Flasin këngëtaret Artiola Toska, Rozana Radi dhe Maja Aliçkaj
| E Enjte, 29.12.2011, 01:18 PM |

Emigrantët preferojnë këngët popullore patriotike

 

Albert ZHOLI

 

Ditët e Festave të Nëntorit tri këngëtaret e mirënjohura, Artiola Toska, Rozana Radi, Aliçkaj, nën drejtimin e grupit muzikor “Albanët”  e drejtuar nga Gojard  Kodra dhanë disa koncerte në Itali të ftuar nga shoqata të ndryshme shqiptare në këtë vend.. Për mëse katër ditë grupi “Albanët” kanë lëvizur në qytete të ndryshme italiane, duke ndezur atmosferën e festive për emigrantët shqiptarë. Tashmë bashkëpunimi i grupit “Albanët” me këto tri këngëtare i ka kaluar të pesë vitet bashkëpunim, i cili tregon për rezultate dhe profesionalizëm pasi ftesat për koncerte kanë shkuar deri në Australinë e largët.

Artiola Toska

Si jeni ndjerë në koncertet e nëntorit në Itali mes emigrantëve?

Si mos më mirë! Me grupin muzikor “Albanët” kam disa vite bashkëpunim, por koncertet e fundit në Itali kanë qenë ndër më mbresëlënëset. Kanë qenë rreth 4 ditë aktivitet në qytet të ndryshme, ku me të vërtetë lodhja na është fashitur nga entuziazmi i emigrantëve.

Pse kanë qenë të veçanta këto ditë?

Pasi jo vetëm që kemi pasur aktivitet për çdo natë, por kemi lëvizur në disa qytet dhe s’e kemi ndjerë lodhjen. Në çdo koncert ka pasur shumë spektatorë sikur të ishe në Shqipëri, ndërsa entuziazmi ka qenë dhe më i madh se në Shqipëri. Kur mbaronim koncertin, s’mund të ndaheshe nga emigrantët, pasi ata donin të dilnin na fotografi me të gjithë grupin. Gjatë gjithë kohës që jepnim koncert, patjetër individë apo familje emigrantësh kërkonin që të dilnim në fotografi.

Keni patur ndonjë mosmarrëveshje midis jush?

Aspak. Përkundrazi ne kemi kaluar në mënyrë të shkëlqyer. Kemi pasur një bashkëpunim perfekt pa asnjë kontradiktë.  

Kush ka pas më shumë duartrokitje kur dilnit në skenë?

S’mund të thuash se unë apo Radi apo Maja ka pasur më shumë se tjetra. Gjatë gjithë kohës që kemi kënduar duartrokitjet kanë qenë të pandërprera, për të mos thënë që të gjithë spektatorët këndonin së bashku me ne. Jemi ndjerë mirë, sepse dhe organizatorët shqiptarë në Itali kishin punuar me kujdes.

Cilat këngë janë të preferuara për emigrantët?

Unë kam repertorin tim me këngë karakteristike të Shqipërisë së Mesme. Por dua të them se këngët më të preferuara kanë qenë dhe mbeten ato me karakter patriotik.

Rozana Radi

Ndjeheni e lodhur pas kthimit nga Italia pas disa shfaqjeve të suksesshme?

Kur merr pjesë në koncerte apo shfaqje të tilla ku spektatori të respekton më maksimum, mund të them se nuk ndihesh fare e lodhur, përkundrazi, ndihesh e motivuar.

Kohët e fundit më shumë shkoni jashtë se në atdhe. Është zgjedhja juaj?

Jo! Është zgjedhja e spektatorit dhe e organizatorëve. Kanë qenë lëvizje të detyruara për shkak të preferencave. Shikoj se koncertet jashtë kanë më shumë gjallëri, më shumë entuziazëm. Emigrantët me kalimin e viteve janë më të dashuruar me atdheun. Edhe vetë ka filluar të më pëlqejë të jem në lëvizje dhe të jap shfaqje jashtë atdheut.

Kjo për shkak të përfitimeve ekonomike?

Edhe ajo qëndron. Sigurisht, fitimi ka qenë më i madh dhe më i sigurt. Por edhe s’dua të jem gjithmonë në Tiranë. Lëvizja në emigracion të jep shumë eksperienca për mënyrën e menaxhimit të vetvetes. Së fundi këngëtarja atë qëllim ka, të lëvizë, të fitojë, të ngrejë peshë zemrat e spektatorëve. Shoh se në emigracion të tëra këto kanë një unifikim krejt tjetër.

Cilat janë këngët më të preferuara në emigracion nga repertori juaj?

E para është “Xhamadani vija-vija”. Është një këngë që edhe po të mos dua, e kërkojnë vetë emigrantët. Ajo këngë nuk ikën kurrë nga repertori. E këndojnë sa dal në skenë, ende pa e filluar unë. Në këtë këngë gjithë salla ngrihet në këmbë.

Kush është pengesa më e madhe në këto lëvizje?

Gardëroba. Ajo është stres me vete. Sidomos tani në dimër ajo është e mbingarkuar. Duhet t’i përshtatesh stinës, vendit ku shkon.

Maja Aliçkaj

Sërishmi kur del në diasporë s’e heq nga vetja  fustanin kuq e zi me shqiponjën në mes?

Është bërë pjesë e repertorit tim. As emigrantët s’mund të më konceptojnë pa atë fustan, as unë vetë s’mund të lëviz pa të. Kur përgatis valixhet për jashtë, dora me të parën më shkon tek ky fustan, si në dimër si në verë.

 Cila këngë juaja është më e preferuara për emigrantët?

Kënga e emigrantit. S’mund të lë koncert pa e kënduar dy herë. Jo se dua unë, por e kërkojnë vetë emigrantët. Është një këngë që e kam bërë vetëm për ta dhe duket se ata gjejnë vetveten.

Po këngë tjetër e preferuar për emigrantët?

“Baba me zemër të madhe”. Si  duket tani pas qindra këngëve për nënën edhe kjo për babanë sikur po merr një kërkesë të veçantë.

Si jeni ndjerë mes Radit dhe Toskës, kur dihet se mes këngëtarëve ka shumë xhelozi?

Kemi bashkëpunuar shumë mirë. Nuk kemi ndjerë xhelozi. Secila ka repertorin e vet, karakteristikat e veta në këngë. Repertori i ndryshëm, zëri i ndryshëm, pra, plotësojmë njëra-tjetrën. Mendoj se, kemi qenë perfekt.

 Keni bashkëpunuar më parë me grupin muzikor “Albanët”?

Kam bashkëpunuar disa herë, kam qenë e vlerësuar dhe shumë komode. Është grupi më i kërkuar në emigracion.

Gojard Kodra, kryetar i grupit muzikor “Albanët”

Kur është krijuar grupi muzikor Albanët?

Grupi muzikore “Albanët” është themeluar që prej 8 vitesh. Pjesëtarët e grupit janë: Ardian Malaj - violinë dhe saksofon, Arben Shyti  - kitarë, Gentjan Cara – drums, Gojard Kodra - organ si dhe drejtues muzike.

Cili ka qenë dhe është qëllimi i këtij grupi?

Qëllimi i këtij grupi është të luajë sa më bukur muzikën shqiptare dhe pa e deformuar atë. Grupi muzikor “Albanët” ka një lidhje të gjerë përsa i përket trevave shqiptare. Koncertet që kemi marrë pjesë kanë qenë të shumtë, pothuajse në gjithë Europën, Australi. Koncertet  e  fundit kanë qenë më rastin e 99- vjetorit të festës së Pavarësisë.
Ato janë mbajtur në shtetin e Italisë, Padova, Arco, Torino.
Organizatori në këto qytete?
Në Padova organizatori i koncertit ishte z. Vilson Dona, me origjinë Mirditor, por që jeton prej shumë vitesh në Padova. Nga Padova vazhduam turin në Arco, provincë të Trentos. Atje organizatori ishte Shkëlqim Danaj me origjinë nga Vlora. Ëmbëlsira e këtij koncerti ishte dhe grupi polifonik nga Dukati i Vlorës.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: