Ëngjëll Musai: Intervistë me Frank Shkrelin
| E Enjte, 06.10.2011, 07:59 PM |

 

FLET FRANK SHKRELI ME RASTIN E 20-VJETORIT TË RIHAPJES SË AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË

                 

Intervistoi Ëngjëll Musai, Drejtor i gazetës Telegraf

 

Zoti Frank, këto ditë në Tiranë po festohet 20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas jush, ku qëndron rëndësia e këtyre marrëdhënieve?

 

20-Vjetori i rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë është me të vërtetë një rast historik për të shprehur krenarinë dhe kënaqësinë për miqësinë që ekziston sot midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.  Rëndësia  e këtzre marrëdhënjeve, besoj se mund të vlerësohet, duke iu përgjigjur pyetjes: A është Shqipëria dhe kombi shqiptar në përgjithësi, më mirë sot se ç’ishte 20-vjetë më parë kurë nuk kishte marrëdhënje zyrtare me Shtetet e Bashkuara?  Besoj se përgjigjëja është e qartë për të gjithë.   Marrëdhënjet midis dy vendeve gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluar, besoj se mund të cilësohen si shumë të mira, me përjashtim të një periudhe të shkurtër në vitin 1997.  Besoj se rëndësia e marrëdhënjeve të ngushta e shumë miqësore midis dy popujve vlerësohet jo vetëm nga të dy palët, por edhe nga të tjerët. Pasi kombi shqiptar ka vuajtur gjatë gjithë shekujve nga okupues të jashtëm dhe nga diktatura komuniste,  rëndësia që shqiptarët i akordojnë  marrëdhënjeve me Amerikën, bazohet, jo në ideologji ose interesa të përkohëshme, por në ndarjen e vlerave të përbashkëta, në lirinë dhe në dinjitetin e individit dhe në standardet  e ndërtimit të një shoqërie demokratike për të gjithë, pa dallim. Në thelb, unë besoj se rëndësia e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane 20-vjetë e këtej, është se Shqipëria dhe kombi shqiptar, falë këtyre marrëdhënjeve dhe përkrahjes amerikane, kurr në historinë e tij nuk ka qenë me i lirë, zot i vetvetes në trojet e tij, më afër se kurrë realizimit të aspiratave të tij shekullore.  Falë përkrahjes së vendosur të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria është anëtare e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota, jo e mbyllur  brenda vetes, por kontribuese dhe pjesëmarrëse e përhapjes së paqës dhe sigurisë dhe e të drejtave universale.  Kosova është shtet i pavarur  dhe shqiptarët kudo në trojet e tyre gëzojnë më shumë se kurr të drejtat dhe liritë e tyre.  Shtetet e Bashkuara përkrahin vendosmërsisht Shqipërinë në përpjekjet e saj në forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike në përgjithësi, në rrugën e saj për të siguruar antarësimin në Bashkimin Evropian.  

Le të shërbej 20-vjetori i rihapjes së ambasadaës amerikane në Tiranë si një rast i mirë  dhe i nevojshëm për të vlerësuar rrugën e bërë deri tani dhe arritjet e përbashkëta në këto marrëdhënje si edhe miqësinë midis dy popujve – dhe në të njëjtën kohë të përcaktohen  edhe parime të përbashkëta për përforcimin e metëjshëm të këtyre marrëdhënjeve.   Unë besoj se marrëdhënnjet amerikano-shqiptare do të zhvillohen dhe marrëdhënjet midis dy kombeve  do të forcohen edhe më shumë në të ardhëmen, jo vetëm në përfitim të dy palëve por edhe në interes të paqës dhe sigurisë në rajon si edhe të zhvillimit ekonomik të shqiptarëve.    Rëndësia e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane në këtë përvjetor dhe shpresoj në përvjetorët e ardhëshëm, është se si asgjë tjetër, do të ndihmojnë drejtë  realizimit të sukseseve të mëtejshme të një Shqipëri moderne, demokratike, e hapur dhe dinamike për fatet e veta dhe të mbarë kombit shqiptar.

 

Ju kini qenë ndër të parët që, në emër të Shteteve të Bashkuara keni shkelur në Shqipëri për lidhjen e këtyre marrëdhënieve. Cila është përshtypja juaj nga ato ditë kur bisedohej për rivendosjen e marrëdhënieve?

 

Është e vërtetë se unë kisha fatin dhe priviligjenin e veçantë të isha anëtar i delegacionit të parë diplomatik të Shtetve të bashkuara që arrijti në Tiranë Marsin e vitit 1991, menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Ishte si një ëndërrë, sidomos për mua, por edhe për kolegët e delegacionit.  Por në të njëjtën kohë ishte një moment i cili pritej dhe për të cilin shpresohej për një kohë të gjatë.  Ishte një ndjenjë ankthi, për mua personalisht dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, familjet e të cilit, i cili si asnjë grup tjetër etnik në Amerikë, ishin të ndara e për fatin e të cilëve nuk dishin gjë me dekada.  Vallë a do vinte dita që shumë prej tyre prisnin të këtheheshin në atdhe? A do i gjënin gjallë të afërmit e tyre, të arrestuar e të dërguar në kampe përqëndrimi, ndoshta vetëm e vetëm se këta ishin  arratisur   në Shtetet e Bashkuara.  Edhe diplomatët amerikanë ishin të shqetsuar se si do të na prisnin. Para se të arrinim në Tiranë, kaluam një ditë e natë në ambasadën amerikane në Romë, për të mësuar nga diplomatët amerikanë aty, si post diplomatik amerikan më afër Shqpërisë.   Por, ata duke na kërkuar falje, na thanë se fatkeqsisht  nuk kishin asnjë informacion që ne mund ta gjënim të dobijshëm për vizitën tonë disa javëshe në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, me përjashtim të disa hartave dhe literaturë propagandë-komuniste që shpërndante ambasada shqiptare në Romë.  Fat të mirë,(Good luck) na thanë dhe kini kujdes, na këshilluan diplomatët amerikanë në Romë.

 

Ndonjë mbresë nga vizita juaj e parë në Tiranë?

 

Me të thënë të drejtën, fjala që mund të përshkruante ndjenjat tona kur zbritëm në aeroportin e Tiranës, ishte një shokim, një tronditje e dhimbshme shpirtërore.  Shikoje rreth e rrotull atij aeroporti, sikur lexoje fjalën izolim, izolim na bota, pasi aeroporti ishte bosh, por edhe të izoluar nga njëri tjetëri, ndonëse dukej se edhe nëpunës e policë që ishin aty, sikur nuk flisnin me njëri tjetërin. Fatkeqsisht, por e vërtetë, më përshkoi një ndjenjë depresioni, e cila nuk mu nda për disa ditë, nga përshtypjet e para.   Kishte dalur të na priste drejtori i protokollit të Ministrisë së Jashtme.  U vendosëm në hotel Dajti, ku flinim, hanim drekë e darkë por edhe nga ku zhvillonim takime, mbledhje, me një fjalë një dhomë e kishim këthyer në zyrë të përfaqësisë së parë amerikane në Tiranë.  

Në makinën që kishim marrë me qira nga Ministria e Jashtëme,  dhe me të cilën udhëtonim nepër qytete të ndryshme, vendosëm flamurin amerikan, gjë që vumë re se natyrisht këjo ngjalli kuriozitetin e pritshëm, dhe në disa raste frikë, pasi  ky flamur nuk ishte parë në Shqipëri, në pothuaj 50-vjetë.  Ndërsa udhëtonim nepër Shqipëri, kur ndodhnin grumbuj njerëzish merrnin guximin të na afroheshin për të parë se kush ishim ne me flamur amerikan në makinë, pasi disa të rinjë në Tiranë na patën njoftuar, se çuditërisht shtypi zyrtar i kohës nuk kishte bërë asnjë njoftim për arrrijtjen tonë në vend.  Por, në shumë raste, kur përpiqeshim të flisnim me ndonjë person që ndodhej vetëm në rrugë ose në qytet, ai ose ajo largohej duke rrudhë krahët, siç duket nga frika, pasi shikonin flamurin amerikan në makinë. Njerëzit në grumbuj e ndienin veten më të sigurt dhe ishin më të guximshëm dhe më të sinqertë ne biseda me ne.  Eventualisht, grumbujt e njerëzve rreth nesh dhe makinës kudo shkonim, sa vinin e shtoheshin – dhe në shumë raste arrrijtja e jonë shëndërrohej pothuaj në një karneval, ashtuqë akulli që mund të ekzistonte ndaj nesh në fillim, më në fund u shkri dhe ndjenjat e shqiptarëve për Amerikën ishsin pothuaj të papërmbajtura. Mirëpo, megjithëse disa ditë më parë ishin rivendosur marrëdhënjet midis dy vendeve, këto ndjenja nuk viheshin re në radhët e zyrtarëve të kohës ndaj prezencës së parë amerikane në Tiranë.

 

A e vërenit hendekun midis udhëheqjes së atëhershme dhe popullit lidhur me dëshirën për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve? 

 

Absolutisht. Si thashë edhe më lartë, siç duket Tirana zyrtare kishte vendosur që të mos e bënte bujë arritjen e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri.  Vetëm gazeta Rilindja Demokratike, pas një takimi që patëm me një delegacion të Partisë Demokratike të posa formuar, njoftoi publikun shqiptar për praninë tonë në Shqipëri.   Regjimi i atëhershëm besoj se dukej i izoluar, sepse delegacioni ynë dhe delegacione të tjera sidomos ato të Kongresit amerikan të kryesuara nga Senatori Kljeborn Pell dhe Senatori Denis DiKoncini, ia kishim kushtuar të gjithë vëmendjen opozitës së re shqiptare të asaj kohe.  Mesazhi  për sistemin komunist ishte, koha e juaj ka kaluar, një ditë e re po lindë për Shqipërinë.  Megjithëse autoritetet e atëhershme shpresonin të vazhdonin të ruanin pushtetin në një mënyrë ose në një tjetër, shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjëve, me të cilët vinim në kontakt, ishin të bindur se valvitja e flamurit amerikan në Tiranë, së pari në një makinë diplomatike, e më vonë para ambasadës së përhershme amerikane, ishte fundi i një regjimi që kishte shkaktuar aqë shumë  vrasje e perseekutime, dhimbje, vuajtje e tmer për shumë familje të pafajshme shqiptare. Pas revolucioneve anë e mbanë Evropës Lindore, u kishte ardhur  rendi edhe shqiptarëve të heqnin qafe regjimin komunist dhe të merrnin në dorë fatin e tyre si individ dhe si komb.

 

Në periudhën e errët të regjimit komunist, si punonin Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar popullin shqiptar?

 

Megjithëse marrëdhënjet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në vitet e para të shekullit të 20-të, kur Presidenti i atëhershëm amerikan Uodrou Uilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, nuk mund të flitet për marrëdhënje serioze midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara deri në Mars të vitit 1991, kur në Uashington u nënshkrua Memorandumi për rivendosjen e marrëdhënjeve.  Por e vërteta  është se edhe gjatë periudhës së errët të regjimit komunist, këto marrëdhënje nuk u harruan kurrë as nga Uashingtoni zyrtar dhe as nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Megjithëse kishte njerëz të komunitetit shqiptaro-amerikan, që pas disa dekadave ishin ‘’dorëzuar’’, duke thënë se sistemi komunist nuk do të ndryshonte kurr dhe se është humbje kohe për t’u marrë me këtë punë, pjesa dërmuese e komunitetit shqiptar të Amerikës nuk pushoi kurr së punuari për  realizimin e ditës që shënon ky përvjetor, d.m.th. të rivendosjes së marrëdhënjeve midis atdheut të lindjes, Shqipërisë  dhe atdheut të adaptuar Amerikës.  Edhe zyrtarët dhe diplomatët amerikanë, në çdo rast e kohë, gjithmonë bënin thirrje për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve – duke u kundërshtuar gjithmonë nga regjimi komunist shqiptar, i cili ngulte këmbë se kurr nuk do të pajtohej me ‘’imperializmin amerikan.’’  Stejt Departmenti  e kishte bërë si litani, që çdo vit me rastin e 28 Nëntorit të bënte një deklaratë për Zërin e Amerikës  në favor të normalizimit të marrëdhënjeve me Tiranën, me shpresë se evemtualisht Tirana e kuqe do t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së Uashingtonit për normalizim të marrëdhënjeve.  Këjo fatkeqsisht nuk ndodhi deri në rrëximin e atij sistemi.

 

Si një nga drejtuesit e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, mund të na tregoni ndonjë episod nga pritja që i bënin shqiptarët mesazheve që vinin nga Uashingtoni?

 

Fakti është se ne nuk kishim ndonjë kontakt me shqiptarët mbrenda Shqipërisë gjatë asaj periudhe dhe si të tillë  nuk kishim as reagime ndaj deklartave amerikane të njëpasnjëshme të Uashingtonit për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve.  Ne merrnin reagime pozitive ndaj deklaratave zyrtare të Uashingtonit drejtuar Shqipërisë, natyrisht nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe përfaqsues të tij por edhe nga Kosova dhe diaspora shqiptare në Evropë.   Besoj se gjatë 80-ave shumë intelektualë dhe përfaqsues të shqiptarëve të Kosovës ishin bindur se e ardhmja afat gjatë e Kosovës dhe e kombit shqiptar do mvarej nga rivendosja e miqësisë zyrtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në fakt ashtu edhe ndodhi, ishte këjo miqësi që mori hov pas vitit 1991 e që më në fund ndihmoi në mobilizimin e botës në përkrahje të shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë kombit.

 

Si e vlerësoni ecurinë e marrëdhënive Shqipëri-SHBA gjatë njëzet viteve të fundit?  Po për perspektivën e këtyre marrëdhënieve, ç’mund të thoni? 

 

Besoj se, siç thashë edhe më lartë, me përjashtim të periudhës ‘96/97, këto marrëdhënje janë karakterizuar nga një frymë respekti të përbashkët, ndërkohë që përfaqsues të dy palëve kurr nuk hesitojnë të theksojnë rëndësinë e ‘’marrëdhënjeve historike’’ midis dy vendeve.  A mund të jenë këto marrëdhënje edhe më të forta edhe me fitim prurëse për të dy palët? Absolutisht! Por këjo nevojitë angazhimin e plotë të të dy palëve.  Nuk dua ta teproj që si shtetas amerikan, por me origjinë shqiptar, të them me bindje të plotë se nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër si Amerika, që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’ua dëshiroj të mirën dhe pa asnjë kusht paraprak.     Ambasadori amerikan në Tiranë, gjatë një pritjeje me rastin e këtij përvjetori, në emër të Shteteve të Bashkuara, u citua  të ketë thënë nga Zëri i Amerikës  se  ‘’Ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptar dhe do të vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Integrimi euroatlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e orientuar nga tregu dhe institucione të pavaruara e demokratike. Këto janë aspiratat e popullit shqiptar. Ju keni të drejtë t’i prisni këto", tha ambasadori amerikan në Tiranë. 

Ky është një mesazh me të cilin unë pajtohem plotësisht. Marrëdhënjet e 20-vjetëve të fundit, për mire ose për keq, nuk janë afektuar nga interesat e kundërta midis njëra tjetrës siç ndodhë normalisht midis shtetesh, por janë afektuar, kryesisht për keq, nga gjëndja e mbrendshme politike në Shqipëri, nga mosmarrveshjet midis pozitës dhe opozitës gjatë dy dekadave të fundit.  Nëqoftëse mund të quhet kusht, i vetmi kusht që Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë e sidomos për klasën politike të vendit, është që të bashkpunojnë për të mirën e vendit e të kombit.   Mesazhi i Shteteve të Bashkuara, si mik i sinqertë i kombit shqiptar, dhënë nga ambasadori Arvizu është i thjeshtë dhe tepër miqësor, se ‘’Shtetet e Bashkuara  do të vazhdojnë të jenë në anën e popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë së bashku për përmbushjen e të gjithë ëndërrave e të gjithë breazave shqiptar, të shkuar, të sotëm e të ardhshëm.’’

Ka shumë për tu bërë në marrëdhënjet dypalëshe, por besoj se dy palët janë të gatëshme të përdorin këtë përvjetor, që së bashku, si dy miq të punojnë për marrëdhënje edhe më të mira midis dy popujve, dhe si ortakë edhe në skenën ndërkombëtare për një të ardhëme të begatë e stabile në paqë  për të dy palët dhe për rajonin. 

Besosj se perspektivat për marrëdhënjet dypalëshe janë të shkëlqyeshme. 20-vjetori  i rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë  dhe i marrëdhënjeve midis dy vendeve siç pat thënë edhe Sekretarja e  Shtetit Klinton   është vërtetë një fillim i ri – jo vetëm për marrëdhënjet tona bilaterale, por gjithashtu edhe për zhvillimin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe një partner ndërkombëtar.

 

Ju drejtoni dhe një shoqatë të shqiptarëve të Amerikës. Sa kontribuon shoqata juaj për këto marrëdhënie?

 

Unë kam drejtuar kohë më parë Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA), i cili së bashku me organizata si Vatra e të tjera, si edhe individë të ndryshëm kanë dhënë kontributin e tyre të paçmueshëm dhe gjithnjë vazhdojnë të ndihmojnë në përforcimin e këtyre marrëdhënjeve, pasi kemi të bëjmë me një komunitet që e do shumë Shqipërinë dhe interesohet për fatin e kombit.  Ky kontribut në të vërtetë njihet nga autoritetet e të vendeve.  Dua të ve në dukje se gjatë darkës vjetore të KKSHA dy javë më parë, ndihmës zevëndës sekretari i shtetit Filip Riker iu drejtua të pranishëmve me një porosi nga Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, që  në emër të saj, të falenderonte komunitetin shqiptaro amerikan për kontributin e tyre në zhvillimin e marrëdhënjeve midis Uashingtonit e Tiranës.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: