Frank Shkreli: Mirë se vjen Viti i Shqiptarëve
| E Premte, 30.12.2011, 02:58 PM |

MIRË SE VJEN VITI I SHQIPTARËVE

 

Nga Frank Shkreli

 

Jemi në prag të Vitit të Ri të 2012.  Është një rast që si individë dhe si familje vlerësojmë të arriturat dhe sukseset por edhe reflektojmë mbi  të metat e gabimet e vitit që kaloi. Në të njëjtën kohë, fillimi i Vitit të Ri, përbën një rast të mirë për një angazhim e ri-dedikim të ri për të përcaktuar  për veten objektiva të reja për tu realizuar gjatë Vitit të Ri.   Festa e Vitit të ri është, pra, një rast i mirë për të ndërmarrë një fillim të ri në përcaktimin e realizimit të objektivave të reja,  si individë, si shoqëri dhe si komb.

Secili prej nesh përcakton objektivat dhe merrë vendime për ato që shpreson të realizojë gjatë Vitit të Ri, duke përfshire një përkujdesje më të mirë për shëndetin, për të gjetur një punë më të mirë për tu kujdesur më shumë për familjen, për të ndaluar pirjen e duhanit, e tjera.  Si komb, me gjithë problemet me të cilat përballet sot ai në të gjitha trojet e veta në Ballkan, kombi shqiptar ka mjaft arsye të festoj këtë Vit të Ri për sukseset e arritura deri tani në këtë përvjetor jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.  Por, në të njëjtën kohë është edhe një rast i mirë që të reflektojë dhe të përgatitet për sfidat që e presin kombin në 100 vjetët e ardhëshëm. Lufta për liri, demokraci dhe pavarësi është një përpjekje e vazhdueshme pasi ajo është çmimi i lirisë së vërtetë të një kombi.  Nën tiraninë komuniste, shqiptarët pësuan vuajtje të tmershme me humbjen e lirisë dhe të pavarësisë personale, me një çmim të lartë për mbarë kombin. Prandaj, përpjekjet për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë, qoftë lirinë individuale qoftë atë kombëtare, duhet të jenë të pa ndërprera dhe të patundura.

Kështuqë, ndërsa festojmë Vitin e Ri 2012,  le të betohemi në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë për tu ri-këthyer në rrugën dhe në frymën e Nëntorit 1912, si dhe në frymën, objektivat dhe qëllimet e Lidhjes së Prizrenit, e cila shpërtheu vrullin e rilindjes së kombit shqiptar, por edhe të Besëlidhjes së Lezhës me 1444 nën kryesinë e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, që populli shqiptar të jetonte i lirë, i pavarur dhe me nder në tokat e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tij.   Këto objektiva janë aktuale edhe sot.

Por besoj se megjithë sfidat me të cilat përballet sot kombi shqiptar, shqiptarët janë në mes të një rilindjeje të madhe kombëtare.  E vetmja gjë që mund të ndalojë dhe të sabotojë këtë ringjallje historike janë përçarjet politike midis vetë shqiptarëve dhe vetkënaqësia me gjëndjen aktuale.  Është normale që  në një demokraci funksionale të këtë përçarje dhe mosmarrveshje politike ose taktike, por nuk duhet lejuar që këto mosmarrveshje të sjellin uj në mullirin e kundërshtarëve të interesave kombëtare të shqiptarëve, ashtuqë të mos ndalohet ose mos Zot të shuhet ky vrull ringjalljeje epokale.  Dhe ata që janë të kënaqur me gjëndjen aktuale janë ata që besojnë se sfidat janë tepër të mëdha për tu përballuar, ose mendojnë se fitorja sigurohet pa bërë gjë.  Kështu nuk mendonte as nuk vepronte Gjergj Kastrioti me trimat e tij, kështu nuk mendonin të parët tanë në Prizren, aty ku u mblodh e gjithë Shqipëria, dhe kështu nuk mendonin burrat e mbledhur në  Vlorë 100-vjetë më parë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare për t’i deklaruar botës se shqiptarët do të jetonin më vete, të lirë e të pavarur, mbrenda kufijve ku flitej gjuha shqipe.

Lufta dhe përpjekjet e  vendosura të brezave të mëparshëm të shqiptarëve gjatë historisë për realizimin e qëllimit kombëtar për të siguruar bekimet e pavarësisë, lirisë, demokracisë dhe të dinjitetit njerëzor për çdo pjestar të kombit shqiptar  – megjithëse jo i realizuar plotësisht – kanë dhanë më në fund rezultatin e lirisë dhe demokracisë që gëzojnë sot shqiptarët kudo, si ansjëherë më parë në historinë e tyre.  Megjithëse misjoni nuk është kryer, në këtë Vit të Ri dhe në këte jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë --me gjithë mend e zemër të  festojmë  të kaluarën --dhe  ndërkohë duke luftuar ‘’intrigat e huaja dhe komeditë e mbrendshme’’,  brezi i ri të përgatitet që të përballojë sfidat e ardhëshme gjatë 100-vjetorit të dytë,  bazuar në vlerat dhe themelet morale të parardhësve, të cilët me respekt për njërin tjetërin dhe duke venë interesat e Atdheut mbi ato personale, bënë të mundur këtë përvjetor që festohet me krenari më 2012.

Prandaj, sipas Ilia Dilo Sheperit, këtë Vit të Ri që shënon edhe  100- vjetorin jubilar të pavarësisës së Shqipërisë: ‘’Mblidhuni bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh të Atdheut! Faluni! Përunjuni përpara këtij Senotafi të shënjtë! Adhuroni shpirtërat e Dëshmorëve! Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!  Gëzouni o Shqiptarë t’arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt’e bukur  që fluturoni në qiellin e Shqipërisë. Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju lumenj dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju o Dëshmorët e shenjtë t’Atdheut. KURAJO, DURIM DHE SHPRESË TI O SHQIPËRI’’.  (Ilia Dilo Sheperi)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: