Sejdi Berisha: Figurë e pavdekësisë dhe krenarisë në historinë e njeriun dhe të atdheut
| E Hene, 30.01.2012, 09:04 PM |

Në njëvjetorin e vdekjes së publicistit, shkrimtarit dhe gazetarit, Nazmi Lukaj

 

FIGURË E PAVDEKËSISË DHE E KRENARISË NË HISTORINË E NJERIUT DHE TË ATDHEUT

 

(Fjala që desha ta lexoj në Akademinë përkujtimore me rastin e njëvjetorit të vdekjes së gazetarit dhe publicistit, Nazmi Lukaj, e cila u mbajt në Pejë më 24 janar 2012)

 

Gjithçka ishte akt i kryer dhe jeta e tij i ngjante shkrimit të papërfunduar, sepse rrugëtimi ishte në të sosur apo edhe kishte mbaruar. Andaj, kur diçka gjithnjë më shtynte dhe më detyronte të shkruaj këtë shkrim, përherë në mendje më sillej një si mallkim apo edhe gjykim: lindja është fajtore për vdekjen! Dhe, tash pas një viti pa Nazmi Lukajn, kur dua të them diçka të madhe dhe të lumtur për te, secili mendim m’i këputë këmbët, sepse, takimet dhe bisedat me këtë njeri, përherë ishin me peshë por edhe me dhembje, sa që shpeshherë ato kalonin në fushën e mendimit të çuditshëm.

 

...Fati i kombit gjithnjë e mbërthente në atë fuqinë, por edhe në atë dhembjen e cila sikur për çdo sekondë e çdo minutë diçka i merrte nga trupi, nga zemra e shpirti. ...Kjo, ma këpuste shpirtin, sepse ajo i ngjante shmalljes me vendlindjen dhe rrugëtimit në pakthim...!

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Kështu, edhe sot më duket se po e shoh profesorin, gazetarin dhe publicistin, duke udhëtuar në trenin e madhështisë dhe të shpresës, por me kokë në dritare dhe me shikimin e derdhur në fatin e tokës dhe të njeriut që gjithnjë i konsideronte si gjëra të shenjta.

I tillë ishte Nazmiu, i cili nuk druante as nga jeta as nga vdekja...!

Duke shkruar njëherë Tolstoji, kush e di se pse, me indinjatë kishte thënë: “vetëdija e lartë e rëndon njeriun”! Dhe, nëse i referohemi këtij mendimi, gazetarin dhe publicistin, Nazmi Lukajn, një gjë e tillë kishte kohë që e kishte rënduar dhe gllabëruar. Për këtë arsye, ai, me shkrimet e veta “zbrazej” një mjete të informimit. Në gazetën “Bota Sot”, përpëlitej me tema të nxehta, të cilat e lënin pa fije gjumi. Bile, mund të ketë ndodhur që shumë herë kotja e kishte tradhtuar, kurse cigarja ia kishte djegur gishtat e dorës, ndoshta për t’ia nxjerrë edhe mendimin e fundit për shkrimin e papërfunduar. Por, nuk mjaftonte vetëm kjo! Shkrimi dhe fryma e tij gjendet pothuaj tek shumica e gazetave që botohen në Prishtinë dhe në Tiranë. Dëshira e tij për informimin e njeriut dhe të kombit, ishte si dëshira e luftëtarit: me çdo çmim për ta sjellë e përjetuar dritën dhe lirinë.

 

Sa herë që e kam takuar mikun tim, Nazmiun, me kërshëri më fliste për jetën dhe trysnin e saj, për etjen që kishte për t’i parë njerëzit vetëm të lumtur. Andaj, ecjen e shihte dhe e konsideronte si diçka të domosdoshme dhe si detyrim njerëzor. Për këtë arsye, nuk shkoi gjatë dhe e organizoi botimin e gazetës “Pavarësia”, e cila për një kohë u botua në Prishtinë. Emri i kësaj gazete kishte kuptim shumëdimensional, dhe, atë e “grahi” mirë e me sukses. Aty, u dha mundësi shumë penave dhe gazetarëve që të dëshmohen, ta gjejnë veten dhe në këtë mënyrë edhe të afirmohen. Kështu ndodhi gjithnjë, të cilën gjë e forconte edhe me disa miq e kolegë të tjerë, disa prej të cilëve nuk iu ndanë as deri në frymën e fundit dhe përtej saj!

Të tillë, më vonë e hasim edhe te gazeta “Nacional”, e cila botohet në Tiranë. Edhe këtu, ai bëri çmos që ta afirmojë kauzën kombëtare, vlerat shpirtërore dhe kulturore, por edhe ta afirmojë krijimtarinë e shumë krijuesve nga Kosova, e veçmas nga Peja, prej nga vjen edhe ai vet.

Edhe diçka. Më kujtohet edhe fjetja e tij në redaksinë e gazetës “Bota Sot”, vetëm e vetëm që t’i qëndronte besnik shkrimit dhe profesionit prej gazetarit. Kjo sakrificë, nuk mund të krahasohej dhe as të matej me asgjë, përveç se me virtytin e lartë prej njeriut të çiltër. Për këtë, shpesh e kam kritikuar, ashtu siç i kam drejtuar nganjëherë fjalë qortimi edhe për kujdesin më të madh ndaj familjes, ndaj fëmijëve që i kishte dhe i ka si lulet.

Kur bisedonim për familjen, ai ma rrëzonte mendimin tim, sepse, me përkushtim dhe me krenarinë më të madhe më fliste për fëmijët.

Po. Ashtu ishte. Krenohesha edhe unë me ata fëmijë të cilët edhe unë i kurajoja duke i përqafuar dhe duke u folur fjalë miradije për mësimet që i merrnin në shkollë.

Po, pra. Vajza e madhe, Ariana, sot është studente e dhjetësheve në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dhe shih, për madhështinë e saj, Nazmiu, prej atje, në spitalin e Tiranës, edhe pse luftonte me sëmundjen, me gëzim të madh më rrëfente:

-Sot, Ariana kishte marrë dhjetëshe...!

 

Tash them, e si mos të mburren fëmijët Ariana, Arianiti, Arianita dhe Afërdita për babanë e tyre. Ata e ruajnë kujtimin dhe premtimin për te, se do të bëhen shembull i njeriut të kësaj toke, për çfarë, Nazmiu gjithnjë ishte i etur. Se çfarë përkushtimi kishte ai në jetë, është përrallë e gjatë, e cila lumturon, hidhëron dhe përmallon.

Kur më kujtohet biseda me Nazmiun për sëmundjen e tij, për të cilën nuk kisha ditur ndonjëherë se ai luftonte dhe kacafytej me te, në ndërdije gjithmonë me flenë ajo pesha e dhembjes së tij, e cila, po të matej me ndonjë masë, do të peshonte shumë dhe do të depërtonte në thellësitë e pamatura të tokës memece. Ishim ulur në restorantin të cilin ai më shumë e preferonte, në “Tiffany”. Pasi e pyeta për familjen dhe për shkrimet për gazetën “Nacional”, ai u ndal si i stepur. Heshti duke shikuar përreth, pastaj me zë të ulët m’u drejtua:

-Ti je i pari që po të tregoj... Jam i sëmur,...

Nuk doja t’u besoja veshëve të mi.

-Po, po. Ndoshta nuk do të shkojë gjatë...!

Ia ndërpreva fjalët dhe tërë kohën e vërshova me bisedën e shpresës dhe të besimit. Mirëpo, tash fytyra e tij m’u shndërrua si në një hartë të tronditjes, që shpreh relieve të çrregulluara. Nuk dëshiroja në atë moment të besoj asgjë.

Prej tani e njihja një Nazmi tjetër, i cili qëndronte stoik, por më shumë e dëshironte vetminë dhe shëtitjen në natyrë. U dashurua në bukuritë e tokës! U dashurua në bukuritë përrallore të Pejës, në madhështinë e Grykës Piktoreske të Rugovës, të cilën e donte në mënyrën e vet, dhe sikur gjithmonë e kishte ëndërr që këtë pjesë të Kosovës ta përjetojë si qendër të madhe turistike kombëtare.

Mirëpo, të gjitha këto ma këpusnin shpirtin, sepse, ato i ngjanin shmalljes me vendlindjen dhe rrugëtimit në të sosur...!

Takimi i fundit me Ty Nazmi, ishte i pabesueshëm se, prej atij momenti nuk u pamë më. Atë mbrëmje, në shtëpinë tënde çdo gjë më dukej e rëndë. Çatitë peshonin ndryshe. Tjetër barrë banin mbi vete. Edhe shikimin që ta drejtoja më dukej ndryshe. Biseduam gjatë, por më dukej se çdo fjalë rridhte lot...!

-Ke për ta fituar edhe këtë betejë,...–i thash vetëm sa për ta bërë fjalë. Por, ai me gjithë ngarkesën shpirtërore, buzëqeshi siç e kishte zakon dhe ma ktheu:

-M’i lejo vetëm dhjetë vjet,... të tjerat po t’i fali! –mu duk se kjo fjali çdo pjesë të trupit ma lëndoi dhe ma pengoi ecjen e gjakut nëpër damarë. Ishte mbrëmje dhe nuk ndeja shumë. Në të dalë, duke u përshëndetur, ma dhuroi librin e Gjekë Marinajt “Protonizmi: Nga teoria në praktikë (Vizione letrare)”, kurse në brendinë e librit kishte shkruar: “Shkrimtarit të mirënjohur, z. Sejdi Berishës, në shenjë kujtimi e respekti. Nazmi Lukaj”! E, bashkë me libër ma dhuroi edhe një stilolaps me ngjyrë të zezë. Sepse, e dinte që i kam në qejf stilolapsat që shkruajnë zi. Dhe, çfarë të them. Libri dhe lapsi me peshuan hiq më pak se dhjetëra tonelata. Ishin zjarr që më përcëllonte. U përshëndetem,... e, kjo përshëndetje mbeti përshëndetja e përgjithmonshme me mikun tim, Nazmi Lukajn!

Kjo ndarje ishte me plot padrejtësi. Tradhtare, ishte kjo ndarje...! Tani Nazmi, të takoj vetëm në kujtime, të cilat më lënë pagjumë,... të cilat më trishtojnë.

Për fund dua të të them edhe diçka. Nazmi, para një viti pata thënë, po them edhe sot pas një viti, pusho i qetë, sepse askush nuk ka besuar se aq shumë të paskan dashtë njerëzit, numri i të cilëve, atë ditë kur të përcollëm për në shtëpinë e fundit, por edhe tri ditë radhazi gjatë ngushëllimeve, e, edhe sot i kalon shifrat e mijëra e mijëra njerëzish të të gjitha moshave. Për këtë arsye, ato ditë, edhe sot, edhe gjithmonë, emri yt i ngjanë gjerdanit të pakëputur të respektit, të dhembjes dhe krenarisë. Sa i madh ishe dhe mbete, Nazmi. Tani, qëndron si figurë e pavdekësisë dhe e krenarisë në historinë e njeriut dhe të atdheut tënd. Krenari është kjo,... s’është vdekje.

Nazmi, kjo që shkrova për ty është shumë pak,... krejt pak, sepse, je duke shëtitur nëpër damarët e gjakut tim. Andaj, sa ka vlerë shkrimi kur ti s’je më...!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: