Frank Shkreli: Libri i zi i komunizmit, mbi të zezat e komunizmit
| E Hene, 12.12.2011, 09:04 PM |

LIBRI I ZI I KOMUNIZMIT, MBI TË ZEZAT E KOMUNIZMIT

 

Nga Frank Shkreli

 

Gjatë këtij muaji disa personalitete shqiptare, siç duket nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe protagonistët e tij kryesorë --të gjallë e të vdekur -- përkujtoi në disa raste, gati me krenari, 70-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare.  Komunistët, ish-komunistët dhe nostalgjikët e komunizmit i servirën publikut shqiptar një dozë  intervistash, shkrimesh e botimesh, në të cilat ata jo vetëm i këndojnë lavdi të ‘’famshmes parti’’, por për më tepër, me rastin e këtij përvjetori, marrin guximin të bëjnë thirrje ‘’që komunistët të bashkohen’’, siç bëri shoqja Nexhmije Hoxha në një intervistë, duke shtuar se  ‘’nuk ka rëndësi emri i partisë’’, për derisa ata të jenë të një mendimi e të një qëllimi.  Siç duket, ky përvjetor u  përdor ‘’tinzisht’’  në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  edhe për të hedhur baltë mbi figura të mëdha të kombit shqiptar si At Gjergj Fishta e Faik Konica, siç bëri Arben Puto me apologjinë e tij komuniste duke e quajtur At Fishtën fashist.  Ende këta apartçikë komunistë i kanë ferrë në sy patriotët si At Gjergj Fishta, Faik Konica e të tjerë, të cilët gjatë 50 vjetëve të sundimit  të egër komunist, jo vetëm  u përpoqën  t’u  zhdukënin dhe t’u mohonin veprat dhe kontributin e tyre ndaj kuklturës,  letërsisë dhe historisë së kombit shqiptar, por më në fund, shumë prej tyre i vranë e i eliminuan fizikisht dhe eshtrat e tyre i tretën, një krim ky kundër njerëzimit po se po, por njëherit edhe një krim i madh kundër kulturës kombëtare, dhe asaj universale.

Nga Amerika, falë internetit, lexoj këto shkrime e shikoj intervista në kanalet televizive nga Shqipëria dhe e pyes veten, more është e mundur që sot pas 20-vjetë tranzicioni të lexosh shkrime e të shikosh  intervista me përkujtime me mall të përfaqsuesve të një regjimi që i shkaktoi popullit e kombit aq terror, vrasje, tortura e masakrime – a por mos vallë jam duke parë ëndërr – një ëndërr shumë të keqe.  Mos është këjo vallë një përpjekje nga ana e këtyre apartçikëve për t’u venë një kapak krimeve të komunizmit kundër bijve dhe bijave më të mirë të kombit duke ricikluar akuzat e vjetëra, të paraqitura si fakte të reja. Në të vërtetë,  në to nuk ka asgjë të re, por janë tepër të ngjashme dhe në të njëtën vijë me akuzat e vjetëra të regjimit enverist kundër Fishtës, Konicës e të tjerëve të rangut të tyre.  Këta njerëz, po përpiqen, jo të shkruajnë histori – pasi kredibilitet në këtë fushë nuk kanë -- por këjo mund të jetë një përpjekje për të  justifikuar të kaluarën e tyre, sidomos atë ‘intelektuale’’ , për të cilën besoj se nuk mund të ndihen shumë krenar, dhe në këtë mënyrë mundohen të gjëjnë ‘’strehim’’, dhe justifikim për përkrahjen e tyre ndaj regjimit komunist dhe ‘’luftës së klasave’’, të cilën një historian francez, në të vërtetë, e ka quajtur ‘’gjenocid klasash’’.  Ky ‘’gjenocid klasash’’, siç vihet re nga debatet dhe botimet e fundit në Shqipëri, jo vetëm që s’ka marrë fund me tranzicionin e 20 vjeçar, por sikur po inkurajohet nga elementë të caktuar të shoqërisë shqiptare, dhe vazhdon pa ndonjë kundërshtim serioz.  Këjo fushatë po bëhet nga apartçikët e atij regjimi, ndërkohë që pothuaj asnjë ish-udhëheqësi ose ish-zyrtari komunist  nuk i është kërkuar llogari dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë asnjë përgjegjësi, duke mos dalur në gjyq dhe duke mos u dënuar, për asnjë nga krimet e kryera gjatë atij regjimi, as për një vrasje të vetme.  Besoj se po të shkruanin për këto krime  me ndershmëri intelektuale për këto tmerre të kryera nga ai regjim të cilit i kanë shërbyer, këta apartaçikë do të rehabilitonin veten dhe do t’i bënin një shërbim të madh  shoqërisë dhe kombit shqiptar. Por,  le të harrohen krimet e komunizmit, ‘’se ashtu ishte koha’’ – rëndësia historike në këtë moment – në prak të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë -- kërkon që subjekt debati të jetë ‘’fashizmi i At Gjergj Fishtës’’, dhe marrja e parave e Faik Konicës nga duçja.  O tempora, o mores!   Në vend që të zhdukurve, të internuarve, të përndjekurve, ‘’armiqëve të klasave’’ tu kërkohet falje për ato që ata kanë pësuar nën atë regjim, ata ballafaqohen me thirrjen e Nexhmije Hoxhës ‘’që komunistët të bashkohen’’.  Para disa vitesh  pyeta një ish-të përndjekur, nëse ishte në gjëndje të falte ata që e kishin tortuar. Ai mu përgjigj pa hesitim: unë jam gati t’i falë, tha ai, por nuk kam se ke të fali pasi asnjëri nuk më ka kërkuar falje.    Pajtimi kombëtar, kërkon dhe meriton më shumë se kaq në prag të jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë së Atdheut të Shqiptarëve, Shqipërisë.

Nga dëshprimi shpirtëror dhe moral, e detyrova veten t’i hedhë një sy rishtas  Librit të Zi të Komunizmit, botuar në Evropë nga fundi i 1990-ave nga autorët francezë (Stephane Courtois, Nicolas Werth, Jean-Louise Panne, Andrzej Pacykowski, Karel Bartooek dhe Jean Louis-Margolin).  Ky libër është një përpjekje serioze për të dokumentuar koston njerëzore të komunizmit në shekullin e kaluar, anë e mbanë botës.  Ajo që e bën këtë libër edhe më të besueshëm është fakti se pothuaj të gjithë këta autorë e konsideronin veten të majtë, e ndonjë prej tyre bile edhe ish antarë të partisë komuniste, ashtuqë ky nuk është një libër i dokumentuar e shkruar nga anti-komunistë fanatikë.  Është shkruar, pra, nga njerëz që dikurë e konsideronin komunizmin si sistemin shoqëror që do të zgjidhte të gjitha problemet e njerëzimit.  Prandaj ky libër është një qortim i ashpër nga ish-simpatizues të komunizmit ndaj pikpamjeve të tilla të shtrëmbëruara si edhe ndaj atyre, që në një mënyrë ose në një tjetër, përpiqen të parqesin komunizmin si një ideologji më morale dhe më njerëzore në krahasim me nacizmin ose fashizmin.

Që në fillim të librit prej pothuaj 900-faqesh të versionit anglisht, paraqitet një statistikë rrëqethse e numërit të viktimave të komunizmit anë e mbanë botës, duke filluar nga Shqipëria e deri tek Korea e Veriut.  Sipas autorëve, në Bashkimin Sovjetik, kishte 20-milionë të vrarë; në Kinë 65 milionë; një milion të vrarë në Vjetnam; dy milionë në Korenë e Veriut; dy milionë në Kambodia; një milion në Evropën Lindore komuniste; një milion e 700-mijë në Afrikë; një milion e gjysëm në Afganistan; në Amerikën Latine 150.000; dhe nga radhët e lëvizjes ndërkombëtare komuniste  dhe partive komuniste jo në fuqi u vranë rreth 10.000 veta – duke arritur kështu numërin e përgjithëshëm të vikimave të komunizmit, sipas autorëve, në pothuaj 100 milionë veta, anë e mbanë botës.  Për më tepër, miliona të tjerë kanë jetuar, siç thotë populli, ‘’gjallë e për çudë’’, duke pësuar burgosje, internime, tortura, uri dhe tmerre të tjera nga regjimet komuniste. 

Libri i Zi i Komunizmit, që ishte një ‘’bestseller’ ndërkombëtar kur u botua dhe u  përkëthye në gjuhë të ndryshme, duket se kishte për mision për të venë në dukje mos-aftësinë dhe refuzimin e shumë vetave sidomos intelektualëve dhe historianëve por edhe të tjerëve—siç ndodhë fatkeqsisht edhe në Shqipëri--  për të pranuar krimet, të zezat, të këqiat dhe dëmet që ka bërë komunizmi në vendet përkatëse anë e mbanë botës. Dhe si  i tillë, sipas autorëve francezë, nga pikëpamja morale, komunizmi ishte i barabartë me nacizmin, në mos bile më i keq, se nacizmi.  Libri pasqyron variante të ndryshme të komunizmit, përfshirë atë  të Enver Hoxhës, të Titos e të Mao Tse Dungut, duke thënë se megjithëse eventualisht ata u shkëputën nga Moska, sistemet e tyre prapseprapë kishin të njëjtin profil ideologjik: në të gjitha këto raste, sipas Librit të Zi të Komunizmit, në këto vende ishte e imponuar diktatura e një partie të vetme dhe e një ideologjie pseudo-shkencore si gjoja çelsi për të kuptuar dhe për të zgjidhur të gjitha problemet e jetës dhe të shqoërisë.  Udhëheqësit komunistë ndërkombëatr, të përbashkët kishin gjithashtu dhe përdorimin e një gjuhe dhe një retorike të egër që demonizonte  armiqtë e vërtetë dhe të imagjinuar politikë.  Në vend të zhdukjes se dallimeve midis klasave, ashtu siç premtonte me utopinë e tij, komunizmi zhduku klasë të tëra njerëzish, që i konsideronte armiq.  Redaktori i librit Stephane Courtois nenvijon argumentin e tij se regjimet komuniste, ashtu si edhe nacizmi, eliminonin njerëzit  duke u bazuar në origjinën e tyre krahinore, fetare, ideologjike ose etnike, dhe jo në bazë të ndonjë fajësie ose përgjegjësie.  Ai ve në dukje se komunizmi është një ideologji çfarosëse që i zgjedhë armqitë e vet në bazë klasash.  Lufta  e komunizmit kundër ‘’kulakëve’’ dhe lufta  e ‘’revolucionit kulturor’’ kundër fesë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, s’ishte asgjë tjetër veçse një përpjekje sistematike për të çfarosur shtresa të tëra të popullsisë, për arsye thjeshtë ideologjike, sipas autorëve të librit. 

Autorët francezë të këtij libri, me kërkimet dhe hulumtimet e tyre në arkivat sovjetike dhe të vendeve të tjera ish-komuniste, kanë dokumentuar se komunizmi ishte praktikuesi më i egër i ‘’krimeve kundër njerëzimit’’ dhe në të njëtën kohë kundërshtojnë dhe hedhin poshtë pretendimet e disave se nacizmi ishte sistemi që ruante ‘’monopolin absolut mbi të keqen.’’  Autorët gjithashtu shkruajnë se nacizmi zhduku gjithsejtë rreth 20-milion veta në krahasim me numërin e viktimave të komunizmit prej rreth 100-milionësh.  Përveç dhjetra miliona viktimash njerëzore, dhe miliona të tjerëve që vuajtën  në kampe përqendrimi, kampe pune e burgje të ndryshme, Libri i Zi i Komunizmit, në dukje se komunizmi në çdo vend i kishte shpallë luftë kulturës, letërsisë, historisë, fesë – dhe në përgjithësi, sipas autorëve, kishte ndërmarrë një luftë kundër vet qytetërimit botëror, me qëllim të krijimit të ‘’njeriut të ri’’.  Siç thashë edhe më lartë, këto deklarata bëhen nga historianë e akademikë të krahut të majtë, ish-komunistë ose simpatizantë të komunizmit.  Kur shkrimtari francez i majtë, Andre Gide pat vizituar parajsën komuniste të Stalinit, pasi u këthye së andejmi, ai  pat thënë se ‘’Dyshoj të ketë ndonjë vend në botë, përfshirë edhe Gjermaninë e Hitlerit, ku liria e mendimit të jetë më e pakët dhe më e terrorizuar se sa në Bashkimin Sovjetik’’.

Megjithëse autorët e librit kanë, aty këtu, ndryshime mendimesh e pikpamjesh mbi disa nga përfundimet e arritura, ata janë vendosmërisht të një mendimi mbi të keqën dhe tmerret, që sipas tyre, komunizmi i ka shkaktuar njerëzimit në përgjithësi dhe vendeve të ndryshme ku ka sunduar ai regjim, në veçanti. 

Ish-presidenti amerikan Ronald Regan e pat quajtur komunizmin si ‘’një kapitull të dhimbshëm dhe të pakuptueshëm të historisë’’, si një sistem që ishte ngritur mbi baza që ishin në kundërshtim me natyrën njerëzore, ndërsa Zbignjev Brzezhinski e ka cilësuar ideologjinë komuniste si një ‘’doktrinë të huaj’’ që iu imponua Evropës Lindore pro-përendimore, e cila më në fund e përzuri atë ideologji sikurë imuniteti i trupit të njeriut lufton dhe mund infektimet.

Libri i Zi i Komunizmit është një monument i gjallë që na kujton aftësitë dhe mundësitë e njeriut për të bërë keq kundër shoqërisë dhe njerëzimit, por në të njëjtën kohë është edhe një dokument që duhet t’u kujtojë që të mos harrojnë natyrën e vërtetë të atij sistemi – sidomos intelektualëve, historianëve, por edhe gazetarëve, dhe të gjithë atyre të cilët bënë të mundur mbijetesën dhe zgjatjen e jetës së  regjimit komunist, duke e mbrojtur me lëvdata dhe me shkrime gënjeshtër.

Shumë prej këtyre intelektualëve, jo vetëm përkrahën, mundësuan dhe legjitimizuan komunizmin, por në të vërtetë, duke u bazuar në veprat e tyre dhe në indeferencën e tyre ndaj atyre që po ndodhnin në vendet e tyre, ata mund të konsiderohen jo vetëm si konspiratorë e komplotistë por dhe bashkfajtorë për vrasje, internime, burgosje pa faj, e tjera.  Si rrjedhim, jo vetëm udhëheqsit politik komunistë, por edhe mbrojtësit e këtij sistemi, atëherë dhe sot, duhet të mbahen përgjegjës  për krimet e komunizmit dhe për historinë e turpshme të tij.  Por mbi të gjitha, ky libër duhet të lexohet gjithashtu nga njerëzit e popujt liridashës kudo, ashtuqë të vendosin njëherë e mirë se një sistem i tillë si komunizmi nuk do të lejohet të kërcënoj kurrë më njerëzimin.

Fakti është se në shumë vende të botës, është e vështirë të parashikohet e ardhmja, por e kaluara nuk ndryshon.  Nëqoftëse historia e regjimit komunist në Shqipëri si edhe lufta e atij reegjimi kundër atdhetarëve si At Gjergj Fishta e Faik Konica dhe shumë të tjerëve si ata,  është për disa,  ende një burim krenarie që meriton të mbrohet e të justifikohet, atëherë për çka duhet të turpërohemi në këte jetë.  Të gjithë e dijmë se rrethanat ishin shumë të vështira për intelaktualët shqiptarë nën regjimin komunist dhe unë kam simpati të thellë për vuajtjet e tyre fizike, intelektuale dhe shpirtërore, si edhe në përgjithësi për barrën që e kaluara ka vendosur mbi krahët e disa prej tyre, por ama përpjekjet e tyre në këte kohë, për të mashtruar veten dhe të tjerët mbi atë histori, nuk mund të justifikohen.   Mos  vallë e kemi humbur busollën morale?

Gjermanët, si asnjë popull tjetër në botë e kanë provuar se, megjith historinë e tyre të tmerrshme ndaj vetes dhe të tjerëve, është e mundur të ndërtohet shteti dhe të ringjallet kombi pa qenë qorr e i shurdhët ndaj barrës së rëndë të historisë.  Shpresoj që këjo të ndodhë edhe me ne.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: