Ndue Ukaj: 28 nëntori i kujtesës kombëtare
| E Diel, 27.11.2011, 09:03 PM |

28 nëntori i kujtesës kombëtare

 

Nga Ndue Ukaj

 

Me 28 nëntor 1912, zgjedha otomane ra dhe shqiptarët u pavarësuan. Të dërmuar nga pushtimi i gjatë dhe i egër otomane, pavarësia kombëtare për shqiptarët, natyrisht se ishte një ditë e shumëpritur, për të cilën u luftua shumë, për të cilën u sakrifikua shumë dhe për të cilën u flijua shumë. Në këtë datë me rëndësi, ne kujtojmë ikjen anadollakëve dhe kohën kur qielli shqiptar, për herë të parë, pas pesë shekujsh errësire, pa kthjelltësinë e duhur,  duke u çliruar nga nata e zezë otomane, që kishte errësuar botën arbërore, duke e plandos në mjerim të shumanshëm, vrragët e së cilës ishin të thella dhe të rënda për t’u riparuar.

 

Sot, kur na ndajnë vetëm një vit nga një shekull pavarësi kombëtare, më shumë se kurrë, kudo hapësirave shqiptare, ndjehet nevoja imediate që të heqim zinxhirët e robërisë së brendshme, duke e fresku kujtesën me lavdinë tonë kombëtare, atë lavdi që buron nëpër dejtë e gjakut shqiptar, gjak ky që asnjëherë nuk pushoi të derdhej për liri dhe pavarësi. Në këto ditë, kur gëzimi dhe hareja, është shpërndarë kudo ku ka shqiptar, kur flamuri  shqiptar, është ngritur kudo në madhështinë e qiellit të kthjelltë dhe fluturon lirshëm, ne kthehemi mbrapa dhe shprehim admirimin tonë për burrat fisnik, që me pietet, përkushtim dhe sakrificë, na sollën lirinë dhe na ruajtën qenien tonë kombëtare. Kjo liri, tash ka nevojë të plotësohet, nëpërmjet përkushtimit për kombin, nëpërmjet konsolidimit të vetëdijes kombëtare dhe ushtrimit të kujtesës, si një parakusht për të  ecur drejt horizonteve të reja.

 

Në këto ditë, kur kombi shqiptar po hyn në jubileun e njëqindvjetorit të pavarësisë kombëtare dhe ka sendërtuar idealet e veta të cunguara, ende vazhdon të ketë kriza të brendshme, i pakonsoliduar si duhet. Prandaj  tingëllon shumë sinjifikativ, mendimi i kahershëm i ideologut, shkrimtarit dhe politikanit të madh Ibrahim Rugova:

 

“U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar, u ngrit simboli i gjakut-Flamuri.

 

Mirë që u mashtruan gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit nga gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren-fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shporrëm më tej dhe do të shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur” (Ibrahim Rugova, Pavarësia kombëtare, Bota e re, 28 nëntor, 1968).

 

Pikërisht ky mendim, i shkruar nga një vizionar i madh që bëri epokën e Kosovës, ne këto dite me rendësi për qenien kombëtare, na tregon sa është e nevojshme ta forcojmë kujtesën dhe të lirohemi nga zinxhirët e robërisë se mendjes, qe na kane penguar dhe po na pengojnë konsolidimin së brendshmi. Anadollaket ikën, e pas tyre ikën edhe armiqtë tanë serb, mirëpo krizat shqiptare ende nuk janë përmbyllur, ashtu sikurse klithmat tona “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”. Sot shqiptarët janë të lirë kudo hapësirave gjeografike. Prandaj lypset që këtë liri, të funksionalizojmë në të mirë të idealeve tona shekullore, për të cilat kemi obligime të mëdha.

 

 Ndërkaq, në anën tjetër, pikërisht në prag të njëqindvjetorit të pavarësisë kombëtare, janë ngrit zëra ogurzi, të ankthshëm, të frikshëm, të cilët heshtur dhe me pëlqimin e një politike të degjeneruar, duan tjetërsimin e kujtesës historike, nëpërmjet ndryshimit të historisë, në favor të otomanëve, duke dashur kështu të njollosin shpalljen e pavarësisë kombëtare, si një tradhti, duke dashur të legjitimojnë pushtimin turk dhe më tragjikja, duke dashur gjithë luftën shekullore antiotomane ta shpallin tradhtare. Kjo është një përpjekjet makabre, e cila atakon palcën kombëtare, historinë tonë, identitetin tonë dhe kulturën tonë. E gjithë kjo justifikohet heshtur, nëpërmjet disa ideve marroqe, për gjoja një koekzistencë ndërmjet otomanëve pushtues dhe shqiptarëve të robëruar, të poshtëruar dhe të persekutuar për pesë shekuj.

 

 Gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo festë. Gjithë jemi të vetëdijshëm për nevojën që kemi të bashkohemi rreth kësaj feste dhe heronjve tanë kombëtar. Gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë këto momente në historinë e gjallimit të kombeve. Pikërisht për këtë, sot më shumë se kurrë duhet të festojmë me mburrje dhe kujtesë të freskët, duke mbledh forcat pozitive, që të flakim tutje veset dhe plagët kombëtare, në të mirë të konsolidimit të kombit.

 

Kjo festë, e cila ndërlidhet me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij të lavdishme, na vjen në këtë vit, si jehonë e zërave të kohës, që na thërrasin për ndërgjegjësim, në kohën kur kemi nevojë për të sforcuar më shumë se kurrë substancën tonë kombëtare dhe forcuar orientimin tonë perëndimor. Kjo festë, e cila na përkujton plakun e urtë nga Vlora Ismail Qemjalin, na thërret të vetëdijesohemi për sfidat që kemi ndaj të sotmes dhe përgjegjësitë ndaj së ardhmes. Shqiptarët tani duhet të kujtojnë më pietet 28 nëntor 1443, atëherë kur në Krujë, u ngrit flamuri shqiptar, flamur ky që do të përjetësohet me kthesën e madhe të 1912.

 

28 nëntori i pavarësisë kombëtare, duhet të shërbej si një moment reflektimi. Nëpërmjet kujtesës sonë, në mund të kuptojmë më shumë rrugëtimet e kombit dhe mund të jemi të aftë t’i kuptojmë  hallkat e shkëputura historike, ato boshllëqe që u bën pengesa të mëdha dhe që na sollën tragjedi të njëpasnjëshme. Kjo ditë dhe hyrja në jubileun e njëqindvjetorit të pavarësisë kombëtare, duhet përfundimisht të na ushqej ndjenjat tona kombëtare, duhet të na sforcoj idealet tona të kahershme perëndimore dhe duhet të na sforcoj unitetin e brendshëm.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: