Ukshin Zajmi: Premiera e tretë e Teatrit Profesionist të Gjilanit
| E Marte, 08.11.2011, 08:59 PM |

Aktorët dhe regjisorja duke u përshëndetur me publikun

 

Darkë e ngopur me thërrime dashurie

 

Nga Ukshin Zajmi

 

Halucinaconet në momentin e agonisë pas një ndeshjeje komunikacioni, që e shkaktoi moti i lig me shi e fortunë të dy qytetarëve, në vende të ndryshme të një qyteti, ishte moment intrigimi për shkrimin e dramës “Darka e thërrimeve” të Refet Abazit, aktor dhe pedagog aktrimi  nga Maqedonia. Dhe, temë e këtij halucinacioni ishte dashuria e tyre në moshën rinore, me të gjitha të mirat e të këqijat, me parashikimet dhe pësimet, me intrigat dhe dëshirat, me poshtërimet dhe lëvdatat.

 

Premiera në Gjilan

 

Ky tekst, që në lexim të parë kuptohet si një dualizim i pamjeve të përsonazheve, me të vetmin dallim të gjinisë së rëfimit, e jetësoi në skenë regjisorja e re gjilanase Arta Kallaba. Duke e ditur thënien e Gogolit “Drama jeton vetëm në skenë. Pa skenë ajo është si shpirti pa trup!”, regjisorja e vuri ne skenë këtë tekst duke i lidhur detajet e tipareve të karaktereve të përsonazheve për të bërë kështu një shfaqje psiko-filosofike të pasioneve, në kohën kur dashuria është mbi të gjitha. Për të realizuar këtë projekt në Gjilan ndihmë ofroi komuna, kurse bashkëpunimi i trupes dhe përgjegjësve të Teatrit Profesionist të Gjilanit dhe angazhimi maksimal i aktorëve: Avni Shkodra, Safete Mustafa-Baftiu, Njomëza Kalaveshi e Gëzim Bucolli, në kushte mjaft të vështira e me mjete të pakta, bënë që suksesi të jetë evident.

 

Koncepti regjisorial

 

Leximi skenik i tekstit të dramës, që i ofrohet shikuesit, nuk bazohet vetëm në shqiptimin e tij, por edhe në shprehjen e ndjenjave psiko-fizike, në lëvizjen dhe reagimin si dhe bashkëpunimi i përsonazheve, që duke krijuar karakterin individual të arrijnë të rrumbullaksojnë tërësinë e shfaqjes me gjithë porosinë e saj. Arta Kallaba, duke i njohur aktorët gjilanas, qoftë nga jeta rinore në këtë mjedis apo edhe nga studimet, ajo pas leximit të tekstit ndau në mënyrë mjaft adekuate rolet dhe duke bashkëpunuar ngusht në mes vete, realizuan një shfaqje që pati ritëm, dialog e konflikt, shfrënim e mallkim, urrejtje e dashuri por edhe poshtërim e krenari. Në realizimin e shfaqjes ajo përdori punën individuale dhe kolektive, kërkoj aplimin e ndjenjave në lojë që u manifestuan me mimikë, lëvizje, veprim dhe heshtje. Të gjitha këto u harmonizuan në një tërësi që ndikuan në trajektorën lëvizëse të shfaqjes me oscilimet e domosdoshme.

 

Loja e aktorëve

 

Për rrumbullaksimin e idesë së autorit, Refet Abazi dhe të regjisorës, Arta Kallaba në dramën “Darka e thërrimeve” që autori e quan edhe lojë pasionesh u angazhuan aktorët: Avni Shkodra (Leo), Safete Mustafa-Baftiu(Linda), Njomëza Kalaveshi(Lana) dhe Gëzim Bucolli(Lindi). Dy të parët janë bartësit kryesor të ngjarjes, ndërsa të dytët janë përsonazhe dytësor, të cilët drejtpërdrejt forcojnë karakteret e roleve para.

Leo i Avni Shkodrës është përsonazh që josh botën e re femërore por në karakterin e tij nuk duket përspektiva e krijimit të familjes, andaj, ai ikë nga çdo lidhje afatgjatë, nga se nuk i takon karakterit të tij. Për realizimin e qëllimit të vet bënë gjithçka, deri edhe të poshtrimi- përkulja këmba-doras dhe lëpirja e këpucëve. Rileximin e memories halucionizuese dhe inskenimi i ngjarjes aktori jep një kreacion modest me baticat dhe zbaticat që ia imponon tempoja e shfaqjes. Hetohet shkathtësia e paraqitjës së rasteve krenuese të veprimit të tij retrospektiv, ngathtësia dhe luhatja në improvizimin e rasteve zhgënjyese e madje edhe fyese, ndërsa qëndrimin e tij heshtës në skenë e mbulon: me aktivitete veprimi, me vrojtime hetuese e mëdyshëse e herë herë edhe me shpërthime.

Linda e Safete Mustafës-Baftiut, paraqet karakterin vrapues të vashës e cila me çdo kusht ngarend për të zënë trendin e kohës dhe për të rrëmbyer përsonin që i pëlqen, të cilin mundohet me të gjitha djallëzit pozitive e negative që ta mbanë pranë vete. Lundrimi në agoni në pasqyrën e të kaluarës së saj, ajo shfrytëzon tërë potencialin e saj për t’i dhënë tipare karakterit të vet. Gëzimet dhe hidhërimet në jetën e saj prej adoleshenteje, por edhe të një gruaje të martuar e me fëmijë, i paraqet në mënyrë mjaft bindëse. Përdor me mjeshtri skenën, elementet e skenografisë, partnerin në lojë, por edhe paraqet bindshëm emocionet e kërkuara. Edhe te kjo ngadhnjejnë ndjenjat e krenarisë, por disi u ikë skenave poshtëruese edhepse ato janë prezente.

Lana e Njomëza Kalaveshit është përsonazh që paraqet karakterin e vajzës e cila për të përfituar përsonin e dëshiruar, e sidomos ate qe e konsideron të adhuruar për interes, poshtërohet publikisht dhe zhgënjehet tërësisht nga mos realizimi i pasionit të saj. Me sukses realizon përsonazhin, edhepse hetohen disa lajthitje në tekst, por ato mjeshtërisht i eleminon duke inskenuar skena të pengesës. Zotëron hapsirën me mjeshtri, bënë transformim të shpejtë të karakterit dhe emocionit.

Lindi i Gëzim Bucollit është tip ambicioz e krenar për pasurinë e tij,  i pëlqejnë skenat e poshtërimin tek të tjerët, por iritohet edhe me to, nga se e sheh edhe vetën në të njejtën pozitë. Në skenë hyn me një qetësi e krenari, por shpejt transformohet në kërkues të mbizotërimit dhe përvetësimit deri tek shpërthimi në urrejtje. Transformohet shpejtë, rrëmben me mjeshtri taktin e ngjarjes dhe ecën krahas me te duke zotëruar skenën, duke komunikuar me partnerën dhe indirekt edhe me publikun.

 

Elementet përcjellëse

 

Skenografia e Fitore Isufit është e thjeshtë dhe funksionale, përbëhet nga tri tavolina që hyjnë në përdorim dhe disa të tjera që janë thjeshtë rekuizita dhe një raft që herë shërben si restaurani e herë si sirtar kapelle. Skenografinë e realizuan: Medi Hoti, Fehmi Hoti e Haki Aliu. Ajo është lëvizëse dhe mund të përshtatet për të gjitha skenat. Edhe kostumografia është e Fitore Isufit e realizuar nga Bahrije Kurtalani. Ajo është funksionale karshi roleve e situatave. Efektet muzikore dhe ato tonike i realizoi Florim Gagica me mjaft sukses dhe u inkorporuan mee precizitet në ngjarjen e dramës. Dritat e Fatmir Halilit dhanë efektin e vet në skenë ashtu si edhe rekuizitat e Suad Berishës. Të gjitha këto elemente përcjellëse, që e forcojnë peshën e shfaqjes dhe çështjet tjera i organizoj me sukses Raif Haziri.

 

Përfundim

 

“Jeta pa dashuri është si viti pa pranverë!” thot një proverb suedez, andaj dashuria është ndjenja që e mbanë gjallë këtë botë, por kur ajo humbet, njeriu fillon të merret më thërrimet e asaj, andaj në rastin konkret, vetëm këto thërrime shijohen. E sikur këto thërrime të shijohen me “…mjaltin e gjuhës …” të Vedat Kokonës, atëherë do të ishin të mira, por është mirë që vetëdija njerzore të krijon kushte e rrethana që gjërat kryesore të mos humben për të shpresuar pastaj në thërrime. Për këtë flet kjo dramë me karakter universal në kohë e hapsirë, e që me sukses u inskenua, këto ditë, në Teatrin Profesionist të Gjilanit.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: