Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha me libër të ri: “Teatri i Pejës”
| E Hene, 30.01.2012, 08:46 PM |

Libra të rinj

 

MONOGRAFIA “TEATRI I PEJËS”

 

Këto ditë doli nga shtypi edhe një vepër me rëndësi kulturore dhe historiografike kombëtare e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA.

 

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, këto ditë botoi veprën e tij më të re, Monografinë “Teatri i Pejës”. Duke u mbështetur në faktin se Teatri i Pejës ishte vatra prej nga dolën aktorët më të njohur të Kosovës, të cilët pastaj, artin skenik e bënë madhështi përjetimi e loje artistike në Teatrin Kombëtar në Prishtinë (ish Teatri Popullor Krahinor) dhe më gjerë, ky krijues, tash e njëzetë vjet kishte ngulur këmbë që arritjet e artit skenik në Pejë por edhe aktorët që kontribuuan në këtë fushë, t’i përjetësojë në libër, dhe kështu, t’i hedh dritë vlerave shpirtërore dhe kulturore kombëtare, por, përmes kësaj, edhe vlerave dhe dëshmive historiografike nëpër periudha e decenie, të cilat janë një pasqyrë e rrallë dhe shumë e rëndësishme e të arriturave kulturore në Pejë, Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe të atyre kombëtare.

Në këtë vepër janë sublimuar shumë të dhëna, dëshmi, argumente dhe vlera të artit skenik dhe jo vetëm të kësaj fushe, të cilat pasqyrojnë një punë me rëndësi shumëdimensionale kulturore, e që bindshëm përforcojnë dëshminë edhe përmes të mbi 240 fotografive dhe dokumenteve të tjera, që nga fillet e artit skenik në Pejë e deri në ditët e sotme. Veç kësaj, të dhënat e shtruara për shumë të arritura dhe për shumë artistë dhe figura të njohura të artit skenik, të letërsisë dhe përgjithësisht të kulturës, shtojnë peshën por edhe zgjojnë kërshërinë e lexuesit për të mësuar më shumë jo vetëm për historikun dhe rezultatet në sferën e artit skenik, por edhe për të arriturat e të gjitha atyre figurave që sot e gjithë ditën i bëjnë nderë artit skenik, atij të filmit dhe të televizionit jo vetëm në Kosovë, siç janë: Melihate Ajeti, Istref Begolli, Ahmet Spahiu, Malo Gami, Kristë Berisha, Faruk Begolli, Ragip Loxha, Nuredin Loxha, Ramiz Loxha, Abdurrahman Shala, pastaj, Ilijaz Nushi, Ruzhdi Spahiu, Selami Taraku, Shaip Grabovci, Sejdi Berisha, Halil Gashi si dhe shumë e shumë të tjerë.

Të gjithë këta por edhe figura të tjera të artit, skenës dhe të letërsisë, në mënyrë respektive janë prezantuar në monografinë “Teatri i Pejës”, në këtë libër-dokument me rëndësi, i cili provokon edhe për shkrime të tjera kërkimore dhe studimore edhe në lëmi tjera kulturore dhe historiografike.

Ndërsa, figurat emblematike të artit skenik, të filmit, muzikës dhe të kulturës, vlerat e të cilëve i kanë tejkaluar caqet kombëtare, siç është Bekim Fehmiu dhe Nexhmie Pagarusha, provokojnë mendjen por edhe ambiciet për t’i zgjeruar dhe begatuar njohuritë përkitazi me vlerat shpirtërore dhe kulturore në Pejë, e cila e ka traditën dhe të kaluarën shumë të ndritshme, por e ka edhe namin për zhvillimin e kulturës që nga periudhat shumë më të hershme.

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha i cili deri me tash përveç shumë veprave poetike, atyre në prozë dhe nga fusha e eseistikes dhe dramës, ka botuar edhe dy monografi të tjera; atë “Zejtarët e Pejës”, e cila konsiderohet si një dokument i rrallë dhe me peshë e rëndësi të pakontestueshme historiografike dhe kulturore, e cila në vitin 2010 përjetoi edhe botimin e dytë, si dhe ka botuar monografinë “Kombinati i lëkurë-këpucëve” në Pejë, i cili, në atë kohë, për njëzetë e pesë vjet rresht, suksesshëm rrugëtoi në zhvillimin e industrisë për përpunimin e lëkurave dhe për prodhimin e këpucëve e të peliçeve, por që i dha rrugë të mbarë edhe zhvillimit të ekonomisë pejane dhe të asaj të Kosovës.

Ndërsa, me monografinë “Teatri i Pejës”, opinionit dhe lexuesve u solli edhe një dokument historik e kulturor si dritë të pashuar, e cila shërben për ta mos harruar të kaluarën por edhe për të rrugëtuar suksesshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore dhe të atyre historike, që Pejës, por edhe Kosovës dhe kombit, ende u mungojnë dhe aq shumë u nevojiten për identitetin e plotë dhe prezantimin e cilësive të civilizimit në këtë pjesë të vendit dhe të Evropës mbase edhe të botës.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: