Havier Solana: Kursimi kundër Europës
| E Marte, 07.02.2012, 06:43 PM |

Kursimi kundër Europës

 

Nga Havier Solana

 

Tashmë është gjithmonë e më shumë e qartë se ajo që filloi në fund të vitit 2008 nuk ishte thjesht një rënie e zakonshme ekonomike. Gati katër vjet pas fillimit të krizës, ekonomitë e zhvilluara nuk kanë arritur të kenë një rigjenerim të qëndrueshëm dhe madje edhe vendet në gjendje më të mirë  po shfaqin shenja dobësimi. Të ballafaquara një recesion të konfirmuar  tashmë, vështirësitë e Evropës janë alarmuese .

Evropa jo vetëm që po përballet me rrezikun e  një rënie të vazhdueshme ekonomike, por  papunësia  në një nivel të lartë në terma afatgjatë dhe pakënaqësia popullore po kërcënojnë të dobësojnë në mënyrë permanente kohezionin e strukturës së saj sociale. Dhe, politikisht, ekziston një rrezik real që qytetarët të mos kenë më besim tek institucionet, si kombëtare  ashtu edhe evropiane, dhe të joshen nga thirrje populiste, si në të kaluarën.

Evropa, me çdo kusht, duhet ta shmangë këtë skenar. Rritja ekonomike duhet të jetë prioritet, vetëm rritja ekonomike  do t’i rikthejë njerëzit në punë dhe do të shlyejë borxhet e Evropës.

Në mënyrë të kuptueshme, ka një debat për mënyrën se si mund të arrihet ky rigjenerimi i ekonomisë. Mbrojtësit e ndërmarrjes së masave shtrënguese  argumentojnë se borxhi ka një ndikim negativ në rritjen ekonomike; ithtarët e stimulimit të mëtejshëm të rritjes ekonomike kundërshtojnë duke thënë se është pikërisht  rritja e ulët ekonomike që gjeneron borxhin publik dhe jo anasjelltas dhe se masat shtrënguese në një kohë  recesioni  vetëm i përkeqësojnë gjërat.

Por evropianët nuk duhet të bien dakord për çdo gjë për të gjetur një rrugë të përbashkët. Ne mund të mos biem dakord në lidhje me efektet afatgjata të injektimit të likuiditetit, por ne mund të biem të gjithë dakord se nuk është e drejtë të lejojmë që kompani fitimprurëse të dështojë për shkak se tregjet e kredive nuk po funksionojnë. Nuk është e nevojshme të jemi dakord me politikën fiskale,  për të kuptuar se është më e arsyeshme  të nxiten investimet se sa për të shikosh  strukturën tonë produktive tek dobësohet. Dhe ne të gjithë e dimë se investimi në rikualifikimin e të papunëve është një kosto më efektive se sa të lejosh papunësinë për një afat të gjatë.

Në çdo rast, dyshimet rreth ndikimit negativ të masave shtrënguese janë bërë të pamundura të injorohen. Historia tregon se në një recesion të thellë është shumë më e rrezikshme të ndalosh nxitjen e rritjes ekonomike shumë herët se sa shumë vonë.

Një shkurtim i tepruar i shpenzimeve publike në rrethanat aktuale mund të çojë në një tkurrje të rritjes ekonomike, gjë që tashmë është duke ndodhur: Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë parashikon  që eurozona do të tkurret me 0,5% në vitin 2012. Reformat strukturore janë të rëndësishme për të garantuar një rritje ekonomike  të qëndrueshme në të ardhme, por ata nuk po gjenerojnë rritje ekonomike  në terma afatshkurtër, gjë për të cilën Evropa ka nevojë. Në vend të kësaj, në këmbim të progresit të pakët në lidhje me  reduktimin e borxhit, Evropa rrezikon të shkaktojë dëme të qëndrueshme ndaj potencialit të saj të rritjes ekonomike.

Krahasuar me një recesion të ri, kostoja afat-gjatë e politikave stimuluese është e papërfillshme. Në shumë vende, deficitet buxhetore aktuale janë rezultat jo i qeverive të pamatura që kanë shpenzuar më shumë se ç’duhet, por i masave të përkohshme që janë marrë për të kaluar krizën. Me normat e interesit tashmë të ulëta dhe me reduktimin kredive në sektorin privat,  rreziku që  politikat ekspansioniste të shkaktojnë inflacion apo të nxjerrin jashtë tregut investime private është i ulët. Në të kundërt, reduktimi i shpenzimeve mund të dëmtojë veprimtarinë ekonomike dhe mund të rrisë,  jo të ulë, barrën e borxhit publik.

Borxhi publik, për më tepër, nuk duhet të demonizohet. Nga ana financiare është e arsyeshme që shtetet  të ndajnë koston e investimeve publike, të tilla si projekte të infrastrukturës dhe shërbimeve publike, me gjeneratat e ardhshme, të cilat do të përfitojnë prej tyre. Borxhi është një mekanizëm me të cilin ne institucionalizojmë  solidaritetit midis brezave. Problemi nuk është borxhi, por duhet të sigurohemi që ky borxh të përdoret për të financuar investime produktive, që ai të mbahet brenda kufijve të arsyeshëm dhe që ai të mund vihet në shërbim me pak vështirësi.

Megjithatë, qëllimisht, të njëjtat argumente që kthyen  krizën financiare të vitit 1929 në Depresionin e Madh, janë duke u përdorur sot në favor të masave shtrënguese në lidhje me të gjitha shpenzimet. Ne nuk mund të lejojmë që historia të përsëritet. Udhëheqësit politikë duhet të marrin iniciativën për të shmangur një krizë sociale të shkaktuar nga ekonomia. Dy veprime janë të nevojshme urgjentisht.

Në nivel global, duhet bërë më shumë për të adresuar mosbalancimin makroekonomik dhe për të gjeneruar kërkesën në vendet me suficit, duke përfshirë edhe ekonomitë e zhvilluara si Gjermania. Ekonomitë e tregjeve në zhvillim që kanë bilanc pozitiv  duhet ta kuptojnë se një kontraktim i tejzgjatur në botën e zhvilluar krijon një rrezik real për një rënie globale, në një kohë kur ata nuk ruajnë hapësirën e duhur për manovrim, hapësirë të cilën ata e kishin katër vjet më parë.

Brenda eurozonës, reformat strukturore dhe shpenzimet publike më efikase, të cilat janë thelbësore për një rritje të qëndrueshme afatgjatë dhe nivelet e borxhit, duhet të jenë të kombinuara me politikat në mbështetje të kërkesës dhe shërimin e ekonomisë në terma afat shkurtër. Hapat e ndërmarra në këtë drejtim nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi janë të mirëpritura, por të pamjaftueshme. Ajo që nevojitet është një marrëveshje e gjerë me vendet që kanë mungesë kredibiliteti të politikës së ndjekur, duke ndërmarrë reforma strukturore  pa vonuar, në këmbim për më shumë hapësirë brenda BE-së për masa që gjenerojnë rritjen ekonomike  edhe me koston e një deficiti më të lartë afat shkurtër.

Bota po përballet me sfida të papara. Asnjëherë më parë në historinë e kohëve të fundit nuk kish ndodhur që një recesion i thellë të përkonte me ndryshime gjeopolitike. Tundimi për të favorizuar prioritete të gabuara kombëtare mund të çojnë në një katastrofë për të gjithë.

Vetëm një lidership i shkolluar  politik mund të shmangë këtë rezultat. Udhëheqësit evropianë duhet ta kuptojnë se programet e rregullimit  përmbajnë si anën e tyre sociale ashtu edhe anën e tyre financiare dhe se ato do të jenë të paqëndrueshme në qoftë se ato pasqyrojnë një perspektivë pa dritë në fund të tunelit.

Ndërmarrja e masave shtrënguese në lidhje me të gjitha shpenzimet është një strategji me të meta dhe nuk do të funksionojë. Ne nuk mund të lejojmë që një nocion i keqkuptuar për  "disiplinën" të shkaktojë një dëm të përhershëm në ekonomitë tona dhe të imponojë një barrë të tmerrshme në shoqëritë tona. E gjithë Europa  duhet të bjerë dakord mbi një strategji afat-shkurtër për rritjen ekonomike - dhe ta zbatojë atë sa më shpejt.

 

Havier Solana, ish Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe Sigurinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministri i Mbrojtjes së Spanjës dhe kryetar i Qendrës ESADE për ekonominë globale dhe gjeopolitikën.


Shkupi Press

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: