Pëllumb Gorica: Ka gjithmonë dritë në fund të tunelit
| E Enjte, 09.02.2012, 07:55 PM |

KA GJITHMONË DRITË NË FUND TË TUNELIT

 

Vështrim rreth botimit me tregime “Në fund të tunelit”,  të shkrimtarit nga Kumanova, Burhanedin Xhemali.

 

NGA PËLLUMB GORICA

 

Jeta e njeriut është një labirinth të fshehtash e të panjohurash, fantazish e meditimesh, ndjenjash dhe kompleksesh, në të cilat njeriu mundohet vazhdimisht të depërtojë në to, por të vërtetën e madhe e kupton vetëm në fund, kur i soset gjithçka dhe ai e mbyll me një skepticizëm të pashpjegueshëm “ ikën vitet sikur s’qenë”. Duke pranuar se njeriu në vetvete është një labirinth dhe se jeta që jetojmë  është gjithmonë një “tunel”, që here - herë nuk ka dritë në fundin e tij, shkrimtari nga Kumanova, Burhanedin Xhemali në librin e e tij me tregime “Në fund të tunelit”, nuk  e pranon psikologjinë e atyre që i vret koncepti se “kjo jetë është e kotë”.

Libri është një përplasje e fortë dhe e përhershme midis jetës dhe ireales, fantazisë dhe imagjinares, paragjykimeve dhe logjikës së shëndoshë njerzore. Aty ku imagjinarja kërkon të marrë pushtet e të sundojë fort logjikën e zhvillimit të gjërave, autori shpejt fut në punë inteligjencën, mjeshtërinë dhe përvojën njerzore, hallet dhe brengat e përditshme, që njerëzit i kapërcejnë me kulturën, punën, mendimet e vyera, përvojën e gjatë dhe vullnetin e tyre.

Çdo tregim e mban në këmbë e papritura. Autori e nis thjeshtë tregimin, herë si përrallë për të vënë fëmijën në gjumë dhe herë si një bisedë që ka mbetur përgjysmë dikur, herë si ofshamë shpirti dhe herë si sprovë logjike, dhe vetëm kur shikon shpërthimin që kërkon të tresë qëllimin kryesor të fabulës së zgjedhur, me një brilantizëm që të ngacmon arsyen, e zbret zgjidhjen e krijimit të tij në hullitë natyrore të së kuptueshmes dhe njerëzores jetë.

Autori për çdo fenomen e zhvillim ka obsionin e tij, por ai kurrë nuk i robëron mendimet e ndjenjat e veta, nuk i ndrydh në kafazin e dëshirave të tjerëve apo t’ia nënshtrojë presionit të pushtetit të më të mëdhenjve.  Ai shkruan në një nga tregimet e tij, thjeshtë pa bërë deklamime mburravecësh të besdisshëm “…nuk e kisha ndërmend ti robëroj parimet e mia, edhe pse koha e mbrapshtë kërkonte  heshtjen totale”

Edhe kur një spekulant mundohet të përfitojë nga injoranca e njerëzve të thjeshtë e hallexhinj, duke i trembur me një “buf me katër sy” apo me “magjistaren e trentë”, ata më shumë vulosin dështimin dhe turpin e tyre, se sa përfitojnë ndonjë vlerë morale e material e nuk  lënë emër të mirë pas.

Në tregimin “bufi me katër sy “ autori me mjeshtëri përcjell një mesazh të madh se njerëz të mirë e të pafajshëm, miqësia dhe bukuria njerëzore, bien viktimë e bestytnive dhe injorancës, të  cilat  po nuk u luftuan, bëhen rrezik për tërë zhvillimin. Siç bën përqasjen e veseve të mira njerëzore me impulse shpërthyese të jetës së përditshme, dhe këtë me një  me racionalizëm edhe  një paralelizëm të goditur e domethënës, midis mashtrimit e presionit  të injorancës dhe bestytnive arkaike nga njera anë, me dhunën e reprezaljet të regjimit serb nga ana tjetër, i cili  nuk është gjë tjetër veçse  pjellë e kësaj psikologjie dhe këtij  nazionalizmi mesjetar, i cili fatkeqësisht është ende aktual.

Në tregimet e bukura të shkrimtarit Burhanedin Xhemali, që herë- herë marrin karakterin e një eseje të mirëfilltë, e herë karakter minidramash hamletiane, mendja e mprehtë e lexuesit të vëmendshëm gjen gjithçka edhe  Kalin e Trojës, edhe Santiagon e librit “Plaku dhe deti”, gjen edhe Bajroni romantik me lamtumirën e tij të pashuar, por edhe rilindasit e kombit që kontribuan për iluminimin e atdheut të tyre.

Në gojë të miqëve dhe shokëve  ka vënë shprehje të tilla si :”Bota është ndërtuar rreth interesit dhe njerëzit jetojnë për interes” “e çmendi dhe varrosi vetmia”, “mjeshtëria nuk ka kufinj siç nuk ka kufinj  e mira dhe e keqja” “njeriu pa memorie të zhvilluar është gjysëm i vdekur e gjysëm i gjallë”, autori jo vetëm emeton mesazhe, por edhe  bëhet  sigurisht një përçues i filozofisë dhe mençurisë popullore, e cila përcillet tek lexuesi me një gjuhë elokuelente, natyrshëm si mësim me vlerë për gjithë brezat që vijnë pas nesh.

Nëpër tregimet bindesh se autori jeton e shkruan jo vetëm për veten e të afërmit e tij, por edhe për të tjerët, për ata që  e duan zhvillimin, të mirën, të drejtën, të bukurën, vlerën e shpresën, për njerëz që i japin jetë jetës, dhe jo për ata që jeta i merr zvarrë. Duke gërmuar nëpër rreshtat e faqet e këtij libri me vlerë,  me tregime edhe sikur bindesh deri në fund se autori ka një qëllim, një mision, një lajtmotiv të shpallur, që bashkë me të ndershmit dhe të vullnetshmit e kësaj bote, bashkë me aspirantët e shpresave të mëdha “t’i heqim prangat e përditshmërisë për të ndërtuar ura të qëndrueshme ,që njerëzit të lëvizin sikur rrjedha e lumit të shpresave, “ sepse  autori  bindjen e patundur  që ka për vete , kërkon tua ngulisë edhe të tjerëve “se bota nuk është ziliqare për njerëzit e devotshëm që rrezatojnë urtësi e devotshmëri”,por i pranon ato kundrejt një haraçi që në gjuhën e letrave dhe të historisë quhet vetmohim.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: