Programi Brain Gain synon uljen e trendit të ikjes së trurit nga Kosova
| E Shtune, 01.10.2011, 07:53 PM |

 

 
Fotolia 27633956

Brain waves
© Andrea Danti - Fotolia.com

Kushtet e vështira ekonomike, standardi i ulët i jetës si dhe oferta e varfër dhe joserioze e Kosovës për të joshur kuadrot me arsim të lartë ka bërë që një pjesë të kërkojë perspektivën në shtetet e zhvilluara.

 

Mentor Sopjani, 33 vjeç, pas studimeve bazike në biologji dhe atyre postdiplomike në biokimi-fiziologji në Universitetin e Prishtinës, për tri vjet e gjysmë studioi në Universitetin e Tybingenit, prej nga u kthye me titullin Doktor i Shkencave të Natyrës. Mirëpo, edhe pse Gjermania ofronte një perspektivë shumë më të mirë, ai u rikthye në Kosovë. Një rikthim, me përpjekjen dhe vullnetin e mirë për të dhënë kontributin për vendin e tij, pavarësisht sa vlerësohet përgatitja, sa pranohet përvoja dhe sa shpërblehet angazhimi, thotë Sopjani.

Dr. Mentor Sopjani - Arbeit im Labor an der Universität Tübingen. Copyright: Mentor Sopjani, Quelle: Ajete Beqiraj, DW/AlbanischMentor Sopjani

"Realisht, pranimi jonë këtu nuk është si duhet, sepse këtu së pari ka mungesë eksperiencash shkencore. Unë ate e kam sikurse edhe shumë të tjerë. Por, edhe pse vendi ka interes shumë të madh, kjo nuk don të thotë se neve na ipet mundësia. Mundësia e merituar, sepse njeriu gjen një perspektivë por sa ka të bëj ajo me nivein e arritjeve tuaja. Se p.sh. njeriu mund të punojë edhe si nëpunës i thjeshtë, mirëpo ai pozicion nuk është i merituar për një kuadro me doktoraturë. Aq më pak, kur keni lënë perspektivën jashtë, në këtë rast në Gjermani”.

Kosova synon involvimin e mërgatës në procesin e zhvillimit

Kushtet e vështira ekonomiko-sociale si dhe standardi i ulët i jetës ka detyruar një pjesë të kuadrove të arsimuara të Kosoves, të kërkojnë perspektivë në vendet e zhvilluara. Duke përcjellë përvojat e shteteve tjera që kanë kaluar nëpër këtë fazë të tranzicionit, qeveria e Kosovës ka vendosur që në procesin e zhvillimit të involvojë mërgatën, e cila përbën 17 për qind të popullësisë. Një hap drejt kësaj është programi "Brain Gain" i lansuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Tekonlogjisë, thote Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit: 

Ragip Gjoshi - Berater des Ministers für Bildung. 26.09.2011, Pristina. Copyright: DW/Ajete BeqirajRagip Gjoshi

"Qëllimi i këtij programi është që të ulë trendin e ikjes së trurit të Kosovës jashtë kufijve shtetërorë, duke u munduar që të ofrojë kushte minimale por të pranueshme për këto kuadro që veprojnë jashtë vendit për t´u kthyer dhe dhënë kontributin e tyre në zhvillimine shtetit më të ri të botës, shtetit të  Kosovës."

Kuadro me përgatitje të lartë, mundësi të vogla sistemimi në Kosovë

Grumbullimi i të dhënave dhe përpilimi i një liste me mbi 200 emra kuadrosh të përgatitura në fusha të ndryshme të cilat i nevojiten Kosovës, janë disa nga komponentet e planit të veprimit të programit "Brain Gain", thotë këshilltari Gjoshi, sipas të cilit disa prej tyre tashmë janë tërhequr dhe sistemuar: "Kemi pas angazhime konkrete dhe kemi kontakte të përhershme me këtë fond të çmueshëm të dijes. Mirëpo, duhet të jemi ojektivë se krahas interesimit të madh për kthim në vend, kushtet që iu ofrohen këtu nuk janë të barazvlefshme me kushtet që i kanë në institucione të caktuara ndërkombëtare. Sepse, ne kemi kuadro të cilat ligjërojnë nëpër universitete të ndryshme të botës, njerëz që drejtojnë kompani ndërkombtare të cilat do të ishte në interes të Kosovës që të kthehen për të dhënë kontributin konkret në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse kjo është sfera qëndrore, krahas zhvillimit të arsimit dhe edukimit."

Kosova braktiset nga kuadrot e arsimuara në mungesë të perspektivës

Mirëpo, oferta e varfër dhe joserioze e Kosovës për të joshur këto kuadro që të sistemohen në vendin e origjines, ka rezultuar me mungese vullneti për kthim në Kosovë apo edhe me braktisje të vendit në kërkim të një jete më të mirë. Sepse premtimet bien ndesh me realitetin që ofrohet, mendon dr.sc. Sopjani: "Në njërën anë i kemi premtimet zyrtare nga institucionet që vazhdimisht bëjnë thirrje me u kthy t´rinjt që kanë studjuar jashtë vendit. Mirëpo, pas kthimit unë e kam aprë se kjo thirrje nuk është e sinqertë. Natyrisht, mund të ketë edhe përjashtime, por unë flas nga përvoja ime. Sepse, unë disa herë kam aplikuar për pozitën e profesorit në Universtitetin e Prishtinës dhe edhe pse kam titullin doktor i shkencave të natyrës, kam mbi 30 publikime shkencore me recenzion ndërkombtar, dy libra në gjuhën angleze unë akoma jam asistent dhe mbaj ushtrimet e profesorëve te mi. Mirëpo, në kundërshtim me regullat e statutit nuk kam fitu pozicionin në të cilin do t´kisha edhe shumë më i frytshëm për gjeneratat e reja. Kam bërë ankesa, por askush nuk merr mundimin të paktën që të përgjigjet."

Kosovës, më shumë se buka dhe uji i nevojitet dituria

Sidoqoftë, krahas përpjekjeve dhe shpresës për një kthim më përmbajtësor dhe rezultateve jo të kënaqshme, duke pasur parasysh se Kosovës i nevojitet një reformim i thellë i të gjitha niveleve të cilin mund ta bartin vetëm njerëz që sjellin përvoja të caktuara nga shtete te ndryshme të botës, z. Gjoshi beson se kësaj nevoje dhe thirrjeje do t´i pergjigjet  truri i Kosovës, sepse, thotë ai: "Kosovës më shume se buka dhe uji i duhet dija. Angazhimi konkret në gjasimin e sistemit të arsimit dhe barazvlerën e tyre me arsimin dhe edukimin që zhvillohet në botë. Andaj, ndihma e njerëzve të cilët janë arsimuar nëpër institucionet më prestigjioze ndërkombtare i duhet tash Kosovës, për arsye se krahas zhvillimit të arsimit në të githa nivelet, është reflektim i drejtpërdrejt i zhvillimit ekonomik të Kosovës, me të cilin do të përmirësohej gjendja në të gjitha sferat e jetës."

Autor: Ajete Beqiraj
Redaktor: Esat Ahmeti

 


DW- Për ZSH: Tahir Shabani

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: