Sejdi Berisha: Poezi malli e dashurie për Çamërinë
| E Premte, 07.10.2011, 08:02 PM |

Në Tiranë u promovua libri i poetit Agim Desku, “Dua të pi verë Çamërie”

 

POEZI MALLI E DASHURIE PËR ÇAMËRINË

 

... Këndimi i poetit me zërin e vargut krijon reliev të çmueshëm jete. Gjërat që shtrohen në varg e poezi, grishin e intrigojnë, se, për çdo pëllëmbë toke e grusht dheu, nuk bën fajësuar vetëm historinë, por duhet ngritur zërin, ndërgjegjen dhe vetëdijesimin dhe përgjegjësinë e secilit, ka thënë shkrimtari dhe publicisti nga Kosova, Sejdi BERISHA.

Promovimin e madhështuan edhe artisja e mirënjohur, Margarita Xhepa dhe artisti Vasil Bozo, duke recituar vargje nga libri. 

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Në kuadër të zhvillimeve kulturore dhe letrare në Shqipëri dhe Kosovë, të shtunën në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës të Shqipërisë në Tiranë, u promovua libri me poezi i poetit nga Peja, Agim Desku. Në këtë manifestim letrar dhe kulturor morën pjesë krijues, artistë dhe dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga qyteti i Tiranës.

Duke e hapur këtë ngjarje kulturore, Fatime Kulli, redaktore e librit, tha se promovimi i librit “Dua të pi verë Çamërie” i A. Deskut, jo vetëm se ka peshë dhe rëndësi për zhvillimin e vlerave kulturore por edhe e ka veçantinë e vetë, sepse, vetë titulli i librit tregon për mesazhin poetik. Pastaj, ajo theksoi edhe bashkëpunimin e ndërsjellë kulturor, pra edhe letrar.

Vlen theksuar se në kuadër të kësaj nisjative, disa muaj më parë në Pejë u bë promovimi i veprave të krijueses, nga Korça, Rajmonda Moisiu, e cila jeton dhe vepron në SHBA. Kurse, një vit më parë, në Tiranë është promovuar libri me poezi i krijuesit nga Gjakova, Tahir Bezhanit, “Piskamë e heshtur”.

Aktivitetet e tilla kanë ndikuar dukshëm në njohjen reciproke të vlerave krijuese por edhe në thellimin e bashkëpunimit i cili ka rëndësi të shumëfishtë në fushën e letërsisë dhe të kulturës në rrafshin kombëtar.

Ndërsa, krijuesi çam nga Tirana, Namik Selmani i dha një vështrim estetiko-letrar veprës “Dua të pi verë Çamërie”, duke theksuar edhe peshën historike dhe mesazhin e fortë e të qëlluar të vargjeve jo vetëm për krahinën e Çamërisë.

 

Shkrimtari dhe publicisti nga Kosova, Sejdi BERISHA, duke folur për librin “Dua të pi verë Çamërie”, pasi i dha një vështrim rëndësisë së bashkëpunimit kulturor përbrenda kombit, ai tha se: ”Krijuesit, si duket, vetë situatat, rrugëtimi i kombit, i atdheut dhe i vetvetes, ia krijojnë rrugën poetike, e cila, kur merr formën dhe peshën e vet, dot nuk del nga binarët e përplasjeve, meditimeve, ndijimeve, nuk del nga mllefi, etja, malli e dashuria për ta parë e përjetuar ëndrrën e bashkimit, ëndrrën e përbashkët që jeta të merr kahe ashtu siç e meriton njeriu, atdheu dhe kombi”.

Ndërsa, pesha e historisë, siç është edhe ajo e Çamërisë, janë të dhembshme, ka thënë z. S. Berisha. Andaj, ai e çmon zërin dhe rebelimin poetik dhe krijues, për çfarë thotë: “Duke e përcjellë krijimtarinë e autorit të librit “Dua të pi verë Çamërie”, mirë dhe bindshëm mund të dëshmohet, se ai në asnjë moment dot nuk i shkapet atij synimit, asaj rrjedhës së historisë, asaj këngës e cila shndërrohet në lapidar kohe e këndimi për peshën që ka ecja drejtë bashkimit-lidhjes së gjërave, por, edhe të periudhave kohore në një tërësi, pa të cilën kurrë nuk do të jetë rehat as toka, as njeriu i këtij nënqielli, i cili, në mënyrat më të ndryshme u ndrydh, u përplas e u flijua, por, edhe në mënyrat më të ndershme gjithnjë qëndroi vertikalisht”

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, e heton edhe dhe e thekson edhe atë (edhe pse në libër nuk është thënë) se, autori: “sikur rreptë qorton, apo, sikur na detyron që çdo gjë ta përkujtojmë për historinë, duke mbërthyer kështu të gjitha për birë të gjilpërës, duke përfshirë këtu edhe vetveten, edhe vargun, sepse, ai shtron pyetjen si përgjigje: “Më thuaj Ti, Atdhe/ç’të shkruaj sonte/për lirinë time,/pa Çamërinë?!”.

Mirëpo, këndimi i poetit me zërin e vargut krijon reliev të çmueshëm jete, për këtë arsye, Berisha për librin e Deskut na përkujton edhe këtë: “Gjërat që shtrohen në varg e poezi, grishin e intrigojnë, se, për çdo pëllëmbë toke e grusht dheu, nuk bën fajësuar vetëm historinë, por duhet ngritur zërin, ndërgjegjen dhe vetëdijesimin dhe përgjegjësinë e secilit. Atëherë, edhe muzat krijimtarinë e shndërrojnë në fole pavdekësie dhe ngrohtësi shpirti. Andaj, zgjimi nuk është mollë që ngulet në shtizën e krushkut, por është një fuqi që djegë, që provokon për t’u bërë dritë, kasnec lumturie dhe madhështi dashurie”, ka thënë shkrimtari Sejdi Berisha.

Dhe, duke u zënë me vargun e poetit, Agim Desku, njeriu ndjehet mirë, bile, merr guximin që nganjëherë edhe për ta ngritur zërin në vetvete, nganjëherë për ta kafshuar buzën, nganjëherë për t’i ndrydhur gishtat, e nganjëherë për t’i ndezur qirinjtë në të katër anët e tokës për të kaluarën, për të sotmen dhe për të nesërmen, duke përkëdhelur vetëm atë dritën e cila kurrë nuk fiket.

Me rastin e promovimit të librit “Dua të pi verë Çamërie” të A. Deskut, folën edhe krijues të tjerë nga Tirana dhe vende të tjera, si Rajmonda Moisiu, Ramiz Mujaj, përfaqësues i Shoqërisë shqiptaro-amerikane “Vatra”, etj.

Ndërsa, promovimin e madhështuan artisja e mirënjohur, Margarita Xhepa dhe artisti Vasil Bozo, duke recituar vargje nga libri. 



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: