Frank Shkreli: ''Ju flet Zëri i Amerikës'' - Me rastin e 70-vjetorit të themelimit
| E Enjte, 02.02.2012, 09:03 PM |

“JU FLET ZËRI I AMERIKËS’’

                 

ME RASTIN E 70-VJETORIT TË THEMELIMIT

 

Nga Frank Shkreli*

 

Washington, D.C. -- Në 70-vjetorin e themelimit të tij Zëri i Amerikës, një zë ky që njihet shumë mirë nga dëgjuesit dhe shikuesit shqiptarë kudo në trevat e kombit shqiptar në Ballkan po shikon drejt së ardhmes së tij.  Drejtori i Zërit të Amerikës, Zoti Dejvid Ensor tha me këtë rast se enti amerikan i transmetimeve ndërkombëtare që ai drejton është duke shikuar nga e ardhmja në mënyrë agresive me programe të reja, të cilat do të bëjnë që ky ent lajmesh dhe informacioni të mbetet gjithnjë një burim i rëndësishëm lajmesh për shoqëri të mbyllura, siç është Irani. 

Duke folur para gazetarëve të Zërit të Amerikës në Uashington, Zoti Ensor përmendi disa programe dhe iniciativa të reja që do të ndërmarrë Zëri i Amerikës, përfshirë programin televiziv për Burmën, një video blog shumë popullor që shikohet nga më shumë se 7 milion veta në Kinë, zgjërimin e programeve televizive për Iranin dhe planet për një program televiziv drejtuar Rusisë

Zoti Ensor tha se Zëri i Amerikës, si transmetues i dikurshëm me famë i lajmeve gjatë luftës së ftohët “mbetet edhe sot aktual, ashtu siç ishte më 1 Shkurt, 1942, që  në të vërtetë është data e transmetimit të parë me valë të shkurtëra të Zërit të Amerikës drejtuar Gjermanisë.’’

 I krijuar nga qeveria federale e Shteteve të Bashkuara në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Zëri i Amerikës me dekada, sidomos gjatë Luftës së Ftohët të periudhës komuniste, është zhvilluar dhe zgjëruar në një organizatë globale transmetimesh të lajmeve e komenteve me media të ndryshme, radio, televizion dhe internet – duke transmetuar lajme në mënyrë të balancuar dhe  gjithëpërfshirse -- për të cilat ky ent është i njohur, në dyzina gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe shqip -- e që sot llogaritet të tërheq mbi 141 milion, dëgjuesë, shikuesë e lexuesë çdo javë, anë e mbanë botës.

Transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, 70-vjetë më parë, drejtuar Gjermanisë naciste, vetëm disa javë pas sulmit japonez kundër Amerikës në Havai, përcaktoi tonin dhe karakterin e kësaj radioje me famë botërore për  vitet dhe dekadat e ardhëshme. Transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, me 1 Shkurt, 1942 filloi me këto fjalë:

 ‘’Këtu ju flet një zë nga Amerika.’’ Transmetimi i parë me valë të shkurta vazhdoi duke u premtuar dëgjuesve se: “Lajmet mund të jenë të mira, ose lajmet mund të jenë të këqia. Ne do t’u themi të vërtetën.’

 Sipas një njoftimi të Zërit të Amerikës për median me rastin e 70-vjetorit, Drejtori i 28-tët i Zërit të Amerikës, Zoti Dejvid Ensor tha se enti që ai kryeson vazhdon të veprojë dhe të punojë në bazë të atij premtimi, 70-vjetë më parë, duke transmetuar të vërtetën, në mënnyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse si atëherë dhe sot.

Puna e gazetarëve të Zërit të Amerikës në gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe programin në gjuhën shqipe, drejtohet -- mesa di unë si asnjë ent tjetër lajmesh në botë – nga një ligj i quajtur Karta e Zërit të Amerikës, një ligj ky që është nënshkruar nga ish-Presdienti Xherald Ford më 1976.  Sipas këtij ligji -- “Zëri i Amerikës do të shërbejë pa përjashtim, si një burim i besueshëm dhe autoritativ lajmesh. Lajmet do të jenë të sakta, objektive dhe të gjithanshme. Zëri i Amerikës do të paraqesë Shtetet e Bashkuara në mënyrë të qartë dhe objektive dhe do të paraqesë gjithashtu debate e diskutime të përgjegjëshme të politikës amerikane.”

Gazetarët e Zërit të Amerikës varen gjithashtu edhe nga Kodi i Gazetarisë, e i cili përcakton standardet dhe praktikat për transmetimin e lajmeve të sakta, objektive si dhe përdorimin e burimeve të ndryshme, për të siguruar se përmbajtja e lajmeve është e saktë, e balancuar nga pikëpamja e mendimeve të ndryshme, si dhe duke paraqitur lajmin në kontekstin e duhur dhe në mënyrë të pa-anshme.  Megjithëse kishte filluar transmetimet më 1942, Zëri i Amerikës hodhi hapa të rëndësishëm për tu bërë transmetuesi kryesor i lajmeve vetëm gjatë 60-ave dhe 70-ave, ndërkohë që u zgjëruan programet në gjuhë të ndryshme dhe u vendosën qëndrat teknike transmetuese për ritransmetim, anë e mbanë botës.  U shtuan burimet njerëzore dhe financiare për mbledhjen dhe verifikimin e lajmeve dhe u rrit numëri i korrespondentëve që raportonin nga vendi i ngjarjes e nga të gjitha kontinentet e botës.  Kur më 1969, astronauti amerikan Neil Armstrong zbriti në Hënë, pothuaj 800-milion veta, anë e mbanë botës, ndëgjuan këtë lajm historik nga Zëri i Amerikës.  Nga pikpamja teknike, Zëri i Amerikës ishte i pari transmetues ndërkombëtar që më 1977 përdori satelitët për të transmetuar programet nga studiot në Uashington, fillimisht në ishullin Rodës të Greqisë, për programet e Zërit të Amerikës drejtuar Evropës dhe Lindjes së Mesme e më vonë nga vende të tjera strategjike.

 Nga pikpamja programore, megjithëse nuk ka asnjë ent i një madhësie të tillë që nuk bën gabime, Zëri i Amerikës rriti kredibilitetin e tij në sytë e dëgjuesve me transmetimet objektive dhe të paanshëme gjatë dy ngjarjeve që kishin tronditur Shtetet e Bashkuara – lufta në Vjetnam dhe kriza kushtetutore, e njohur si skandali Uotergejt.  Lajmet dhe analizat në lidhje me këto ngjarje jo vetëm që u lavdëruan nga shtypi amerikan i kohës, por edhe nga dhjetëra mijëra dëgjuesë anë e mbanë botës të cilët shkruan letra për të shprehur admirimin e tyre për mbulimin objektiv dhe të gjithanshëm të këtyre ngjarjeve nga Zëri i Amerikës.

 Gjatë gjithë periudhës së luftës së ftohët, programeve të Zërit të Amerikës u bëhej zhurmë nga sovjetikët dhe nga vendet e tjera satelite për të penguar penetrimin e tyre përtej perdes së hekurt. Shqipëria, me sa jam i informuar, nuk është përpjekur tu bëjë zhurmë programeve të Zërit të Amerikës, pasi si asnjë vend tjetër, regjimi hoxhist kishte në fuqi ligje që dënonin rëndë po të hetohej dikush se dëgjonte Zërin e Amerikës. 

Në një përpjekje për të modernizuar programet dhe mjetet teknike transmetuese, në vitin 1983, ish-Presidenti Ronald Reagan rekomandoi një buxhet plan prej më shumë se një miliard dollarësh për modernizimin e Zërit të Amerikës, që ishte pjesë e strategjisë së tij për t’i bërë presion botës komuniste për ndryshime, e që çoi më në fund në rrëximin e Murit të Berlinit dhe në rënjen e komunizimit anë e mbanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Rolin e Zërit të Amerikës në informimin e masave anë e mbanë Evropës gjatë 70 vjetëve të ekzistencës së tij, e kanë vlerësuar udhëheqsit amerikanë, si dhe udhëheqës dhe shumë ish-disidentë të njohur evropiano-lindor, përfshirë Vaclav Havel e Lek Valesa. Por ajo që ka më rëndësi është se programet e këtij enti i kanë vlerësuar dhe i vlerësojnë dëgjuesit dhe shikuesit e rregullt anë e mbanë botës, për objektivitetin dhe paanshmërinë. Lek Valesa ka thënë se nga këto transmetime “ne mësuam se si të mendojmë të pavarur dhe të lirë nga ato që na servireshin nga shhtypi zyrtar komunist i kohës.”

Edhe seksioni shqip i Zërit të Amerikës është pjesë e pandarë e kësaj tradite dhe historie krenare prej 70-vjetësh. Transmetimet shqip kanë filluar më 1943 për tu ndërprerë më 1945 dhe kanë rifilluar në vitin 1951 dhe vazhdojnë sot e kësaj dite.  Megjithëse një prej regjimeve komuniste më tronditës dhe më të errët të Evropës dhe botës, as Shqipëria nuk mund të mos prekej nga ndryshimet që kishin përfshirë Evropën nga fundi i 80-ave e fillimi i 90-ave. Nuk besoj se ka ndonjë njeri, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që dyshon rolin e Zërit të Amerikës në gjuhen shqipe gjatë asaj periudhe të zhvillimeve në Shqipëri, dhe rolin e tij më vonë, para, gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës, si edhe për informimin e të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre dhe anë e mbanaë botës.  Nga ajo dritare kanë folur udhëheqsit e kombit shqiptarë dhe intelektualët më të dalluar nga të gjitha trojet, pa dallim. Ky grup heroik gazetarësh i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, me të drejtë, u vlerësua para disa vitesh nga ish-Presidenti Moisiu për kontributin e dhënë në vendosjen e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri me një pllakë në shënjë mirënjohjeje. Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej seksioneve “yje” të këtij enti botëror, duke tërhequr gjithnjë përqindje marramendëse shikuesish e dëgjuesish anë e mbanë trojeve shqiptare, bile edhe sot pas 20 vjetë demokracie.

 Më në  fund, në këtë 70-vjetor të themelimit të Zërit të Amerikës dëshiroj të kujtoj miqët dhe ish-kolegët e mi, të cilët kanë punuar në seksionin shqip të Zërit të Amerikës gjatë 60-ave dhe 70-ave dhe me të cilët unë kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj dhe nga të cilët -- si shumë më i ri se ata -- kam mësuar aq shumë,  por që fatkqesisht nuk janë më në këtë botë me ne.  Ata përfshijnë Xhevat Kallajxhiun e Talat Karagjozin nga Gjirokastra, Jozef Paskalin e Louis Priftin nga Kolonja,  Gaspër Kiçin e Ruzhdi Dacën nga Shkodra, Kleanth Mimën nga Durrësi, Lulë Vrionin nga Vlora dhe disa të tjerë që punonin me afate të shkurta. Emërat e këtyre ndoshta nuk njihen as nuk dëgjohen nga brezi i sotëm i shqiptarëve, por të cilët kanë merita të mëdha pasi ata mbajtën gjallë atë shërbim me dekada dhe nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës,  u përpoqën të hidhnin pak dritë në terrin e burgut të komunizmit anë e mbanë trojeve shqiptare. 

*Autori ka punuar për 30-vjetë për Zërin e Amerikës në detyra të ndryshme përfshirë shef i shërbimit shqip, nën-drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik dhe drejtor i Zërit të Amerikës për Evropën.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: