Si u ndërprenë kampionatet e futbollit të paraçlirimit
| E Hene, 07.11.2011, 08:17 PM |

Më 9 mars 1938, pas një tejzgjatjeje dhe disa ndeshjeve të pazhvilluara, Komiteti Teknik Arbitrar Shqiptar (KTASH), në pamundësi ta disiplinonte kampionatin e 7-të kombëtar të futbollit në fazën e tij të dytë, më në fund e deklaroi atë të mbyllur. “Sportklub Tirana” për të 6-tën herë u shpall me meritë kampione e vendit.

 

Me gjithë mangësitë, të cilat lëvizja futbollistike nuk mund t’i kapërcente në ato kushte tepër të vështira të Shqipërisë së asaj kohe, gjithçka që ajo kishte arritur gjithësesi s’mund të konsideroheshin ndryshe veçse hapa përpara. Por për çudi, thjeshtë për shkaqe subjektive kjo veprimtari, pas edicionit të 7-të kombëtar mori të tatëpjetën. Nga viti 1938 deri me 1945, për 7 vjet e gjysmë, nuk u zhvillua asnjë kampionat. Ndërkohë 12 skuadra të kontinetit tonë, midis te cilave një ballkanike, Rumania ishin pjesëmarrëse në botërorin e tretë në Fra­ncë më 1938 (6-19 qershor). Në të sipas gazetës “Sporti shqiptar”, 6 shkurt 1937, qe ftuar edhe Shqipëria.

 

Që në fillim të vitit 1938 u fol për një organizim më të mirë të sezonit të ri futbollistik. Krahas librave “palli al arbitro” të Karlivit dhe “Loja e futbollit” e G. Meas dhe V. Bagioli, u botua dhe iu shpërnda falas shoqërive sportive e artistike dhe gjyqtarëve rregullorja e re ndërkombëtare e futbollit.

 

Kështu u plotësua një e metë e madhe. Gazeta e mësipërme nisi zbërthimin dhe shtjellmin e saj që ta njihnin e ta kuptonin të gjithë. Gjithashtu ajo tërhoqi vëmëndjen dhe nxiti kryetarët e degëve të futbollit për fillimin e stërvitjeve të rregullta, bërjen kujdes për elementët e rinj dhe konsolidimin e skuadrave te reja.

 

“Kemi nevojë, – theksonte A. Mazreku në janar 1938, – për një drejtim atletik për sportin tonë. Nuk na mungojnë elementë… Qindra futbollistëve anë e kënd atdheut tonë le t’u sigurohet dhe t’u vihet për detyrë një përgatitje e vërtetë atletike, pse vetëm kështu do të përparojë si duhet e sa duhet atletika e futbolli ynë”.

 

Jo vetem kaq. Një çështje tjetër që u cek lidhur me propozimin ishte zbatimi në lojë i sistemit modern: W (1-3-2-5), në vend të atij piramidal (1-2-3-5). Nga ana e saj, FSSH njoftoi se së afërmi do të rifillonte edhe kampionati kombëtar i futbollit i kategorisë së dytë, i ndërprerë që më 1936. Pozitivisht në mbarëvajtjen e këtyre veprimtarive do të ndikonte edhe përgatitja e 39 aspirant arbitrave. Siç shihet edhe nga këto të dhëna të pjesshme, me të cilat mbyllet aktiviteti sportiv 1937-1938, më 1 prill, nuk gjejnë

 

arsye për ndërprerjen e kampionateve kombëtare të futbollit. Megjithatë ashtu ndodhi.

 

“Edhe pak ditë, – njoftonte sportdashësit “Sporti shqiptar” në prill 1938, – do të zbresin në fushat e qyteteve të ndryshme të Atdheut tonë skuadrat e futbollit”. Por… Një pohim! Një dëshirë! Ve­tëm kaq. Fushat e futbollit dukeshin si të shkreta. Ndeshjet miqësore e ato ndërkombëtare sikur u harruan. Një kupë të vënë nga FSSH e kishte “rrëmbyer” “Sportklub Tirana”.

 

Interesim të madh ngjalli në tërë vendin takimi i tij me “Uniona Sportive” të Barit, e para skuadër e eli­tës së parë që vizitonte Shqipërinë dhe që u ndoq nga një numër rekord shikuesish 10.000 (26 prill 1938). Ndërkaq në qer­shor nga Stakholmi, F. Gardland kryekonsull i Shqipërisë në Suedi, dha lajmin sensasional për mundësinë e një ndeshjeje miqësore të skuadrës sonë kombëtare në atë vend, që nuk u realizua kurrë megjithëse u fol shumë, u miratua dhe nga qeveria shqiptare me vendim të posaçëm, më 6 tetor 1938 dhe u caktua edhe dita e takimit, 18 korrik 1939. Do të ishte kjo e para në llojin e vet për ngjyrat tona.

 

Në vijim të traditës së mirë, ndonëse në një masë të kufizuar, në gusht-nëntor 1938, u zhvilluan disa takime ndërkombëtare si “Durresi” – Kryqëzori i Mesdheut “HMS

 

Arethusu” (4:2, 6:2), “Skënderbeu” – “Iraklis” e Kavallës (2:0), “Vllaznia” – “Jugoslaven” në Kotorr (1:1, 0:1), “Shqiponja” e shoqërisë “Vllaznia” – “Jugoslaven” në Shkodër (0:2, 3:0).

 

Kur stina e dimrit kishte filluar, FS­SH, si pa pritur u kujtua të zgjonte veten dhe skuadrat e futbollit, duke i ftu­ar ato në vallen e disa kupave të vë­na nga ajo. Sipas kalendarit ndeshjet filluan njëkohësisht për të dy kategoritë, më 28 nëntor 1938. Duke patur parasysh zonën, afrinë me njera-tjetrën, si dhe ruajtjen e një farë ekuilibri midis tyre, duke shmangur aq sa ishte e mundur përplasjen në mes skuadrave më të mira, të 18 pjesëmarrësit u ndanë në 3 grupe, kategoria e parë: A.

 

(“Sportklub Tirana”, “Vllaznia” dhe “Besa”), B (“Skënderbeu”, “Dragoi” i Pogradecit dhe “Bashkimi Elbasanas”) dhe C (“Teuta” e Durrësit, “Bardhyli” i Lezhës, “Ismail Qemali” i Vlorës dhe “Tomori” i Beratit). Kategoria e dytë: A (“Drita” e Gjirokastrës, “Namik Delvina” dhe “Leka i Madh” i Përmetit), B (“Apolonia”, “Shkumbini” dhe “Kongresi” i Lushnjës) dhe C (“Devolli” i Bilishtit dhe “Bashkimi Dibran”).

 

Për shkaqe të ndryshme, si kohës së keqe, ndërprerjes së komunikacionit, mungesës së materialeve të nevojshme, terreneve fare të papërshtatshme sidomos në dimër etj., skuadrat konkurruese nuk iu përmbajten kalendarit. Prandaj disa ndeshje nuk u zhvilluan dhe kështu veproi shpesh aforfajti.

 

Për kategorinë e parë kupat e federatës u fituan nga “Sportklub Tirana”, “Skënderbeu” dhe “Teuta”. Kurse për kategorinë e dytë fituesit ishin: “Drita”, “Shkumbini” dhe “Devolli”. Ata iu dorëzuan atyre me vendim të KTASH më 10 shkurt 1939 (me përjashtim të “Dritës” 28. 2. 39).

 

Prej kësaj kohe veprimtaria futbollistike shkoi gjithnjë e më keq. Nën preteksin e pritjes së miratimit të buxhetit të ri, shoqërive sportive dhe artistike nuk iu plotësua as edhe një nevojë, kur për shembull, skuadra e “Vllaznisë” që prej dy vjetësh nuk ishte pajisur me këpucë e uniformë sportive. Formalisht në fillim të marsit 1939, FSSH me anë të një qarkoreje linte të kuptohej se këtë vit kampionati kombëtar i futbollit do të fillonte së shpejti.

 

Por në të vërtetë asgjë. Veçanërisht, me pushtimin fashist të Shqipërisë, shoqëritë sportive u paralizuan plotësisht. Në vend të tyre, pushtuesi krijoi struktura të tjera që i shërbenin strategjisë së tij. Në qershor 1939, me numrin 167, pushoi së botuari edhe gazeta “Sporti shqiptar”.

 

SHYQYRI  VLASHI

 

Për Ardian Arrën, i cili i nda nga jeta pak ditë më parë, të gjithëve na erdhi keq, madje shumë keq. Jo vetëm si një ish-futbollist, një talent nga më autentikët për futbollin shkodran, por edhe për atë shqiptar, për nga stili, loja, klasi, cilësia. Arra ka qenë dhe mbetet i rrallë për moshën dhe kohën. Cilësi të evidentuara me Shkëndijën dhe pastaj edhe me Vllazninë. Një mesfushor klasik modern, një Sabah Bizi i mesviteve ‘70-‘80. Por, jo vetëm kaq, model si njeri në fushë dhe jashtë saj.

 

Kam qenë arbitër në hapat e para, dhe përveç miqësisë që kisha e kam jetuar edhe në fushë si futbollist. Kurrë një karton, përkundrazi, simbol i lojës korrekte, komunikimit dashamirës me arbitra dhe kundërshtarë. Një njeri i vërtetë “Fair-play”. Por, që të ulem e të shkruaj këto pak rreshta për të, më shtyu edhe diçka tjetër. Një kujtim i bukur hedhur në foto, që pas lajmit se Ardian Arra, është ndarë nga jeta, më nxiti ta rinxjerr nga arkivi, ta rishoh me nostalgji.

 

Ideja se gazeta “Sporti” ka rubrikën e bukur dhe me shumë vlerë  “Kujtesë”, i kërkova zotit Bashkim Tufa, ta botonim pikërisht në atë faqe. Janë  fotografi të viteve 1973-1974, atëherë kur skuadra kombëtare e të rinjve e Shqipërisë, e drejtuar nga trajnerët Refik Resmja dhe Thanas Jançe, zhvilloi një turne miqësor në Kinë. Dhe kjo foto i takon pikërisht ndeshjes së pare, të zhvilluar në stadiumin e Pekinit ndaj përfaqësueses vendase. E në këtë foto është edhe Ardian Arra (i treti nga e majta).

 

Por jo vetëm Arra. Shikojmë se në këtë formacion janë edhe Starova, Hyseni, Sejdari, Baçi, Bushati, Bakiri (nuk jeton), Mema, Kushe, Arra, Metani dhe Janku. Jo vetëm një skuadër futbolli, por më shumë, një  përfaqësuese e një brezi të shkëlqyer futbollistësh. Bashkë me ta edhe Ardian Arra, i seleksionuar nga specialistët e asaj kohe, një personazh dhe simbol i pamohueshëm e atij brezi, i asaj periudhe.

 

Kush e ka njohur nga afër, i njeh mirë dhe i kujton cilësitë dhe vlerat e Ardian Arrës. Si futbollist dhe më pas edhe si trajner. Por edhe si prind e familjar. Një personazh publik, shumë i dashur për të gjithë. Pas vdekjes së papritur të tij, e ndjeva si një veprim moral ta sjell në kujtesë për të gjithë ne edhe një herë Ardian Arrën. Dhe zgjodha këtë foto edhe për diçka më shumë: Për të parë dhe kujtuar me nostalgji jo vetëm Arrën, por edhe miqtë shokët tanë, në veçanti ata që nuk jetojnë më…


Uvil Zajmi - Sporti Shqiptar

(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: