Prezantohet në Torino filmi Amnistia
| E Premte, 04.11.2011, 08:43 PM |

Njoftim për shtyp

 

 

Qendra e Kulturës Shqiptare

në bashkëpunim me

Ipsia, Bota Shqiptare & Associazione Piemonte Movie

prezantojnë në Torino filmin

 

AMNISTIA

 

Amnistia, filmi i suksesshëm i regjizorit shqiptar Bujar Alimani do të shfaqet javën e ardhshme në Torino dhe Milano. I prezantuar për herë të parë në pranverën e këtij viti, filmi ka marrë pjesë ndërkaq në shumë festivale të rëndësishme kinematografike në mbarë botën, duke marrë vlerësime si nga publiku, ashtu edhe nga kritika, ndër të cilat çmimin C.I.C.A.EFestivalin e Berlinit, si edhe çmimin Cineuropa, në Festivalin e Kinemasë Europjane të Lecces. Amnistia, që është zgjedhur së fundmi të përfaqësojë kinematografinë shqiptare në konkurimin për çmimin Oscar në kategorinë e filmit të huaj do të prezantohet në Torino dhe Milano nga regjizori Bujar Alimani dhe aktorja protagoniste Luli Bitri.

 

Veprimtaritë, të organizuara nga Qendra e Kulturës Shqiptare do të zhvillohen në Torino, të Shtunën datë 29 Tetor 2011, ora 19.00, në Cineporto ndërsa në Milano, të Hënën, datë 31 Tetor 2011, ora 18.00Cinema Gnomo.

 

Ato do të drejtohen nga gazetari Benko Gjata dhe shënojnë pjesëmarrjen, ndër të tjerë, të konsullit shqiptar në Milano Gjon Çoba, gazetarit dhe dokumentaristit Roland Sejko, si edhe kritikëve të artit kinematografik Vittorio Sclaverani dhe Paola Assom.

 

Takimet shënojnë gjithashtu edhe një bashkëpunim të rëndësishëm mes disa subjekteve dhe organizatave të sektorëve të kulturës ndër të cilat Shoqata e Kineastëve të Torinos, IPSIA dhe Acli, dhe realizohen me patronazhin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano, të Rajonit të Lombardisë, Bashkisë së Torinos dhe të Federatës së Shoqatave Shqiptare dhe Arbëreshe.

 

Bujar Alimani

 

Bujar Alimani ka lindur në Shqipëri në 27 Janar 1969. Ai ka studjuar për pikturë dhe regjizurë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Në vitin 1992 ka emigruar drejt Greqisë ku ka punuar si asistent regjizor në disa filma.

 

Filmat e tij me metrazh të shkurtër janë përzgjedhur për të marrë pjesë dhe vlerësuar me çmime në disa festivale kinematografike ndërkombëtare, si në Tampere, Regenyburger, Siena, Sydney, Montpellier etj. Në vitin 2011 ai ka drejtuar filmin e tij të parë me metrazh të gjatë, “Amnistia”, që është edhe filmi i parë shqiptar i financuar nga Eurimages, fondi për kinematografinë i Këshillit të Europës.

 

Amnistia

 

Ngjarjet e filmit zhvillohen në Shqipëri. Reforma e sistemit penal mundëson takimet intime mes të burgosurve dhe bashkëshortëve të tyre, një herë në muaj. Një burrë dhe një grua, bashkëshortë respektivë te dy të dënuarve, takohen rastësisht jashtë dyerve të burgut. Mes tyre lind një histori dashurie, e destinuar të marrë fund kur bashkëshortët e dënuar lirohen nga burgu falë një amnistie.

 

I vlerësuar nga kritika si një film me regji të përsosur, Aministia është dëshmi e dhimbjes dhe tragjedisë që shoqëron gjithë ndryshimet e mëdha të historsë.

 

Qendra e Kultures Shqiptare

 

E themeluar nga një grup intelektualësh, artistësh dhe operatorësh të sektorëve të kulturës dhe të çështjeve sociale, Qëndra e Kulturës Shqiptare synon të përhapë në Itali njohurinë e historisë dhe të kulturës shqiptare, të mbështesë proçesin e integrimit të bashkësisë shqiptare dhe të promovojë zhvillimin e marrdhënieve kulturore, sociale dhe institucionale mes dy vendeve.

 

Qendra, që ka lindur nga vullneti për të bashkuar risurset dhe përvojën disavjeçare të partnerëve të ndryshëm, është aktualisht e pranishme me seli të sajat në territoret e rajoneve të Piemontit dhe të Lombardisë, por e zhvillon veprimtarinë e saj edhe në pjesë të tjera të territorit të Italisë, përherë në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkësive lokale.

 

Për të zhvilluar veprimtarinë e saj, Qendra, - që gëzon mbështetjen dhe bashkëpunon me shumë subjekte, publike dhe private, në Itali dhe Shqipëri, - mbështetet edhe tek pjesëmarrja aktive e përfaqësuesve të dorës së parë të botës akademike, kulturore dhe artistike shqiptare si edhe në punën e palodhur të dhjetëra vullnetarëve.

 

Per informacione:

 

Benko Gjata

Cel.: +39 339 3376951

E-mail: benkogjata@gmail.com                                                       Torino, 21.10.2011



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: