni i sëmur,

Megjithëse, njihesh vajzë e zgjuar,

Megjithëse, je shkolluar, për kulturë!

 

Nuk duhet “kultura” , veç për vete,

As për Atë, që do lidhesh për jetë,

Shokëve të mirë,

Që, ju flet, kur je vetëm,

Të ju flasësh, zonjushe!

Kur je, dhe me të tjerë!!

./.

Restorant “Drini”, Tiranë, 1975

----------------------

 

9. … OOO, MAJ FREND…!

- Të përshëndes ! -

 

“Larg syshë, larg zemrës”, -thotë një fjalë,

Kjo, për mua, nuk është e vërtetë,

Nga ana tjetër e globit tokësor,

Gjithë jetën kam me t’përshëndet!

 

Me Ty, Tirana, më dukej ma e madhe.

(E vogël po më duket Amerika pa Ty),

Të dua si gjithmonë mikesha ime e vjetër,

Edhe pse prej vitesh, nuk të shoh me sy!

 

“Biografët” gërmojnë:-Kush është kjo mikeshë?

Do të kërkojnë emrin dhe flokët si i ke’!,

Do thonë,-“Ka shkruar, për bjonden sportive…”,

Ah, për Atë, krajlicen, me onde flokëzezë…!!

 

Dikush, do të mendoje për bisht-kalin simpatike,

Ndokush për valltaren, shoqe nga rinia,

Kërkush s’do t’i bjerë 10-ës, ooo maj frend,  *

Veç, Unë e Ti…, Veç Unë e Ti…, dhe Perëndia!

./.

* maj frend = mikja ime

--------------------------

10. PSE DREQIN KËSHTU ?!

 

Kur të them, në anglisht, se,

– Je një femër shumë e bukur,

Ti, krejt shkrihesh në gaz,

E lumturuar, harlisesh si flutur.

 

Kur të njëjtat fjalë,

T’i them në shqip,

Mrrolesh, si Baba Tomorri,

Dhe ikën me vërtik!

 

Ngelem, i çuditur!

Edhe i fyer, deri diku…,

Pse dreqin,

Kështu!?

./.

---------------

11. PENGJET E MIA

 

- Ndjesë, ndaj vajzave dhe lirisë –

 

Kush lëvroi kaq thellë,

Kush drumiti, pa limit,

Nëpër shpirtin tim?

Si vajzat e bukura,

…Dhe Liria?

 

Kërkush si Ato,

Ishin dhe mbetën:

PENGJET e mia!!

 

Tash 60 vjetë,

(Si "pronar" mikroborgjez),

I pata dhe, (shpesh),

Nuk i gëzova!

 

I papërgatitur,

Për gjëra të bukura!

(Primitivisht, jo rrallë),

I shpërdorova!!

…!

Ja nisi Qiellit këtë Ndjesë,

(Ndaj vajzave dhe Lirisë),

Binomit energjitik,

Të jetës njerëzore.

 

–Lutëm për Ju, që kurr…,

Kurr mos ngelëshi,

PENG!

 

Tek Unë,

Nuk do të shuheni,

Bashkë me frymën!

– Do t'ju dua,

…PRORE!!

./.

---------------------

(Ekskluzivisht, për ZemraShqiptare, nga NJ, USA, Shkurt 2012)



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: