Keze Kozeta Zylo: Mirë se vjen në Amerikë, Bilbili i këngës, Ylli Baka
| E Shtune, 19.11.2011, 08:01 PM |

Mirë se vjen në Amerikë, Bilbili i këngës, Ylli Baka

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Këngëtarët dhe artistët gjithmonë priten me përzemërsi dhe miqësisht nga Diaspora shqiptare në Amerikë. Kjo ka arsyet e veta krejtësisht të shpjegueshme dhe të ndjeshme nga zemrat e bashkatdhetarëve që edhe pse të larguar fizikisht, janë shumë të lidhur shpirtërisht me Mëmëdheun e tyre.

Këngëtari me zë të ëmbël Ylli Baka vjen për herë të parë në Amerikë, këtë radhë është i ftuar nga Dukagjini Production, drejtuesit e të cilës organizojnë vazhdimisht programe artistike me këngëtarë dhe artistë të shquar të Kombit.

Me rastin e festës së Pavarësisë Ylli Baka së bashku me Sinan Hoxhën dhe Ponin do të japin koncert në New York dhe në disa shtete të Amerikës.

Këngëtarët e mirënjohur Sinan Hoxha dhe Poni kanë qenë dhe më parë, për aktivitetin e të cilëve kam botuar në gazetë.

Shumë bashkatdhetarë duke ditur se Ylli Bakën, bashkeshorti im Qemal Zylo e ka mik të familjes dhe janë të dy tepelenas nga Arrëz e Madhe, një fshat me një peizazh të mahnitshëm piktoresk dhe me kroje të gurta dhe ujë të bekuar, një vend që ka nxjerë disa intelektualë të zotë si brenda vendit po ashtu dhe jashtë, shpesh herë na kanë pyetur se kur do të vijë Ylli Baka? Por ah, vizat, letrat e shumë gjëra të tjera e kanë vështirësuar sadopak ardhjen!...

Gjithësesi Ylli Baka vjen me këngë në buzë për Shqipërinë, për malin lirik të Trebeshinës, për Arrëzën e madhe dhe Labërinë, për vendin e Ali Pashë Tepelenës dhe gjithë trojet shqiptare. Këngët e tij patriotike dhe lirike ndezin sallat dhe bashkohen në kor me këngëtarin Baka.

C’bukuri do të ketë ajo natë e magjishme, që së bashku me këngëtarët do të festojmë dhe 99 vjetorin e Pavarësisë, ku veçse 1 vit na ndan nga 100 vjetori i saj!

Sa me fat jemi që do të përjetojmë në vitin e ardhshëm 100 vjetorin e Pavarësisë, këtu në Amerikë, këtu ku burrat e shquar të Kombit Fan Noli, Faik Konica dhe organizata më e vjetër “Vatra” ndihmuan aq shumë në fitoren e Pavarësisë, ku kombi shqiptar ndodhej në udhëkryq.

Vatra ka kohë që ka filluar përgatitjet për 100 vjetorin dhe ne do të mblidhemi rreth saj…

Por le të kthehem përsëri tek bilbili i këngës Ylli Baka, këngët e të cilit më duket sikur janë fluturza shumëngjyreshe dhe ne rendim të gjithë për t’i kapur ato.

Këngët e tij kanë musht mëmëdheu, ndaj dhe ai në një prej tyre këndon:

E brodha gjithë botën mbarë/ në cdo vënd gjeta Shqiptarë/ Gjeta besë e bujari, gjeta pakëz Shqipëri/. Fluturo, moj fluturo/ fluturo moj kënga ime/ Në cdo varr të Shqipes/ shoh një grusht dhe nga toka ime/. Fluturo moj fluturo, fluturo moj kënga ime/.

E kënga tënde është në fluturim, ajo nuk di të ndalet kurrë!

Ne të mirëpresim, ardhsh i bardhë!

15 Nëntor, 2011

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: