Nuhi Ismajli: Pushtetarët – elita e shoqërisë ?!
| E Enjte, 15.12.2011, 09:03 PM |

Pushtetarët – elita e shoqërisë ?!

                                             

“Asgjë nuk e shkatërron më tepër njeriun sesa pushteti” (Horhe Amado).

 

Nga Nuhi Ismajli

 

Në realitetin tonë, këtu, ku mungojnë mendimtarët e mëdhenj dhe tradita e mendimit edhe mbi pushtetarët e pushtetin, dominon një bindje paradoksale, sipas së cilës pushteti përbën vlerën më dinjitoze shoqërore, kurse pushtetarët: elitën e shoqërisë, elitën më autoritative, më të vlershme, më të çmuar, më të virtytshme…

Të bëhesh pushtetar, këtu, nuk domethënë të rrezikosh të humbësh cilësitë njerëzore dhe të dehumanizohesh (duke rrëshqitur në veprime antinjerëzore e botën e së keqes), as vetëm të fitosh pozitë t’i dirigjosh të tjerët, e t’i përjetosh kënaqësitë që t’i ofron pushteti, po edhe të jesh i respektuar e i nderuar prej të tjerëve edhe si njeri i ndershëm, i mirë, i dashur, i urtë, i ditur, i virtytshëm etj., d.m.th., të ngritesh, si me magji, në piedestalin e vlerave njerëzore, pavarësisht nga ajo ç’je në të vërtetë.

Kështu, këtu, sakaq, sapo dikush arrin të bëhet pjesë e pushtetit, pavarësisht se çfarë ka qenë: i paditur, imoral, mashtrues, hajn, kopuk etj., etj., bëhet   imun ndaj çdo vërejtjeje e vlerësimi të drejtë për veset e të metat e tij dhe i çmuar e i respektuar, sikur t’i kishte virtytet më të larta njerëzore dhe të ishte shembulli më i çmuar i njerëzimit.

Duke mos e shikuar realisht, po duke tejçmuar vetveten, pushtetarët, këtu, nuk dëshirojnë vetëm të duken të rëndësishëm e të çmuar në sytë të tjerëve, po në përkim me lartësimin e vetvetes edhe t’i gëzojnë konkretisht të drejtat tejnjerëzore, të përfitimeve materiale.  

Tanimë, të gjithë e dimë sesi, në mënyrë të vazhdueshme, pa farë turpi e ndjenje njerëzore, ç’privilegjesh e ç’përfitimesh kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë pushtetarët (për të gjallë e për të vdekur, “për meltretimet e përjetuara në kolltukë”!!!),  sikur të ishin martirë të kombit e të njerëzimit dhe pa menduar aspak se çfarë absurdi paraqet kjo për shoqërinë njerëzore.

Qenë, si qenë, pushtetarët, këtu, me gjithë të metat e tyre, respektohen e nderohen deri në përkulje nga qytetari ynë, kudo dhe gjithkund ! Në çdo tubim, në një akademi, orë letrar, koncert, shfaqje teatrale etj., kemi parë, ulëset e tre-katër rreshtave të parë, të shënuar me emrat e përveçëm dhe të rezervuar, jo për emrat e shquar të fushës përkatëse, po për pushtetarët: për kryetarin - qoftë ai edhe një kryetar komunal, për nënkryetarin - qoftë ai edhe i rangut komunal, për drejtorët - çfarëdoqofshin ata, qoftë edhe për ata me një shkollë të mesme, për ndonjë farë zyrtari, shefi, nënshefi, anëtari të komisionit, për ndonjë anëtar komiteti, kryetar gjykate, për ndonjë gjykatës…etj., etj., d.m.th. për këdoqoftë, mjafton që ai dikushi të jetë diku një pikë sado e vogël në ingranazhin e pushtetit !  

Në prapavi, vetëm në reshtat, pas tyre, vijnë: poetët, studiuesit e fushave të ndryshme, kompozitorët, këngëtarët, regjisorët, aktorët e krijues të tjerë të shquar të fushave të ndryshme! 

Por, për formimin e një bindjeje të tillë të pushtetarëve për pushtetin dhe vetveten nuk janë fajtorë vetëm pushtetarët. Jo.

Në formimin e një bindjeje të gabuar dhe të pamoralshme, për pushtetarët, i kanë kontribuuar edhe ata që nuk kanë guxuar t’i shërbejnë assesi, për shkak të misionit të tyre: shkrimtarët, krijuesit.

Pra, ka ndodhur dhe po ndodh ajo që nuk ka guxuar, as nuk guxon të ndodhë:  krijuesi, mendimtari, shkrimtari të jetë në shërbim të pushtetit !!!

Sot, në realitetin tonë, këtu, dallojmë tipa të ndryshëm shërbëtorësh të tillë të pushtetit, si pseudokrijues e krijues minorë, po, në këtë kontekst, edhe tipa tejet të çuditshëm - krijuesit emërmëdhenj !

Në realitetin tonë, këtu, çdo veprimtari kulturore është e lidhur me pushtetarin. Asgjë nuk bëhet pa pushtetarin, asnjë aktivitet kulturor publik, jo pse ai e ndihmon atë, po pse ai do ta ketë nën mbikëqyrje çdo punë, pra edhe atë kulturore, krijuese; pse çdo punë me vlerë duhet të lidhet me emrin e tij dhe të shënohet si pjesë e aktivitetit e kontributit të tij. 

Prandaj, pushtetari jo vetëm zë vend në rreshtin e parë të një shfaqjeje kulturore-artistike, po edhe mban fjalim, dhuron shpërblimet etj. Në zyrën e tij, ai cakton juritë për dhënien e shpërblimeve dhe cakton edhe se kush duhet të shpërblehet !

Nga zyra e tij jipen informatat për aktivitetet krijuese, të angazhuarit, të shpërblyerit! 

Nga zyra e pushtetarit, trumbetohet se x pushtetari është mecen i madh i kulturës, sikur mjetet materiale për kulturën të ishin kontributet personale të tij dhe shërbim i jashtëzakonshëm i pushtetit e politikës së tij etj.

 

Shembulli i pseudokrijuesve e krijuesve të vegjël

 

Respektin më të madh për pushtetarët e tregojnë pseudokrijuesit dhe krijuesit e vegjël.

Pseudokrijuesit dhe krijuesit e vegjël, të cilët respektin për pushtetin e kanë më të madh sesa respektin për krijimin dhe krijimtarinë, nuk mund të bëjnë pa pushtetin, as pa lartësimin e tij. Prandaj, rreshtat e parë, për shfaqjet e ndryshme kulturore, në vend se për krijuesit e fushave përkatëse, për pushtetarët i rezervojnë pseudokrijuesit, krijuesit e vegjël, krijuesit pa dijen dhe pa vetëdijen e krijuesit, krijuesit që lakmojnë përfitime materiale, autoritetin dhe pozitat e pushtetit.

Por, përderisa pseudokrijuesit dhe krijuesit e vegjël nuk na habisin me qëndrimin e tyre ndaj pushtetit (aq dinë dhe kuptojnë ata, pra as nuk çuditemi me ta, që nuk kritikojnë pushtetin për përzierjen në veprimtarinë krijuese dhe i nënshtrohen atij), nuk mund të themi se nuk na habisin për këtë sjelljet dhe qëndrimet e shkrimtarëve, që mund të quhen të dëshmuar.  

Në realitetin tonë, vetëm një shkrimtar, me dinjitet, me ndërgjegje të pastër dhe me krenarinë e papërkulur, Rexhep Hoxha, tregoi se mund të qëndrojë i papërkulur nga ambicie jokrijuese. Të tjerët – jo.

Në këtë realitet të zvetënuar për nga mungesa e ndërgjegjes krijuese, vërejmë shkrimtarin vëllimor, me dyzet e sa vepra, i cili merr me shumë krenari shpërblimin nga dora e pushtetarit, ndërsa nuk denjon ta thotë një fjalë porosie me rëndësi për emancipimin shoqëror, pra edhe për vetë pushtetarin, dhe një fjalë përkrahjeje për krijuesit e nëpërkëmbur. Në vend të kësaj ai falënderon pushtetarin, sikur ai t’i jipte shpërblimin nga xhepi i tij! Vërejtjes se po nënshtrohet nga lakmia materiale, me vendosmëri e krenai, ai mund t’i përgjigjet: “Unë kam marrë shpërblim prej Zhivkit e nuk po marr prej… Qysh po kujton ti, të mos e marr unë shpërblimin që qe tri vjet është ditur se unë do ta marr atë…?” (!!!). 

Një tjetër krijues, i quajtur poet e kritik, lavdëron publikisht pushtetarin komunal, se nuk ka më i mirë se ai, vetëm pse ka ngrënë një drekë prej tij, vetëm pse ka marrë një honorar të vogël dhe vetëm pse pret të ftohet edhe tjetër herë, që nga zyra e pushtetarit, si anëtar i jurisë letrare, të komunikojë shpërblimet. Etj. Etj.

Dhe, sikur të mos mjaftonin këto absurditete, në realitetin tonë, për çudi, ka “krijues”, që, të magjepsur aq shumë nga magjia e “shenjtëria” e pushtetit, kanë një vlerësim aq të lartë për pushtetin sa nuk ngurrojnë të lartësojnë as pushtetin e pushtuesit! Kështu, sot janë bërë të zakonshme lavdërimet edhe për sukseset e luftërave pushtuese të pushtuesit, meritat e pushtuesit dhe “vlerat” e luftërave për shtrirjen e pushtetit të pushtuesve !!!

 

Krijuesit brenda pushtetit !

 

Po nuk është vetëm çështja se pseudokrijues e krijues minorë nuk dinë dhe nuk janë të vetëdijshëm se ç’është e si është pushteti dhe të cilët bëhen servilë të tij. Këtu, si askund tjetër, edhe krijues të njohur si emërmëdhenj lakmojnë dhe, në mënyra të ndryshme, edhe bëhen pjesë e pushtetit, duke konsideruar këtë nder të veçantë dhe për mburrje.

Dihet se është e dobishme, nder dhe për mburrje, kur mendimtarë dhe krijues të mëdhenj, për të ndihmuar njerëzimin, për të krijuar institucione të rëndësishme e tejet humane dhe për të vendosur rregullat sa më të përsosura në shoqëri, për një periudhë kohore, flijojnë fushën e krijimtarisë së tyre, e bëhen pjesë e pushtetit.

Por, kur këto ideale mungojnë, kemi synimet e lakmitë shumë personale të krijuesit, i cili braktis misionin dhe idealin e tij, bëhet pjesë e pushtetit për levërdi personale, duke përdhosur shumë keq idealin dhe misionin e krijuesit dhe duke derdhur energji në një fushë të huaj, të cilën ai do të duhej ta vigjëlonte nga jashtë dhe ta korrigjonte.

Kështu pati provuar një krijues emërmadh të hyjë në politikë, e pastaj në pushtet, por pati dështuar, që në fillim, në mënyrën më të habitshme, për t’u adaptuar, më pas, në një sherbëtor të partisë në pushtet dhe kundërshtar të partive opozitare. 

Por nuk dështoi me hyrjen në politikë e në pushtet një krijues tjetër emërmadh. Ai i është qepur pushtetit, ka hyrë në zemrën e tij dhe është bërë pushtetar me të gjitha cilësitë e një pushtetari të madh.

Si një pushtetar tipik, atij tani nuk i mjaftojnë obligimet e një mësimdhënësi të katedrës së letërsisë, nuk i mjaftojnë obligimet e një anëtari të akademisë, nuk i mjafton obligimi e puna e mundimshme e krijuesit…

Tani, si pushtetar, i dhënë i tëri pas pushtetit, atij nuk i vjen keq pse ka braktisur idealin dhe ndërgjegjen e krijuesit për idealin dhe “ndërgjegjen” e pushtetarit dhe nuk e ndjen të nevojshme të ulet dhe t’i përsosë veprat e tij, t’i korrigjojë gabimet e veprave të tij (punë, të cilën do të duhej ta bënte qe sa kohë). Si pushtetar (i rrethanave tona këtu), ai bëhet i pandjeshëm ndaj vërejtjeve të arsyeshme dhe kërkesës për përsosjen e korrigjimin e teksteve të tij përplot gabime, në të cilat mësojnë qe sa vjet nxënësit tanë. Pse ta bëjë këtë krijuesi ynë i gjithëpushtetshëm ?! Si pushtetar, mund të mos e brejë fare ndërgjegja e krijuesit e të heshtë, dhe t’i imponojë tekstet e tij të përdoren në shkollat tona, përkundër të metave të tyre serioze.

Por, qytetari ynë i di, i vëren dhe i ndjen të tëra këto, anipse nuk e ka thënë qartë e botërisht se krijuesi i vërtetë, i ndërgjegjshëm, nuk partiakizohet, as pushtetëzohet; se tjetërsimi i krijuesit nga pushteti është i tmerrshëm. 

 

Përfundimi

 

Në realitetin tonë, këtu, ne nuk kemi mendimtarë, të cilët sot mirren me trajtimin e natyrës e të sjelljes së pushtetit, të raportit të pushtetit ndaj individit, të raportit të pushtetit ndaj krijuesve, as të raportit të krijuesve ndaj pushtetit. 

Prandaj, në realitetin tonë, ky shkrim mund të mos kuptohet. Në vend se të kuptohet drejt, ai më shumë mund të keqkuptohet dhe të quhet absurd. Bindja për keqkuptimin, megjithatë, nuk na dekurajoi të merremi me të.

Shkrimi u shkrua që të flasë hapur, pa ngurrim, që, këtu, t’ia përkujtojmë pushtetit se çfarë është dhe çfarë është synimi njerëzor që të jetë ai. Por, më shumë, fatkeqësisht, shkrimi u shkrua nga nevoja që t’ia përkujtojmë krijuesit vetë se çfarë është pushteti, ta bëjmë të mendojë se çfarë qëndrimi ka ndaj tij, dhe t’ia përkujtojmë se ka harruar detyrën që gjatë tërë kohës ta këshillojë e ta qortojë pushtetin, që të jetë më i dashur, më i urtë dhe më i virtytshëm.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: