Frank Shkreli: Bullgaria, Siria dhe Viktimat e Komunizmit në Shqipëri
| E Hene, 06.02.2012, 08:02 PM |

SIRIA, BULLGARIA DHE VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË  SHQIPËRI

 

Nga Frank Shkreli

 

Dje, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton u bëri thirrje ''miqëve të një Sirie demokratike'' të shtojnë për pjekjet e tyre që të detyrojnë Presidentin sirian Bashar al-Assad  t'u japë fund sulmeve të përgjakëshme kundër protestuesve anti-qeveritarë në vendin e tij.   Zyrtarja e lartë amerikane e bëri këtë deklaratë në Sofje të Bullgarisë gjatë një konferencë shtypi me Kryeministrin bullgar Bojko Borisov, një ditë pasi Rusia dhe Kina bllokuan një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutë këjo që nuk ishte e sponsorizuar nga Amerika megjithëse ajo e përkrahu atë siç e pkrahen edhe 12 vende të tjera anëtare të këtij këshilli -- por nga Liga Arabe për një vend arab -- rezolutë e cila i bënte thirrje presidentit sirian Assad të ndalojë dhunën kundër popullit të vet, t'i transferonte pushtetin një zëvëndsi të tij dhe të mbahen zgjedhje të lira.  Udhëheqsi i Këshillit Kombëtar të opozitës në Siri, Burhan Ghalioun e cilësoi veton ruso-kineze ''si një leje të re për regjimin kriminal të Assadit për të vrarë'', dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara tha se mban përgjegjës Moskën dhe Pekinin ''për keqësimin e gjëndjes dhe të akteve  vrasëse dhe gjenocidit'', në Siri.

Qëllimi i këtij artikullli nuk është Siria dhe krimet që regjimi i atij vendi po kryen kundër popullit të vet, pasi disa ditë më parë unë bëra një shkrim në lidhje me këtë duke parashikuar votën e Rusisë dhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në favor të diktatorit Assad.  Por ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte vendi që Sekretarja Amerikane e Shtetit zgjodhi që të bënte këtë deklaratë, dmth., ekzaktërisht nga kryeqyteti i Bullgarisë,  ish-aleatja më e ngushtë komuniste e Rusisë sovjetike,  në të njëjtën javë që ai vend shpalli zyrtarisht Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit.  Nga kryeqyteti i një vendi ish-komunist që dikur ishte ndër shkelësit më të mëdhej të të drejtave të njeriut, e nga ku sot, zyrtarja e lartë amerikane i bën thirrje botës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për respektimin e të drejtave të popullit sirian nga dhuna e një diktatori totalitar -- jashtë ish-rajonit komunist -- rajon ky që vetëm 20-vjetë më parë përfshinte vendet me diktaturat më të egëra që ka njohur ndonjëherë historia, diktatura të cilat viktimizonin popujt e vet, për hir të qëndrimit në fuqi të  një klike komuniste, përgjegjëse për shkeljet e të drejtave bazë të njeriut dhe të mohimit të plotë të dinjitetit njerëzor për pothuaj gjysëm shekulli.

 

Nuk e di nëse është e rastit ose jo, por deklarata e Sekretares Klinton nga kryeqyteti bullgar, në mbrojtje të popullit sirian nga një klikë diktatoriale që po vret popullin e vet, përkoi me vendimin e qeverisë dhe të shtetit bullgar, për të shpallur këtë javë 1 Shkurtin si Ditë Përkujtimore për Viktimat e Komunizmit në atë vend.  Kështuqë, ndërsa Hillari Klinton bënte thirrje nga Sofja për mbrojtjen e viktimave të diktaturës siriane, udhëheqsit post-komunistë të Bullgarisë i deklaruan popullit të vet dhe botës -- se duke shpallur ditën e viktimave të komunizmit, sipas fjalëve të Presidentit bullgar Rosen Plevneliev, ‘’shtypjet e regjimit komunist nuk duhet të harrohen.’’

 

Një grua e moshuar bullgare duke ndezur një qiri në monumentin që mban të mbishkruar emërat e viktimave të regjimit komunist bullgar.

 

Duke shpallur 1 Shkurtin si  Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit Komunist, në shënjë falenderimi dhe respekti për ato viktima, Presidenti  Plevneliev tha se ‘’ballafaqimi me historinë e dekadave të fundit, është një kusht i nevojshëm për respektimin e vlerave të shoqërisë tonë.  Vrasja e këtyre bullgarëve nga regjimi komunist, është një prej provave më të qarta të shtypjes kundër popullit bullgar’’, tha presidenti Plevneliev.

Ndërsa ish-presidentët bullgarë Zhelju Zhelev dhe Petar Stojanov në një letër drejtuar kryeministrit Bojko Borisov  thanë me këtë rast se, ‘’Këjo ditë jo vetëm që do të nderojë viktimat e regjimit komunist, por gjithashtu na jep një mundësi dhe fillim të ri për të kuptuar më mirë historinë tonë moderne, mirëpuptim ky që pa të cilin është e pamundur  të shkojmë përpara si shtet demokratik e i dinjitetshëm evropian.’’

Për më tepër, sikurë dëshironte që mesazhi i tij të dëgjohej përtej vendit të tij, Presidenti bullgar tha se, ‘’Në historinë e jo vetëm Bullgarisë por edhe të shumë vendeve të tjera evropiane, shekulli i 20-tët u shënua nga një dhunë e motivuar nga ideologjia.  Ne duhet të bëjmë më shumë për viktimat e komunizmit’’, shtoi Zoti Plevneliev.

Edhe Shqipëria është një prej këtyre vendeve evropiane që përmendi presidenti bullgar, edhe ajo me aspirata për antarësim të plotë në familjen evropiane në prak të 100-vjetorit të pavarësisë së saj. Me të drejtë dhe me krenari vendi po organizon veprimtari që do të zhvillohen në kuadër të kësaj feste të madhe mbarë kombëtare.  Kryeministri shqiptar Sali Berisha gjatë një mbledhjeje të kabinetit para disa ditësh u shpreh, në lidhje me përgatitjet për 100-vjetorin e pavarësisë, se ‘’duhet të ketë një përqendrim më të madh tek ngjarjet, aktet e zhvillimet për arsye politike, ideologjike, e tjera, të cilat janë skajuar apo janë vendosur në harresë për një kohë të gjatë.’’

Megjithëse nga prononcimet e deritanishme zyrtare nuk ka shenja se në këtë përvjetor të pavarësisë do të ketë ndonjë aktivitet të dedikuar mijëra viktimave të regjimit komunist shqiptar, këto viktima të gjallë e të vdekur në këtë përvjetor, kërkojnë drejtësi, dhe të vërtetën, por mbi të gjitha kërkojnë që ato të mos harrohen.  Fatkeqsisht deri tani Shqipëria nuk ka ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të kuptuar dhe për të mësuar nga përvoja komuniste ndërkohë që mijëra viktima të komunizmit pothuaj janë harruar. Mohimi ose mos ballafaqimi me këtë histori mund të jetë një tragjedi me përmasa historike, pasi mbi të gjitha, ve në dukje mungesën morale dhe shpirtërore të shoqërisë shqiptare për tu ballafaquar me krimet e regjimit komunist. Mohimi ose anashkalimi i krimeve shtetërore të shekullit të kaluar ndaj viktimave të pafajshme, ‘’vret rishtas dinjitetin e të gjallëve dhe përpiqet të zhdukë kujtimin e krimeve. Në një shekull të prekur nga fatkeqsitë e gjenocidit, ne ritheksojmë nevojën morale për të kujtuar viktimat’’, sipas një deklarate të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Akademikëve të Shqetsuar për fatin e viktimave të gjenocidit. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe viktimat e martirizuara të komunizmit në Shqipëri bërtasin drejtësi, kërkojnë të vërtetën dhe mbi të gjitha që sakrificat e tyre të mos harrohen, por të përkujtohen për krimet ndaj tyre, pasi sipas Deklaratës së Varshavës në lidhje me Viktimat e Regjimeve Totalitare të vitit që kaloi, ‘’të gjitha krimet e regjimeve totalitare në Evropë, cilado qoftë natyra ose ideologjia e tyre duhet të njihen si të tilla dhe të dënohen’’, sepse sipas të njëjtës deklaratë, këte ua kemi borxh brezave të ardhëshëm, ashtuqë ata të kuptojnë atë që mund të duket si a pakuptueshme, dhe në të njëtën kohë të mësojnë nga trashëgimia e hidhët e shekullit të 20-tët.

Zyrtarizimi i një dite kombëtare kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri ose ngritja e një monumenti për nder të tyre do të ishte një dëshmi e kujtimit të sakrificës së tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: