Flet këngëtari Bujar Çiçi: “Kënga mbetet dashuria ime e parë”
| E Shtune, 24.09.2011, 04:13 PM |

Surpriza ime do të jetë  recitali “Me ju në zemër të Tiranës”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Kur e takon dhe i sheh atë buzëqeshje të ëmbël në fytyrë ndihesh sikur të kesh vite që e ke takuar. I thjeshtë i dashur, i sinqertë, plot humor. Flet me pathos për këngën si ta ketë gjymtyrën më të rëndësishëm të trupit. Gjithmonë, në kërkim të së resë në këngë, atë e sheh në lëvizje. I mbingarkuar në punë, e gjen në çdo cep të Tiranës, ku ka aktivitete, dasma, fushata elektorale. Dhe pse ka bërë gjashtë recitale (që deri tani është rekord) ai thotë se, kënga kërkon më shumë përkushtim, më shumë shpirt dhe risi që të përballesh me konkurrencën. Ka shumë ide por tashmë i është përkushtuar recitalit të ri “Sofra Tironse” që do të zhvillojë tek bar-restorant “Xibraku”, e cila do të ofrohet për herë të parë për një këngëtar. Këtë recital ai do ta zhvillojë me mikun e tij Reshit Bokën.

 

Pas këtij momenti, ku keni kënduar për të marrë shtysë dhe njohje?

 

Kam kënduar tek ish -Pallati Kulturës Tiranë ish-ansambli “Tirana” disa vjet dhe mbas  viteve ‘90 kur u shpërbë ky ansambël dola i lirë si këngëtar. Aty mora shumë  mësime. Ishte një shkollë për mua.

 

Cilat ishin këngët që këndoje në këtë ansambël?

 

Këngë tiranase dhe vetëm këngë tiranase. Aty e ka brumin, majanë dhe furrën kënga ime.

 

Kur shkove për herë të parë jashtë atdheut?

 

Në vitin 1991 shkova në Maqedoni. U mirëprita. Ishte një rrugë e re për mua. Pasi u ktheva nga Maqedonia mora pjesë në spektaklin “12 në Hollivud”, Në këtë spektakël këndova i pari dhe kam pasur fatin e mirë që së bashku me Valbona Memën pritëm këngëtaren e madhe greke Marinela. Ishte një moment i bukur që më solli freski. Ky spektakël më bëri më të sigurt.

 

Kur e keni bërë koncertin e parë recital?

 

Në vitin 1992. Recitali  u bë te ish-Pallati i Sportit “Partizan”, ku shkallët e Pallatit u mbushën si në një ndeshje ndërkombëtare. Asnjë vend bosh, por kishte dhe në këmbë shumë njerëz. Madje atë ditë më ndodhi një incident.

 

Çfarë incidenti?

 

Pasi policët në hyrje duke mos më njohur s’më linin të hyja. Më thanë s’je ti Bujari, pasi nuk më njihnin.  Vetëm kur erdhi regjisori i RTV me autobusin e regjistrimit, i cili më tha: “Hajde Bujar se do të filloj regjistrimi, ata u bindën”.

 

Po albumi i parë?

 

Albumin e parë e bëra në vitin 1994 me 12 këngë tiranase. Albumi titullohej “Këngë nga Bujari”. Pati shumë sukses sepse pas tij mua më ftuan në Zvicër, Gjermani, Itali kudo, ku kishte emigrantë. Më shumë qëndroja në Gjermani. Në vitin 1996 u ktheva prej andej dhe bëra albumin tjetër  në bashkëpunim me kolegun tim Reshit Boka, i titulluar “Sevda”, i cili pati një “bum” shitjesh. Pastaj kam marrë pjesë në shumë aktivitete të organizuara nga RTV, nga shoqata ku kam marrë dy çmime të para, një çmim të dytë duke kënduar vetëm këngë tiranase dhe të Shqipërisë së Mesme.

 

Po jashtë keni qenë me Ansamblin e Shtetit si i ftuar?

 

Po, kam qenë në vitin 1999 me Ansamblin Shtetëror. Ishim të ftuar në Qipron turke, ku atë ditë që dhamë shfaqje ishte dhe Kryeministri turk dhe Presidenti i Qipros. Ishte një ditë e bukur me mbresa të pashlyeshme.

 

Sa albume ka bërë gjithsej Bujari?

 

Plot gjashtë. Të tërë kanë pasur sukses. Këtë e tregon tregu jo unë.

 

Cili është albumi më i bukur?

 

Albumi i gjashtë “Një Tiranë, nuk bëhen dy”. Këtë album e promovova me recital me moderator Bujar Kapexhiun. Në këtë recital ftova Reshit dhe Olta Bokën. Recitali u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Por më parë, në vitin 2005 bëra një recital ‘Këndon për ju Bujar Çiçi”. Kisha të ftuar humoristë, valltarë,  si dhe mikun tim Reshit Boka.

 

Cila është risija e koncertit të ri recital që do të bëni present së afërmi tek bar-restorant “Xibraku”?

 

 Një recital jo në Pallat të Kongreseve. Por në një lokal si në shtëpi, me një oxhak aty afër. Ku do të ketë 400 vetë . Pra, do të jemi larg monotonisë, larg ambienteve të mëdha, mes njerëzve të njohur. Ky do të jetë surprizë, ku nuk mund t’i them të gjitha. Pasi dhe moderatori dhe prezantuesi do jenë surprizë. Ideja do të jetë “Me ju në zemër të Tiranës”. Pra pavarësisht se titullimi është ndryshe ky do të jetë thelbi, ku unë do të jem së bashku me mikun tim Reshit Boka.

  

Tek  “Sofra Tironse” kush do t’ju mbështesë?

 

Këtë aktivitet të parin në llojin e vet në Tiranë do ta mbështesë Bar-Restorant  “Xibraku”, “Geraldina Spoza”, shoqata “Tirana”, bar restorant “Helger” dhe shumë të tjerë. Ndërsa skenarin e këtij aktiviteti surprizë e ka përgatitur Bedri Alimehmeti, ku në qendër të vëmendjes do të jenë karakteristikat e dhomave të pritjes tiranase si sofra dhe oxhaqet. Ky ideim ka si bazë familjen tradicionale tiranase. N.q.s do ta quaj recital (sepse në fakt do të zhvillohet vetëm me familjarë) do të jetë tepër i veçantë dhe i pari në llojin e vet.  Ky recital do të jetë 100 për qind live.

 

Por, për të ardhur deri këtu Bujari ka një ecuri. Kush e zbuloi Bujarin si këngëtar?

 

Vetvetja. Në një darkë fisnore kur pashë duke kënduar kërkova të këndoj dhe unë. Për çudinë e të gjithëve mënyra se si këndova solli duartrokitje. Pas asaj nate unë ju përkushtova tërësisht këngës. Ajo ishte dashuria ime e parë.

 

Ju i keni dhënë shumë Tiranës, po Tirana çfarë ju ka dhënë juve?

 

Mua Tirana më ka dhënë më shumë se çfarë i kam dhënë unë asaj. Më ka dhënë mbështetje, më ka dhënë gëzim, më ka dhënë sallat plot, dasmat e pafundme. Unë kam pasur dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera me publikun e Tiranës. Për këtë shoqata kulturore, artistike, atdhetare “Tirana” më ka dhënë  titullin “Mirënjohja e Tiranës”.

 

Jeni i apasionuar pas sportit?

 

Shumë, shumë. Unë pushoj vetëm kur shoh sport. I dua të gjitha llojet e sporteve, nuk bëj dallim. Sporti për mua është argëtimi më i mirë. Nuk jam me një skuadër fikse, por ndjek çdo sport që më relakson.

 

Ç’është familja për Bujarin?

 

Është shenjtëria vetë. Një familje e ngrohtë të jep një qetësi të jashtëzakonshme. Çdo sukses fillon tek familja.

 

Shumë albume dhe koncerte recital, me cilët kompozitor dhe autor tekstesh ka bashkëpunuar Bujari?

 

Ah! E drejtë. Duhej bërë kjo pyetje, pasi pa bashkëpunëtorë nuk mund të bëhet një këngë e mirë. Unë kam bashkëpunuar me kompozitorët Luan Zhegu. Ilir Balla, autor tekstesh Jorgo Papingji dhe Gjok Beci. Por në mënyrë të veçantë dua të përmend dhe këngëtarin Reshti Boka me të cilin punoj sistematikisht. Ne në më të shumtën e rasteve jemi bashkë. Ai tashmë ka dhe një këngëtare të madhe, vajzën Olta Bokën, e cila po korr suksese të njëpasnjëshme.

 

E keni deformuar ndonjëherë këngën popullore tiranase?

 

Asnjëherë! As do ta deformoj se këtu gjej veten, se këtu kam formuar personalitetin se tek këto këngë kam thurur miqësinë, tek këto këngë kam njohur rrënjët e mia, tek këto këngë marr frymëzim dhe gjej mbështetje të padiskutueshme.

 

Ku pëlqen t’i bëjë pushimet Bujari?

 

Në det dhe vetëm në det. Ne kemi një bregdet të shkëlqyer. Pushimet i bëj gjithmonë në Shqipëri. I jam besnik detit tonë ashtu si i jam besnik këngëve tironse.

 

Jeni marrë ndonjëherë me politikë?

 

Asnjëherë dhe gjithmonë. Them asnjëherë pasi nuk kam asnjë teser dhe them gjithmonë se kam qenë i ftuar nga politikanë të majtë dhe të djathtë në fushata elektorale.

 

Ushqimi i preferuar?

 

Ushqimet tradicionale.

 

Jeni supertsitcioz ?

 

Besoj tek puna, zëri dhe tek Zoti lart.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: