Gani Mehmetaj: Skënderbeu përballë Lekës së Madh!
| E Diel, 02.10.2011, 02:59 PM |

Aventurat e Lulisë: Skënderbeu përballë Lekës së Madh!

 

“Pse nuk ia bëjmë edhe ne një përmendore Lekës së Madh në Prishtinë?” Një propozim që se kisha dëgjuar kurrë më parë. Madje, siç ishte praktike, gjeti edhe vendin: përballë Komunës, aty ku gjendej përmendorja e vëllazërim-bashkimit.

 

Nga Gani Mehmetaj

 

  Kur u kthye nga Shkupi, megjithëse nuk i mungonte rrezatimi i entuziazmit, nuk ia pash shkëlqimin e bëftë e farfuritës të syve. Ishte lodhur nga pritja në doganë dhe nga vapa që e bëri t’i binte të fikët. Kufijtë gjithnjë e bënin nervoz, ia humbnin kohën, ia sosnin durimin që nuk e kishte asnjëherë sa duhet.

“Më të ngathët se policët e Maqedonisë”, ishte e sigurt ajo, “nuk ka në faqe të dheut”. “Me  një gisht e shtypnin tastaturën e kompjuterit dhe pas dy tri të rrahurash pushonin e shihnin anash, ose flisnin me kolegun në sportelin tjetër, thua ti kanë bërë punë të madhe. Nuk u bëhej vonë pse njerëzit presin me orë me durimin e budistëve”.

 Kohë të gjatë nuk shkeli mbi urën e vjetër të  Shkupit. Dikur nuk linte të shtune pa ia dhënë vrapit deri në Çarshinë e Vjetër për gardërobë, ashtu sikurse bënin edhe spitullaqet e Prishtinës, megjithëse qe e sigurt se ato rroba mund t’i gjente edhe në kryeqytetin tonë, por ndryshe ishte të lavdërohej se i bleu në Shkup.

  “Çarshinë e famshme e pushtuan ata me mjekra, duke i shëtitur edhe gratë e tyre me ferexhe të zeza deri në fund të këmbëve. Spitullaqet e Prishtinës, ikën në pjesën maqedonase, djemtë e qejfeve të birrës e të rakisë kaluan Vardarin, kështu që Çarshia vdiq, e mbytën”. Ajo ma pranoi që nga nostalgjia ia jep një vrap nëpër Çarshi, por ndalët vetëm të Shatërvani për të ngrenë një dhjetëshe qofte me ajron të ftohtë dhe vazhdon përtej urës.

 E  mësuar me kufirin shqiptar ku kalonte lehtë si nëpër djathë të Sharrit pa ther në këmbë, kufiri në Han të Elezit e lodhi. “Por, Shkupi është Shkup, mëkat që ua lëshuam të tjerëve”, me tha ajo më pikëllim, thua se na lutën të zgjidhnim. E dëshpëruar më tregonte se si shqiptarët e shkretë, dikur shumicë e zotërues të qytetit, janë rrudhur në disa lagje të varfra, ecin të shushatur e të menduar, duken të paushqyer, ndërsa intelektualët nuk shihen fare. Gati iu zu fryma nga ai ambient oriental si në Kodrën e Trimave menjëherë pas luftës.

    Lakmoi të dilte në Sheshin- Skënderbeu. Përmendorja e kryetrimit ia kënaqi syrin në pjesën e vjetër të qytetit. Por, e frikësuan gjithë ato përmendore të mbjella gjithandej me të bërë hapin e parë mbi Urën e Gurit. Mbi këtë urë shkeli Isë Boletini kur u bë zotërues i Shkupit me 1912, i shkoi nëpër mend. S’kishte shenj nga ai dhe ushtria e tij.

 E zhytur në mendime krejt papritmas i doli përballë një herë një luan në cep të urës, luanin tjetër nuk e pa në fillim, sepse Leka i Madh shihte i mërrolur tej në horizont. Nuk e dinte në ke është më i mllefosur heroi i antikës: në sllav të Maqedonisë që duan ta përvetësojnë pa e pyetur dhe pa e ditur kolosi i antikës pse duhej të bëhej i tyre, me çka e meritonin ata këtë nder, kur nuk i kishte në fis as në farë, apo ishte i mllefosur në shqiptarët që e kanë nip dhe e heshtin këtë afri gjaku, duke u marr me vaje e ankesa për kisha e kryqe. Në vi ajrore Leka i Madh dhe Gjergj Kastrioti nuk ishin larg njëri-tjetrit, mund t’u dëgjohej zëri po ta thërrisnin njëri-tjetrin,  por me propagandën që bëhej, i kishin larguar, sa s’kishin filluar një luftë për jetë a vdekje, ku nuk dihej kush do të fitonte e kush do të humbiste. Leka i Madh nuk ishte mësuar me humbje; Gjergj Kastrioti s’e kishte shijuar hidhësinë e disfatës. “Pastaj nipi kundër dajës s’do të luftonte dot”, me thoshte Lulia, duke u nisur nga tradita në Llap e në Kodrën e Trimave.

“Pse nuk ia bëjmë edhe ne një përmendore Lekës së Madh në Prishtinë?” Me pyeti duke me lënë pa mend. Një propozim që se kisha dëgjuar kurrë më parë. Madje, siç ishte praktike e gjeti edhe vendin: përballë Komunës së Prishtinës, aty ku gjendet përmendorja e vëllazërim-bashkimit. “E di: do të tërboheshin grekët më zi se sa zhurma që e bëjnë kundër sllavëve të Maqedonisë. Leka nuk është i grekëve , ai i pushtoi grekët”, me mbante ligjërata nga historia. Nuk dija ç’t’i përgjigjesha.

“është heroi yni”, vazhdoi duke me lënë gojëhapur si guhak. “Pse duhet t’ua lëmë atyre, apo kemi aq shumë heronj sa që ua japim fqinjëve ashtu sikurse qytete e katundet që ua lëshuam pa rezistencë”, dhe me shihte se si kisha humbur në shurdhërinë time.

“Sigurisht, mendon: do të reagojnë grupet e ndryshme me financime të dyshimta serbe, ruse a arabe, një dreq e merr vesh, sepse të gjithë janë bërë kundër shqiptarëve në Maqedoni”, parashtronte teoritë e konspiracionit ajo.

“Le të reagojnë këto shoqata.”, filloi ajo të ma zbërthente trurin si të ishte kompjuteri i saj që ndonjëherë ia nxirrte pjesët mbi tavolinë një nga një dhe ia montonte sërish. “Do të hedhin gurë e dru mbi te? Po punë e madhe, më mirë: qentë lehin e karvani ecë përpara, se sa të mos bëjmë asgjë. Ata u përpoqën ta përbaltin Skënderbeun, Nënën Terezë dhe ne i shihnim me indiferencë sikur të shanin heronjtë e Amerikës latine”.

  Mbase mund të jetë edhe ashtu, u dorëzova, sepse nuk dija ç’t’i përgjigjesha heroinës sime që kur të mbërthente përpara të bënte të djersije në pikë të dimrit e lëre më po qëllove përballë sulmeve të saja në pikun e vapës së verës. Ajo ma shtroi një strategji interesante. “Mbase do të ishte mirë që përmendoren e Lekës së Madh ta ndërtonim skaj urës së Ibrit dhe ashtu do t’i frikësonim serbët”, ngulmonte sikur të isha unë ai që do të vendoste.    

Dikur i la heronjtë dhe iu kthye përditshmërisë. “E di ti, që sllavët maqedonas ndërtojnë kisha e ngrinin kryqe gjigante, ndërsa shoqatat arabe e turke ndërtojnë xhami me kupola bakri e minare që përdridhen deri në qiell- për shqiptarët?. E shqiptarët ç’bënin? Një pjesë rrinin nën hije e ankoheshin nw maqedonas  (ata ishin intelektualët e subjektet politike shqiptare), kinse të tjerët ua kishin fajin; një pjesë merrnin abdes dhe faleshin në xhamitë e rishtas ndërtuara për ta fituar botën e përtejme, sepse këtë botë po e humbnin”, shtronte pyetje dhe jepte përgjigje Lulia.

   “Secili në mënyrën e vet bënte garë jo kush do t’i afrohej Zotit, por kush do të dëshmonte muskujt më të fuqishëm për pronësinë e Shkupit dhe të Maqedonisë. Dikush luante rolin e mbrojtësit të vlerave perëndimore, duke përdor metoda mizore orientale, e dikush akuzohej si përdhunues i këtyre vlerave qytetëruese, duke u rrudhur si breshka në zhguallin e vet”, rrëfente gjërat që i kishte dëgjuar e parë.

Lulia pikëllohej kur dëgjonte ankesa nga bashkëkombësit e saj skaj Vardarit, ndërsa s’kishte fuqi t’u ndihmonte.

 “Po shkolla ndërtojnë maqedonasit”, pyeti Lulia njërën nga shoqet e saj shkupjane. “Jo moj, jo, as ata nuk ngrehin godina shkollore, por atyre shteti ua bënë shkollat, i kanë disa universitete, u ndihmojnë edhe organizatat ndërkombëtare, kurse fëmijët tonë mbesin rrugëve, shesin cigare, bëhen çirakë, shkojnë në mejtepe, bëhen hajdutë. Ne nuk kemi shtet. Nuk dimë të kërkojmë ndihma ndërkombëtare, dhe nuk kemi as shkolla. Ato që i kishim para dyzetë vjetësh i shohim se si rrënohen pa e dhënë një denar për to.

Me të marr vesh gjendjen e bashkëkombësve të saj ajo ra në mendime si orakujt e Delfit, pa parathënë asgjë.              

*

Pas gjysmës së ditës filloi ta gërryente stomaku. Kërkoi qebaptorët e byrektoret e shkupjanëve. U bë me dyshim mos i kishte gabuar rrugët, nuk i bënin sytë nga uria, ose inspektorët i kishin mbyllur ato baraka të papastra dhe të errëta. Dikur pyeti gruan me shami lara-lara që nxitonte kokulur. “Qyqja, po është ramazan, moj!”, i tha ajo e habitur. Lulisë i shkrepi vonë, mirëpo nuk donte të dukej hutaqe, as nuk kishte kohë të sqarohej më te, prandaj i ra shkurt: “jam katolike”, i tha.

“E lumja ti”, i shpëtoi nga goja gruas që i dukeshin buzët e thara. Për ta përmirësuar fjalën që i doli nga buzët , vazhdoi: Qyqja, hyna në gjynah! Shko, moj motër përtej urës se do të hash çka ta dojë e bardha zemër”. “Pse sllavët nuk kanë ramazan a”, u bë sikur s’merrte vesh nga feja Lulia. “Jo moj jo, ata janë kaur. Për ramazan shkojnë atje edhe shqiptarët tanë që të mos i shohin fqinjët”.

Pasi u ngop me bërxolla viçi, i pyeti vendësit ku mund të takonte ndonjë përfaqësues të politikës shqiptare, sepse donte të pinte kafe me ta dhe t’ua bënte ca vërejtje serioze. “Çfarë do t’u thuash?” I interesoi shoqes së saj Melkes. “Do t’u them si i kanë lënë fëmijët pa shkollë, pa punë dhe pa kombësi, duke i zhytur në fe e misticizëm”, iu kthye shoqes. “Ua, shumë po kërkuake nga ta, më shumë se sa që kërkojmë ne kur ua japim votën. As ata nuk shquhen për ndonjë arsimim. Mezi kanë mbaruar ndonjë shkollë të mesme. Pastaj gjysmën do t’i gjesh nëpër xhami, duke i lajkatuar besimtarët që t’ua japin votat. Dhe edhe po e gjete ndonjërin në zyre duhet të shkosh në Tetovë”.

“Pse në Tetovë? Kujt ia lanë kryeqytetin e shqiptarëve” pyeti me naivitet Lulia. “Shkupin ia lanë Skënderbeut dhe Kështjellës së vjetër ilire”, i tha Melka me ironi. Dhe sikur nuk mjaftonte kjo i treguan se Skënderbeu njëkohësisht duhej të mbrohej ballazi nga ata përtej urës, ndërsa prapa nga dervishët me mjekra e pantallona deri në zog të këmbës.

  Lulia vendosi të kthehet në lagjen e vet, tym nga inati. Por Kreshnikut iu kujtua se e kishte një mik sllav, të cilin e njohu në takimet ndërkombëtare të OJQ-ve. E thirri nw telefon. E skandalizuar ajo iu hakërrye: “Çfarë? Të na shohin shkupjanët se si rrimë këmbëkryq e pimë kafe me sllavë? Kurrë!” Derisa bëhej gati t’ia numëronte edhe njëqind arsye të dashurit pse nuk duhej të pinin kafe me te, Stole, miku i të dashurit të saj ia bëhu tërë shend e verë, duke lëshuar zëra gëzimi që nga larg. Kur u afrua ca, putheshin në faqe Kreshniku e Stole saqë ajo filloi të bëhej xheloze. Stole i entuziazmuar i tregonte për të rejat nga Shkupi, që s’kishin të bënin fare me ato që dëgjoi orë më parë Lulia.

Kreshniku e Stole shtruan meze e raki rrushi, flisnin të entuziazmuar e qesheshin sikur nuk ishin pa më vjet, ndërsa Lulia rrinte si në thera...

 


Për Zemra Shqiptare: Ramiz Bojaj

(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: