Frank Shkreli: Rik Santorum ndërlikon fushatën Repiblikane për President
| E Enjte, 09.02.2012, 08:58 PM |

RIK SANTORUM NDËRLIKON FUSHATËN REPUBLIKANE PËR PRESIDENT

 

Nga Frank Shkreli

 

Kandidati i Partisë Republikane, ish-Senatori Rik Santorum është duke vazhduar fushatën e tij këtë javë me një entuziazëm të ri pas fitoreve që korri të martën në tri shtete: Kolorado, Minesota dhe Mizuri. Duke iu drejtuar përkrahësve të tij, Zoti Santorum u tha atyre të martën mbrëma se ''sonte shënuam një fitore për zërat e partisë tonë.... të konservatorëve dhe të pjesëtarëve të  ''Tea Party'', ose partisë së çajit*, të cilët ditë e natë janë duke ndërtuar e forcuar lëvizjen konservatore në këtë vend dhe janë duke ngritur zërin në mbrojtje të lirisë në mbarë vendin. ''  -- *Një lëvizje relativisht e re popullore amerikane që kryesisht e konsideron veten si konservatore dhe emëri i së cilës i referohet historikisht protestës së kolonistëve në Boston në vitin 1773, kundër imponimit të taksave britanike mbi çajin që eskportohej në kolonitë amerikane të asaj kohe, ngjarje këjo me rëndësi e Revolucionit Amerikan.

 

Përveç Rik Santorum, pas një fushate të gjatë që fillimist kishte nja një dyzinë kandidatësh, në garën për kandidat të partisë republikane për president të Shteteve të Bashkuara kanë mbetur katër veta: ish-governatori Mit Romni, ish-udhëhëheqsi i Dhomës së Deputetëve, Njut Gingriç,  dhe kongresmeni Ron Paul.  Humbësi kryesor këtë javë ishte Njut Gingriç, i cili e konsideron veten si i favorizuari i bazës konservatore të partisë republikane, por i zhgënjyer mbeti edhe kandidati më i preferuar deri tani, Mit Romni, dhe i cili kishte fituar në Kolorado dhe Minesota në fushatën e viti 2008.  Fitorja e papritur e Rik Santorum të martën, në sytë e shumë vërejtësve politikë, ve në pikëpyetje rolin e deritanishëm udhëheqës të Mit Romnit, dhe tregon në të njëjtën kohë se në garat e ardhëshme ai do të përballet me një betejë të ashpër në përpjekjet e tij për të siguruar mbështetjen e bazës konservatore të partisë republikane, bazë këjo që e konsideron atë të moderuar, mos të themi liberal.

 

Ish-Senatori Santorum nga shteti Pensilvania, tha se fitoret e tij këtë javë në tri shtete, provojnë se ai është kandidati më i përshtatshëm i partisë republikane për të sfiduar kandidatin e partisë demokrate, presidentin Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti.

 

Romni, i cili tani për tani, ka numërin më të madh të delegatëve që e përkrahin atë për në kuvendin e përgjithshëm të partisë, u tha përkrahësve të tij pas humbjes të martën mbrëma se ai ende ka besim se do ta sigurojë emërimin e partisë republikane si kandidat për president.  Përparësia e fushatës së Mit Romni, në krahasim me kundërshtarët e tij, është se ai gjithnjë zotëron burimet financiare dhe organizim të fortë anë e mbanë vendit.  Vet Mit Romni, duke i uruar fitoren kundërshtarit të tij Santorum, tha se, megjithkëtë humbje, sipas tij  të përkohëshme,  gjithnjë pret që ai të jetë personi që partia republikane do të emëroj si kandidat për të sfiduar presidentin Barak Obama në Nëntor.  Me fitoren e Rik Santorum këtë javë, janë ndërlikuar punët disi, pasi rruga duket se mund të jetë gjithnjë e gjatë deri në kuvendin e partisë në verë, ku cilido qoftë kandidati republikan do të ketë nevojë të sigurojë përkrahjen e 1,144 delegatëve nga i gjithë vendi.

 

Ndërkaq, eskpertët politikë shprehen se nga përçarjet ideologjike e filozofike midis kandidatëve në fushatën e stërgjatur për emërimin e kandidatit të partisë republikane, përfiton vetëm presidenti Obama. Prandaj, mbetet për tu parë nëse republikanët në përgjithësi, ose cilidoqoftë kandidati i tyre në veçanti, do të kenë aftësinë dhe mundësitë për të bindur më në fund dhe për të entuziazmuar elektoratin amerikan për të votuar për ta dhe për politikat e tyre në drejtim  që ata duan ta çojnë vendin, si alternativë konservatore ndaj presidenti Obama.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: