Ndue Ukaj: Shtiracakët
| E Shtune, 01.10.2011, 05:59 PM |

Shtiracakët

 

Nga Ndue Ukaj

 

Në fjalorët e shqipes, shtiracakë, përkufizohen ata janë njerëz që e paraqesin vetën ndryshe nga ç’janë për të mashtruar të tjerët, për të përfituar diçka.

Kësisoj, sipas shpjegimit të fjalorëve, shtiracakët janë me dy faqe, janë ata që shtiren, që bëhen sa për sy e faqe, për të mashtruar të tjerët. Pra, ata nuk janë vetvetja, ata shtiren. Ndërkaq, sipas shpjegimit të mëtutjeshëm të fjalorëve, shtiracakët po ashtu janë të dështuar.

A janë politikat tanë të tillë?

Natyrisht se nuk janë të gjithë, ama shumica dërmuese e këtyre që sot po drejtojnë Kosovën, po, madje ky është një pohim me P të madhe.

Nëse i lexojmë fjalimet e shumicës së politikanëve tanë, dëgjojmë fjalime e tyre, deklaratat shterpe, shohim se ata shfaqen me dy fytyra nëpër shumë situata të caktuara, e sidomos kur është në pyetje orientimi gjeostrategjik i Kosovës dhe identiteti i saj. Para perëndimit, bëhen më perëndimor se vetë ata, ndërkaq sapo të kthejnë shpinën dhe të takohen me liderë arabë, turq apo tjerë, bëhen vëllezër, shfaqin pasionet e tyre për histori të përbashkëta, për kulturë të përbashkët dhe më e çuditshmja, për aspirata të përbashkëta, teza këto që nuk përkojnë askund me të vërtetat historike. Pikërisht këtë pohim, e dëgjuam këto ditë nga Ministri i jashtëm i Kosovës. Ministri në fjalë, me 24 shtator në një paraqitje televizive për emisionin e lajmeve të RTK-së, si “historian” i mirë që është, na tregoi marrëzitë e radhës, me një diskurs tejet naiv, sesi me Egjiptin paskemi një histori te përbashkët, një fe te përbashkët dhe aspirata të përbashkëta. Z. Hashim Thaqi me Erdoganin, ka një kohë që kanë shpallur vëllazëri, deklarata këto që kanë ndihmuar dukshëm në tensionet e brendshme ndërshqiptare, ndërsa tani z. Enver Hoxhaj me Egjiptin na ndaka kaq shumë të përbashkëta. Dy politikanët në fjalë, përbehen në vlerat perëndimore, e kanë fjalorin përplot Europë, qytetërim perëndimor, demokraci, ndonëse në praktikë shfaqin një fytyrë krejt tjetër. Është për t’u analizuar me seriozitet performanca proturke e kësaj qeverie, e përsëritur këto ditë nga Ministri i Emigracionit, i cili paturpësisht thotë se “pas SHBA-ve, Turqia zë vendin kryesor në angazhimin për krijimin e shtetit të Kosovës”. Këso deklarime, dëgjojmë jo rrallë. Ndryshe, ky diskurs shfaq hapur tendencat për ofrim të Kosovës me Turqinë gjithnjë e më shume joeuropiane. Kjo është një politikë e rrezikshme e mosmirënjohëse e cila na largon nga perëndimi, mirëpo jo asnjëherë nga qytetërimi perëndimor. Dhe jo vetëm kaq, kjo qeveri, perëndimin, demokracinë perëndimore e përdor vetëm nëpër letra dhe fjalorë, ndërsa sjelljet, veprimet dhe performancën i ka krejtësisht tjera.

Andaj përkufizim i mësipërm për shtiracakët, shihet qartë se ju shkon shumë për shtati sjelljeve të politikajve tanë, këtyre njerëzve që kanë marrë shtetin përpara dhe po e drejtojnë nëpër ujëra të turbullta, nga të cilat Kosova ka kërkuar dekada të tëra të shkëputet.

Ka një kohë të gjatë qysh kur në Kosovë janë shfaqur kriza të thella identitare. E kësaj krize, më së shumti i ka kontribuar dhe po i kontribuon kjo qeveri me sjelljet e saj shtiracake. Këta njerëz, duke ndërrue ngjyrat sa herë të jetë nevoja, paraqesin vetën ndryshe nga ç’janë, për të mashtruar të tjerët, duke mos e kuptua se në këtë mënyrë, më së shumti mashtrohet populli që po e drejtojnë dhe aspirata e tyre për të jetuar në liri, demokraci dhe shoqëri ligjore. Kësisoj, këta politikaj po e shkërmoqin shtetin, duke e copëzuar identitetin e tij, për interesa thellësisht personale, madje me pretendime makabre për të ndryshue edhe historinë.

Politika e Kosovës, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, ka devijuar nga platforma aksidentale dhe në raport me të, vetëm bën lojë shtiracake. Kjo për faktin se në praktikën e përditshme jetësore, në qeverisje, në sistemin e përgjithshëm demokratik dhe në pore të tjera të jetës, shohim një frymë politike joperëndimore.

Këtë soj të diskursit politikë, njeriu nuk e dëgjon asnjëherë tek politikanët e mençur perëndimor, tek ata që marrëdhëniet me shtetet i ndërtojnë mbi principe të shëndosha, e jo mbi sajesa primitive dhe të pakuptimta.

Në këtë mënyrë, këta politikanë, po vetëmashtrohen, ngase nuk po e din se identitetet gjysmake, s’janë gjë tjetër përpos identitete mashtruese. E Kosova, më së paku ka nevojë për platforma të tilla të dyshimta.

Kombi shqiptar, pa marre parasysh përkatësinë fetare, i përket qytetërimit perëndimor, me një kulturë të lashtë dhe të thadruar nëpër shekuj brenda kësaj përkatësie. Dhe këtë askush s’e ka vu në dilemë, deri ne këto dekadat e fundit, kur kemi fituar lirinë dhe për pasojë na janë shfaqur prirjet proturke e proorientale.

Kjo politikë e mosdijes, e ka vu në gjumë edhe popullin e mjerë, i cili për dekada ka jetue vetëm me shpresa. Kosova po ekziston dhe mbijeton fal interesave gjeostrategjike dhe përkrahjes perëndimore. Pra, shteti i Kosovës, është rezultat i shteteve të fuqishme perëndimore dhe jo i shteteve aziatike, ka do ta përplas kjo qeveri me një performancë të hapur proturke.

Këta shtiracakë, kësisoj po nëpërkëmbin dinjitetin, kulturën dhe identitetin shqiptar. Premisa e vetme mbi te cilën ndërtojnë opinionet e tyre, angazhimet e tyre, këta shtiracak, del të jetë feja. Kjo është loje shume e rrezikshme dhe e ve kombin para sfidave te mëdha dhe te paparashikuara. Kosova nuk ka nevojë për politikan shtiracakë, por për politikan me identitet të qartë dhe përcaktime të shëndosha dhe të qarta, që do ta shpijnë drejt horizonteve të reja.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: