Fritz Radovani: A ishin trima ''çlirimtarët'' tanë
| E Enjte, 01.12.2011, 09:02 PM |

A  ISHIN  TRIMA  “ÇLIRIMTARËT”  TANË ?!..

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Trimnia asht virtyt!

Shqiptarët janë cilsue nga të huejt me epitetin Trima, Burra të fortë e shpesh as gratë Shqiptare nuk i kanë lanë gja mangut Burrave të këtij shkambi Arbënor!

Do t’i referohem vetem fakteve. Vetem faktet tregojnë të vërtetën.

Me daten 29 nandor 1944, heret në mengjez partizanët tanë “trima” vendosën nalt në kompanjelin e Kishës Françeskane në Gjuhadol, mu në qendren e qytetit të Shkodres Flamurin kombtar të Shqipnisë, të zhigatun me “yllin e kuq” të porositun nga “vëllezërit e tyre”, komunistët jugosllavë të Titos. Partizanët tanë “trima” shkuen aty mbas 3 – 4 orë kur pak ushtarë gjermanë që kishin zanë me dhunë disa dhoma të atij kuvendi, aty nga ora 3 e mengjezit të 29 nandorit ishin largue nga Shqipnia në drejtim të Hanit të Hotit...

Akademikët tanë nuk kanë shkrue për ndonjë betejë nga partizanët tanë “trima”!

Pra, ishin pikrisht ata gjermanë që qendruene në Shqipni mbas dates 28 nandor, me kerkesen e At Anton Harapit per mos me njollosë diten e Festës së Flamurit. Ishin ata partizanë “trima” që, porsa erdhën në Shkoder, ju afruen atij kuvendi pak orë mbasi ikën nga ai vend forcat gjermane, dhe i treguen Atij mjedisi Atdhetarësh se “Atë Flamur që Ju keni ngritë në bashkpunim me Malësorët e Hotit të udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli, me 6 Prill 1911, né jo vetem nuk e njohim më, por që sot ai do jetë ky që do Jugosllavia!”...

Nga ora 7.00 një grup partizanësh “trima” mbasi u siguruen se gjermanët iken nga Shkodra, hynë me brohoritje dhe shkrepje armësh në ajr me lajmërue “fitoren” e tyne...

Aty nga ora 11.00 paradreke një treçikel me tre gjerman të armatosun pergjatë Fushës së Çelës, erdhën dhe u ndaluen tek kafja e Lukejve, mu në qender të pjacës, hyne aty dhe i paguene 1 napolon ar pronarit lokalit që një shok i tyne kishte ikë pa e pague, por që ua kishte kerkue pagesen e atij borxhi shokëve të vet në çastet e fundit mbas një plagosje atë ditë... pa kalue kufinin, mbasi gjermanët kishin kalue Koplikun.

As për këte akt të kthimit të gjermanëve në mesditen e datës 29 nandor, nuk kanë shkrue “akademikët”, që kanë tregue veprat heroike të partizanëve tanë “trima”!...

Në mbramjen e datës 29 nandor, tregonte në shtëpinë e kulturës partizani i asaj kohë, kryetari i komitetit ekzekutiv të Shkodres, Bilal Parruca, në vitin 1964, kur po fliste për vepren e artit të piktorit Jakup Keraj: “Partizani dhe gjermani”, që nuk mund të kishte ngja ndonjëherë që një partizan me ju afrue një gjermani të gjallë dhe me i kapë doren e tij me revolver...ndoshta, kur partizani asht sigurue se asht i vdekun... po edhe atëherë!... Dhe vazhdoi me tregue se, aty në atë sallë nalt në katin e dytë, ishin mbledhë ma shumë se 200 partizanë “çlirimtarë” me festue“fitoren e çlirimit”... Ishin sigurue pije dhe lloje të ndryshme ushqimesh e ambelsinash të pergatituna nga gratë partizane e familjet e tyne... Aty nga ora 10.00 e darkës asht ngjitë nalt roja partizane “trime” e derës së jashtme dhe ka njoftue se kanë ardhë tre gjerman me një motoçikletë me kosh, janë të armatosun dhe kerkojnë me marrë një dokument në kasaforten që ndodhej në zyren e Hausdungut, mu tek zyra ku ishte atëherë drejtoria e shtëpisë së kulturës. Nëse ndokush nxjerr armen dhe rrezikon jeten e tyne, ata kanë paralajmërue se forcat gjermane sonte do të rikthehen dhe do të marrin Shkodren, që do të paguej disaherë ma shtrejt gjakun e ushtarëve gjermanë që kanë ardhë për atë punë dhe po pritshin jashtë. Bilali tregoi se u asht lejue hymja nga partizanët tanë “trima” dhe dy prej tyne janë ngjitë nalt pa asnjë armë, kanë hy në zyren e Hausdingut, kanë marrë dokumentin në kasafortë dhe kanë zbritë poshtë, kanë hypë në motoçikletë dhe janë nisë në drejtim të Bashkisë, kanë kalue nga pjaca dhe kanë ikë...

Edhe kjo ngjarje u ka mbetë pa u shkrue “akademikëve” edhe pse në sallë ishin mbi 200 partizan, po ndoshta, mund t’ ishin të dejun e nuk dijtën me tregue “trimërinë”!..

Flitet se disa “berberё” u vranё nё Shkoder nё mbramen e 28 nandorit 1944, po nuk e shpjegon askush se çka deshten me i rrue atё natё ata gjermanёve...Mёkat mos me u folё as mos me u shkrue tё tilla episode “trimnije” nga historianёt e luftёs “çlirimtare”!

Partizanët tanë “trima”kanë shumë episode “trimërije” gjatë luftës së tyne...

Kam pasë rasen me njoh Nënën Kate...nga Gjinokastra...ish partizane e vjeter.

E pyeta njëherë: “A ké pasë rasë me luftue kundër gjermanëve? – Po, më tha... “Ishim rreth 100 partizanë mbas disa kaçubave të fshehur, se pritnim për të kaluar andej një brigatë gjermanësh...në të dalur të dritës dëgjuam të shtena armësh. Ishte sinjali që né duhej të lironim shtegun. Né nuk iu pergjigjëm. Ata dhanë sinjalin e dytë por né prap heshtëm... Ata nuk pritën më, veç u ngritën në këmbë dhe me automatikë në dorë filluan me ecë në drejtimin tonë... Né na u ngrinë armët në dorë dhe ashtu si ishim zvarrë filluam me ikë poshtë se mos na zinin në ato ferra ku do të linim edhe kockat...”

Unë i bana edhe pyetjen e dytë: “Po sot a kishe dalë prap në mal me këta mend?”

– Po, më tha Nëna Kate...“por me një ndryshim... do të dilja në mal dhe atje do t’ ua ktheja automatikun partizanëve tanë “trima” për të gjitha poshtersitë dhe tradhëtitë që ata u kanë bërë vëllezërve, motrave dhe bijëve e bijave Shqiptare!”

Edhe këto episode të partizanëve tanë “trima” u kanë mbetë endè pa u shkrue jo vetem “akademikëve” tanë, po edhe “dr. prof. historianë” të Historisë së Shqipnisë!

Kur të bani “korrigjimet”që kerkon Erdogan nga ju, mos harroni me i shkrue!

Ju njeh edhe ai per “trima” si baballaret tuej, prandej edhe kerkon “korrigjime”!

 

Po edhe korrigjimi asht virtyt...ashtu si trimnija, që fatkeqsisht ju nuk i njihni asnjё nga virtytet e Shqiptarit !


Melbourne, Nandor 2011.

(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: