Dramë për një realitet të trishtë
| E Merkure, 01.02.2012, 06:10 PM |

Tre martiret e lirisë
Gjilan ,23 janar,Teatri nga Peja, në natën e katërt të Festivalit të Dramës Shqipe "Talia e Flakës", që po mbahet në Gjilan, solli para publikut të këtushëm shfaqjen "Kur loti ngrin në qepallë", që ishte një baladë plot emocion për atdhetarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 30-vjetorin e vrasjes së tyre, më 17 janar 1981, në Gjermani. Kjo dramë është përgatitur sipas motiveve të Ismail Kadare e Jusuf Gërvallës, me dramaturgji të Nimon Muçajt dhe Jahi Jahiut, i cili ishte edhe regjisor, si dhe lojën e aktorëve, të cilët arritën të identifikohen mjaft mirë me karakteret dhe madhështinë e tyre. Rolet u interpretuan nga Avdi Gërvalla, Luan Daci, Armend Baloku, Rudina Zhara, Doruntinë Gërguri, Muradije Muriçi, Rrustem Latifaj, Myrvete Kurtishi, Labinot Lajçi, Besarta Fejza, Behar Zenelaj, Blerim Kelmendi, Liridon Nikçi, Nimon Muçaj e Belinda Kastrati.

                Regjisori i shfaqjes Jahi Jahiu tha se ka trajtuar dy tema, për një krim makabër, të cilin e kanë bërë serbët ndaj kombit shqiptar, duke bërë atentat mbi Jusufin, Bardhoshin e Kadriun, si dhe flet edhe për dhimbjen e nënave tona. Mirush Kabashi tha se shfaqjet e tilla janë të vështira për t'u bërë, sepse vepra artistike duhet të jetë në nivelin e bëmave të karaktereve, në këtë rast të tre heronjve të kombit. "Pikërisht kjo tematikë bëri që publiku ta përpijë këtë vepër me plot emocion", tha Kabashi. Tahir Arifi tha se në tërësi pëlqeu shfaqjen për shkak të emocionit që solli tek ai, sikur veçoi momentet simbolike në shfaqje, kapërcimet kohore, e sidomos monologun e nënës. Llesh Nikolla tha se kjo shfaqje dhe ajo e Teatrit të Gjilanit, që ishte në natën e parë, i dhanë ngjyrë flakës dhe ia rritin vlerën këtij festivali. Nijazi Ramadani tha se shfaqja e shpalosi madhështinë që kishin këta tre atdhetarë, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, sikur edhe folës të tjerë që dhanë vlerësimet e tyre mbi vlerën artistike të dramës.

               Dramaturgu Nebi Islami e përmbylli debatin duke thënë se "Kur loti ngrin..." ishte një shfaqje spektakël. Edhe ai tha se duhet punë e madhe për një vepër të tillë, ku realitetin e trishtueshëm objektiv duhet shndërruar në realitet artistik. Islami tha se ka pasur një harmoni midis tekstit, regjisë dhe aktrimit. Ndërkohë që aktorët në raportet reciproke, me veprimet, me dialogët e ngjeshura, e kanë mbajtur publikun me një frymë.

Ndryshe, mbrëmë, të hënën, natën e fundit të Festivalit të Dramës Shqipe "Talia e Flakës" u paraqit Teatri "Aleksandër Moisiu" nga Durrësi, me shfaqjen "Dashuri e dytë në moshën e tretë", me autor dhe regjisor Haxhi Ramën.


Për Zemra Shiptare: Neki Lulaj

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: