Kometa Elenin kalon pranë Tokës
| E Shtune, 15.10.2011, 04:19 PM |

Momenti i teorisë së konspiracionit të frikshëm së shpejti do të jetë para nesh: “Kometa e Ditës së Gjykimit” Elenin do t’i afrohet planetit tonë në pikën më të afërt, të dielën më 16 tetor.

 

Elenin ka nisur të copëtohet në gusht, pas stuhisë së madhe diellore dhe gjatë kalimit pranë Diellit më 10 shtator.

 

Astronomët thonë se ajo që do të kalojë në distancë prej 22 milionë mile ose 35.4 milionë kilometra larg Tokës, do të duket më tepër si një grumbull copash se sa një kometë e plotë.

 

“Njerëzit kanë probleme për ta gjetur, kështu që është e besueshme të jetë zhdukur”, ka thënë astronomi Don Ieomans nga Zyra e programit për objekte në afërsi të Tokës pranë NASA-s.

 

Astronomët besojnë se për shkak të copëtimit të kometës nuk do të ketë ndonjë “shou” të jashtëzakonshëm.

 

Kometa Elenin për një kohë të gjatë ka ngjallur drojën e përkrahësve të teorive të konspiracionit se do të sjellë “fundin e botës” në Tokë.

 

Sipas njërës nga këto teori, kometa mund të shkaktojë kaos në planetin tonë përmes tërmeteve masive dhe cunameve. Një tjetër teori thotë se Elenin në fakt nuk është kometë, por “planeti i rrejshëm Nibiru”.

 

“Por, këto ide janë vetëm marrëzira”, shprehet Ieomans.

 

Mbetjet e Elenin duket se nuk do të jenë objekti i vetëm që do të kalojnë në rrugën e tyre më të afërt pranë Tokës. Pas largimit të Elenin, një asteroid i vogël 2009 TM8, me madhësi sa të një autobusi, do të kalojë pranë planetit tonë të hënën në mëngjes.

 

Elenin ishte emërtuar sipas emrit të zbuluesit të tij, astronomit amator rus Leonid Elenin, në dhjetor të vitit të kaluar. Para se kometa të shpërbëhej, bërthama e saj kishte diametrin 3 deri 5 kilometra, thonë shkencëtarët, sipas të cilëve Elenin asnjëherë nuk ka përbërë rrezik për njerëzimin.

 

Kometa për një kohë të shkurtër do të zhduket nga “retrovizori” i Tokës, duke shpejtuar në rrugëtimin e gjatë jashtë sistemit diellor.

 

Pjesët e saj të mbetura nuk do të kthehen në të njëjtën rrugë të udhëtimit për 12 mijë vjet dhe do të mund të shihen vetëm me teleskop të mëdhenj.


Kosovapress

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: