Fahri Xharra: Si po e humbim gjuhën shqipe?
| E Marte, 01.11.2011, 09:00 PM |

Si po e humbim gjuhën shqipe?

 

“Shqipja është një ndër gjuhët themeltare të Europës dhe këtë shqiptarët nuk e dinë.” Ismail Kadare

 

Nga Fahri Xharra

 

Dikur në mjediset folëse e më vonë edhe në ato pamore,në të dy anët e kufirit flitej vetëm gjuha e pastër letrare shqipe, folësi nuk guxonte te ketë përkatësi fonetike dialekti, krahine apo vendore.

Dashuria ndaj atdheut , kulturës dhe popullit tonë nuk mund të jetë e sinqertë nëse nuk çmohet dhe ruhet gjuha e jonë. Gjuha është një organizëm i gjallë dhe si e tillë ajo pëson ndryshime , ajo zhvillohet , dhe ajo pasurohet .Ndaj këtij evolucioni duhet pasur kujdes për rrugen nëpër të cilën kalon gjuha kështu që në qastin e caktuar të merren masa të duhura për ti dhënë një trajtë më të përsosur dhe duke e ruajtur nga tëhuajsimi .Gjuha është ajo që i vuan pasojat e jetes materiale dhe shpirtërore të një kombi të cilat duke u pasuruar me shpejtësi të madhe sjellin çdo ditë dromca të reja .

Njeriu që e do kombin e vet duhet të gjej shprehje të përshtatshme dhe të emërojë me emëra shqip ato dromca të reja të futura në gjuhën tonë . Nëse gjuhën e ngarkojmë me fjalë dhe emra të huaj , ajo do ti ngjanë një të sëmuari rëndë për të cilin vdekja është e pa kapërcyeshme .

Duke mësuar kinezisht,në librin e ushtrimeve më duhej të pohoja se televizioni shërben për njësimin(unifikimin) e gjuhës kombëtare .Shkas i mirë për këtë shkrim. A thua televizionet tona e kanë të njëjtin qëllim? Jo. Një përgjigje rrëqethëse por e vërtetë.

Duke i dëgjuar radiot e duke shikuar televizionet tona,në të dy anët e kufirit mbetesh i stepur nga “gara” që ka filluar se kush më keq e kush më për vete do ta fol gjuhën shqipe: dëgjon theks italiane,greke, angleze, malazeze, tiranase, shkodrane, beratase, prishtinase, llabjane, dibrane, drenicake, anamoravëse, anadrinëse etj,etj, faktikisht duke e dëgjuar folësin e kupton se nga është pronari i atij mjedisi folës apo pamor,çfarë prejardhje ka gazetari apo me çfarë qëllimi është bërë ai mjedis.

Mendoja si mundet populli kinez me mbi një miliardë e gjysmë të ruan gjuhen e vet të njësuar e ne shqiptarët sa një “mëhallë” e Shangait nuk duam apo nuk mundemi ta ruajmë,ta njësojmë gjuhen tone mbarëkombëtare.

Gjermanfolësit, kudo që janë në Gjermani,Zvicër apo Austri e shkruajnë, në mjediset publike (radio,tv),në shkolla e flasin gjuhën e tyre “Hoch Deutsch” –Gjermanishte e lartë. Një gjë është e sigurte se edhe ata në shtëpitë e tyre flasin ne dialekt, pra kurrkush nuk iu kërkon që në shtëpi ti thonë nanës, nënë.

Në Gjermani fliten mbi 26 dialekte të gjermanishtës, për Zvicër e Austri të mos flasim,ku çdo fshat e ka të folurin e vet por në shkolla, radio, tv, gjuha zyrtare është vetëm Hoch Deutsch.

Francezët e bëjnë të njëjtën gjë,kudo që janë, në vendin e tyre Francë, Belgjikë, Luksemburg, Zvicër apo nëpër vendet tjera të botës, frëngjishtja ruhet me xhelozinë më të madhe. Mu edhe për atë, çdo vjet e mbajnë tubimin e tyre botëror të frankofonisë. Arabët e Magrebit me ata të Mashkrekut, nuk merren vesh lehtë ndër vete sepse kanë shumë dallime dialektore . Por një nga Arabia Saudite apo nga Jemeni pa kurrfarë veshtirësije e kupton televizionin algjerian apo atë të Muritanisë dhe anasjelltas. Arabët këtë të mirë që e kanë e kanë falë Kur`anit. (Si nuk e patëm edhe ne shqiptarët diçka të ngjashme).

R-ja e Tiranës. Kurrkush nuk i jep të drejtë askujt që bashëktigëllorja e gjuhës shqipe dhe shkronjën e njëzetepestë të alfabetit të saj RR-në ta hekë nga të folurit tonë zyrtar. Nëse një gjuhë lokale si ç`është ajo e Tiranës e ka të metë të madhe në shqiptimin e Rr-së atëherë ata duhet të gjejnë mjete dhe mund që në mjediset(mediumet) publike apo private edhe në shkolla të dëgjohet edhe rr-ja e shqiptuar drejtë.

. Sa për rikujtim se Rrënja është rrënjë e jo renjë, Burri është burrë e jo bur, Rrota është rrotë e jo rotë,Rrushi e Rrufeja janë rrush e rrufe e rush e rufe.

Ll-ja e Prishtinës. Të ndikuar nga serbishtja Prishtinasit na e “zbuluan” një ll-ë të cilën po e përdorin vend e pa vend,po e përdorë i arsimuari ,politikani, folësi radios e i Tv-së,roja e banesës apo profesori i fakultetit.

Shkronja l-ë është bashkëtingëllorja e gjashtëmbëdhjetë ,kurse shkronja ll-ë ajo e shtatëmbëdhjeta e gjuhës shqipe. Secila në gjuhën tonë e ka vendin e saj.

E kemi një fat natyror që e kemi një gjuhë me 36 shkronja,një gjuhë me të cilen pa vështirësi i meson dhe i flet të gjitha gjuhët e botës,e si mos të rrespektohet,të ruhet dhe të shenjëtërohet ajo¬?

Të folurit me Ll është tepër moderne në Prishtinë,mobilit i themi mobill, platinës pllatinë ,Eulexit Eulleks,plusit pllus, e aq larg shkojmë sa që kur flasim për FOL 08 themi FOLL 08(!). Nëse gjuha frenge nuk e ka gj-në,ç-në th-në, e që ne i kemi ,mos të iu shtojmë Ll-në,se nuk do ta pranojshin, pra Mishelit ,Floberit,Lionit mos ti themi Mishell, Fllober apo Llion. Italishtes e Spanjishtes mund t`ia shqiptojmë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret por së paku mos t`i ç`formojmë emrat e tyre me ll-ë,si Llacio,Kallabria, Barcellona, Llopezi, Ell-Paisi etj.

Kongresi i Manastirit ,me At Gjergj Fishten ne krye e caktuan ,sipas natyres së gjuhës sonë që Nj-ja të jetë një bashkëtingëllore e gjuhës shqipe dhe shkronja e njëzet e alfabetit të saj. Vendimi i kongresit të Manastirit është Kur`ani dhe Bibla e drejtshkrimit tone. Nuk ka ç’vendosje ,ndryshim apo ndërrim. Nuk mundet për nj-e-r-i-u-n të shkruhet n-i-e-r-i-u, për dh-ë-nj-e dh-ë-n-i-e, për n-x-ë-nj-a n-x-ë-n-i-a për Q-e-nj-a q-e-n-i-e. v-ë-nj-e v-e-n-i-e,. Si ta shkruajmë numrin NJË ? Sipas” dashamirëve” të gjuhës pra do të ishte NIË

E ne ku jemi?Ç`ka na vjen nga atdheu i ynë amë. Na vjen një shqipe e italianizuar plot “emocione, sfida, ingredienta, gusto,puro,surpriza,grataqiela,butone,syrvejime,suportime,performime”,një shqipe të cilën duhet ta përkthesh ne shqip vetëm nëpërmjet të ndonjë fjalori të vjetër Italisht-Shqip. Nëna Shqipëri,vend ku me të vërtetë balta është më e ëmbël se mjalta por.....

Për rëndësinë e gjuhës shqipe mbarëkombëtare dhe të pastër e kisha përfunduar me    fjalet Gjergj Fishtes:” Pra mallkue njaj bir` shqyptari që kët gjuhë të Perendis`, trashegim që na e le i pari,trashegim s`ia len ai fmis,. Edhe atij iu thaft,po, goja që përbuzë këtë gjuhë hyjnore,qi n`gjuhë t`huaj,kur sasht nevoja ,flet e t`veten e len  mbas dore.



(Vota: 11 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: