Kalosh Çeliku: Koha është sot Shqipëria ta hudhë gunën krahëve
| E Shtune, 12.11.2011, 08:05 PM |

KOHA ËSHTË SOT SHQIPËRIA

TA HUDHË GUNËN KRAHËVE

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Fisi ynë i kaçakëve brez pas brezi ka qenë në luftë me pushtuesit dhe bërllokun shqiptar (“salep-intelektualët”): Edhe në kohën e Turqisë, edhe në kohën e Serbisë, edhe në kohën e Gjermanisë, edhe në kohën e Jugosllavisë komuniste. Edhe, në kohën e sotshme “demokratike” duke pritur trenin e fundit në stacion për në Evropë.

Fis kaçakësh ky, me vendlindje rrëzë Baba Tomorrit, po pa Shtëpi të përhershme në Atdhe, i ndjekur nga pushtuesit barbar me prita, dëbime, helmime, spiunime, zjarre, vdekje klinike, aksidente komunikacioni e plot provokime politike që e ndjekin edhe sot e kësaj dite nëpër botë. Shkaku, se: ende nuk e ka shitur Atdheun. Fis kaçakësh, që ka qenë i detyruar të vrasë ose të ikë për ta shpëtuar veten në atë “bashibuzuk”, të mbesi gjallë në rrugën e shenjtë për në Baba Tomorr. Ligje të Natyrës janë këto edhe sot: nëse do, të duan. Nëse urren, të urrejnë. Nëse vret, të vrasin si qen në rrugë.

Bërlloku politik shqiptar, që moti e ka shitur Atdheun dhe në emër të popullit shqiptar, krijon pasuri dhe karrierë politike, sot ia ka futur gjumë nën hije të dardhave turke, për inatë të shqiptarëve në bashkëpunim me “salep-intelektualët” e Tun Batunit, që më sulmojnë si shkrimtar me shkrime teknefese dhe libra sakatë. Thonë: Kopertinat e librave të mi me mike lakuriqe, Manifestime nën Rrap, ku shtrohen gotat e rakisë së rrushit dhe shtambat me verë, e nuk shtrohet salepi, boza e limunada e Beogradit ua prishin moralin “patriotik” të Tun Batunit. “Salep-intelektualë”, që flasin shkruajnë, qajnë dhe vajtojnë për vlera të arrira letrare e në realitet vetë i krijojnë dhe sakatojnë pamëshirë me në krye Doktorziun. Përmëkeq, duke i dhënë njëri-tjetrit çmime letrare e tituj shkencor te Pazari i grave. Që, e them edhe njëherë publikisht: gjithë titujt e tyre shkencor që ua shiti Doktorziu me shokë në universitetet shtetëror dhe privat i meriton Farizi, Bariu i staneve. Shkaku se, është mbi nivelin e tyre shkencor si kuadër arsimor universiteti. “Salep-intelektualët” e Tun Batunit, që turren pas diplomave universitare, titujve shkencor dhe vendeve të punës sikur të ishin tullumba. E, në realitet këto nuk janë tullumba politike Beogradi, po pite me hithra shqiptare.

Vërtet, i dua marrëzisht, sa të lezetshëm janë “salep-inteletualët” e Tun Batunit, ma kënaqën penën! Herë pas here shkruajnë edhe ndonjë libër kuqezi. Përditë, i këndojnë këngë me çifteli Lirësë. E Liria si kurvë azgëne e shtëpive publike, një Zot e di me cilin çon dashuri nëpër hotelet luksoze të botës.

Fatkeqësi kombëtare, edhe sot si dje. Shqiptarët më shumë kanë problem me vteveten, se sa me armikun shekullor. Përçudi, presin durkryq nëpër çajtore t’i çlirojnë nga halldupët armiqtë e dikurshëm shekullor. Nuk do t’i përmend me emër e mbiemër këta armiq të përbetuar të popullit shqiptar. I di vetë populli. Shkaku se, gjithë jetën i ka pasur dhe i ka mbi shpinë dumdumët. Mallkim i tij është, që edhe sot e kësaj dite ende nuk e ka hedhur nga shpina samarin. E hodhi sharrën e Beogradit me të cilën hyri në poezinë e Esad Mekulit: “O, vëlla, me sharrë në krah”, po jo edhe samarin. Zgjedhën, që nëpër vite qafën ia ka bërë varrë, plot me plagë.

E dini pse?! Jo, edhe këtë nuk e dini si lexuesë. Prandaj, edhe vazhdoni ta mbani mbi shpinë samarin me gjithë barrë. Ditën kur do ta dini, pse e mbani këtë samar mbi shpinë, ç’atë ditë do ta hudhni barrën në mes të rrugës. Dhe, do t’i pranoni në gjirin tuaj vëllezërit maqedonas, fisin ilir antik të asimiluar nëpër shekuj. Nuk do të hidhëroheni kur të tjerët do t’ua sjellin më këmbë e kuaj shale në Shkup (Atdhe): Aleksandrin e Madh, Filipin e Maqedonisë, Josif Bagerin, Pjetër Bogdaninin, Pitu Gulin… Jo. Por, do t’u dilni para te Ura e Gurit t’i prisni me lule dhe duartrokitje frenetike.

Populli shqiptar nëpër shekuj sa ka pasur probleme me armiqtë shekullor, aq më shumë ka pasur problem edhe me vetveten si popull. Historikisht, më shumë ka punuar për të huajt, i ka bërë shtete, por shumë pak për Atdheun. I hidhni një sy historisë: kush e mbajti pesqind vjet gjallë Turqinë në Ballkan?! Shqiptarët. Serbinë si shtet?! Shqiptarët. Gjermaninë në këto troje si “çlirues” kombëtar?! Shqiptarët. Jugosllavinë e shokut Tito, edhe këta të fundit si “vëllezër çlirimtar” me të cilët luftuan krah për krahu pët të na shti nën zgjedhë?! Shqiptarët. E ata, “vëllezërit” të Njerkës për çlirimin e vendit nga fashizmi, nuk e shkrepën asnjë pushkë. Shqiptarët qenë ata që u trokisinin te porta, të dalin partizanë maleve për liri. Dhe, në fund e dini çka?! Shqiptarët qenë ata që pas lufte mbetën me gishta në gojë. Krerët e luftës: Mahmut Dumanin, Nexhat Agollin, Imer Lumën, Rexhë Ryshit Zajazin… i vranë pas lufte nëpër prita, ua rrëmbyen pushtetin. Gjallë mezi mbeti vetëm Rexhep Zajazi, edhe atë pasi e korrën në një pusi në Sateskë të Kërçovës, ia zbrazën në trup gjithë plumbat e automatikut.

Shqiptarët nëpër vite shumë popujve u dhanë edhe personalitete historike. Ataturku Turqinë e bëri shtet demokratik. Sami Frashëri turqve u krijoi gjuhë letrare. Arnautët Sirisë, i ngritën universitet. Egjiptit, poashtu i dhanë me dhjetra personalitete historike. E ata popuj çka u dhanë shqiptarëve?! Edhe ata u dhanë, si nuk u dhanë shqiptarëve: Robërinë. Asimilimin. Dhunën duke e përzënë në Turqi. Samarin në shpinë. Sharrën në krah si argatë derë më derë rrugëve të Beogradit.

Vallë, ende shqiptarët do të mbajnë gjallë shtete të huaja dhe krijojnë shtete të reja në Ballkan, në dëm të shtetit të vet shqiptar: Shqipërisë Etnike?! Edhe sot si dje, do të ushqejnë “vëllazërim – bashkimin”. Bashkëjetesën në trojet e tyre etnike në rolin e argatit. Ende do të vazhdojnë me “vëllezërit” t’i ndajnë lugët dhe enët?! Shtëpinë dhe arat duke ua lënë “vëllezërve”  si banorë lojal të këtij shteti të shokut Tito. Arsye kjo, se kështu na do Evropa Plakë. Konferenca e Londrës (1913)  në rolin e Kasapit,  që dikur në tavolinë na i futi gërshërët, na qepi struke pa mëngë.

Jo! E them këtë me plot bindje për një të nesërme. Shqiptarët, mjaftë më kanë punuar për të tjerët si argatë fushe në Qeveri. Nuk e them këtë unë si shqiptar. E kanë thënë edhe më herët rilindasit, po ne si pasardhës nuk ua kemi vënë veshin porosive të atyre profetëve. Gjithë jetën mbetëm me atë gjysëm shtet shqiptar që na e lanë të parët trashëgim ta hedhim krahëve si struke pa mëngë. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk ia qepëm as edhe një mëngë. Prandaj, jemi edhe sot në këtë gjendje politike copë-copë në gojë të Ujkut nëpër katër shtete. Përmëkeq, edhe të shpërndarë si Kashta e Kumbarës nëpër botë. Atdheun, edhe sot ia kemi lënë ta bëj bërlloku shqiptar, “salep- intelektualët” me ndihmën e “miqëve” historik. Realitet ky, që nuk gjason me të Djeshmen. Shqipërinë, nuk e bëri bërlloku shqiptar i halldupëve, po burrat e penës dhe pushkës.

Koha është sot, që në këtë njëqindvjetor të pavarsisë, Shqipëria ta hudhë gunën krahëve. Botës përparimtare, ka të drejtë dhe duhet t’ia kërkojë borxhet historike, trojet e veta etnike që ia coptoi krahët Konferenca e Londrës (1913) me gërshërë në tavolinë, e la pa mëngë mes ujqërve të Ballkanit njëqind vjet si struke…



(Vota: 251 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: