Flet aktorja e mirënjohur, “Artistja e Merituar”, Roza Anagnosti
| E Diel, 13.11.2011, 07:55 PM |

“Nëna Nicë, aty jam e tëra unë”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Para disa ditësh nën kujdesin e Bashkisë Elbasan, Klubit të Shkrimtarëve “Kristo Kristoforidhi” Elbasan, bibliotekës së qytetit të Elbasanit dhe kompleksit Sportiv “AJEK”,   u zhvillua mbasditja POETIKE “Nderim për NËNËN”. Në këtë veprimtari marrin pjesë, poetë nga Maqedonia, Kosova. Mali i Zi (të përfshirë në vëllimet poetike “Karvan Dashurie”),  intelektualë, aktorë, këngëtarë, prezantues ku midis të tjerëve do të veçoj: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Luiza Xhuvani, Vitore Sallaku, Skënder Sallaku, Silvana Braçe, etj.. Të ftuar special Streha e të Moshuarve Elbasan. Kjo veprimtari u iniciua nga poetja, njëkohësisht dhe financuesja e dy vëllimeve poetikë “Karvan Dashurie” me poezi kushtuar nënës, znj. Iliriana Sulkuqi. Pikërisht në këtë veprimtari mbarëkombëtare, e cila u prezantua nga spikerja e mirënjohur Silvana Braçe  munda të zhvilloj një bisedë me aktoren e mirënjohur Roza Anagnosti. Si përherë edhe në këtë veprimtari ajo ishte e qeshur.

Mbushur me mirësi, ku recitimi i saj la mbresa tek të pranishmit. Dhe pse ajo ka luajtur me dhjetëra role të nënës, sipas saj, ajo në këtë veprimtari është ndjerë si kurrë ndonjëherë. Kur rreth saj u mblodhën me dhjetëra të pranishëm në sallë, ajo lotoi dhe mes “blice”-ve të shumta bëri shumë fotografi me ta.

 

Znj. Roza si jeni ndjerë në këtë aktivitet pas kaq duartrokitjesh dhe fotosh të shumta me të pranishmit?

 

Ishte vërtet një ditë shumë e bukur. Ishte një ditë emocionuese më shumë se gjatë realizimit apo promovimit të një filmi. Kur fillova të recitoj ato vargje brilante për nënën në fillim e ndjeva veten të pasigurt sepse aq shumë ka figura e nënës për të thënë. A mund të transmetosh të gjitha ato që ndjen për nënë në një poezi apo fragment poezie?! Poezitë janë shumë të bukura, të kuptueshme, ku secila ka një lloj nëne të veçantë, por a mund të jenë të gjitha poezitë një nënë? Besoj se jo. Poezitë e Frederik Rreshpes të Vincës, Agollit, apo Eseninit, janë një emocion i vetëm. Në këto poezi ka dhimbje, por ka dhe gëzimin, forcën që të jep emri nënë, emocionet që të jep ky emër kaq i bukur kaq madhështor. Unë s’di të flas bukur me poezi për nënën si ata poetë që recitova, por jam nënë vetë dhe kam lindur dhe rritur nga një nënë që s’di se si ta përshkruaj. Ndaj dhe për nënat janë shkruar nga mijëra poetë dhe asnjeri nuk ka përsëritur njëri- tjetrin. Sepse i tillë është emri Nënë, një emër magjik.

 

Sa role nënash keni luajtur në film dhe në skenën e teatrit?

 

Të them të drejtën nuk e mbaj mend se sa role kam luajtur. Në fakt kam bërë shumë gabim që nuk i kam numëruar, por di që çdo rol nëne e kam luajtur me shumë dëshirë me shumë përkushtim. Kur je vetë nënë edhe mund t’ja arrish ta realizosh një rol të tillë kaq kompleks. Nëna është dhembshuria, gëzimi, hareja, halleshumja, e dashura, e bekuara, e harruara,  e lexuara, njerëzorja, e sakrifikuara…Nëna është gjithçka për një fëmijë. Për këtë nuk i kam numëruar që në të ardhmen më del detyrë t’i numëroj (qesh).

 

S’i keni numëruar, por ndoshta më të vështirin e rolit të nënës, duhet ta veçoni apo përjashtoni paksa?

 

Po. Këtu ke të drejtë. Unë vetë do të veçoj plakën ose Nënën Nicë. Është një figurë që qysh në momentin që ma propozuan u dashurova marrëzisht me të. Ajo grua e thjeshtë ka përbrenda një botë të tërë. Ajo ka një shpirt që zor se e gjen, por ka dhe një zgjuarsi natyrale që, do t’ja kishin zili edhe filozofët më të mëdhenj. Askush s’mund të hyjë në skutat më të thella të botës shpirtërore të një nëne. As romancieri më i mirë, as poeti më i mirë s’mund ta përshkruaj në realitetin e tërë një nënë të tillë. Dhe për mua Nëna Nicë i ka të gjitha virtytet, cilësitë dhe enigmat e një nëne. Pra, ky rol ka qenë më i vështiri, por edhe më i bukuri. Dihet tashmë aty ku është vështirësia qëndron dhe bukuria.

 

Ke ndonjë peng për ndonjë rol nëne?

 

Artisti gjithmonë  kërkon dy gjëra në sheshet e xhirimit ose në skenë, ose të qëndrojë në lartësinë e rolit më të mirë ose të shkoj më tej. Në të kundërt ai quhet dështak. Them që me rolin e mësipërm që diskutuam kam arritur një rol pikant dhe nuk mund të them se kam ndonjë peng. Thashë që po të eksplorosh gjithë botën mund të gjesh një nënë ndryshe, një nënë që ka karakter apo formim tjetër, por që ndoshta nuk është portretizuar në një skenar të paktën këtu në Shqipëri. Në këtë këndvështrim mund të them se, nuk kam ndonjë peng për ndonjë rol tjetër nëne.

 

Kur është ndjerë më mirë Roza, kur ka luajtur rolin e një vajze të re, apo të një nëne?

 

Dua të jem e sinqertë se më shumë role kam luajtur të një vajze të re pasi konstrukti im dhe fizionomia ime kanë qenë dhe janë të tilla, pasi më tregojnë paksa të vogël, por rolet e nënave kanë qenë ndryshe. Dua të theksoj se kam luajtur dhe role nënash të reja që janë vajza. Por që nuk e kanë atë thellësinë e psikologjisë së një nëne në moshë plot me halle brenga dhe dhimbje. N.q.s rolet e vajzave të reja kanë qenë të mira në përgjithësi ato të nënave kanë qenë pikante dhe plot mendim. Me një fjalë kam luajtur më shumë role vajzash të reja kam spikatur me nënën Nicë.

 

Këmbëngul ende se rolet e nënës janë më organike?

 

Janë fjalë zemre. Kushdo që është rritur me nënë nuk ka mundësi të mos gjejë një fjalë ose dy fjalë për një poezi. Ato vargje janë fjalë zemre që të vijnë pa e ditur.

 

Ju sot kënduat dhe një poezi të bashkëshortit tuaj. Dhimitër Anagnostit kushtuar nënës.  Po ju vetë keni krijuar ndonjë poezi për nënën?

 

Unë nuk jam shquar për poezi apo krijimtari. Por poezia e bashkëshortit tim më dha një forcë dhe një emocion të veçantë. Dhimitri ka shkruar shumë poezi dhe pse nuk i ka botuar. Ai vazhdimisht shkruan të tilla dhe me to mund të bëhen më shumë se një vëllim, por ai deri më sot s’ka dashur t’i bëjë publike. Këtë poezi për nënën, isha unë ajo që ja shkëputa për ta bërë prezent në këtë event kaq të veçantë. Dhe ai më mirëkuptoi. Falënderoj znj. Iliriana Sulkuqi për këtë ftesë!

 

Po ju pse nuk këmbëngulni për botimin e një vëllimi poetik nga Dhimitër Anagnosti?

 

Unë vazhdimisht këmbëngul, por ai nënqesh dhe më thotë s’ka ardhur koha, duhet të piqen ende. Mua më pëlqen poezia e tij pasi ka dhe mbresa nga jeta e gjatë si kineast, por edhe nga takimet e shumta me karaktere të ndryshme njerëzish.

 

Ju gjithmonë e re. Kush është sekreti i kësaj rinie?

 

(qesh). Unë s’kam bërë ndonjë tualet të veçantë, as operacione plastike. Sekreti i rinisë për mua mbetet publiku i gjerë. Duartrokitjet e tyre më japin mjaft energji pozitive më bëjnë më të motivuar, më të freskët në punë. Edhe në këtë aktivitet erdha pas një pune një javore shumë intensive për një rol. S’kam pas kohë për asgjë por megjithatë s’mund të lija një aktivitet për nënën. Tani lodhja sikur më ka ikur. Duheshin këto duartrokitje, këto fotografi që çdo gjë të fashitej si me magnet. Kjo energji pozitive e sallës të rinon të bën më entuziaste.

 

Kohët e fundit shihet se Rita ka luajtur më shumë në teatër sesa në filma. Mos vallë keni hequr dorë nga filmat?

 

Kjo nuk është në dorën e artistit. Nuk është aktori që zgjedh rolin, është regjisori ai që zgjedh. Por ajo që dua të theksoj është se sot nuk para realizohen shumë filma. Ka rënë prodhimtaria e tyre. Bëhet apo s’bëhet një film apo dy filma artistikë në vit. Ekonomia e tregut ka krijuar disa raporte të vështira për artistin. Besoj se këto raporte me filmin në të ardhmen ndoshta do të rregullohen, pasi dhe filmi duhet të zërë vendin e duhur në ekonominë e tregut në Shqipëri.

 

Mendimi juaj për artin në përgjithësi. Nga shumë artistë thuhet se arti në këto 21 vjet demokraci është i nënvleftësuar. Mendimi i Rozës?

 

Kjo është si ta kuptosh. Për mendimin tim nuk është vetëm detyrë e shtetit të punoj për artin, por është dhe puna e vetë artistëve, e shoqatave apo organizatave të artit, e komuniteteve që merren me art. Shteti ka pjesën që i takon dhe ne duhet të jemi koshient që jo për çdo gjë në kushtet e ekonomisë së tregut duhet të shohim vetëm tek shtetit. Vendi ynë ka shumë probleme, ka shumë halle. Dikur në regjimin komunist ishte sistemi që të orientonte se çfarë do të bëhej dhe e ideologjizonte dhe filmin sot është iniciativa e lirë primare. Ne kemi një gjuhë, art dhe kulturë tepër të veçantë në Europë dhe në botë ndaj duhet që të punojmë të gjithë për të dhe jo t’ja hedhim fajin njeri- tjetrit. Arti është emocion. Arti duhet të jetë problem kolektiv. Arti është emocion. Dhe artisti duhet ta kërkojë emocionin, duhet ta zbulojë atë pasi jeta vetëm e njëtrajtshme bëhet tepër e thatë, e zbehtë, pa tharm. Jeta s’është një vijë horizontale, por ka  kurba ulje- ngritje, ka ndjesi të ndryshme. Jeta është një libër me shumë të fshehta si poezitë e kësaj dite. P.sh kjo ditë për mua ishte ndër më të bukurat e viteve të fundit, ishte një ditë e ndjerë, një ditë ndryshe, një ditë me emocione të ndryshme, ndaj dhe ne si artistë u ndiem mirë dhe pamë lot si lotët e Margarita Xhepës kur recitoi. Pra artisti do të marrë emocion që të japë diçka të tillë. Edhe unë u mundova të japë emocion, pasi mora diçka të tilla nga sigla e kësaj mbrëmjeje tematike. Unë sot e ndjeva frymëmarrjen e sallës dhe pashë  që dhe salla mori diçka ndryshe nga unë. Karakteri, filozofia, e çdo interpretimi duhet të jetë në përputhje dhe në lartësinë e kërkesave të sallës, ndryshe emocioni nuk përcillet dhe aktori duket shterp.

 

Në sallë duartrokitje, para dhe pas aktivitetit, përshëndetje, autografe, fotografi a ndiheni mirë në raste të tilla?

 

S’ka gjë më të bukur për një artist se sa përshëndetjet në rrugë. S’ka emocion më sinjifikativ kur të urojnë apo të ndalojnë për të të uruar. Aktori i përket popullit të vet. N.q.s ai s’ka lënë gjurmë në popull ai s’merr asgjë, por ecën si hije në jetë. Çdo përshëndetje është një notë për aktorin, për artistin. Pa këto përshëndetje aktori është i vdekur për së gjalli. Pra, kur rrugës merr urime, përshëndetje, shtrëngim duarsh apo përqafime motivohesh më shumë, ke një kërkesë më shumë ndaj vetes, ke atë përgjegjësinë e dyfishtë që t’i kënaqësh më shumë këta njerëz. Populli ynë është shumë artdashës, Ai s’ta jep notën kollaj. Askush të mos mendojë se s’ka ç’na duhet populli. Po mendoj këtë; artisti është i detyruar të dështojë. Vlerësuesi më i mirë për një artist, por sidomos për një aktor është vetëm salla.

 

Shoqëria shqiptare, a mendoni se është shoqëri maskiliste?

 

Për mua jo. Dua të jem e sinqertë. Unë jam vetë femër dhe shikoj sot se femra shqiptare ka fituar goxha terren. Kush nuk e shikon këtë gënjen (për mendimin tim). Femrën sot e shikon në poste të rëndësishme në administratë, e shikon me një pozicion jo të pakët në politikë. Edhe në art, femra ka një pozicion të shkëlqyer. Pra, raste sporadike të nënvleftësimit të femrës nuk duhet që të marrin vlera përgjithësuese. Sot koha është për femrën.

 

Keni menduar ndonjëherë të merreni me politikë?

 

Kurrë! Ne artistët kudo që jemi bëjmë politikën e popullit tonë. Politikën e bashkimit. Ne me art  japim kontributin tonë si qytetarë brenda shoqërisë shqiptare. Kjo është politika ime.

 

Femra dhe arti i aktrimit. A ka qenë dhe a është e vështirë për ju dhe për femrën në përgjithësi të bëni karrierë në aktrim?

 

Sigurisht që nuk është e lehtë. Jo vetëm në aktrim, por edhe në çdo profesion nuk është e lehtë të bësh karrierë. Secila fushë e jetës ka vështirësitë e veta. Dikur në sistemin monist çdo veprim i yti shoqërohej me paragjykime. Por kjo nuk do të thotë  që nuk jemi vlerësuar. Populli ynë është artdashës. Sot për femrat ka shumë konkurrencë më të madhe dhe rregulla më të mëdha, por kryesore është se prodhohet shumë pak. Në këtë tranzicion kur dhe numri i aktoreve është shtuar është e vështirë për t’u evidentuar.

 

Kur e keni filluar rrugën e bukur të artit?

 

Qysh në shkollë (Shkodër), në Shtëpinë e Pionierit, në Shtëpinë e Kulturës dhe më pas në teatrin “Migjeni”. Ndihmën më të madhe ma ka dhënë rrethi im familjar.

 

Bashkëshorti juaj, regjisor, a ju ka ndihmuar ky fakt në suksesin tuaj?

 

Edhe pse unë isha evidentuar, kur kam njohur tim shoq, qenia përkrah tij më ka bërë më të sigurt, më të çliruar, më me energji. Regjisori është shpirti i një artisti dhe unë këtë shpirt e kisha si në punë edhe në shtëpi. Është diçka e bukur të kesh një burrë artist në krah dhe të ndash me të profesionin dhe pasionin tënd. Ne kemi ecur të dy në këtë rrugë të vështirë, por po dhe kaq të bukur.

 

Jeta dhe veprimtaria

Roza Anagnosti lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër, Shqipëri, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, bashkëshorte e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë” (H. Hakani, 1964). Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, në filmin “Komisari i dritës”. Pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri martohen dhe jetojnë në Tiranë. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranës dhe në kinematografi. Roza Anagnosti bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmimet të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), “Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981-n. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medaljonin e dytë. Filmat e tjerë janë “Ndërgjegjja” 1972, “Qyteti me i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon një motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, “Vrasje në gjueti” 1987, “Rikonstruksioni” 1988, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989, “Vetmi” 1990. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar”.

 

Filmografia

Gjoleka djali i Abazit(2006)

Valsi i Titanikut (1990) teatër-komedi

Vetmi (1990)

Kthimi i Ushtrisë së Vdekur (1989)

Rikonstruksioni (1988) (TV)

Botë e padukshme (1987)

Familja ime (1987)

Vrasje ne gjueti (1987)

Gurët e shtëpisë sime (1985)

Taulanti kërkon një motër (1984)

Besa e kuqe (1982)

Rruga e lirisë (1982)

Dita e parë e emrimit (1981)

Mësonjtorja (1979)

Në shtëpinë tonë (1979)

Fije që priten (1976)

Qyteti më i ri në botë (1974)

Ndërgjegjja (1972)

Plagë të vjetra (1968)

Komisari i dritës (1966)

Toka jonë (1964) .... Filja

Detyrë e posaçme (1963)



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: