Kalosh Çeliku: Lufta për pushtet e veshur ‘’kuqezi’’
| E Marte, 24.01.2012, 08:04 PM |

LUFTA PËR PUSHTET
E VESHUR “KUQEZI”

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Përçudi, shqiptarët edhe sot e kësaj dite “i ndjek prapa historia”. Luftë kanë bërë nëpër shekuj për pushtet. Edhe në kohën e Turqisë, edhe në kohën e Serbisë, edhe në kohën e Gjermanisë, edhe në kohën e Jugosllavisë, edhe në kohën e ”demokracisë”. Ose, siç kanë thënë Rilindasit tanë: “gjithë jetën punuan për të tjerë” e shumë pak për vete, i bënë shtete pushtuesit në dëm të Shqipërisë. Përmëtepër, kohë kjo kur ende nuk e kanë pasur dhe e kanë siç duhet një shtet natyral demokratik shqiptar.

Kurrsesi edhe në ditën e sotshme t’i bien kokës jo me gisht, po me grushta. Ndaluni, o burra shqiptar! Dorë mos vëni në rrëzimin e instituconeve shqiptare! Shtetin, himnin dhe flamurin shqiptar e kemi të përbashkët. Nuk i kemi dy-tri Shqipëri, po një Shqipëri. Faqezinjtë, që flamurin tonë kombëtar e kanë bërë flamur të partive politike, mund të mendojnë se sa parti politike kanë shqiptarët, po aq kanë edhe Shqipëri, Realiteti shqiptar e thotë të kundërtën, se ne kemi vetëm një Shqipëri. E kemi një popull. E kemi një flamur. E kemi një himn kombëtar. E kemi një Shqipëri.

Vërtetë të tjerët bëjnë luftë për pushtet, por ata me kohë i kanë realizuar shtetet e tyre demokratike. E shqiptarët edhe sot e kësaj dite ende nuk e kanë shtetin e tyre etnik shqiptar. Ju, do të thoni e kanë Shqipërinë. Po. Vetëm se, ky është një gjysëm shteti. Shumica e trojeve etnike shqiptare, fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite kanë mbetur jashtë kufijve politik të Shtetit shqiptar.

Fatkeqësisht, edhe sot të gjitha organizimet festive kombëtare ende janë me ngjyra partiake. Populli shqiptar nuk është njëpartiak. Moti ajo ideologji komuniste ka përfunduar: Hëngër fiq dhe vdiq. Publikisht e ngrej zërin: së paku na leni të marrim lirisht frymë! Datat historike shqiptare mos i politizoni deri në palcë! Shkaku se, nuk janë data historike  vetëm të një partie politike, pot të mbarë popullit shqiptar. Edhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup do ta shënojë Njëqindvjetorin e pavarsisë të Shtetit shqiptar, po jo me ngjyra të veshura partiake. Takimet nën Rrap dhe revista letrare Stili 97, kryesisht do t’i përkushtohen këtij Njëqindvjetori të pavrsisë së Shqipërisë me ngjyra poetike. Manifestim Ndërkombëtar Kulturor ky në Shkup, që këtë Njëqindvjetor do të jenë Takime nën Rrap shqiptare, po jo njëpartiake të veshura “kuqezi”.

Shqiptarët e sotshëm, njëherë e përgjithmonë duhet të pastrojnë me vetveten kryeneqe, të arriturat e Rilindasëve tanë nuk duhet t’i shndërrojnë në të arritura partiake. Populli shqiptar është Një. Nuk është dy, tri, katër e pesë parti politike. Festat kombëtare, secila parti kur është në pushtet do t’i përvetsojë si merita politike pë vete. Fotografohen para kamerave televizive vetëm fytyrat e një partie politike, në vend që të festojnë së bashku krah për krahu e qafë për qafe të gjithë politikanët shqiptar. Vaso Pashë Shkodrani e ka thënë: “Feja e shqiptarit, është shqiptaria. Unë them: Partia e shqiptarit, është shqiptaria. Edhe një herë e them publikisht: kujt i duhen këto shënime përçarëse të datave historike njëpartiake?! Popullit shqiptar jo se jo! Atëherë, ju duhen partive politike për pushtet. Fatkeqsisht, e përsëris: populli shqiptar nuk është një parti politike.

Edhe, shqiptarët e sotshëm shkaku partive politike i “përzinë kësulat”. Turren me të katra me dhunë të bëjnë “ndryshime” politike. E, harrojnë se këto ndryshime, luftë për pushtet bëhet vetëm atëherë kur të kesh shtet demokratik. Dorën në zemër, Shqipëria është shtet. Edhe Kosova. Edhe, e kuptoj luftën e tyre politike me mjete paqësore për pushtet. Po, nuk mund ta kuptoj luftën e tyre për pushtet në këtë Njëqindvjetor të pavarsisë së Shqipërisë. Kohë kjo, kur Shqipëria dhe Kosova së bashku me të gjitha trojet etnike shqiptare duhet të festojnë në këtë përvjetor madhështor. Ditenatë të punojnë për një të nesërme shqiptare. Shkaku se, Kosova është në formim e sipër të shtetit demokratik. Nuk duhet të humbin kohë duke u marrë me vteveten, luftën e klasave (partive politike) për pushtet. Merreni me mend, ende Kosova pa u formuar si shtet me të gjitha “nishanet”, shqiptarët turr të bëjnë luftë për pushet. Pushtetin, që kryngritësit ua rrëmbyen me luftë armiqve historik. E shi sot, kalorësit e arratisur të veshur “kuqezi” duan të vijnë në pushtet me protesta “paqësore”. Pavetëdije, harrojnë se pushteti fitohet me luftë, gjak. Poashtu rrëmbehet edhe me luftë, gjak. Në kohën e sotshme me votën e lirë të popullit. Dhe, rrëzohet me votën e lirë të popullit.

Kalorësit e arratisur nëpër Parti politike, Lëvizje qytetare e Shoqata joqeveritare dhe “humanitare”, në vend që të jenë një opozitë e fuqishme e partive politike shqiptare në pushtet, ato brenda një nate shndërrohen në parti politike me aspirata të sëmura për rrëmbimin e pushtetit me dhunë. Tymeflakë nxjerrin nga goja për bashkim kombëtar, Shqipëri Etnike. I skuqin sallat sportive e sheshet e qyteteve me flamuj kuqezi. E harrojnë se ai flamur e Shtet shqiptar ka ardhur përmes rrugës malore me anë të armëve. Nëpër dimër e verë. Shi, breshër e dëborë. Nëpër pusi e beteja të përgjakshme. Përmes rrebeshit të plumbave e predhave të armikut mbi kokë. Flamuri shqiptar nuk është pronë private, ose leckë me arna kujt t’i teket ta përdhosë e përbaltë, por simbol shtetëror.

Gjak është derdhur për këtë flamur kuqezi e Shtet shqipar. Gjak. Burrat e pushkës dhe penës që e zbritën fushave nuk kanë qenë të strukur në bereqetin e qeverive politike e kabinetet e presidentëve të shteteve. Grykës të pakënaqur, që në emër të popullit shqiptar duan të rrasin si thesin më shumë barkun se sa kokën.

Koha është, shqiptarët kudoqofshin nëpër botë të mos bëjnë më luftë për pushtet, po luftë demokratike për Shtet etnik shqiptar. Ende nuk është koha që këta kalorës të arratisur nëpër Parti politike, Lëvizje e Shoqata joqeveritare dhe “humanitare” të bëjnë luftë për pushtet. Tinëzisht të shfrytzojnë pakënaqsinë dhe varfërinë e popullit shqiptar për ta nxjerrë në protesta politike në rrugë. Mirë, thoni ju edhe ne si e gjithë bota përparimtare do të protestojmë në rrugë. Demokracia i ka edhe këto veprime paqësore politike qytetare. Po, pajtohem. Vetëm, populli shqiptar gjithë jetën është me protesta politike në rrugë. Problem i madh është këtë popull si ta fusim në punë, nëpër institucione. E, jo ta nxjerrim në rrugë. Popull, që lehtë e nxjerrë në rrugë, po shumë vështirë e kthen në institucionet e shtetit.Tekefundit,  shqiptarët janë në luftë paqësore, në mes të rrugës për shtet etnik shqiptar. Ditën që do të hipin në Baba Tomor, atëherë edhe do t’ju ketë hije të bëjnë luftë politike për pushtet.

Kundërshtarët politik, përveç armëve politike e ushtarake, kohën e fundit i kanë vënë në përdorim edhe librat publicistik. Fatkeqsisht, janë duke ua “marrë” bukën edhe shkrimtarëve. Turren me të katra anë e mbanë Atdheut duke i përuruar dhe shitur librat e tyre “kuqezi” të kripur me politikë përçarëse antishqiptare.

Lufta për pushtet sot nuk i ka hije as edhe Shqipërisë, që atë gjysëm shteti shqiptarëve ua la trashëgim Ismail Qemali me shokë. Shkaku, se:  shqiptarët atij Shteti historik gjatë këtij shekulli nuk i kanë shtuar nga trojet e humbura as edhe një gur në kala.

Shqiptarët në jetën e tyre politike, është koha ta duan vetveten: Shtetin e tyre shqiptar. Pse jo, edhe Kosovën heroike derisa një ditë të arrihet bashkimi kombëtar. Pastaj, të tjerët, “vëllezërit” e Njerkës. Edhe, jo rastëshisht, ne edhe në këtë Njëqindvjetor të Pavaresisë së Shqipërisë, merremi me vteveten: protesta politike në rrugë, luftë për pushtet. Armiqtë tanë shekullor siç duket i kanë shti thellë rrënjët te populli shqiptar. Fatkeqsisht, ne me këta “vëllezër” e kemi përzi edhe gjakun. Kopilat që na i kanë lënë me shekuj nëpër këmbë, sot ngrejnë krye të veshur “kuqezi”. E rrokin për fyti hapin tonë historik për Shqipëri Etnike. Edhe atë, kur?!... Tashti, kur Shqipëria në këtë Njëqindvjetor të pavarsisë ka të drejtë t’i kërkojë trojet e grabitura etnike shqiptare.

Politikanët shqiptar, patjetër duhet të ulen këmbëkryq në Odën e burrave dhe t’i bien kokës me grushta. Përkohësisht t’i lënë anash dyluftimet e tyre “kuqezi” për pushtet. Për ç’arsye deri më sot, gjatë këtyre njëqind vjetëve të Shtetit shqiptar, nuk e kanë bërë asnjë hap historik përpara, nuk e kanë lëvizur asnjë gur në Kalanë e Krujës të kryeheroit legjendar Skënderbeu?! Shtetin shqiptar, që e Shpalli me shokë Ismail Qemali në Vlorë. Mjerisht, edhe ky Njëqindvjetor i pavarsisë së Shqipërisë vazhdon të festohet me petkun e partive politike. Realitet i hidhur ky për një popull edhe këtë Njëqindvjetor, kur shqiptarët ende nuk janë të bashkuar në një shtet etnik. Edhe më vjen inati, edhe pas njëqind vjetëve, pse jemi nën nivelin patriotik të Rilindasëve shqiptar?!

Popull, të cilin e “ndjek parapa historia”…



(Vota: 166 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: