Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (II)
| E Shtune, 19.11.2011, 08:05 PM |

PËRPJEKJET E GAZETËS “PËRPJEKJA KOSOVARE” NË MËRGIM (II)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Intervistë me prapavijë të rëndë politike

 

Në faqet e gazetës mund të ndodhte që të gjenden edhe komentimet e intervistave të ndryshme që jepnin udhëheqësit komunist shqiptar. Në mesin e shumë intervistave ishte edhe biseda që kishte bë Mehmet Shehu, në gazetën “New York Times”, në Njujork.

Gazeta shkruan se “Ka bë një përshtypje të keqe në të gjithë kosovaret intervista që i dha  më 28 të gushtit 1957, në Tiranë, kryeministri Mehmet Shehu, korrespodentit të “New York Times’, përsa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo pjesë u vu në dukje në gazetat që botohen në gjuhën shqipe  në Shkup e në Prishtinë. Mehmet Shehu deklaroi se marrëdhëniet me Jugosllavinë janë çështje të një familjeje socialiste, e cila mosmarrëveshjet i zgjidhë brenda gjirit familjar[1]”, thotë Mehmet Shehu.

 

Mërgimtarët kosovarë dhe aktiviteti i tyre

 

Mërgimtarët shqiptar e veçanërisht ata që ishin me prejardhje nga Kosova, edhe pse ishin larg tokave të tyre assesi të harronin se nga vinin. Andaj ata ishin të vetëdijshëm se familja , të afërmit dhe vet tokat shqiptare po vuanin si askush në botë nën dhunën serbe. Për të ndihmuar dhe për të përkrahur vëllezërit e tyre të ngelur në Kosovë, ata kishin marr dhe kryer shumë aktivitete që propagandonin situatën tepër të rëndë, tek personalitetet dhe organizatat e fuqishme e me ndikim në botë. Nënkomiteti i “Lidhjes Kosovare” që vepronte në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, iu kishte drejtua një letër z. Senatorëve Paul H. Douglas dhe Everett M. Dirksen, duke ua theksuar gjendjen e popullit shqiptarë në Jugosllavi. Në vazhdim po japim disa pjesë të saja: “ Vendasit shqiptarë të Ilinoisit, shfaqin mospëlqimin e tyre për ndihmën ushtarake dhënë regjimit jugosllav si dhe për vizitën që ka ndërmend ta bëjë Tito në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe daljen e tij në televizor. Dëshirojmë t’iu shpjegojmë  se ka mbi 1.300.000  shqiptarë që rrojnë nën regjimin komunist në krahinën e Kosovës. Kësaj popullsie  nuk i kanë dhënë asnjë të drejtë vetëmbrojtjeje si grup kombëtar dhe si njerëz. Që prej nëntorit 1944 e deri në maj 1945 regjimi i Titos ka vra ma se 45.000 mijë shqiptar dhe ka djegë qytete e katunde të tëra duke masakruar gra e fëmijë të pafajshëm. Në maj 1945 komunistet jugosllav morën me mija të rinj shqiptar dhe i detyruan  që të shkonin në Serbi e Mal të Zi. Më se 35.000 nga këta të rinj, nuk u kthyen  në shtëpitë e veta. Nga këta, 3.500 u vranë me mitraloz në Mal të Zi, dhe 2.000 të tjerë u mbytën me gaz helmues. Ky terror ende vazhdon në Kosovë. Më 1956 me mija njerëz u rrahën me dru, u burgosën e u mbyllën në kampe përqendrimi. Torturuan njerëzit dhe mbyllën shkollat e pakta”[2] shkruan në vazhdim mërgata kosovare.

Rëndësi e veçantë në letër iu kushtohet organizimeve të proceseve gjyqësore gjithandej ku jetojnë shqiptaret. Veçantë flitet për proceset politike gjyqësore që mbahen në Prishtinë, në Shkup, në Prizren që ishin organizua në vitin e kaluar ndaj shqiptarëve. Të gjithë këta u dënuan me vite marramendëse burgu të rëndë vetëm e vetëm gjëja se kishin marr pjesë dhe kishin qenë anëtar të një organizate ilegale që kishte veprua në trojet shqiptare të okupuara, me qëllimin e vetëm që ti mbronin popullin nga shtypja jugosllave. Më se 36 shqiptarëve iu kishin shqiptua dënimet në këto gjykatore të okupuesit. Veç që dënoheshin me vite burgu, ata kishin edhe metoda të tjera dhune shtesë, si mos lejimin në vendet e punës, pengimin në shkollimin e mëtejshëm, ndalimin e mësimit në gjuhën shqipe, ndalimin e përdorimit të flamurit në festa kombëtare, shtetërore e familjare etj.

Në letër thuhej edhe kjo se  qëllimi i politikës jugosllave, jo vetëm i kësaj të tanishmes por edhe të asaj së kaluarës, kundër popullit shqiptar të Kosovës është një politikë kolonizuese dhe shfarosëse pa asnjë kujdes për të drejtat e njeriut ose marrëveshjet ndërkombëtare  që i caktojnë statutin e pakicave etnike.[3] Thuhej në shkrimin “Aktiviteti i Kosovarëve në mërgim”.

 

Shtypi i huaj përkrah kosovaret

 

Shtypi i huaj veç problemeve që trajton e që ishin aktuale për kohën, shpesh në faqet e tyre mundë të gjeje edhe shkrime që përkrahnin çështjen e pazgjidhur shqiptare në ish-Jugosllavi. Gjatë leximit të gazetës së mërgimtarëve tanë “Përpjekja Kosovare” në shumë faqe të saja kam hasur shkrimet dhe komentet që ishin të huazuar nga gazetat e popujve të tjerë që jetonin dhe vepronin në mërgim e që ishin me origjinë nga Jugosllavia e formuar artificialisht.

Në këtë drejtim duhet cekur shkrimet e gazetës të mërgimtarëve kroat  “Danica” që shkruan në superalativë për angazhimin dhe punën e madhe që bëjnë mërgimtarët shqiptar. E aq më tepër duhet cekur se kjo gazetë çmon lartë punën e shqiptarëve dhe iu jep të drejt dhe i përkrah në qëllimet e tyre.

Në mes tjerash gazeta “Danica” gazetë e mërgimtarëve kroat, që botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 7 gusht 1957, botoi edhe këtë shkrim: “Komiteti Shqiptar “Lidhja Kosovare”, që përfaqëson Shqiptarët e Fushë Kosovës, ka filluar të botoi në Parisë buletinin e tij “Përpjekja Kosovare”. Në numrin e saj të parë, buletini lajmon se “Lidhja Kosovare”, është pranua si anëtare e “Bashkimit Federalist të Pakicave Etnike Evropiane”. Komiteti ka këto synime :

1. Me i bashkua Kosovaret në mërgim dhe me i rendua përpjekjet e tyre për mbrojtje të Kosovës;

2. Me i dhanë zemër  qëndresës së grumbulluar etnike shqiptare në Jugosllavi kundër shtypjeve ;

3. Me lajmua botën e lirë për padrejtësitë  dhe shtypjen që bahet pakicës shqiptare në Jugosllavi;

4. Me luftua  për çlirimin e Kosovës;

5. Me luftua që kombi shqiptar, i lirues dhe i bashkuam të gjejë pavarësinë e tij në një regjim demokratik dhe të jetë faktor paqe në Ballkan.

Simpatia e të gjithë kroatëve  është në anën e shqiptarëve të lirë dhe demokratë. Prandaj ne do të ndihmojmë që krahinat shqiptare në Jugosllavi të çlirohen në bazë të vetëvendosjes së popujve  dhe të bashkohen në një Shqipëri të lirë dhe demokratike, e cila është aleati i ynë i natyrshëm në luftën tonë kundër imperializmit dhe idesë mendjemadhe serbe,[4] përfundon gazeta kroate “Danica”.

 

Përkujtim heronjve të kombit

 

Në faqet e veta “ Përpjekja Kosovare”, njofton lexuesit e vet se me një pietet të lart ajo nderoi dhe nuk i harroi heronjtë e kombit të vet. Me 6 të vjeshtës së Dytë Kosovare, në NewYork, kishin  shkua tek varri i Midhat Frashërit, bashkë me grupe të tjera shqiptare, për me përkujtua shqiptarin e madh.

Në emër të Komitetit “Lidhja Kosovare”, kishin vu një kurorë me lule me këtë mbishkrim : Lumo Skendos- Atit të Shqipënis së Vërtetë”[5], Lidhja Kosovare.

 

Vazhdon me traditën e informimit edhe nr. 6, i “Përpjekjes Kosovare”

 

Sikurse edhe numrat e parë të gazetës “Përpjekja Kosovare” edhe ky numër 6 (gjashtë), vazhdon të botohet në formatin A-4, me kopertina me ngjyra, dhe në 6 faqe tekst. Ky numër është i botuar me 25 shkurt, 1959, në Paris. Sipas të dhënave është viti i tretë i botimit.

 

Proteston mërgata shqiptare

 

Faqes së parë i paraprin shkrimi “Arrestime të reja në Kosovë”, po ashtu sikurse edhe shkrimet tjera nuk kanë emër të autorit dhe as iniciale. Në vazhdim Lidhja Kosovare shkruan se :”Sipas lajmeve që kemi, me 25 të Nëntorit të kaluar policia Jugosllave ka arrestuar nja 80 veta në Kosovën e robëruar nga Jugosllavia. Arsyeja e kësaj vale së re arrestimesh është se autoritetet komuniste të Beligradit i kishte zënë frika se do të bëhej një demonstratë e madhe në të tanë Kosovën, me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor.[6] Thuhet në organin informativ të Lidhjes Kosovare.

Sipas gazetës thuhej se qendra e këtij organizimi të ri kundër pushtimit të huaj mbahej në Ferizaj, ku autoritetet jugosllave, me gjithë se nuk kanë dhënë asnjë komunikatë, pretendojnë se kanë gjet arsenale armësh: 20 mitraloza të rënda dhe shumë pushkë. Dhe të arrestuar të shumta kryesisht ishin nga Ferizai, nga Gjilani, nga Prizreni dhe nga Prishtina.

Sipas të dhënave, thuhej se kryesisht të arrestuarit ishin intelektual si: arsimtar, student, por në mesin e tyre kishte edhe anëtar të partisë komuniste e këshilltar komunash. Të arrestuarit kryesor në këtë periudhë ishin : Metush Krasniqi[7], Mark Gashi[8], Nihat Maksuti[9], Qemal Kallaba[10], Xhemal Shaqiri[11], Sylë Dajkofci[12] etj.

Gjykatat e Qarqeve ku ishin arrestuar të akuzuarit, akuzoheshin nga organet përkatëse  se gjoja kanë qenë në lidhje me autoritetet komuniste të Shqipërisë për të organizuar një kryengritje në Kosovë. Ndërsa, gazeta thoshte se : “ tërë bota e di se faji më i madh i një milion kosovarëve është se kanë guxim t’i thonë vetes shqiptar, të kërkojnë flamurin e tyre dhe t’i dalin zot gjuhës, traditave  dhe të drejtave të tyre, si grup etnik”[13] njoftonte gazeta.

Lidhja Kosovare nëpër mes organit të saj të informimit “Përpjekja Kosovare”, shpreh revoltën dhe informon opinionin e gjerë botëror se ajo me anëtarët e vet që veprojnë në mërgim, si edhe të gjithë shqiptarët, janë zemëruar shumë për këto masa  shtypëse  të qeverisë së Jugosllavisë kundër pakicës shqiptare në Jugosllavi. Mbase persekutimeve të tmerrshme edhe proceseve gjyqësore që u mbajtën dy vite më parë, tash po përsëritet po ajo punë, po zbulohen gjoja armë dhe po bëhet kryengritje”.[14]

Në vazhdim thuhej se “Ne po protestojmë kundër këtyre metodave shtypëse dhe u bëjmë thirrje  të gjithë shqiptarëve që ndodhen në botën e lirë, me e ngritur zërin për me i mbrojt vëllezërit e tyre në Kosovën e robëruar[15]” reagon Lidhja Kosovare.

 

Amnistitë që nuk i fitojnë shqiptarët

 

Zakonisht ndodhte që para festave shtetërore jugosllave, pushtetarët të bënin amnisti ndaj të burgosurve. Një amnisti të tillë, pushteti i Beogradit e kishte aplikua në prag të festës së 29 nëntorit, festë kombëtare e Jugosllavisë. Edhe pse amnistia vlente për të gjithë, pa dallim kombi apo gjinie, sipas gazetës “Përpjekja Kosovare”, në mesin e të amnistuarve nuk ndodheshin intelektualët shqiptar, të cilët ishin burgosur e arrestuar sepse kishin kundërshtuar hapjen e shkollave në gjuhën turke për nxënësit shqiptar, e disa nga ata ishin dënuar se kishin festuar ditën e flamurit[16], festën më të madhe shqiptare, duke shpalosur flamujt kombëtar. Edhe një “margaritar” i pushtetit serb që haptas ishte futur në sistem.

Në gazetë, lexuesi mundet me has edhe në informata të shkurtra por që kanë një peshë të madhe, ngase në mënyrë të shkurtër informohet lexuesi për padrejtësitë e shumta që bëhen ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi.

Një informatë e tillë vlen të cekët edhe ajo e shkrimit “Përvjetori i shkollës tetëvjeçare të Gjakovës”, ku thuhej se : ”Me 2 të dhjetorit të kaluam u kremtua përvjetori  i Shkollës tetëvjeçare të Gjakovës. Gjakova, qendra e lëvizjeve kombëtare që dy vite  më parë kishte organizua demonstratat nëpër rrugët e qytetit për “Liri e Shqipëri”, është dënua duke e bërë ndërrimin e emrit të shkollës nga emri i një shqiptari në emër të një luftëtari të Luftës së Dytë Botërore: “Voja Vllakçeviç”, edhe pse në këtë qytet popullata kryesisht, 100%  është shqiptare[17], thuhej në shkrim.

 

Investimet false në Kosovë

 

Shpesh ndodhte në Jugosllavi dhe politika e saj false, të përhapte lajmin se shteti jugosllav do të investoj në Kosovë aq e aq para. Por shpesh ato të dhëna  të premtuara u harronin dhe Kosova e pranuan o se pranuan pushtetarët, ngeli pjesa më e pa zhvilluar e Jugosllavisë. Në Kosovë investohej aq sa okupuesit i nevojitej sa për të shfrytëzuar resurset e pasura natyrore të saja, dhe ato që të gjitha përfundonin të përpunuara në tregun e brendshëm e të jashtëm Jugosllav.

Mërgata shqiptare e kishte kuptuar me kohë lojën që po bënte politika shkombëtarizuese e Beogradit, andaj edhe bënte sarkazëm me fjalët që i kishte përhap Beogradi se gjoja ajo do të investojë në Kosovë mbi 80 miliard dinar për me industrializua Kosovën[18] dhe shkruante më tej se ende nuk dihej mirë se ky lajm i hapur është i vërtet apo është vetëm sa për propagandë.[19] E këso lajmesh në shtypin e Beogradit gati-gati ishin të përditshme, po kush besonte në shkrimet e tyre.

 

Shpërngulja e shqiptarëve për Turqi

 

Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, në vitet e 1953-1960, me të madhe gjenden shkrimet që i kushtojnë rëndësi shpërnguljes së madhe të shqiptarëve për Turqi. Edhe ky numër i gazetës ( nr. 6), në faqet e saja ka bërë një përmbledhje të gjerë për shpërnguljet e familjeve shqiptare për Turqi.

Në shkrimin “ Emigrimi për në Turqi”,  gazeta shkruan se në muajt e fundit dukshëm vërehet një ngadalësim i shpërnguljeve të shqiptarëve për në Turqi. Sipas shtypit të Jugosllavisë thuhej se vetë autoritetet kanë fillua vetë mos me lejua shpërnguljen e tyre, ngase bota ka reaguar ashpër për këtë dukuri si brenda edhe jashtë saj, dhe me kohë kanë filluar reagimet nga jashtë.

Por, për të arritur qëllimin e vet shkombëtarizues, pushteti ka ndërmarr masa të tjera për t’ia arritur qëllimit. Megjithatë edhe pse kanë reaguar forcat ndërkombëtare, qëllimi i jugosllavëve ishte që shqiptaret në një farë mënyre t’i quanin Turq.

Gazeta në faqet e saja sjellë edhe lajme të cilat janë të argumentuara në mënyrën më të mirë, siç është rasti i Tetovës. Në Tetovë me të madhe shtrëngohen prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla turke duke iu kërcënua se nuk kanë me i punësua.

Në katundin e Tearrcës , fshat me mbi 500 shtëpi, nga shkaku i 20 familjeve  të turqizuara të mbetura nga bazat e vjetra të ushtrisë otomane, i tanë fshati i quanin si kombësi turke dhe si të tillë e kanë futur në planin e ministrisë për ta emigruar në Turqi.[20]

E njëjta gjë thuhej se i ka ndodhur edhe fshatit të Çiflikut, prej 100 shtëpish, në të cilin fshat nuk ka asnjë turk. Edhe fshatin e Miletinës prej 150 shtëpish krejt shqiptare, e quajnë turk dhe e kanë futur në planin e emigrimit për në Turqi.[21]

Fshati Zhelinë, në rrethin e Tetovës, me 300 shtëpi i banuar me shqiptarë, edhe ky fshat quhej turk nga autoritetet maqedonase, sepse një lagje e vogël “Çajan” përbëhet nga familjet e sejmenëve të bejlerëve turq të kohëve të shkuara dhe nuk dinë shqip[22].

Vrapishti, një fshat i komunës së Gostivarit, me afër 500 shtëpi shqiptare, edhe ky quhej si fshat i populluar me turq, dhe është paraparë nga autoritete që të shpërngulej për Turqi. Se edhe këtu, sikurse në fshatrat e përmendura më herët, ka ndoshta dhjeta veta që flasin gjuhen turke.

Për këtë dukuri dhe për këtë shkombëtarizim të hapët që ushtron pushteti jugosllav, Lidhja Kosovare protestonte haptas duke e ngritur zërin lart dhe duke njoftuar opinionin e gjerë për padrejtësitë e shumta me të cilat bëhej presion tek popullata shqiptare në trojet e tyre etnike në Jugosllavi.

 

Reagimi i Beogradit ndaj Ballit Kombëtar

 

Pushtetarët e Beogradit duke e parë aktivitetin e madh të organizatës politike “Lidhja Kosovare”, dhe duke e parë se reagimet që i bënte ajo për padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar nga pushteti okupues dhe duke e vërejtur se të gjitha reagimet që i bënte kjo organizatë ishin me ndikim në politikën ndërkombëtare, ajo në radion e Beogradit kishte ndërmarrë një fushat për të deklasuar dhe denoncuar haptas një politik të tillë duke thënë se Balli Kombëtar po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Në shkrimin “Radio Beogradi padit “Ballin Kombëtar” se gjëja se po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë”, thuhej se “Me 3 dhjetor të vitit të kaluar, Radio e Beogradit ka sulmua Ballin Kombëtar”, i cili interesohej me të drejtë për Kosovën dhe shqiptarët, ajo i quan të gjitha këto se ai po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Nga ana tjetër Mareshali Tito, në një fjalim që kishte mbajtur, ka thënë se shtypi shqiptar në emigracion ka botuar deri më sot mbi 170 shkrime mbi Kosovën duke dashur me vërtetua  se kosovarët iu janë mohua të drejtat më elementare. Kurse sipas udhëheqësit jugosllav, pakica shqiptare në Jugosllavi i paska të gjitha  të drejtat dhe paska shkolla në gjuhën shqipe, të cilat shkolla nuk i ka pas në kohën e regjimit monarkist[23] e të tjera.

Të gjitha këto fjalë që i kishte thënë Tito-ja, me gjasë askujt nuk ia mbushin mendjen, ngase shkrimet e mëparshme që i kishte botua gazeta “Përpjekja Kosovare”, dëshmonin të kundërtën dhe gënjeshtrat nuk krahasoheshin me argumente të verifikuara mirë siç ishin botua për fshatrat shqiptare të Maqedonisë.

Artikullshkruesi thoshte se :” ne duam që shqiptarët e Jugosllavisë të kenë po ato të drejta që i gëzojnë kombësitë e tjera atje. Por këtë duhet me na provua  me fakte dhe jo me fjalë. Duhet që të lëshojnë nga burgu të gjithë të burgosurit politik, të mos bëjnë më presione  mbi fshatrat shqiptare për t’u deklaruar turq, të mos iu bëjnë presione ekonomike dhe të tjera  popullsisë dhe ta lënë krejt të lirë dhe të plotë arsimimin e mësimin në gjuhën shqipe. Vetëm atëherë mund të themi se fjalët e Mareshalit Tito kanë njëfarë vlere.[24]

Ndërsa sa i përket reagimit ndaj “Ballit Kombëtar”, nuk mund të thuhej se po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë, sepse Balli Kombëtar nuk po bënë tjetër gjë veçse po e ngrit zërin e vet për me u dal zot të drejtave të ligjshme të pakicës sonë në Jugosllavi, të drejta që janë caktua nga Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut edhe nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare[25], thuhej në shkrimin e gazetës “Përpjekja Kosovare”.

 

Shtypi i mërgatës kroate shkruan për Kosovën

 

Sikur që e kemi cekur më herët, shtypi i mërgatës kroate çështjes dhe problemeve të shqiptarëve që jetonin të okupuar nën Jugosllavi vazhdimisht i kushtonte rëndësi në faqet e saja. Kështu kishte ndodhur edhe më 1958, në numrin 10-11, të gazetës “Danica”, që botohej në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo botonte intervistën e kryetarit të Lidhjes Kosovare, të Dr. Nexhat Mitrovicës, që më parë e kishte botua gazeta “Besa” që u botonte nga mërgata shqiptare e Stambollit, në gushtin e vitit të kaluar (1958).

Pasi që botonte intervistën, gazeta “Danica”, shtonte edhe këtë: “Deklaratës së Z. Mitrovicës dëshirojmë t’i shtojmë se edhe populli kroat e ndjek me simpati luftën e shqiptarëve të Kosovës për një vetëvendosje, edhe do të gëzohej kur këto krahina, të cilat janë pa dyshim shqiptare, do ti bashkohen një shteti Shqiptar, të lirë, demokratik dhe antikomunist”.[26] Thuhej në gazetën “Danica”.

 

Radio Londra i kushton vëmendje të madhe Ditës së Flamurit shqiptarë

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” në dy faqe tekst jep të dhëna se si Radio Londra i kushton rëndësi të madhe ditës kombëtare të ngritjes së flamurit shqiptar. Gazeta nuk e jep në tersi fjalën e lexuar në emision të Radio-Londrës, por pjesë-pjesë e boton edhe fjalën që u dha për Kosovën dhe popullin e robëruar të saj.

Ajo fillon duke treguar gjendjen e rëndë të kosovarëve që jetojnë të robëruar dhe historikun që e solli Kosovën në kthetrat e ish-Jugosllavisë, se:“Sot na shqiptarët në mërgim festojmë përvjetorin e 46-të të Ditës së Flamurit. Nesër, ju në Shqipërinë e robëruar do të shtrëngoheni përsëri me marrë pjesë në demonstrata për nderë të 29 nëntorit... Si e dimë të gjithë , 29 nëntori është dita e shpalljes  së republikës Jugosllave. Sa për pretendimin e Tiranës se kjo është edhe dita , kur ushtari i fundit gjerman u largua  nga toka shqiptare, nuk ka asnjë provë dhe nuk ka asnjë fakt. Është vështirë me e marrë me mend se çka e shtyri ushtarin e fundit gjerman të largohej nga Shqipëria bash atë ditë kur Mareshali Tito kishte bërë planin me proklamua republikën e tij. Por, nga kjo del edhe shpjegimi fare i thjesht  se Shqipëria ishte caktua nga Stalini të bëhej, me kohë, republika e shtatë e Jugosllavisë federative. Për të arrit këtë qëllim, ishte nevoja  me farkua jo vetëm lidhjet vitale ekonomike, ushtarake e politike, si lidhja doganore, lidhja e valutave, standardizimi i forcave ushtarake dhe koordinimi i planeve  ekonomike, por edhe disa lidhje historike, të cilat do të sheshonin rrugën për bashkimin e dy shteteve. Kjo është origjina, kuptimi dhe qëllimi i ditës së 29 Nëntorit, 1944, të cilën udhëheqësit e Tiranës po e reklamojnë edhe një herë si ditë çlirimi. Për Mareshalin Tito ky ishte një kurth shumë tinëzar.  Për Hoxhën dhe Shehun servilitet dhe tradhti. Prandaj ata kanë nevojë kohë më kohë të fshehin fytyrën e tyre të shëmtuar prapa patriotizmit, si e bënë vitin e kaluar dhe si mund ta bëjnë edhe në të ardhmen[27], komenton Radio Londra.

Më vonë vazhdon Radio-Londra, shton se :”Në rrethanat e tanishme, kur Shqipëria është bërë pararojë e fushatës antijugosllave, një ngjarje historike e tillë ka rreziqet e saja. Prandaj, për  t’i pakua kokëçarjet, Hoxha dhe Shehu kanë gjet një fushë tjetër, ku të shiten si patriot. Tash ata po na mburrën si mbrojtës të Kosovës. Por, edhe këtu faktet flasin kundër tyre. Me qenë se Jugosllavia  përbëhet nga kombësitë e ndryshme , Kremlini orvatet ta shfrytëzoi problemin e pakicave , për ta shtrëngua  të bjerë në gjunjë. Si dihet, ky problem i ka sjell Evropës, dhe sidomos Ballkanit, shumë ngatërresa vjet me radhë. Problemi vetë i ka rrënjët në padrejtësi të kryera  gjatë historisë moderne dhe si i tillë ka qenë shfrytëzua vazhdimisht nga fuqitë  totalitare, ndër të cilat Rusia mban rekordin. Nga ana tjetër, Bota e Lirë është mundua gjatë këtyre 30-40 vjetëve ti gjejë një zgjidhje të drejtë me anë të Lidhjes së Kombeve dhe Kombeve të Bashkuara, bazua në parimin e vetëvendosjes së popujve  dhe në idenë e një Evrope të Federueme. Kurse Rusia Sovjetike është mundua ta zgjidhë problemin me depërtime dhe shfarosje popullsish, si depërtimi i Tartarëve  të Krimes, i Kalmukve etj.  Dhe i një pjese të popujve të Baltikut. Prandaj, ankimi i Hoxhës për fatin e Kosovës tingëllon ashtu si asht: fund e maje hipokrit. Dhe aq më tepër, kur ngjarjet e zhvilluara  në skenën shqiptare në këta 15 vjet tregojnë se sa çnjerëzore, negative dhe oportune  ka qenë dhe është qëndrimi i komunistëve të Tiranës kundrejt problemit të Kosovës.[28]

Më tej vazhdon Radio Londra, se kur Italia fashiste ishte në kapitullim e sipër, një konferencë me rëndësi u mbajt në Mukje të Tiranës, me 1 e 2 gusht 1943, ndërmjet Ballit Kombëtar, e kryesuar nga patrioti Midhat Frashëri dhe Lëvizjes Nacional Çlirimtare, ashtu si quhej atëherë Partia Komuniste e Shqipërisë. Mbas bisedimeve  të gjata , një marrëveshje me gjashtë pika u lidhë dhe u nënshkrua  nga përfaqësuesit e të dy palëve. Nuk zgjatë shumë as një javë, kur marrëveshja u prishë nga Komiteti Qendror i kësaj partie mbledhë në Labinot, me urdhër të emisarëve  të Mareshalit Tito, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi. Ata kundërshtuan rreptësisht sidomos pikën 3 të Marrëveshjes, që thoshte : “ Të dy palët do të punojnë për një Shqipëri etnike të pavarur”. Që donë të thotë se të dy palët japin besën me vazhdua përpjekjet për një zgjidhje të drejtë të problemit të Kosovës.[29]

Nga mbarimi i luftës komunistët e Shqipërisë dërguan një brigadë të tanë, për të ndihmua Titonë të nënshtronte shqiptarët e Kosovës. Deri më 1948, për Hoxhën dhe regjimin e tij ky problem ishte  zgjidhë një herë e përgjithëson. Vetëm mbas  1948-ës, e sidomos mbas prishjes së marrëdhënieve  në mes Jugosllavisë dhe shteteve komuniste, filluan komunistët e Tiranës  të bëjnë shumë zhurmë për një zgjidhje të drejtë të këtij problemi. Po të shikojmë të kaluarën sovjetike, është kollaj me marrë me mend se çfarë zgjidhje mund të jetë kjo- një zgjidhje sipas kallëpeve komuniste, të cilën asnjë shqiptar nuk e dëshiron.

Një problem  si ky nuk zgjidhet duke derdhë lot krokodili. Problemi ekziston dhe të gjithë të interesuarit e pranojnë. Zgjidhja është shumë e vështir, por jo e pamundur. Nacionalizmi shqiptar këtë e kupton fare mirë dhe mbështetë në parim dhe metodat e demokracisë Perëndimore në përpjekjen e tij për një zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës.

Prandaj , orvatjet e kuislingëve  të Tiranës me e shitë si mbrojtës e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare, qoftë duke mbrojtur të drejtat e Shqiptarëve të Kosovës, qoftë duke reklamua 29 nëntorin si ditën e çlirimit, janë dënua të dështojnë.

Dita  që na shqiptarët, kudo që gjendemi, po festojmë sot, 28 Nëntorin 1912, është dita që u sjell popullit tonë lirinë dhe pavarësinë e vërtetë. Kjo liri dhe kjo pavarësi u shkelën më 7 prill 1939 dhe nuk janë rifitua ende. 29 Nëntori 1944 e shtrini zgjedhën nga tirania fashiste në territorin komunist. Sot shqiptari, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, apo në Botën Perëndimore, përulet me përbujtësi përpara Altarit të Atdheut edhe përkujton Etnitë, që lanë jetën për të.[30]

 



[1] Intervist e Mehmet Shehut gazettes” New York Times”, Përpjekja Kosvare, nr. 3. f. 4. 1957, Paris.

[2] Aktiviteti I Kosovarëve në megrim, Përpjekja kosovare, nr. 3. f. 4. 1957. Paris

[3] Aktiviteti I Kosovarëve në megrim, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 4. 1957. Paris.

[4] Nga shtypi ndërkombëtar, Përpjekja kosovare, nr. 3. f. 5. 1957. Paris

[5] Lidhja Kosovare ven kurorë mbi varrin e Midhat Frashërit, Përpjekja Kosvare, nr. 3. f. 5. 1957, Paris.

[6] Arrestime të reja në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 2. 1959. Paris

[7] Metush Krasniqi

[8] Mark Gashi

[9] Nihat Maksuti

[10] Qemal Kallaba

[11] Xhemal Shaqiri

[12] Sylë Dajkofci

[13] Arrestime të reja në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 2.  1959, Paris.

[14] Po aty.

[15] Po aty.

[16] Një amnesty nga e cila nuk fitojn shqiptarët, Përpjekja Kosovare, nr. 6. .f, 2. 1959. Paris.

[17] Përvjetori I shkollës tetëvjeçare të Gjakovës, Përpjekja Kosovare, nr, 6. f. 3. 1959. Paris.

[18] Industrializimi I Kosovës, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 3. 1959. Paris

[19] Po aty.

[20] Emigrimi për në Turqi, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 3. 1959, Paris

[21] Po aty.

[22] Po aty.

[23] Radio Beogradi padit “Ballin Kombëtar” se përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 4, 1959. Paris

[24] Po aty.

[25] Po aty.

[26] Gazeta kroate “Danica” shkruan për Kosovën, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 4. 1959, Paris.

[27] Emisioni I Radio-Londrës për ditën e Flamurit, Përpjekja Kosvare, nr. 6. f. 5. 1959, Paris.

[28] Po aty, f. 6.

[29] Po aty.

[30] Po aty.



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: