Skifter Këlliçi: Lojërat Ballkanike në sytë e një tetëvjecari
| E Diel, 02.03.2008, 09:00 PM |

Skifter Këlliçi
LOJËRAT BALLKANIKE NË SYTË E NJË TETËVJEÇARI

Kujtime nga Skifter Këlliçi, (Tiranë, tetor 1946 - tetor 2006)

Kur Loro Borici, kapiteni i skuadres sone kombetare, i ndodhur mbi podium, ngriti lart kupen qe mbante në duar, i tërë Stadiumi "Qemal Stafa" u mbulua nga brohoritjet e mijëra sportdashësve, midis të cilëve edhe unë, asokohe fëmijë tetëvjecar. Shqipëria, që sapo kishte mundur Rumaninë me golin e vetëm të Telitit, shpallej kampione e Ballkanit. Për të parën, dhe të fundit herë, zinte vendin e parë në një turne ndërkombëtar. (Për më tepër, për kurreshtje, në të parin turne në Evrpoë pas Luftës së Dytë Botërore). Ndaj po ndalem në këtë ngjarje të madhe në historinë e sportit tonë, kur janë mbushur plot 60 vjetë nga zhvillimi i saj, duke u bazuar shumë pak te librat e mi, "Historia e futbollit" dhe "Nga 2-3-5, në 4-4-2" dhe kryesisht në kujtimët e mia.

Pak histori

Po kaloja pushimet verore të vitit 1946, kur mësova nga bashkëmoshatarët e mi se në Tiranë pas disa muajsh, saktësisht në tetor, do të zhvilloheshin Lojërat Ballkanike në dy sporte, futboll dhe atletikë.Do të merrnin pjesë skuadra nga Shqiqëria, Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania.

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare Loro Borici me kupën e fitores në duar. Shqiperia është kampione e Ballkanit 1946.
Unë me tim vëlla binjak, Luanin, dhe shokë e mëhallës, u gëzuam së tepërmi. Dhe gjëja e parë që bëmë, ishte të shkonim të shihnim stadiumin, që shtrihej në kodrat e jugore të Tiranës.
E vërteta është se atje kisha qenë tre vjet më parë në kohën e pushtimit fashist..Prindërit na kishim marrë me vete në një vizitë te miq që banonin në një shtëpi nga rruga e Elbasanit, prapa Ambasadës Franceze. Dhe atje, duke bredhur, kisha mbetur i shtangur para një ngrehine të gjatë, në formë rrethi, ku vazhdonin punime.
Më pas babai më kishte thënë se italianët po ndërtonin një stadium, fjalë që unë nuk e kuptoja,ndaj ai me fjalë të tjera, më kishte shpjeguar se atje brenda do të zhvilloheshin ndeshje futbolli dhe se në shkallët rreth kësaj ngrehine do të qëndronin njerëzit, ashtu sic i kisha parë ndonjë herë në fushën e Shallvares, përballë së cilës ndodhej shtëpia jonë e Këllicëve.Ajo ishte bërë e njohur se gjatë periudhës së Mbretërisë, kur unë nuk kisha lindur ende, si selia e Sportklub Tiranës.Mbaj mënd se nga ballkoni i kësaj shtëpie,ku më pas nisi të jetonte xhaxhai im, kam parë shumë ndeshje futbolli, sikur të ndodhesha në ndonjë tribunë.
Po të kthehemi te stadiumi.Pikërisht te ajo ngrehinë që kisha parë tre vjet të shkuara,pata rast të shoh që në muajt e parë të pas Luftës disa ndeshje futbolli.Madje e para ishte ndërkombtare, midis përfaqësueses së Tiranës dhe të Maqedonisë, që tanët t e fituan 5-3. Në një tjetër, në fillim të vitit 1946, "Vllaznia" e Shkodrës mundi Tiranë 5-1. Aty për herë të parë pashë Loro Boricin dhe u mahnita nga loja e tij. Më 1 maj të po atij viti ndoqa plot kurreshtje takimin midis përfaqësueses së Tiranës dhe "Spartakut" të Moskës, ku rusët na mundën me shumë vështirsi 2-1.
Por stadiumi kishte mbetur ashtu sic e kishin lënë italianët pas kapitullimit, në gusht të vitit 1943. Mbaj mend se fusha ishte pa bar, se mungonte pista e vrapimit, portat e hekurta, muri rrethues...
 
Unë me fëmijët e tjerë të mëhallës u futëm plot kurreshtje në stadium dhe menjëherë na ranë në sy plot të rinj që po punonin krahas punëtorëve të ndërtimit.Fusha tani gjelbëronte nga bari, në pistë po shtrohej pluhur qymyri, që i jepte një pamje të murrme, pas portave po ndërtoheshin pedanat e kërcimeve dhe nga jugu, një fushë basktebolli, ku një vit më pas dotë zhvilloheshin edhe ndeshje ndërkombëtare.
Të tëra këto punime plotësuese të stadiumit, vepër e të rinjve të Tiranës, u kryen brenda pak muajsh dhe kështu ky stadium, i quajtur tashmë "Qemal Stafa", për kujtim të heroit tonë, ndonëse ai nuk kishte qeë kurrë i lidhur me sportin, ishte gati për të pritur Lojërat Ballkanike që u zhvilluan nga 6-13 tetor 1946.

Një humbje e beftë

Lojërat Ballkanike u hapën me takimin midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.Atë ditë, pasi dolëm nga shkolla, unë dhe vëllai, si dhe shokë të tjerë të mëhallës, mezi c'pritnim të shihnim këtë ndeshje.Ta pret mendja se bileta nuk kishte, sic nuk kishim edhe ne para për t'i blerë ato.Por do të bënim si të bënim, si kalamaj që ishim.

Mirëpo, vaj medet!... Të turullosur nga Ballkaniada, sic nisën të quheshin shkurtimisht këto lojëra, nuk ua kishim varur fare mësimeve. Për më tepër, detyrave të shtëpisë. Si pasojë, erdhi ndëshkimi. Prindërit nuk më lanë as mua, as vëllanë të shkonim me shokët në stadium.
I vetmi ngushullim ishte ta ndiqnim ndeshjen me radio, nëpërmjet zërit të komentatorit, që më pas do të mësoja se quhej Anton Mazreku. Ai i përshkruante ndeshjet kaq bukur, sa që mua më dukej sikur ndodhesha në shkallët e stadiumit. Nuk kaluan vecse disa minuta nga fillimi i takimit dhe Mirashi shënoi golin e parë,pas një pasimi të bukur të Parapanit. Kur britmat hovëzuese të shikuesve nuk kishin mbaruar ende, Llambi u shkëput nga mbrojta dhe, sic e përshkroi komentatori, ia kaloi topin Telitit brenda zonës së rreptësisë. E kisha parë Telitin për herë të parë kundër "Spartakut" të Moskës dhe e dija, se po ta kishte topin nëpër këmbë, bënte hatanë.Dhe kështu sic dukej ndodhi.Shqipëria brenda disa minutash udhëhiqte 2-0.
Por nuk mjaftoi me kaq. Bicaku që luante ng e majta e sulmit, krahas Boricit, ia pasoi topin Telitit, që e pa të udhës t'ia kalonte Mirashit. Pa e bërë të gjatë, ky i këputi një goditje të fortë dhë topi shkundi rrejtën.3-0!... Për fat të keq jo!Gjyqtari rumun, Istrati, nuk e quajti këtë gol, se Mirashi pakësh qenë ofsajd, pra, jashtë loje. (Të tëra këto hollësi mua dhe vëllait na i plotësuan shokët pas mbarimit të ndeshjes).
Kur filloi pjesa e dytë, vura re nga dritarja e dhomës se si qielli u nxi nga re të dëndura që, sikur të ngjisheshin, zunë të derdhnin një shi të rrëmbyeshëm.E merrja me mend se si po luhej takimi në stadium, ku fusha do të ishte mbuluar me siguri me ujë, ashtu si oborri i shtëpisë ku unë e i vëlla luanin me topa lecke.Dhe me të vërtetë ashtu kishte ndodhur.
Per dreq,si të ishin mësuar me fusha tërë llucë, jugosllavët, që duhet thënë kishin më shumë përvojë se tanët, (sic mësova më pas, kishin marrë pjesë që më 1930 në Kamponatin Botëror në Uruguaj e dy javë para Ballkaniadës kishin mundur Cekosllovakinë, nënkampione botës më 1934), shënua shpejt e shpejt dy gola.Komentatori, ndërkohë, përsëriste se fusha ishte shndërruar në mocal e megjithatë, gjyqtari bënte shenjë që ndeshja të vazhdonte.
Merret me mend se c'ndeshje po luhej. Dhe ja, në minuat e fundit Cajkovski, që ,më pas do të bëhëj nga futbollistë e njohur të Evropës, i dha topit një të goditur nga larg, sa portieri yë Dodë Tahiri, nuk mundi ta priste. Kështu jugosllvët arritën një fitore që u përcaktua edhe nga fati.
Këtë na e thanë edhe shokët që u kthyen të mërzitur nga stadiumi. Ishin bërë qull, nga koka deri te këmbët,por kishin qëndruar si heronj në shkallët e stadiumit, duke pritur atë fitore që përfaqësueses sonë i kishte rrëshqitur nga duart.

Ndeshjet e tjera dhe një fitore shpresëdhënëse

Portieri rumun Lazareonu në një pritje të vështirë gjatë ndeshjes Shqipëri-Rumani, 1946
Një ditë më pas u ndeshën Rumania me Bullgarinë. Prindërve tanë u erdhi keq që mua dhe vëllain na kishin dënuar, ndonëse edhe u gëzuan që nuk ishim katandisur si pula të lagura,ashtu si shokët një ditë më parë në ndeshjen me jugosllaët. Ata, pasi na kishin dhënë sqarime plotësuese për lojën e tanëve, ua kishin mbathur nëpër shtëpira për t'u ndërruar. Dhe, sic na thanë pastaj,, jo pa u shoqëruar nga qortimet e prindërve e pa ndonjë të flakarëesh të lehtë. Pasditja qe shumë e bukur, me një qiell të kaltër, ashtu sic ndodh ngahera në vjeshën tiranase. Disa nga shokët e mi guxuan dhe u futën në stadium duke u kacavjerë nëpër mure. Por unë, ndonëse kisha dëshirë, nuk isha nga ata burra, dhe, kësisoj, iu qepa me të tjerë kodrës pranë stadiumit.
Atëherë nuk kishte pyll plepash si tani, por tek- tuk disa drurë të vetmuar.Mora zemër dhe u ngjita si në një nga këta drurë dhe aty ndoqa tërë takimin.Për ne ky takim nuk kishte fare rëndësi, për derisa nuk ndeshej skuadra jonë.Sidoqoftë, u luajt një ndeshje e bukur, që u mbyll në paqe, 2-2. Dhe ja, erdhi dita që të ndesheshim me Bullgarinë. Befas, mësuam se në pjesën e dytë portat e mëdha të stadiumit hapeshin e mund të hyje atje pa biletë.Unë u gëzova, por, cuditërisht, jo disa nga shokët.
Ashtu si edhe në ndeshjen Bullgari-Rumani, ata vendosën të futeshin trimërisht në stadium pa biletë, duke u kacavjerrë sërishmi nëpër muret e tij..Dhe patën fat se policët që ruanin, nuk i vunë re, ose, më mirë, bënë gjoja se nuk i vunë re. Sic dukej, ndonjeri prej tyre ishte vetë baba dhe e kuptonte se fëmijet nuk futeshin për të vjedhur gjësendi, por thjesht për të parë një ndeshje futbolli.
Megjithatë, unë vazhdova havazin tim. Pëlqeva më mirë të ngjitesha në kodër e që aty t'i ngjitesha një peme, ku mund të shihja ndeshjen. Them "mund", se c'është e verteta, porta nga jugu i stadiumit, sado që të kacavireshe edhe majë pemëve, nuk dukej. Vec kësaj, edhe futbollistët dukeshin të veckël fare, si xhuxhmaxhuxhë. Unë nuk munda të shoh golin e bullgarëve në portën tonë, që, sic mësova më pas, ishte shënuar nga qendërsulmuesi Spasov, lojtari më i mirë i tyre. Aq më tepër që pas golit stadium u mbulua nga një heshtje mortore. Sëbashku me mua edhe cuna të tjerë,varur në degët e pëmëve nuk bëzamë. Mos ndoshta do ta humbnim dhe këtë ndeshje si të parën me jugosllavët?
Mirëpo nuk ndodhi kështu. Këmishat e gjelbërta, (me të tilla, dje jo me fanella të kuqe, futbollistët tanë lujatën jo vetëm gjate këtij turneu, por edhe në takimet deri më 1948), ndonëse i shihja që së largu, nga degët e pemëve, zunë të lëviznin gjithnjë e më shumë drejt portës së bullgarëve nga shtëpitë e kryeqytetit. Dhe në një rast shikova se si një futbollist yni, shtatlartë. ndonëse i rrethuar nga tre kundërshtarë, se si bëri një rrotullim e vec e kur topi i goditur prej tij, sa nuk cau rrjetën.
Stadiumi sikur u shkund si unë me shokë, e madje njeri prej tyre, duke harruar se nuk ndodhej në shkallët e tij, por majë një peme, jo larg meje, ngriti duart lart e briti "gol". Mirëpo, për fat të mirë, kur po binte teposhtë me një kollotumbë marramendëse, e shpëtoi një degë e thyer që iu fut në xhepin e pantallonave, (mirë që nuk iu fut në ndonjë vend tjetër) ...Cuni u lëkund në hava, por shpejt gjeti forca të kapej pas një dege tjetër dhe ra butë mbi bar pa pësuar gjë, vec xhepit të shqepur. (Kjo me siguri do t'i kishte shkaktuar ndonjë të shkulur veshi në shtëpi, por nuk do të kishte qenë asgjë para ndonjë dore a këmbe të thyer).
Pjesa e parë u mbyll në barazim e unë me kalamajtë e tjerë braktisëm drurët dhe u futëm në stadium, bile jo në tribunën anësore, por drejt e në shkallët përballë tribunës kryesore. Aty takuam vëllanë, Luanin, dhe trimosha të tjerë që ishin futur në stadium, duke ua hedhur policëve.
C'tju them: pjesa e dytë, pas një fillimi të qetë, qe një mrekulli. Sulmuesi i djathë. Parapani, u fut brenda zonës së rreptësisë, por, kur u bë gati të gjuante, një mbrojtës bullgar i futi një stërkëmbth.
Penallti!Të ulur në shkallët e poshtme të stadiumit, nga jugu, pamë se si Loro Borici me qetësi, pasi mori shumë vrull, gjuajti kaq fort, sa që portieri bullgar, pa lëvizur vendit, pati kohë vec të ngrinte dorën e majtë e asgjë më shumë.
Udhëhiqnim 2-1. Por, ama, për të qenë të qetë duhej dhe një gol. Dhe këtë dëshirë tonën,dhe të tërë shikuesve në stadium, e plotësoi Mirashi, kur nuk kishin kaluar vecse disa minuta nga goli i Loros.Qe një gjuatje e bukur me kokë pas një kërcimi që ai i kishte të vetin. Pas golit Mirashi u drejtua nga vija anësore, jo shumë larg nesh dhe u arrit nga shokët e skuadrës që e mbuluan me përqafime. (Duhet t'ju them se asokohe ai që shënonte gol, nuk dilte kurrë nga fusha, sic ndodh jo rrallë sot, por drejtohej tërë hare nga qendra e fushës i përgëzuar nga futbollistët e skuadrës së tij.)Pas këtij goli,bulgarët e humbën torruan e kështu Shqiqëria arriti fitorene parë me rezultatin 3-1.

Kampionë të Ballkanit!

Nuk do të zgjatem në dy takimet e tjera.Qe fat për ne që rumunët rrahën jugosllavët 2-1,të cilëve u duhej pa tjetër fitorja për të zënë përfundimisht vendin e parë.Por në takimin e fundit ata arritën të mposhtnin me të njejtin rezultat bullgarët dhe prisnin përfundimin e ndeshjes ë fundit, Shqipëri-Rumani, që u zhvillua në pasditen e bukur të 14 tetorit.
Ato ditë, jo vetëm ne, cunat e mëhallëes, por kudo, kalamaj e të rritur, nuk flisnin vecse për këtë ndeshje. Skuadrës sonë, i duhej vetëm fitorja për të qenë kampione e Ballkanit. Por, ama, fitorja u duhej edhe rumunëve. Barazimi na degdiste në vendin e tretë, kurse jugosllavët zinin rehat-rehat vendin e parë. Nga të rriturit dëgjonim se të mudje Rumaninë, nuk ishte gjë e lehtë. Ata, ashtu si jugoslavët kishin marrë pjesë jo vetëm në botërorin e parë neUruguaj, më 1930, por edhe në të dytin, në Itali, më 1934.
"Kanë eksperiencë të madhe, or vëlla!" - dëgjonim nga më të mëdhenjtë. Madje një shok yni tregonte se një mesoburrë kishte vënë në bast se, po të fitonte skuadra jonë, do të rruante mustaqet.Krenohej me to se i kishte të gjata dhe për të cilat i kishte bërë sherr të madh me dikë që ia kishte sharë me fjalët: "Të dh... mustaqet!" Erdhi më së fundi dhe 14 tetori. Mirëpo trimoshëve që aq shumë më kishin quajtur frikash, nuk ua mbajti të kacavireshin nëpër mure, se policët, këtë radhë ishin shumuar dhe i bënin sytë katër, ngaqë në tribumnë kishte ardhur qeveria me Enver Hoxhën e Koci Xoxen në krye.
Bëmë, c'bëmë dhe shpëtimin e gjetëm sërishmi te drurët mbi kodër.Dhe bëmë mirë që shkuam shpejt, se edhe kalamaj të tjerë i kishin rënë në erë kësaj mënyre për të parë ndeshjen. S'do mend, u ruajtëmë se, mos o zot, ndonjë degë do të thyhej e ndonjeri nga ne do të përfundonte këtë radhë në spital.
Shqipëria në pjesën e parë luajti me portën nga shtëpitë e qytetit, pra, nga veriu. Mirëpo, c'është e verteta, pak i pamë tanët t'u afroheshin portës kundërshtare. (Më pas morëm vesh se rumunët na kishin vënë përpara, por pa rrezikur e pastaj loja kishte kaluar pa telashe si për ne, ashtu edhe për ata). Mirëpo në pjesën e dytë, kur, u hapën portat, vërshuam më shkallët e stadiumit, por këtë radhë të tribunës nga jugu, ku mezi gjetem vend, midis mizërisë së gjindjes që kishte dyndur në stadium për të parë këtë finale të paharruar. Dhe duhet thënë se në pjesën e dytë ishim ne qe i vumë parapara kundërshtarët..Por goli nuk po dukej ende.Dhe ja, pas një sulmi të rrezikshëm portieri rumun, për të larguar topin, u ndodh bashkë me të jashtë vijes së 16-metërshit. Goditje dënimi për skuadrën tonë.
Thuajse të gjithë rumunët u vunë ne një mur të ngjeshur.Prisnim të gjuante Borici por, pasi e rregullot topin mirë e bukur, ishte Teliti, që si u mat ca, i këputi një të gjuajtur që tundi rrjeten. Në shkallët e stdiumit nuk u mor vesh se c'u bë. Në ajër fluturoni kasketa, civile e ushtarake, zhaketa, trikora, e hallku puthej e përqafohej, të njohur e të panjohur.
Mirëpo loja donte edhe 35 minuta që të merrte fund. Jo pak. Rumunët nuk kishin gjë për të humbur, ndaj u derdhën yrysh përpara. Por më kot. Ishte shumë vështirë të thyeje mbrojten tonë, me Sllave Llambin e portierin Pozeli në krye. Por edhe sulmuesit, të prirë nga Loro Borici, nuk mbetëm pas. Edhe ata mësynë.. Kur u dëgjua vërshëllima e fundit e gjyqtarit, ne, kalamajtë, nuk u përmbajtëm e deshëm të kapërcenim telat e të hidheshnim në fushë. Por ishte e pamundur, se telat

Moment nga ndeshja Shqipëri-Rumani, 1946
qenë të lartë e më tepër, me gjemba. (19 vjet më pas, gjatë ndeshjes "17 Nëntori" - "Partizani" ato do të përkuleshin nga shikuesit në tribunë, të cilët pas shembjes së një tribune portative, duke pandehur se kishte rënë tërmet, u vërsulën në fushë.)
Atëherë unë u shkëputa nga shokët, dola jashtë, u ngjita në tribunën qendrore dhe nga dera e një kabine që kishte mbetur pakëz e hapur, pashë atë që vazhdonte të komentonte ceremoninë e përfundimit të ndeshjes, pra, pashë përherë të parë Anton Mazrekun.
Ndërkohë, Loro Borici me një kurorë me dafina mbi kokë, ngriti lart kupën, ndërsa nga shkallët e stadiumi vazhdonin brohoritjet "Shqipëria, Shqipëria!" Jehona e kësaj fitoreje që u quajt historike, vazhdoi për disa ditë.Kudo nuk flitej vecse për këtë ngjarje të madhe.Dhe në fakt e tillë ishte.
Vec kësaj,ne, kalamajtë e mëhallës sonë, u shqyem së qeshuri dhe me një qyfyr. Ai mesoburri, që kishte premtuar se do të rruante mustaqet në rast se Shqipëria do të bëhej kampione e Ballkanit, sic na shpjegoi cuni i mëhallës tjetër, së pari kishte bërë bisht, por bastaxhinjtë e kishin marrë me pahir, e kishin vënë në fronin e berberit që ia kishte rruar ato fët e fët.
I shkutër e thatim,sic ishte, tërë burrërinë e kishte mbajtur, sic dukej, te ato mustaqe.Ishte bërë pikë e vrerë, por shokët e kishin ngushulluar duke i thënë se tashmë këteje tutje nuk do ta shante njeri me fjalët: "Të dh... mustaqet!..." sic i kishte ndodhur dikur. Ndaj do të bënte mirë që në të ardhmen të mos i mbante fare.

Cilët ishin heronjtë e Ballkaniadës?...

Kur në mars të vitit 1999 u largova nga atdheu për në SHBA, pata rast të takohesha me Pal Mirashin. Ishte "i fundit i mohikanëve", po të perifrazoj titullin e një roman të shkrimtarit ameriak, Kuper. Të tjetët ishin ndarë nga ne në vite.
Po përpiqem t'ua kujtoj lexuesve:

Dodë Tahiri

Portier i "Vllaznisë" së Shkodrës, dy herë kampione më 1945 dhe 1946.Luajti në dy takimet e para kundër Jugosllavsë dhe Bullgarisë. Shquhej për pritjet e gjuajtjeve nga lart. Ma pas vazhdoi të luante përsëri me skuadrën shkodrane. Më 1948 u hap fjala se ishte arratisur në Jugosllavi. (Dhe do të vinin vitet 70-të që "Vllaznia" të gjente një një tjetër portier të vërtetë, Ndojën, që megjithatë, nuk luajti gjatë për arsye biografie.)

Xhakomino Pozeli

Me origjinë italiane, portier i "Flamurtarit" të Vlorës, luajti vetëm në takimin e fundit vendimtar me Rumaninë. Shumë i kujdeshshëm, sidomos në dyluftimet e afërta me kundërshtarët, sic e mbaj mend në ndeshjen që na dha titullin kampion. Deri në vitin 1948, kur u riatdhesua në Itali, mbrojti dhe pesë herë të tjera portën e kombëtares, në takimet me Bullgarinë, Hungarinë, Jugosllavinë, përsëri me Rumaninë në Bukuresht më 2 maj 1948, që i solli fitore skuadrës sonë, si dhe në dy barazimet historike kundër Hungarisë në Tiranë dhe Jugosllavisë në Beograd pas disa javësh, të cilat e vunë atë në vendin e parë në Kampionatin e Evropës Qendrore. (Ky kampionat mbeti i papërfunduar për shkak të prishjes së marrëdhënideve me Jugoslavnë, në qershor 1948).
Pozeli erdhi përëri në Shqipëri në vitet e para pas shembjes së komunizmit. Dhe qe mik i familjes së Xhavit Demnerit, futbollistit të njohur të Kombëtares dhe "17 Nëntorit". Për fat të keq, nuk e gjeti gjallë. Djali i tij, Fatmiri, sot kryeredaktor i "Sport Ekspresit", e shoqëroi dhe i kushtoi një shkrim këtij italiani të shqiptarizuar, që nuk e harroi vendin tonë. Uroj që edhe sot të jetë gjallë e shëndoshë. Do të ishte i vetmi...

Muhamet Dibra

Mbrojtës i djathtë i "Vllaznisë". Zuri vend në kombëtare që në takimin e parë miqësor të saj me Malin e Zit, të zhvilluar në Shkodër, disa javë para fillimit të Ballkaniadës, ndeshjet e së cilës i zhvilloi të tëra. Mbeti mbrojtës i djathtë i kombëtares deri më 1952, duke zhvillur me të 19 ndeshje ndërkombëtare.
E kam njohur së afërmi në maj të viti 1948, kur isha dhjetë vjec. Kombëtarja po bënte stërvitje në fushën e Shallvares dhe unë po sajoja një "komentim" të ndeshjes, duke imituar Anton Mazrekun. Dibrës i bëri përshtypje dhe më tha që para ndëshjes me Hungarinë, që u mbyll, sic e përmenda më lart, 0-0, ta prisja para hotel "Dajtit", nga ku më mori me vete dhe më futi në stadium, ndërsa shokët e mi mezi gjetën bileta për këtë ndeshje.
Më 1972 pata rast të bëj me të një intervistë për filmin e gjatë dokumentar "Nëpër fushat e futbollit", që u shfaq në kinematë e vendit.U habit kur mësoi se vite më parë, ai djali i vogël, që kishte marrë me vete në stadium, kisha qenë unë. Me sa mora vesh më vonë kishte humbur jetën pas në një aksidenti automobilistik.

Sllave Llambi

Qendërmbrojtës i "17 Nëntorit" dhe i kombëtares. Në fund të viteve 30-të kishte luajtur në radhët e SK Tiranës kampione, të drejtuar nga Selman Stërmasi. Ishte aktivizuar edhe në Itali me skuadra vendase gjatë fillimit të viteve 40-të. I ndihmur nga elastiticeti, shquhej për kërcimet në ajër, (jo më kot ishte edhe atlet i kërcimit së larti). Me kombëtaren deri më 1950 zhvilloi 19 takime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe tri ndeshjet e Ballkaniadës, pa u ndarë nga "Partizani" që edhe drejtoi për disa vite.
E kam njohur shumë vonë nga fillimi i viteve 80-të, kur shkruaja librin me titull "Nga 2-3-5...", kushtuar evoluimit të sistemeve taktike të futbollit shqiptar. Pas disa kohësh mora vesh se ishte ndarë nga ne.

Rexhep Spahiu

Mbrojtës i majtë i ?17 nëntorit? dhe i kombëtares në të të trija takimet e Ballkaniadës. Vërtet shtatshkurtër, por shumë i shkathët. Gjatë vitëeve 40-të kishte luajtur më "Shprefenë", e cila takimet me skuadrat ushtarake italiane gjatë pushtimit, i kishte kthyer ato në shfaqje të urrejtjes ndaj pushtuesve fashistë. Deri më 1952 zhvilloi 18 ndeshje më kombëëtaren dhe gjatë kësaj kohe u aktivizua me "Partizanin". Më pas qe edhe trajner i kësaj skuadre, e cila nga viti 1956 e deri 1961 u shpall pesë herë kampioneE kam njohur në fillim të viteve 60-të, kur e kam intervistuar disa herë në "Rubrikën Sportive" të Radios e pastaj të TV-së.

Xhavit Demneri

Futbollist i "17 Nëntorit", luajti vetëm në takimin parë kundër Jugosllavisë, sespe u dëmtua rëndë. Ishte gjysmëmbrojtëës i djathtë. Edhe ai, si Spahiu, kishte luajtur në radhët e "Shprefesë". Shquhej për teknikë të lartë. Përvoja e madhe i vleu kur nisi të punonte si trajner i të rinjve të "17 Nëntorit". Ishte ai që në fund të viteve 50-të e fillimi i viteve 60-të zbuloi talente të tilla si Pano, Frashëri, Halili, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka, Bytyci, vëllezërit Ali dhe Osman Mema etj., që u bënë lavdia e skuadrës tiranase, disa herë kampione, dhe përfaqëësueses sonë.
Për fat të keq, u shkrua shumë pak për të. Megjithatë, djalë 19-vjecar, në vjeshtë të vitit 1957 pata botuar një portret për të në faqet e "Sportit Popullor". Më pas u bëmë miq të ngushtë, sepse isha dhe koleg i birit të tij, Fatmirit, që në nga fund i viteve 70-të u bë ndër radiokronistët sportivë më të mirë të Radio Tiranës.
Në ceremoninë e varrimit të tij, në fillim të viteve '90-të morën pjesë plot e plot sportdashës, duke përfshitrë edhe ish-futbollistët e mësipërm.

Bahri Kavaja

Zëvendësoi Xhavit Demnerin në takimin tjetër kundër Bullgarisë, për t?u zëvensdësuar pastaj edhe ai nga i riu Besim Fagu, i cili luajti edhe në takimun e fundit kundër Rumanisë.
Kavaja, duke qenë pjesëtar i kombëtares më 1950, së bashku me futbollistin tjetër, Bule Vathi, u bë në Dardanele të Turqisë, protagonist i një arratisjeje spektakolare, duke u hedhur nga një anije që po e transportonte kombëtaren tonë në një turne jashtë shtetit. Të dy, pasi qëndruan disa ditë në Stamboll, ia nisën një aventure, që Kavajën e coi, të mos gaboj, në Zelandën e re dhe Vathin në Amerikë.

Besim Fagu
 
Luajti gjatë tërë ndeshjes kundër Rumanisë. Për shumë vite, do të bëhej qendërmbrojtës i pazëvendësueshëm i kombëtars dhe "Partizanit". Deri më 1958 zhvilloi me përfaqësuesen 13 takime ndërkombëtare.
Në gusht të viti 1999, kur nuk kisha vecse disa muaj që ndodhesha në SHBA, mora vesh lajmin e hidhur të vdekjes së tij dhe menjeherë shkrova një portret, me titull "Postblloku Fagu", që u publikua në faqet e gazetës shqiptaro-amerikane "Illyria", e cila botohet në Nju Jork. Vec kësaj, ashtu si Dibrën, e kam intrevistuar në filmin dokumentar të "Kinostudios shqipoëria e re" kushtuar historisë së futbollit tonë, (1972).

Bimo Fakja

Futbollist i "Vllaznisë", luajti gjysmëmbojtës i majtë i kombëtares në të tria takimet e Ballkaniadës. Deri më 1948 zhvilloi 6 takime me kombëtaren, pa u ndarë nga skuadra shkodrane, ku gjithnjë u shqua si gjysmëmbrojtës i majtë.

Aristidh Parapani
 
Futbollist i "17 Nëntorit" e më pas i "Partizanit", luajti sulmues i djathtë. Ashtu si Xhavit Demneri dhe Besim Fagu, vinte nga skuadrat e lagjeve te fillimit të viteve 40-të. Luajti në të trija ndeshjet e turneut të Ballkaniadës dhe u shqua për depërtimet dhe harkimet e topit në zonën e rreptësisië kundërshtare. Mori pjesë deri më 1952 në 18 takime ndërkombëtare me përfaqësuesen. Prej tij kam një kujtim "të hidhur". Në pranverë të viti 1949, kur isha nëntë vjec, po qendroja prapa njërës prej portave në fushën e Shallvares, ku Parapani me shokë po bënin stërvitje. Ai befas gjuajti një top fluturimthi, që pasi u përplas në rrjetë, më goditi në stomak. Pata dhëmbje e mezi mbajta lotët. Tici, sic e thërrisnin shkurtimisht, vrapoi drejt meje të më ndihmonte. Vite më pas, kur u bërë gazetar, kemi qeshur së bashku tek ia kujtoja këtë ngjarje. Kur u nda nga ne, në verë të vitit 1979, pas ceremonies së varrimit, me ish-shokë të skuadrës kujtuam Ticin dhe ndeshjet e famshme të Ballkanidës së '46-ës.

Qamil Teliti

Luajti gjysmësulmues në të trija ndeshjet dhe u shqua sidomos në takimin e fundit me golin fantastik kundër Rumanisë. Kishte nisur të aktivizohej me "Besën e Kavajës" në fund të viteve 30-të. Më pas luajti me "Partizanin", "Dinamon" dhe me "17 Nëntorin". Me kombëtaren luajti deri më 1952 11 herë. Ishte shumë i fuqishëm, kishte forcë depërtuese dhe ishte i pakrahasueshëm me goditjet me të djathën.

Loro Borici

Qendërsulmues, u bë që atëherë simboli i futbollit shqiptar. Kishte nisur të luante që më 1938 me "Vllazninë", kur nuk ishte vecse 16 vjec, duke premtuar se do të bëhej futbollist i madh. Në fillim të viteve '40-të, gjatë studimeve universitare në Romë, luajti më "Lacion". U shqua si qendërsumlues krahas Piolës, qendërsulmuesit të axurrëve, kampionë të botës më 1938. Me kapitullimin e Italisë fashiste u kthye më 1943 në Shkodër. Nga viti 1945-47 luajti me "Vllazninë" e pastaj me "Partizanin", trajner i të cilit u bë më pas. Ishte i domosdoshëm në të tria ndeshjet e kombëtares gjatë Lojërave Ballkanike, si dhe në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësuess sonë, ku luajti deri më 1957 24 herë.
Loroja ishte i kujdesshëm në lojë e përpiqej të mënjanonte ndërhyrje rënda e, për më tepër, t?i dëmtonte, qoftë edhe pa dashur kundërshtarët. Por zemërohej kur ndaj tij mbrojtësit shkaktonin pa vend. Më kujtohet një episod domethënës në takimin me Hungarinë, të zhvilla më 25 maj të vitit 1948, të cilin e kam përmendur në pjesën e parë.
Portieri Tot nuk arriti të zotëronte një top të fortë dhe Borici, me intuitën e një lojtaritë zgjuar, iu shkëput mbrojtësve kundërshtarë. U ndodh para topit aq sa edhe Toti. Mund të gjuante, mund ta kalonte topin mbi trupin e portierit, por edhe mund ta godiste atë rëndë në fytyrë, kokë, ndaj kërceu mbi të. Ishte një rast i rrallë për të shënuar dhe për ta fituar atë ndeshje.
Besim Hamdiu, punonjës i stadiumit, që ma pas do të bëhej gjyqtar i njohur, që ndodhej pranë meje, nuk u përmbajt e briti: "Ah, mor Loro, i butë që i butë mbete edhe atëherë kur nuk duhet!"
Edhe një rast tjetër: Në pranvertë të vitit 1953 "Dinamo", megjithë përpjekjet e "Partizanit", vazhdonte të udhëhiqte 1-0.Befas, pas një harkimi nga e djathta, portieri dinamas, legjendari Vogli, e mbërtheu topin me kërcim, i shtyrë, sipas tij nga një sulmues kundërshtar. I inatosur me këtë veprim, ai e vendosi topin në tokë duke pritur një goditje dënimi nga gjyqtari. Të tërë futbollistët përreth, dinamas a partizanas, as që u kujtuan fare, kurse Borici, që ishte disi më larg tyre, cau si rrufe midis tyre e me majën e këpucës e dërgoi në rrjetë. Vogli qeshi me Loron dhe po duke qeshur iu kthye gjyqtarit, i cili bëri me dorë nga qendra e fushës. Gol! Përderisa nuk ishte dëgjuar bilbili i tij, loja kishte qenë e rregullt. Takimi u mbyll kështu 1-1.
Komentatori i njohur, Anton Mazreku, më thoshte për Boricin se, kur e kishin parë të luante më 1947 në Budapest, hungarezët kishin thënë të mahnitur se ai mund të kishte qenë fare mirë edhe qendërsulmues i Hungarisë. E të mos harrojmë se në këtë rol në përfaqësuesen hungareze aktivizohej atëherë i famshmi Hidegkuti.
Loroja, duke parandier zhvilllimet e futbollit ndërkombëtar, ishte i pari futbollist shqiptar që nisi të luante si qendërsulmues i tërhequr, pa e ditur që këtë rol kishte nisur ta interpretonte Hidegkuti në përfaqësuen hungareze. Në këtë rast, dy gjysmësulmuesit zhvendoseshin në një vijë me sulmuesit anësorë. Ishin fillimet e një skeme taktike, 3-3-4 që më pas do të shpinte në sisitemin 4-2-4, i cili u përkrye nga brazilianët, dy herë kampionë të botës, më 1958 e 1962 dhe u përhap në botë.
Borici u shua në ditë qershori të viti 1982 nga një sëmundje e pashërueshme. Për të kuptuar edhe më shumë popullaritetine tij, po kujtoj një ngjarje të thjeshtë. Vite më parë, kur po vizitoja varret e prindërve të mi, kalova edhe nga varri i Loros, në krye të të cilit bie në pah një profil i tij në relief, me vështrim nga jugu, sikur ai ende sheh nga stadiumet e Tiranës, ku kaloi një jetë të tërë. Aty diku, një fëmijë i vogël po mblidhte lule. "Ke dëgjuar për Boricin" - e pyeta. "Ka qenë nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë", - m'u përgjigj.
Më 1999 i kushtova atij shkrimin "Loroja i topit - Loroja i të gjithëve", që u botua te "Illyria" e Nju Jorkut.

Vasif Bicaku
 
Luajti gjatë ndeshjeve të Ballkaniadës gjysmësulmues i majtë.Vinte nga SK Tirana e famshme e fundit të viteve 30-të. Binte në sy për teknikën e lartë dhe me e Boricin formonte një cift të goditur, që vazhdoi edhe më pas kur të dy luajtën krahas me "Partizanin". Me kombëtaren zhvilloi deri më 1949 në 13 ndeshje ndërkombëtare. Pas vitit 1950 luajti me "17 Nëntorin" edhe u transferua për "arsye" biografie në Fier.

Pal Mirashi

Sulmues i majtë luajti edhe ai më të trija ndëshjet e Lojërave Balkanike. Shquhej për kërcimet dhe gjuajtjet me kokë. Vec golit me Bullgarinë, për të cilin kam folur më lart,shënoi dhe golin e fitores me Rumaninë në Bukuresht, më 2 maj të viti 1948, që na dha fitoren e parë dhe të fundit të kombëtares jashtë vendit, deri më 7 qershor 1995, kur ajo mundi në Kishinjov Moldavinë 3-2.
Me përfësuesen zhvilloi 9 takime ndërkombëtare. Luajti edhe me "Dinamon" e porsa - formuar më 1950 që, madje, u shpall edhe kampione, por u largua nga skuadra e Ministrisë së Brendshme për "cështje biografie" dhe e mbylli më pas veprimtarinë në radhët e "17 Nëntorit" e më pas mësues i kulturës fizike.
Kur u ktheva në Shqipëri në verë të vitit 2004, më erdhi shumë keq kur mora vesh se Pali nuk jetonte më. Ishte i fundit nga kampionët e Ballkaniadës.

Brocic
 
Pas prishjes së marrëdhënieve në Jugosllavinë, sic thashë më lart, në qershor të vitit 1948, emri i trajnerit të kombëtares sonë gjatë turmeut të futbollit në Lojërat Ballkanike, mbeti i varrosur. Ai ishte kroati Brocic, një burrë shtalartë, flokverdhë dhe tepër miqësor edhe me ne, fëmijët. E kisha parë gjatë një strëvitjeje të kombëtares sonë në Shallvare kur na buzëqeshte përzemërsisht.
Brocici pati meritë të madhe, sepse diti që futbollistët e mësipërm, brenda, kësaj kohe të shkurtër, t'i përshtaste të luanin sipas sistemit WM, i cili nuk njihej në vendin tonë. Deri atëherë skuadrat tona njihnin sistemit piramidor, (portieri, dy mbrojtës anësorë, tre gjysmëmbrojtës dhe pesë sulmues në një vijë).
Si pasojë e punës së tij këmbëngulëse, Llambi nuk luajti si deri atëherë centerhalf, sic quhej në anglisht, pra, midis dy gjysmëmbrojtësve, por midis dy mbrojtësve anësorë, Dibra dhe Spahiu. Po ashtu, nga vija sulmuese, Teliti, nga e djathta dhe Bicaku, nga e majta, u zhvendosën prapa, gjithnjë në krahë të Boricit,duke formuar së bashku me dy gjysmëmbrojtësit, Demneri,(Kavaja) dhe Fakja, që quheshin hafa, (përsëri nga anglishtja: half-pra gjysmë), atë që në sisemin WM njihet me emrin "katrori magjik".
Aty nga fillimi i viteve 60-të emrin e Brocicit e kam hasur në shtypin e huaj kur ai kishte vite që drejtonte skuadra spanjolle, fakt që dëshmonte se ai ishte i cmuar në futbollin evropian.

Anton Mazreku
 
Nuk pati ndikim të drejtperdrejt në këtë fitore të madhe të kombëtares sonë në Ballkaniadë, por, me komentet e tij nga mikrofoni i Radio Tiranës, u përcolli shqiptarëve, kudo që ndodheshin, minutë për minutë, episodet emocionuese të ndeshjeve të kësaj veprimtarie të madhe. Vec kësaj, qe edhe bashkautor i një libri-album që i kushtua Lojërave Ballkanike, ndaj edhe ai është pjesë përbërëse e këtij suksesi.
E kishte filluar punën në mikrofon që në shtator të vitit1938, duke kometuar një ndeshje në Shallvare, për ta përfunduar në verën e vitit 1969, kur vdekja e parakohshme e ndau nga familja dhe bota sportive, duke mbetur, gjithsesi, i paharruar si ish-futbollist i fillimit të viteve 30-të me "Skënderbeun" e Korcës, pastaj si kryredaktori së parës gazëtë sportive, "Sporti Shqiptar", që e krijoi vetë, (1935-1939) dhe si themeluesi i gazetarisë sportive radiofonike shqiptare.
E njoha, së pari, në një pasdite të vitit 1950 në Shallvare ku, si pë të kujtuar rininë, po gjuante disa topa në portë, ashtu i veshur me kostum. Atje, i shtyrë nga disa bashkëmoshatërë e të tjerë, nisa ta imitoj në mikrofon, duke ngjallur kurreshtjen e tij e pas nëntë vjetësh, tashmë gazetar në Radio Tirana, nisa bashkëpunimin me të në mikrofon, për ta kujtuar gjithnjë edhe në krijmet e mia letrare e publicistike.

Refreni i një jehone...

U bënë më shumë se shtatë vjet që jam ndarë nga mikrofoni dhe kamera sportive, ku për 40 vjet, me disa ndërpreje,(1959-1999), krahas kolegëve të mi, Anton Mazreku, Ismet Bellova dhe më të vonëshmëve, Aleko Gjergo, Veli Rada, Fatmir Mëneri, Ymer Kurti, Frederik Fico, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo e të tjerë, kam komentuar plot e plot ndeshje futbolli.
Por edhe këtu në Boston, ku jetoj, ndjek futbollin tonë e botëror në TV dhe internet e, madje, edhe shkruaj për ta. Eshtë e pamundur të shkëputem nga ky pasion fëminor që lindi që më 1946, që me Lojërat Ballkanike të tetorit të vitit 1946, krahas një pasioni tjetër të madh, krijimtarisë letrare e publicistike, që e vazhdoj gjithnjë, edhe në faqet e kësaj gazete.
Por, edhe të dua, nuk mund të shkëputem. Pallati ku banoj, ndodhet jo larg një fushe, që më kujton Shallvaren e viteve 40-50-të, ku shoh djem e, vecanërisht, vajza amerikane që luajnë futboll,sport që është bërë shumë popullor midis tyre. Jo vetëm kaq, por, sipas rasteve, ndjek edhe ndeshje në stadiumin e ri, modern, "Foksboro" në periferi të Bostonit.
Kur largohem që andej, më përcjell një jehonë.Cuditërisht nuk vjen nga "Foksboro", por nga larg, shumë larg. Kjo jehonë më bëhet se vjen nga stadiumi "Qemal Stafa", nga sa e sa ndeshje të zhvilluara atje e, sidomos, nga ato ndeshje të paharrruara të kombëtares sonë, që na dhanë atë fitore të bujshme në Ballkaniadën e '46-ës, ngjarje të së cilës ua kujtova lexuesve, me sytë e një tetëvjecari, aq sa kam qenë atëherë, me dëshirën që futbollistët e sotëm të kombëtares sonë të tilla fitore t?i përsërisin në takimet që do të vijnë.

Shtator 2006


Shkoder.net

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: