Doris Pack: Nuk jemi në Kosovë për ta ndarë atë!
| E Shtune, 19.11.2011, 07:16 PM |

"Gjendja në veri të Kosovës është shkallëzuar për shkak të forcave kriminale dhe jo për shkaqe politike", shprehet në intervistë për Detusche Wellen eurodeputetja Doris Pack. Sipas saj, për ndarjen e Kosovës as që mund të bëhet fjalë!

 

Deutsche Welle: Gjendja në veri të Kosovës është shkallëzuar pas ndërhyrjes para më shumë se dy muajsh të forcave kosovare me qëllim që edhe në këtë pjesë të vendit të vendoset rendi dhe ligji. Serbët, kanë reaguar me ndezjen e pikëkalimeve kufitare dhe bllokimin e rrugëve. Ndërkohë që KFOR-i dhe forcat tjera ndërkombëtare ende nuk kanë arritur të zhbllokojnë të gjitha rrugët. Si e shihni ju nga Brukseli situatën e krijuar në veri?

 

Doris Pack: Në veri të Kosovës kemi burra (shpresoj se nuk ka edhe gra) të cilët po sillen më shumë si kriminelë se sa si politikanë. Ata po bllokojnë rrugët dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve të veriut të Kosovës. Është kjo një lojë shumë e poshtër, që s'ka të bëjë fare me politikën. Ata duan të kenë nën kontroll kriminalitetin dhe në fakt po dëmtojnë edhe interesat e Serbisë, sepse nuk e besoj që Beogradi të jetë i interesuar të mbështesë sjellje të tilla të serbëve të veriut të Kosovës. Nuk bëhet fjalë këtu për kërkesa politike por për interesa të pastra kriminale, të cilat patjetër duhet të ndërpriten. Por këtë nuk po mund ta bëjë qeveria e Kosovës. Këtë nuk po mund ta bëjë madje as KFOR-i, duke mos folur për EULEX-in. Dhe ky fakt më pikëllon shumë.

 

Deutsche Welle: Shumë analistë në Kosovë por edhe ekspertë të huaj thonë se qëllimi përfundimtar i Beogradit dhe serbëve është në fakt ndarja e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Mendoni se ndarja e Kosovës është e mundshme?

 

Doris Pack: Jo, dhe për këtë çështje nuk duhet menduar fare. Në qoftë se fillojmë me ndarje, ato nuk do të kenë fund. Kufinjtë në Ballkan janë përcaktuar dhe duhet të respektohen. Nuk e kuptoj, pse për shkak të serbëve duhet ndryshuar diçka në veri të Mitrovicës, sepse serbët në jug të lumit Ibër për vite të tëra marrin pjesë në institucione dhe në qeveri. Ata kanë pushtetin në komunat ku janë shumicë. Kështu edhe duhet të jetë. Plani i Marti Aahtisarit, i jep minoritetit serb shance të mëdha atje ku ata janë shumicë. Kjo vlen edhe për veriun e Kosovës. Kjo do të thotë se edhe në atë pjesë duhet të sundojnë rendi dhe ligji, gjë që nuk është në interesin e strukturave kriminele. Ky është edhe shkaku pse tani kemi këtë situatë që kemi.

 

Deutsche Welle: Analistët dhe politikanë në Prishtinë thonë se ndarja e Kosovës me siguri që do të reflektohej edhe në vendet e rajonit me probleme etnike të pazgjidhura deri në fund, si në Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni apo në Luginën e Preshevës. Mendoni se do të ketë kërkesa për ndarje të tjera, në qoftë se pranohet ndarja e Kosovës?

 

Doris Pack: Po, në qoftë se Kosova ndahet, atëherë do të ketë njerëz të cilët thonë: pse shqiptarët duhet të mbeten në Maqedoni kur atje përbëjnë 28 % të banorëve? Edhe ata mund të thonë: ne duam të bashkohemi me Kosovën. Bashkimin me Kosovën mund ta kërkojnë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, ku përbëjnë shumicën. Pra mund të ketë lëvizje të mëdha që nuk është në interesin e kërkujt. Ne nuk jemi angazhuar në Kosovë për të ndarë Kosovën. Nuk ka asnjë shkak për ndarje. Shkaku i vetëm do të ishte të ndihmohen kriminelët për të kryer punët e tyre të pista, gjë që nuk duhet të ndodhë. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të përkulet, sepse në këtë mënyrë do të humbisnim fytyrën.

 

Deutsche Welle: Beogradi, deri tani ka hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që ka diplomatë që thonë se Serbia pa njohjen e Kosovës nuk mund të antarësohet në Bashkimin Evropian...

 

Doris Pack: Nuk e di pse gjithmonë shtrohet kjo pyetje?!, sepse deri sa Serbia të jetë e gatshme për antarësim do të kalojë edhe shumë ujë në lumin Ibër dhe në të gjithë lumenjtë e tjerë. Serbia, tani duhet t'i normalizojë raportet me vendin fqinj. Aktualisht nuk luan rol njohja e pavarësisë së Kosovës. Raporte të mira me një vend fqinj mund të kesh edhe pa e njohur pavarësinë e tij.  Me rëndësi është që tani të përmirësohen kushtet për jetë në këto vende. Çështja e njohjes së pavarësisë do të shtrohet vetëm pas përfundimit të negociatave për antarësimin e Serbisë në BE. Atëherë do të kërkohet përgjigje në këtë pyetje. Tani duhet të shtrojmë pyetjen: a është Serbia e gatshme për dialog konstruktiv dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë dialog? Në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës është që atje të kenë një jetë normale.

 

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama


DW- Për ZSH: Tahir Shabani

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: